OPINIONE

PLASËM NE SHQIPTARËT E DIASPORES

Shkruan: Sefedin Krasniqi

Plasëm apo na plasën, ne shqiptarëve të diasporës këta shqiptarët e trojeve shqiptare, nuk po mund ta kuptoj. Sa i përket Kosovës, SHIK-u i ka fajet për të gjitha dhe sipas ankesave ditore, as Gestapo e as UDB nuk kanë qenë më të forta se SHIK-u. Edhe ndonjë grua në Kosovë me lindur para kohe apo me pësuar abort, SHIK-ut ia lëmë fajin. Mos më keqkuptoni, se as që më shkon mendja ta mbroj SHIK, sepse e di që është organizatë kriminele, por është edhe për keqardhje që ditën dhe kafen e mëngjesit e nisim me SHIJK-un.

Edhe shqiptarët e Shqipërisë Londineze na plasën neve shqiptarëve të Kosovës, sepse këta të Shqipërisë i marrin gjerat më me relaks, pasi për ta armiku kryesor mbetet ende Enver Hoxha. Çfarë hullie do të ekzistonte në letërsi dhe publicistikë sikur të mungonte Enver Hoxha dhe diktatura e pistë e tij.

Edhe Shqipërinë e sundojnë ende Nexha dhe Neveri (kurvi i Edison Ypit) , me ndihmën e Milladinit dhe të Mugoshes. As këta s’dua t’i mbroj sepse më se miri i mbrojnë ata që na i përkujtojnë çdo ditë. Dëshira ime më e madhe në jetë dhe sytë hapur do më mbesin kur te vdes që ende s’e gjetëm ilaçin e harresës për këta njerëz. Ky do të ishte dënimi më i madh që do t’ua bënim.

Shqiptarët e Maqedonisë, dje treguan se kush janë liderët e tyre. Çdo kush, vetëm shqiptarët jo. Na në diasporë që nga mbrëmë nuk po ndalemi duke gjëmuar e vajtuar për shqiptarët e Maqedonisë, ata vallëzonin midis Shkupit me flamurin shqiptar dhe maqedonas të lidhur sikur dikur që shqiptarët e Kosovës së Azem Vllasit e lidhnin flamurin shqiptar me atë Jugosllavisë. Edhe këta shqiptarët e Maqedonisë na plasën.

Ata të Luginës së Preshevës na plasën sepse ende po i presin Abetaret dhe po i besojnë Edi Rames që me aq zjarr e dashuri i citoi në Nish pusullat e Ivo Andriqit!

Epo kush s’na plas neve se!?
Dhe shih, nga mllefi, shumë prej neve kemi ndërruar nënshtetësinë. Vetëm natën jemi shqiptarë. Dhe kjo gjendje shumë po na mundon!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *