POLITIKA KOMBËTARE

Duke kujtuar të kaluarën, e dimë vlerën e lirisë

Shkruan: Xhafer Sadiku

Pasi kontrolluan edhe shtëpinë e të arrestuarit, në prani të mbështetësve të regjimit në fshat, operativi i sigurimit urdhëroi policët të niseshin. Nëna plakë zgjati duart të përqafonte të birin, por një e shtyrë e policit e përplasi pas murit.

– U kthefsh mirë, – bir!
– Vajtja dihet, por ardhja s’dihet, -iu hakërryen policët.

Kur dolën mbi fshat, i arrestuari ktheu kokën. E ndjente se po ndahej përgjithmonë nga nëna, që e ndiqte me sy. Bashkëfshatarët shikonin nga dritaret, ndërsa “paria” e fshatit shoqëronte operativin e sigurimit, i cili i falënderoi kur u ndanë. Ishin të kënaqur nga puna e bërë: një “armik” më pak, më i lehtë sundimi i tyre.

Pas dy orë udhë nëpër vapën e korrikut, mbërritën tek çezma e fshatit nga kalonte rruga automobilistike dhe ku i priste “Gazi” i Degës.
– Largohuni, urdhëroi operativi tre plakat që mbushnin ujë.

– Çfarë paska bërë ky burrë që e paskenii lidhur me duar mbrapa, nuk kemi dëgjuar të jetë vrarë njeri në atë fshat?!

Teksa policët po freskoheshin, njëra prej tyre mori bucelen dhe u drejtua për tek burri me pranga ne duar. Por sa iu afrua ti jepte uje, polici që ruante të arrestuarin ia rrembeu nga dora dhe ia flaku disa metra tutje.

– Ky është armik, nuk e do Partinë tonë. Ti i jep edhe ujë!

Plakat u shushatën.

– Por edhe ai që të vret, të lë sa të pish ujë! Ju qenkeni… O Zot!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *