POLITIKA KOMBËTARE

Shoqata “Nënë Tereza” dhe Materniteti në Kodrën e Trimave simbol i humanizmit, solidaritetit dhe rezistencës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në aktivitetet për shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Maternitetit në Kodrën e Trimave.

Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga personalitete të shumta publike, përfaqësuesit e Shoqatës “Nënë Tereza”, mjekët e punonjësit e tjerë shëndetësorë që vepruan në këtë Maternitet dhe qytetarë të shumtë të Prishtinës, fillimisht ka bërë zbulimin e pllakës përkujtimore të objektit të Maternitetit dhe më pas mori pjesë në manifestimin solemn që u mbajt në këtë përvjetor jubilar.

Pas ceremonisë së zbulimit të pllakës, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga Don Lush Gjergji, kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza” dhe doktori Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, vizituan ambientet e ndërtuara në shtëpinë e z.Shaban Sfirca në Kodrën e Trimave, ku ishin ofruar shërbimet shëndetësore.

Kryeministri Isa Mustafa, para të pranishmëve në manifestimin qendror foli për rolin e Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nënë Tereza” dhe Maternitetit në Kodrën e Trimave.

“Në vitet e ’90-ta, u themelua një organizatë unike, e cila parimin e solidaritetit, bamirësisë dhe ndihmës, e ngriti në shkallën më të lartë, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, “Nënë Tereza”, që për një kohë rekorde krijoi me dhjetëra degë dhe qindra nëndegë, duke përfshirë kështu me qindra mijëra aktivistë dhe vullnetarë në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa, duke folur më gjerësisht për organizimin e një sistemi të ndihmave nga diaspora, nga brenda Kosovës dhe nga organizatat humanitare nga mbarë bota.

Kryeministri Mustafa, më tej tha se një pjesë të veçantë të kësaj historie të bujshme por edhe unike do të jetë hapja e Maternitetit në vitin 1996 në Kodrën e Trimave, në një objekt që enkas për këtë e ndërtoi veprimtari Shaban Sfirca.

“Nga kjo kohë, Materniteti gjeti përkrahjen e bashkatdhetarëve tanë, e gjeti përkrahjen e qytetarëve, përkrahjen e lagjes së Kodrës së Trimave dhe përkrahjen e popullit të Kosovës. Puna e tyre e pashoq e profesioniste, sjellja njerëzore bëri që Kosova në tmerret e dhunës dhe të okupimit të organizoj një fushë të veçantë të kujdesit shëndetësor. Materniteti në Kodrën e Trimave është simbol i lindjes së mbi 10 mijë foshnjave, sot u dha 12 mijë e 500, që sot janë burra e gra të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar rolin e Shoqatës “Nënë Tereza” në proceset historike të asaj periudhe.

Kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza”, Don Lush Gjergji, tha se parimi bazë i Shenjë Terezës sonë ishte “kudo që jeta është në rrezik aty duhet te jemi ne”, e ky parim u shndërrua në një betim as të fikur, as të koritur.

“Kështu Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës, u mundua që jetën dhe veprën e Nënë Terezës ta nderoj, popullin tonë dhe gjithë njerëzit t’i ndihmoj, t’i afroj dhe bashkoj në një solidaritet të pashoq në këto hapësira”, tha Don Lush Gjergji.

Duke folur për punën në këtë Maternitet, Don Lush Gjergji tha se nëpërmjet shërbimeve shëndetësore është mbrojtur jeta e qytetarëve të kërcënuar dhe të rrezikuar, sidomos të nënës dhe të fëmijës.

“Mjekët dhe personeli shëndetësor me punë dhe orvatje të jashtëzakonshme ishin natë e ditë në mbrojtje të jetës, nëpërmjet asistimeve të lindjes së nënave dhe të fëmijëve të tyre, në kushte minimale, por me përkushtim dhe dashuri optimale”, tha Gjergji.

Dr. Sejdullah Hoxha, udhëheqës i Maternitetit, kujtoi punën e palodhshme të punëtorëve shëndetësor për t’i dalë në ndihmë qytetarëve anembanë Kosovës, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat ata përballeshin.

Ai theksoi përkushtimin e punëtorëve shëndetësor, sidomos të gjinekologëve, të cilët punonin në punkte shëndetësore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, ku ofronin vizita dhe shërbime tjera gjinekologjike e obstetrike.

Hoxha foli edhe për historikun e këtij Materniteti, duke theksuar se deri në fund të vitit 1996 ishin kryer 1198 lindje, në vitin 1997 ishin kryer 3574 lindje, më 1998 ishin kryer 6402 lindje, ndërsa në periudhën nga 1 janari deri më 28 mars 1999 kur u mbyll Materniteti nga forcat policore, ishin kryer edhe 1342 lindje, ndërkaq, deri më 28 mars 1999 kur edhe u mbyll materniteti janë kryer 12.482 lindje.

Ish-koordinatori kryesor i Shoqatës dhe Maternitetit, Palok Berisha, theksoi vullnetin, dëshirën dhe gatishmërinë e gjithë punonjësve shëndetësorë që atë kohë bënin të pamundurën për t’i dalë në ndihmë popullatës.

“Lëvizja jonë ishte një shprehje e paparë e bashkimit të mundësive për të vepruar si një njeri. Na bashkoi një ide, një motiv, një qëllim, të ndihmojmë njerëzit në nevojë dhe që sado pak të zbusim vuajtjet e mijëra njerëzve anembanë Kosovës në momentet kur rreziku nga shfarosja ishte real”, tha ish-koordinatori Berisha.

Shaban Sfirca, pronari i shtëpisë që u shndërrua në Maternitet i falënderoi punëtorët shëndetësorë për punën e bërë dhe banorët e Lagjes “Kodra e Trimave”, të cilët kishin ofruar mbrojtje dhe mbështetje për personelin shëndetësor dhe për popullatën.

“Kjo ngjarje më kujton ditën kur Presidenti Historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2002 e zbuloi pllakën në hyrje të shtëpisë, e cila po ashtu ishte shndërruar në spital, në të cilën punoi dr. Gani Demolli me mjekë e me infermiere”, tha Sfirca.

Në fund të këtij manifestimit u ndanë mirënjohje për një pjesë të atyre që punuan dhe kontribuuan në forma të ndryshme në këtë Maternitet.

Në manifestim, të pranishëm ishin ministrat Hykmete Bajrami, Imet Rrahmani, Arban Abrashi, deputetë të Kuvendit, mjekë dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë të cilët me punën e tyre kontribuuan në hapjen dhe mbarëvajtjen e këtij Materniteti, duke u dalë në ndihmë popullatës përmes ofrimit të shërbimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *