Arber Gashi dhe Hysen Terpeza
HISTORIA

RËNDËSIA HISTORIKE DHE POLITIKE E LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT

Arbër Gashi

Të shkruajmë për rëndësinë historike dhe politike të Lidhjes së Dytë të Prizrenit është një nderim i madh që mund t’ia bëjmë kombit shqiptar në tërësinë e tij, por jo vetëm kaq, sepse edhe e vërteta shkencore dhe ardhmëria jonë si komb i bashkuar ka nevojë të përkujtoj luftën e lavdishme kombëtare të 52 000 dëshmorëve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Andaj, për historinë tonë kombëtare, për politikën, shtetin dhe diplomacinë tonë të sotme, ngjarjet e asaj kohe kanë rëndësinë e tyre që duhet vlerësuar, sepse kërkesat dhe qëllimet humane, demokratike dhe kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, janë pa fije dyshimi pjesë e bisedave dhe programeve politike të ditëve tona.

Kur shkruajmë për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, atëherë medoemos duhet të theksojmë faktin se KOSOVA për shqiptarët e asaj kohe dhe sidomos për Lidhjen e Dytë të Prizrenit në Kosovë, por edhe për Organizatën e Ballit Kombëtar dhe nacionalistët tjerë në Shqipëri kishte një kuptim tjetër të shtrirjes gjeografike. Ajo përfshinte të gjitha trojet e pushtuara shqiptare nga ish-Jugosllavia. Pra, me fjalën Kosovë nënkuptoheshin edhe trojet e sotme që ndodhen nën sundimin malazez, serb dhe nën sundimin e krijesës komuniste FYROM.

Për politikën kombëtare të kohës, Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte shprehje e vazhdimësisë së pandërprerë të luftës kombëtare shqiptare për liri, kurorëzim i vullnetit kombëtar të shqiptarëve dhe realizim praktik i bashkimit të tokave të pushtuara nga sllavët me Mbretninë Shqiptare të kohës. Shqipëria Etnike, si nevojë historike, politike dhe si vullnet plebishitar e demokratik, gjeti shprehjen e saj më të lartë në Kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të mbajtur në shkollën Bajram Curri (sot „Lidhja e Prizrenit“) në Prizren, më 16 – 20 shtator të vitit 1943. Aty morën pjesë delegatë nga të gjitha viset e pushtuara nga sllavët, të cilët, me votën e tyre i dhanë legjitimitetin kombëtar e ndërkombëtar kërkesave dhe vendimeve politike të kohës.

Historianët në veçanti, por edhe ata të cilët kanë marrë guximin të shkruajnë dhe nxjerrin në dritë të vërtetën e ngjarjeve që pasuan pas dështimit, apo thënë më mirë, pas tradhtisë komuniste të Marrëveshjes së Mukjes, në Lidhjen e Dytë të Prizrenit gjejnë përgjigjen adekuate të politikës shqiptare të kohës. E themi politikës shqiptare, sepse “historianët” tanë ende vazhdojnë të bëjnë gabimet notorike, duke e cilësuar dhe vlerësuar politikën e Partisë Komuniste në Shqipninë londineze si politikë e majtë shqiptare, ndërsa ndihmën e saj ushtarake për Partinë Komuniste të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si Luftë Antifashiste e Nacionalçlirimtare.

Në realitet, asokohe Partia Komuniste e Shqipërisë ishte degë e papërfillshme e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Në fillimet e saj ajo i ngjante pothuajse plotësisht grupeve të ndara marksiste-leniniste të viteve të 80-ta në Kosovë. Me ndërhyrjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ajo filloi ti ngjante Lëvizjes Popullore të Kosovës në fillimvitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Prandaj, ne mund të konstatojmë, se në fillim të rezistencës antifashiste në Shqipëri, ndikimi i grupeve dhe më vonë partisë komuniste në politikën kombëtare ishte pothuajse i papërfillshëm. Ndikimi i saj politik dhe ushtarak filloi të rritet përmes nxitjes dhe mbështetjes së dhënë nga partia komuniste jugosllave. Partia Komuniste e Shqipërisë jo vetëm se ishte kolaboratore dhe e formuar me direktivë e mbështetje profesionale nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, ajo, akoma më tepër, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj i shërbente hapur interesave serbosllave në Shqipëri dhe trojet e ripushtuara.

E ritheksojmë, se ishte Partia Komuniste e Jugosllavisë ajo që urdhëroi anulimin e njeanshëm të Marrëveshjes së Mukjes; urdhëresë të cilën komunistët shqipfolës e zbatuan me përpikmëri. Forcat komuniste shqipfolëse morën urdhërin nga jugosllavët për të filluar menjëherë operacionet luftarake kundër Organizatës së Ballit Kombëtar në Shqipëri. Ashtu si ishin udhëzuar nga mësimet serbosllave, shqiptarët që nuk ishin me „Nacionalçlirimtaren“ u shpallën fashist dhe bashkpuntorë të fashizmit. Për ti shpëtuar kësaj etikete, shqiptarët duhej gjithsesi ti bashkoheshin forcave komuniste të krijuara nga serbët. Politika e kinse përcaktimit pro ose kundër fashizmit është aktuale edhe sot. Kjo politikë shfrytëzohet me të madhe nga komunistët shqipfolës dhe udhëheqësit aktual çetnik të shtetit serb. Mjafton të konsultohen dokumentet mbi dëshmorët dhe viktimat civile gjatë Luftës së Dytë Botërore për të kuptuar qëllimet finale të komunistëve shqipfolës dhe çetnikëve që sundojnë sot në Beograd.

Megjithatë, ia vlenë të kujtojmë se i njëjti skenar veprimi është zbatuar edhe në luftën për çlirimin e një pjese të Kosovës në vitet 1998 – 1999. Ripërsëritja e historisë nuk është e rastësishme. Anulimi i njëanshëm i marrëveshjes së Osllos, vrasjet që pasuan para- dhe pas luftës në Kosovë, miratimi i heshtur dhe mungesa e vullnetit politik për zbardhjen e këtyre vrasjeve janë dëshmi e mjaftueshme për reflektim serioz në politikën tonë kombëtare. Në rastin e shqiptarëve, ripërsëritja e historisë ndodhi si proces i planifikuar, sepse “historianët” e kohës së sundimit komunist, të ndikuar dhe shantazhuar nga Partia Komuniste e Shqipërisë dhe qendra vendimmarrëse, Partia Komuniste e Jugosllavisë, falsifikuan të dhënat historike të kohës. Ata, për një periudhë kohore bënë të njëjtën punë që vazhdon ta bëjë edhe në ditët tona, Kisha Ortodokse e Serbisë.

SHTATOR 1943

Në fillim të muajit shtator të vitit 1943 gjendja në Shqipëri ishte acaruar shumë. Në Kosovë mbretëronte gjendja e shtetrrethimit të shpallur nga Italia fashiste, ndërsa situata politike dhe ushtarake ishte përkeqësuar tej mase. Lajmi i kapitulimit të Italisë më 8 shtator 1943 ishte sinjal dhe moment i pritur për forcat komuniste dhe çetnike serbe, të cilat, duke shfrytëzuar edhe forcat komuniste shqipfolëse nga Shqipëria londineze kërkonin të krijonin parakushtet e nevojshme për zbatimin e pastrimit etnik të trojeve të shqiptare. Në veri e jug të Shqipërisë Etnike, forcat komuniste filluan operacionet e tyre kinse antifashiste, ndërsa në realitet ato luftonin kundër shqiptarëve që synonin një Shqipni të lirë, etnike dhe demokratike.

Ato ditë të zeza të 1943-tës, kujtesa popullore i kishte të freskëta të bërat e forcave çetnike të Pavle Gjurishiq, të cilat, muaj më parë, në prag të Kërshëndellave ortodokse serbe, më 5 dhe 6 janar të vitit 1943, me bekimin e Kishës Ortodokse të Serbisë, kryen masakrën e Bihorit, duke lënë të vrarë e masakruar 9200 burra e fëmijë shqiptarë dhe duke marrë peng gratë dhe nënat e tyre. Me akcione të tilla ndëshkuese, forcat çetnike kërkonin me çdo kusht të rikthenin gjendjen e tmerrit në Kosovë. Këto forca partizano-çetnike kërkonin të kryejnë detyrën e tyre, zhdukjen e shqiptarëve ashtu si kishin vepruar paraardhësit e tyre në Sanxhakun e Toplicës në vitet e 70-ta të shekullit XIX. Masakra e Bihorit ishte vazhdimësi e terrorit shtetëror serb dhe njëri nga krimet më të rënda serbe të kryera në Gadishullin Ilirik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Planet shtetërore serbe, të mbështetura fuqishëm nga Kisha Ortodokse e Serbisë dhe të përpiluara nga Ilija Garashanin, Jovan Cvijiq, Ivo Andriq, Vaso Çubrilloviq etj., po zbatoheshin pa ndërprerje edhe në Luftën e Dytë Botërore.

Të shohim tani për një moment, se çfarë thonte shkrimtari dhe analisti serb Mirko Gjorgjeviq (1938 – 2014), për politikën e pandryshuar shtetërore dhe kishtare serbe ndaj shqiptarëve:

„Shteti ynë ka bërë qindra memorandume dhe plane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kur i shfletojmë ato zgjidhje, qofshin ato komuniste, shtetërore apo kishtare, shumë lehtë mund të vërejmë se planet tona kanë qenë të tilla, që çështja e Kosovës të zgjidhet në atë mënyrë që aty të mos mbetet asnjë shqiptar.“

Kjo dëshmi nga dora e një intelektuali serb mjafton për të kuptuar se sa ishte i nevojshëm reakcioni shqiptar për të shmangur rrezikun e madh sllavokomunist, masakrat, gjenocidin e çetnikëve dhe anarkinë totale pas kapitulimit të Italisë fashiste. Përveç kësaj, Kosova kishte nevojë shumë të madhe që nuk mund t‘a prolongonte më gjatë, nevojën për të artikuluar, legjitimuar dhe promovuar në mënyrë demokratike, pamvarësisht rrethanave aspak të favorshme të luftës, kërkesën e vetme politike të shqiptarëve të pushtuar nga ish-mbretëria e dikurshme Jugosllave; bashkimin e tyre me shtetin amë, Mbretërinë Shqiptare. Këto ishin disa nga arsyet kryesore që quan në mbajtjen e kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, duke mos lënë anash edhe përgjigjen adekuate tradhtisë ndaj Marrëveshjes së Mukjes, të cilën e zyrtarizuan për interesat e Milladinëve, komunistët shqipfolës.

Nga data 11 e deri në ditën e madhe të 16 shtatorit 1943, shqiptarët e trojeve të pushtuara nga ish-Jugosllavia japin dëshminë e një vepre madhështore.
Më 11 shtator, me iniciativën e Xhafer Devës dhe nacionalistëve tjerë shqiptar, në Prizren mbahet një mbledhje e intelektualëve kombëtar të asaj kohe. Përpos Xhafer Devës, në mbledhje morën pjesë edhe Musa Shehu, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zaimi, Llukë Simon Mjeda, Qazim Bllaca dhe Pjetër Vuçaj. Vendimet e mbledhjes së 11 shtatorit përmblidhen në tri pika:

1. Të thirret një mbledhje e përgjithshme popullore me frymën dhe shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, në të cilën, të gjitha krahinat e Kosovës, Dibrës, Strugës, Tuzit dhe Ulqinit përfaqësohen përmes delegatëve të zgjedhur nga populli.

2. Deri në themelimin e një autoriteti suprem, formohen këshilla rajonal, autonom dhe ekzekutiv.
Ngarkohet këshilli ekzekutiv i Prizrenit me përgatitjen e Kuvendit të Lidhjes, i cili duhet të mbahet jo më larg se më 16 shtator të vitit 1943.
Njëri nga protagonistët kryesorë të kohës, heroi shqiptar inxh. Xhafer Deva, në vitin 1974, në një takim me mërgimtarët shqiptar në Wisconsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përshkruar ngjarjet e atyre ditëve të shtatorit të vitit 1943 ndër të tjera thotë: „Historia jonë e re nuk mbanë mend një entuziazëm të tillë dhe organizim më të shpejtë e më cilësor se Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Të gjitha trojet e pushtuara nga ish-Jugosllavia në ato tri-katër ditë para kuvendit të Lidhjes në Prizen e dhanë dëshminë e kulturës dhe forcës shtetformuese të Kosovës. Të gjitha vështirësitë dhe pengesat u tejkaluan me entuziazmin e papërshkruar për Shqipni Etnike. Në shpirtin e popullit të pushtuar shqiptar mbretnonte vullneti i madh që me pushkë në dorë të çlirohet dhe mbrohet Shqipnija. Të gjitha trevat e pushtuara nga ish-Jugosllavia, ashtu siq ishte paraparë, i dërguan përfaqësuesit e tyre të besës shqiptare në kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit“.

Atmosferën e atyre ditëve të shtatorit në Prizren, Tahir Zaimi e përshkruan me sa vijon: „E shi, në diten e caktueme me 16 Shtator 1943, qyteti i Prizrenit, i zbukuruem me flamuj dhe me harqe triumfi, paraqitte me të vertetë pamjen e nji feste kombtare të jashtzakonshme: përveç banorve të qytetit historik, kishin ra nga të gjitha krahinat me mija e me mija qytetar e katundar t’interesuem për fatin e atdheut. Të shoqnuem nga delegatët e krahinave të ndryshme dhe nga autoritetet civile e ushtarake të vendit, komiteti organizator, i përbamë prej Musa Shehut, Sheh Hasanit, Tahir Zaimit, Llukë Simon Mjedës, Qazim Bllacës e Pjetër Vuçës, drejtohet për në shkollen e « BAJRAM CURRIT». N’oren 10 para dite, në prani të mija e mija qytetarve, midis gëzimit e entuzjazmit qi gufon nga zëmra e popullit në te tilla raste, kuvendi hapet me nji fjalim të Musa Shehut, i cili tregon shkurtas arsyenat qi shtyen inicjatorët me thirrë këtë mbledhje të përgjithshme dhe masat e nevojshme qi lypset të merren për t’i ba ballë gjendjes kritike t’atdheut. Kuvendi, midis brohoritjesh e çfaqjesh entuziaste të popullit, pagzohet « LIDHJA E II-të E PRIZRENIT ».

3. Vendimi i Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për bashkimin e trojeve shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia me Shqipninë, respektonte dhe realizonte për herë të parë në historinë e shekullit XX, vullnetin politik dhe të drejtën demokratike të popullit shqiptar për vetëvendosje.

Pas këtij vendimi historik që mori Kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, lufta e përbashkët e komunistëve shqiptar dhe atyre serb u intensifikua dhe mori përmasa gjenocidale ndaj shqiptarëve. Forcat e bashkuara komuniste serbo-shqiptare, të përkrahura edhe nga forcat çetnike që në ndërkohë kishin filluar të ndërrojnë uniformën e ishin bashkuar me partizanët e Titos, përmes propagandës dhe gënjeshtrës për luftën e përbashkët antifashiste dhe zgjidhjen e çështjeve nacionale pas përfundimit të luftës dhe duke premtuar gjithnjë, se do respektonin vullnetin demokratik të popullit për bashkim, synonin të fusnin hutinë dhe përçarjen mes shqiptarëve. Planet komuniste, siç dëshmoi koha, u realizuan përmes futjes së përçarjes, terrorit dhe gjenocidit të pashembullt.

Përçarjen kombëtare mes shqiptarëve komunistët e bashkuar serbë e shqiptarë e realizuan duke përdorur etiketën e fashistëve në cilësimin që i bëhej ballistëve dhe personaliteteve që drejtonin Organizatën e Ballit Kombëtar dhe Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Njëkohësisht, me urdhërin e komunistëve serb, Partia Komuniste e Shqipërisë nxiti dhe mbështeti hapur ndarjet regjionale, duke ngjallur frikën në Shqipërinë londineze nga kosovarët dhe pushteti i tyre. Të gjithë shqiptarët e Shqipërisë që mbështetnin me pendë e pushkë në dorë bashkimin e forcave kombëtare për Shqipëri Etnike u shpallën tradhtarë dhe fashist që duhej zhdukur sa më parë. Për rrjedhojë, forcat nacionaldemokratike në Shqipni u vunë në shënjestër, ata fituan statusin e tradhtarëve vetëm pse pohonin me bindje se: “Pa Kosovë e Çamëri, s’ka Shqipëri”. Forcat kombëtare shqiptare gjatë luftës fituan plumbin pas shpine, ndërsa pas përfundimit të luftës përjetuan robërinë, skllavërinë, vrasjen, terrorin, internimin, sekustrimin e pasurisë personale, familjare dhe izolimin e hekurt. Shqiptarët nacionaldemokrat që i mbijetuan sistemit komunist në Shqipëi, vazhdojnë të ndiejnë pasojat e këtij trajtimi edhe në ditët tona. Gjendja e tyre nuk ka njohur një përmirësim të dukshëm që mund të vlerësohet dhe cilësohet si ndryshim pozitiv. Ata ballafaqohen edhe sot me të njëjtën politikë të cilën e udhëheqin forcat e bashkuara antishqiptare nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

LUFTA E ÇETAVE TË LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT

Lufta heroike e formacioneve ushtarake të Lidhjes së Dytë të Prizrenit kundër komunizmit, pushtuesve serb, malazez dhe bullgar, vulosi njëherë e mirë kërkesën e drejtë të shqiptarëve për Shqipëri Etnike. Fitoret ushtarake të shqiptarëve kishin ngjallur admirim, sepse forcat pushtuese serbomalazeze dhe bullgare nuk po gjenin dot forcën për të ripushtuar trojet shqiptare. Në çdo sulm, ato po përjetonin ferrin e rezistencës çlirimtare të shqiptarëve. Depërtimi i trupave ruse në frontin e Lindjes dhe hyrja e tyre në Jugosllavi, ndihma e menjëhershme në armatim për ushtrinë komuniste jugosllave dhe mbështetja ushtarake e forcave komuniste të Shefqet Peqit, Aqif Lleshit e Ramiz Alisë, ndërruan raportin e forcave ushtarake në terren. Të rrethuar nga të gjitha anët, shqiptarët e trojeve të pushtuara nuk u dorëzuan dot dhe nuk pranuan të ngrisin flamurin e bardhë në fushën e betejës. Duke e ditur mirë, se lufta tashmë ishte e humbur dhe çdo përpjekje e mëtutjeshme do mbetej për momentin e kotë, ata vendosën të flijohen për idealin e Shqipërisë Etnike dhe demokratike.

Për të kuptuar ndjenjën atdhetare të luftëtarëve që ndikuan në shkrimin e historisë së lavdishme të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i referohemi fjalëve të Aqif Blutes, i cili, në Kuvendin e Lidhjes deklaroi me sa vijon: “Tregu i Ri, ose Jeni Pazari, si quhej deri dje, si dhe Senica me krahinat e tyne, janë vise thjesht shqiptare, pse popullsija që i banon asht krejt shqiptare; çdo njeri ndër ato ana, din të thotë se prej ç’far fisi shqiptar rrjedh”, ndaj me kërkesën këmbëngulëse të popullit “po bashkohemi me Shqipninë, me Nanën t’onë të përbashkët, për të cilën jemi djeg e shkrumue, jemi vra e shkretue deri në ditë të sodit”.

E tillë ishte pra Lidhja e Dytë e Prizrenit, organizata që i tha jo pushtimit, jo ideologjisë sllavokomuniste, jo ndarjes së territoreve shqiptare në mes të fqinjëve grabitqarë. Luftëtarët e Lidhjes dhanë jetën e tyre që gjeneratat e reja të politikës shqiptare të kenë një udhërrëfim, një shembull konkret, një obligim atdhetar, realizimin e idealit tonë kombëtar; Shqipërinë e Shqiptarëve të lirë, Shqipërinë Etnike dhe demokratike. Lidhja e Dytë e Prizrenit luftoi me pushkë e pendë, për një shtet shqiptar me bazë shoqërore moderne, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet mike të kontinentit Europian.

RIPUSHTIMI SJELL TERRORIN NË TË DY ANËT E KUFIRIT TË DHUNSHËM

Pas ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe izolimit hermetik të Shqipërisë londineze, pasuan ndarjet e dhunshme administrative të trojeve etnike shqiptare. Me direktivë të Partisë Komuniste Jugosllave u formua një entitet i quajtur Republika Socialiste e Maqedonisë. Në Prizren, prej datës 8 deri më datën 10 korrik 1945, nën drejtimin e Partisë Komuniste Jugosllave dhe me mbështetjen logjistike e propagandistike të qarqeve çetnike të Kishës Ortodokse të Serbisë, u mbajt një kuvend i turpit, në të cilin, Serbia edhe zyrtarisht aneksoi Kosovën. Më 23 korrik 1945, komunistët serbosllav në Kuvendin Federativ Jugosllav, aprovuan vendimin e kuvendit serboçetnik të Prizrenit, ndërsa kuvendi i Serbisë aprovoi të njëjtin vendim me datën 1 shtator të po atij viti. Për shqiptarët e ripushtuar po fillonte një periudhë e gjatë e përpjekjeve, rezistencës dhe mbijetesës. Në rrethanat e terrorit të legjitimuar shtetëror serbosllav të cilin e mbështeste pa asnjë rezervë edhe Partia Komuniste e Shqipërisë, këmbanat e ndërgjegjes kombëtare i thërrisnin mbijetesës. Pjesa më e madhe e drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit u zu rob dhe u pushkatua. Një pjesë e vogël e tyre arriti ti shmanget robërisë dhe mori rrugën e mërgimit. Të larguarit gjetën strehim dhe mikpritje në vendet aleate të demokracisë euroatlantike.

Populli shqiptar gjatë kohës së robërisë në perandoritë komuniste të Enver Hoxhës dhe Josip Broz Titos përjetoi vllavrasjen më të tmerrshme që ka njohur historia jonë. Në trojet e ripushtuara nga sllavët, populli ynë iu nënshtrua terrorit shtetëror, dhunimit, shpërnguljes, asimilimit të dhunshëm dhe gjenocidit. E drejta historike dhe e drejta ndërkombëtare ishin dhe janë në anën tonë. Prandaj, populli ynë dhe disa nga partitë e djathta vazhdojnë të angazhohen dhe kërkojnë me argument shkencor të drejtën legjitime për Shqipërinë Etnike. Kjo e drejtë është e lidhur në mënyrë organike me humanizmin ndaj popullit autokton dhe Rilindjen Kombëtare të Shqiptarëve. Qëllim kryesor e kemi bashkimin e tokave shqiptare. Nuk kërkojmë asgjë të huajën. Duam realizimin e të drejtave tona dhe rikthimin e sovranitetit shqiptar në trojet e Shqipërinë Etnike. Synojmë gjithashtu edhe rikthimin e sovranitetit shqiptar në objektet e uzurpuara nga Kisha Ortodokse e Serbisë, nga Kisha Ortodokse e Greqisë dhe nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë. Kërkojmë dhe mbështesim një konferencë ndërkombëtare në të cilën do të trajtoheshin të dhënat historike në aspektin shkencor. Jemi kundër gënjeshtrës dhe manipulimit të fakteve historike. Jemi kundër mitologjisë dhe përvetësimit të historisë sonë nga sllavët. Jemi kundërshtarë të bastardimit të historisë sonë nga komunistët. Ne kërkojmë një konferencë ndërkombëtare, sepse nuk e shohim shqiptarin dhe Shqipërinë Etnike si komb inferior ndaj pretendimeve të fqinjëve. Ata politikanë dhe analistë shqipfolës që sot kërkojnë mirëkuptimin tonë për bisedimet që po zhvillohen me shtetin e Serbisë, duhet ta dinë mirë, se me këtë veprim legjitimojnë kërkesat fashiste të Kishës Ortodokse të Serbisë!

Populli shqiptar dyshon me të drejtë, se këta politikanë janë të paguar rrastë nga fondet antishqiptare ose janë të humbur fare në kohë dhe hapësirë! Pse e themi këtë? Për arsye se asnjë nga këta politikanë dhe analistë politik që sot kërkojnë mirëkuptimin tonë, nuk do të marshonin së bashku me sponzorët e tyre në një vizitë te Molla e Kuqe për të përkujtuar gjenocidin e kryer në Sanxhakun e Toplicës! Ata e dinë se shteti serb dhe Kisha Ortodokse e Serbisë nuk e lejon një gjë të tillë! Dhe, vepra e tyre deri më sot po tregon se, ata i respektojnë dhe aprovojnë vendimet e shtetit serb dhe Kishës Ortodokse të Serbisë! Këta politikanë e analistë kinse të moderuar e paguar rrastë, siç dyshohet anekënd, qofshin vendorë apo ndërkombëtar, sundues të protektoratit ose shërbëtor të sundimtarëve, asnjëri prej tyre nuk guxon dhe nuk gjenë mbështetje për të përkujtuar masakrën e Bihorit! Nuk guxojnë as ta përmendin, por kemi frikë se edhe nuk duan ta përmendin fare, sepse këtë ua ndalon ndoshta shteti dhe preambula në kushtetutën e Serbisë! Për masakrën e Tivarit çfarë të themi?! E shkuar, e harruar!? E, cilët janë ata politikanë të ditëve tona që në dekadën e dytë të shekullit XXI, në kontinentin e të drejtave dhe lirive njerëzore ndalojnë përkujtimin e akteve të gjenocidit vetëm për arsyen e thjeshtë, se këto akte gjenocidi janë kryer nga shteti serb dhe me miratim të kreut të Kishës Ortodokse të Serbisë!?

Nuk kalon ditë e lume siç thotë populli e të mos dëgjojmë, se politika e sotme po angazhohet për Kosovën! Mirë shumë, por ne pyesim me të drejtë, se për cilën Kosovë angazhohen këta politikanët tanë sot? Cilat janë ato të drejta që realizojnë shqiptarët në Kosovën e tyre? Kemi të drejtë në një deklarim plebishitar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ashtu siq ndodhi më 1943 në Lidhjen e Dytë të Prizrenit? Jo, kjo e drejtë na mohohet me kushtetutën e protektoratit aktual! Ne shqiptarët nuk e kemi këtë të drejtë! Kjo e drejtë legjitime është mollë e ndaluar për kombin shqiptar! Për shqiptarët në Kosovë dhe në FYROM, mesa mund të vërejmë ne shqiptarët e shpërngulur nga dhuna racore e shtetit serb dhe Kishës Ortodokse të Serbisë, vazhdon e njëjta politikë e gënjeshtrës dhe manipulimit të fakteve historike. Prandaj, nisur nga këto ndalesa politike, nga kjo shkelje flagrante e të drejtës njerëzore përmes aktit më të lartë juridik, lirisht mund të deklarojmë se populli shqiptar në Kosovë është popull i ndaluar, popull i penguar dhe popull i manipuluar.

Kësaj politike duhet t’ia ndalim hovin. Ne duhet të japim përgjigjen tonë demokratike, plebishitare, një përgjigje të qartë shkencore shqiptare dhe të rikthejmë lavdinë kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Nga ky kuvend, ju lus të gjithëve që të bëjmë një peticion të përbashkët dhe të kërkojmë nga institucionet e sotme që shkolla ku janë mbajtur kuvendet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit të shpallet muze i kulturës dhe luftës kombëtare për Shqipëri Etnike. Në brendësi të saj, të shkruhen me shkronja të arta dhe të shkëlqejnë sa të jetë jeta emrat e Mit’hat Frashërit, Xhafer Devës, Ago Agajt, Musa Shehut, Kolë Margjinit, Xhemë Gostivarit, Mulla Idriz Gjilanit, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Aqif Blutës, Mefailave të Zajazit, Sulë Hotllës, Bedri Pejanit, Aqif Tetovës, Fuat Dibrës, Asllan Velës, Sidki Shkupit dhe 52 000 shqiptarëve dëshmorë, luftëtarë të vrarë e masakruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty duhet të gjejnë vend emrat e të maskruarve në masakrat e Bihorit dhe Tivarit. Ta kemi një vend, ku rinia jonë mund ta prekë me dorë historinë tonë. Një vend, ku rinija jonë mund ta gjejë inspirimin e nevojshëm për detyrat që e presin. Një vend, ku rinija jonë mund të mësojë të vërtetën e hidhur mbi tradhtinë kombëtare të komunistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjakovë, 2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *