POLITIKA KOMBËTARE

PSE E MAJTA ISH KOMUNISTE E URREN “28 NËNTORIN” ?!

Nga Nebil Çika

Firmëtarët e Pavarësisë dhe diktatura komuniste

Përkujtimi i ngjarjeve historike ka si qëllim promovimin e vlerave tona kombëtare e humane, por ato shërbejnë edhe si shembuj për brezat e ardhshëm me qëllim të vlerësojnë e të motivohen nga gjërat e mira, por dhe të dënojnë e të mos lejojnë përsëritjen e të këqijve. Përvjetori i Pavarësisë sigurisht është një ngjarje e madhe për kombin shqiptar, por kjo nuk mund të na pengojë që në analizën që çdokush prej nesh i bën kësaj historie njëshekullore të kujtojmë të mirat dhe të këqijat e saj. Fatkeqësisht, gjysma e kësaj periudhe pavarësie për shumicën e shqiptarëve ka qenë një nga periudhat më të zeza të historisë shumëshekullore të kombit e popullit tonë. Diktatura komuniste përbën faqet e zeza të historisë sonë kombëtare dhe fatkeqësisht përbën gjysmën e periudhës, njëherazi edhe të librit të kësaj historie. Është e qartë gjëma që shqiptarët pësuan në diktaturën e E.Hoxhës dhe R. Alisë, por unë dua të përqendrohem kryesisht te një aspekt i saj shumë i rëndësishëm për të kuptuar e përcaktuar jo vetëm historikisht natyrën antikombëtare të kësaj diktature kriminale dhe autorëve të saj, zgjatimet e së cilës vazhdojnë të jenë dominuese në të gjitha aspektet e jetës edhe sot, 20 e kusur vjet pas rënies de jure të saj. E kam fjalën për qëndrimin jo vetëm historik që diktatura demonstroi ndaj patriotëve shqiptarë e veçanërisht shumicës së firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë dhe familjeve të tyre, gjë që duket se po anashkalohet jo pa qëllim në këto kremtime të bujshme të 100-vjetorit të saj.

Duke filluar nga Ismail bej Vlora (Qemali), për të vazhduar me shumicën e tyre, firmëtarët e Pavarësisë dhe familjet e tyre u shënuan në krye të listave të armiqve të diktaturës komuniste, gjë që u shoqërua me persekutimin çnjerëzor. Kështu, familja e “babait” të Pavarësisë shqiptare, Ismail Qemalit, u persekutua politikisht. Djali i tij, Qamil Vlora, një ushtarak i nderuar i ushtrisë kombëtare, u arrestua dhe u dënua që në vitin 1945 si sabotator në ushtri, ndërkohë që të gjithë pasardhësit u trajtuan si armiq dhe u ndëshkuan politikisht me forma nga më të ndryshmet. Djali i Isa Boletinit u vra nga komunistët në një atentat në Shkodër që në vitin 1943 dhe u trajtua si armik gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, ndërkohë që vrasësi i tij, ish-kreu komunist Vasil Shanto, u shpall Hero i Popullit, titull që e mban me nderime zyrtare edhe sot. Një shkollë e njohur në Tiranë dhe disa rrugë në të gjithë vendin mbajnë ende emrin e tij. Bedri Pejani u arrestua nga komunistët shqiptarë dhe iu dorëzua atyre jugosllavë, ku dha shpirt nga torturat në burgun e Prizrenit. Dhjetëra patriotë të tjerë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi pësuan të njëjtin fat.

Lef Nosi, një tjetër firmëtar i njohur, u dënua me pushkatim, familja e tij u persekutua në mënyrë sistematike, ndërkohë që varri i tij ende nuk dihet. Ndaj Iliaz bej Vrionit, i cili kishte ndërruar jetë para ardhjes në pushtet të komunistëve, u ndërmor një nga aktet më të turpshme në historinë e njerëzimit. Varri i tij në Berat u shkatërrua nga komunistët dhe eshtrat e tij u hodhën në lumin Osum, për të humbur kështu pa nam e nishan. Familja e tij u persekutua deri në ditët e fundit të regjimit komunist.

Ferit Vokopola, një tjetër firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, u dënua dhe vdiq nga torturat në burg, familja e tij gjithashtu vuajti kalvarin e gjatë të persekutimit gjysmëshekullor.

Familja e Hajredin Cakranit ishte një nga familjet që pësoi ndëshkime nga pushkatimi deri të burgosjet e internimet e gjata në disa breza.

Edhe familja e Mustafa Merikës (Kruja) për disa breza e kaloi jetën në burgje e internime, ndërkohë që vetë Kruja u shpall kriminel lufte dhe jetoi gjithë jetën në ekzil politik.

Mithad bej Frashëri, djali i Abdyl Frashrit, nipi i Samiut dhe Naimit, një prej personaliteteve më të spikatura patriotike jo vetëm të pavarësisë, kryetar i Kongresit të Manastirit, u shpall armik dhe kriminel lufte dhe vdiq në rrethana të dyshimta në SHBA.

Të njëjtin fat pati edhe Rexhep Mitrovica, i cili vdiq ne ekzil në Turqi. Shefqet Dajiu, firmëtari nga Elbasani, u arrestua nga komunistët dhe u burgos. Vdiq n burg nga torturat në vitin 1946.

Familja e Xhelal Koprencekës ishte gjithashtu një prej më të përndjekurave të regjimit komunist. Nipi i tij, Xhelal Koprencka (i riu), u burgos dhe më vonë u pushkatua.

Në prill 1946 komunistët arrestuan Qazim Kokoshin, i cili qe kthyer nga internimi i nazistëve vetëm disa muaj më parë, në vitin 1945. I burgosur në hetuesinë e Vlorës, vdiq nga torturat çnjerëzore, ndërsa familja e tij u shpall armike dhe u persekutua me egërsi deri në vitin 1990.

Në vitin 1951 u arrestua nga komunistët një tjetër firmëtar, Zihni Kanina ( Hamzaraj ), i cili vdiq po nga torturat në burgun famëkeq të Tiranës.

Po kështu edhe familja e Qemal bej Karaosmanit, e dom Nikollë Kaçorrit, Toptanët, Gurakuqët, por edhe shumë familje të tjera u persekutuan dhe u trajtuan si armiq gjatë gjithë kohës së komunizmit. Dua t’u kërkoj falje lexuesve dhe atyre familjarëve të firmatarëve dhe pjesëtarëve të tjerë në kuvendin e Vlorës të persekutuar nga komunizmi që nuk u përmenda emrin, që besoj se janë më shumë prej tyre, por besoj se ata që përmenda janë të mjaftueshëm për të kuptuar atë që komunistët i bën kësaj ajke të racës shqiptare.

Vuajtja dhe persekutimi fizik janë vetëm njëra pjesë e persekutimit komunist të firmëtarëve të Pavarësisë. Denigrimi, poshtërimi dhe përbaltja e këtyre figurave të ndritura të kombit nga shteti komunist, propaganda e sidomos historiografia e tij janë sigurisht një krim më vete. Falsifikimi i historisë është sigurisht një nga krimet më të mëdha të komunizmit dhe këto figura ishin në epiqendër të këtij krimi. Në të gjitha tekstet historike zyrtare e jozyrtare të botuara nga 1945 më 1990, por dhe më tej, shumica e firmëtarëve të Pavarësisë ose janë hequr, ose janë injoruar nga historianët komunistë. Rasti më flagrant është fshirja nga fotoja e shpalljes së Pavarësisë të shumë prej këtyre figurave dhe vendosja me falsifikim e xhaxhait të diktatorit Hysen Hoxha, një version historik i manipuluar në mënyrë shumë të trashë nga autorët e të cilit vazhdojnë të jenë ende pika referimi të historiografisë sonë. Krimi i diktaturës me firmëtarët dhe patriotët e tjerë nuk mbaron këtu. Diktatura dhe historianët e saj u përpoqën t’i zëvendësonin ata me figurat më antishqiptare të mundshme. Kështu, Haxhi Qamili, një bandit mendërisht gjysmak, që vriste patriotët shqiptarë, u shpall pothuaj hero kombëtar dhe lëvizja e tij kundër Pavarësisë si lëvizje patriotike e revolucionare (!). Meritat e presidentit Uillson dhe SHBA-ve në krijimin e shtetit shqiptar as që guxohej të përmendeshin fare, ndërkohë që paraqitej si shpëtimtar Lenini dhe Bashkimi Sovjetik, udhëheqësi komunist i një vendi që ka qenë dhe vazhdon të jetë kundërshtar i interesave tona kombëtare. Denigrimi i këtyre figurave vazhdon edhe sot. Fjalori enciklopedik shqiptar, botim i vitit 2008, i Akademisë së Shkencave nuk i ka fare të paktën 20 emra të firmëtarëve të Pavarësisë, ndërkohe që figura si Mithad Frashri etj. baltosen me të njëjtën demagogji si në kohën e Hoxhës. Tekstet e historisë shkollore janë gjithashtu me pak ndryshime nga ajo e kohës së komunizmit për sa u përket këtyre figurave historike. Sigurisht që kjo e ka një arsye. Fakti që të njëjtët historianë të komunizmit dominojnë fushën e historiografisë edhe në demokraci është i mjaftueshëm si shkak i kësaj gjendjeje të pandryshuar, në të cilën ndodhemi në këtë drejtim. Historianë të implikuar në krime të komunizmit (të paktën dy prej tyrem A. Puto e K. Frashri, janë të denoncuar si dëshmitarë në gjyqin special, ku u vranë edhe firmëtarë të Pavarësisë) vazhdojnë të jenë referenca historike edhe për zyrtarët antikomunistë të politikës e të shtetit aktual shqiptar, gjë që ka çuar në perceptime të gabuara të tyre për historinë. Historianë të implikuar drejtpërdrejt në krimet e komunizmit dhe falsifikimin e historisë janë sot më të nderuarit e sidomos të sponsorizuarit nga qeveria e shteti shqiptar.

Si përfundim dua të theksoj se e gjithë kjo përplasje mes dy krahëve të politikës në këtë përvjetor të Pavarësisë ka në themel këtë raport të shtetit komunist, politikanëve e sidomos historianët e tij me Pavarësinë dhe protagonistët e saj. Nëse drejtuesit politikë të diktaturës janë përgjegjës për persekutimin e tyre, historianët komunistë janë të tillë për denigrimin e tyre. Me gjithë përgjegjësinë e rëndë, askush prej tyre nuk ka kërkuar falje e as ka ndryshuar qëndrimin e ata që kanë shkruar për hesap të diktaturës komuniste. Kjo situatë ka sjellë këtë pështjellim në këtë përvjetor të Pavarësisë, që më shumë se festë është kthyer në një debat, për të mos thënë luftë për historinë.

Botuar për herë 26 Nëntor 2012 ne Gazeta Metropol

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *