POLITIKA NDËRKOMBËTARE

«Një qen i çartur»

Shkruan: Enver Robelli

Gjenerali amerikan, James Mattis, do të jetë ministër i ri i Mbrojtjes i SHBA-së. Për dallim nga Donald Trumpi, i cili nuk ka shërbyer asnjë ditë në ushtri, Mattis ka përvojë nga fronti, e di vlerën e NATO-s dhe të filozofit e perandorit romak, Mark Aurel

Ta quani publikisht një politikan shqiptar «qen i çartur» ose «kalë beteje» vështirë se do të merret si kompliment. Ndryshe është në anglisht: «Mad Dog Mattis», «qeni i çartur Mattis», kështu e quajti presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, gjeneralin James Mattis, i cili do të jetë ministër i ri i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëse Senati nuk vë ndonjë barrierë. Nofka «qen i çartur» tingëllon më origjinale se «Komandant Daja», «Komandant Gjarpri», «Komandant Sulltani», «Komandant Bokseri», «Komandant Arusha», «Komandant Sandokani», «Komandant Murrizi».

Për dallim nga Trump, i cili nuk ka shërbyer në ushtri, James Mattis ka jo më pak se 44 vjet përvojë ushtarake. Gjatë fushatës elektorale, Trump, mes tjerash, kishte thënë: «Unë di më shumë për Shtetin Islamik sesa gjeneralët». Ai po ashtu përkrahte metodën e torturës të njohur si «Waterboarding», por pas bisedës me gjeneralin Mattis ndryshoi mendimin. Pas fitores në zgjedhjet e 8 nëntorit Trump ka caktuar në pozita të rëndësishme gjeneralë, të cilët i nënçmonte aq shumë. Përveç Mattisit, edhe këshilltari i Trumpit për siguri është gjeneral. Karrierë ushtarake ka edhe kandidati për shef të shërbimit sekret CIA.

Ndonëse është herët për çfarëdo parashikimesh, duke pasur parasysh talentin e Trumpit për të ndërruar mendimet e tij gati çdo ditë, emërimi i James Mattisit mund të ketë efekt pozitiv në ruajtjen e partneritetit transatlantik, sidomos në kuadër të NATO-s, ku ai ka qenë aktiv. Përveç pjesëmarrjes në luftë në Afganistan dhe në Irak, Mattis shquhet edhe si teoricien dhe filozof i luftës. Kur në vitin 1999 NATO-ja fitoi nga ajri, edhe falë teknologjisë, betejën me forcat serbe, që po masakronin dhe dëbonin banorët e Kosovës, shumë gjeneralë, strategë ushtarakë, analistë mendonin se në të ardhmen superioriteti teknologjik do të jetë vendimtar në çdo luftë. Por pas përvojës në Irak dhe Afganistan gjenerali Mattis kërkoi një kthesë në strategjinë ushtarake. Sipas tij, zhvillimi i luftës nuk është vetëm çështje teknike, e cila mund të zgjidhet me mjete teknike. Duke u mbështetur te Carl von Clausewitz gjenerali Mattis e sheh luftën si ballafaqim të dhunshëm të shprehjes së vullneteve. Rrjedhimisht, për të mposhtur kundërshtarin nuk janë të nevojshëm vetëm avionët, por edhe forcat tokësore.

«Qen i çartur» nuk është nofka e vetme e gjeneralit Mattis. Ai njihet edhe si «murg i luftës», një aludim në jetën e tij prej beqari dhe etjen për lexim. Mediat gjermane shkruajnë se gjenerali bart me vete librin «Meditimet» të filozofit e perandorit romak, Mark Aurel. Në vitin 2004 ai i kishte këshilluar oficerët e tij që të lexonin sa më shumë që të jetë e mundshme, në mënyrë që kur situata të jetë serioze të mos e rrezikojnë jetën e ushtarëve. «Natyrisht duket ironike se shefi i tij i ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë u përket atyre që nuk kanë kohë për lexim», shkroi gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung». Për shkak të përvojës ushtarake dhe dijes filozofike gjenerali Mattis ishte ftuar si nga Donald Trump ashtu edhe Hillary Clinton që të fliste në tubime elektorale, por nuk kishte pranuar.

Thellësia intelektuale është vetëm njëra anë e gjeneralit Mattis. Ana tjetër është gjuha e tij si brisk: «Bëhu i përzemërt, bëhu profesionist, por bëhu gati të vrasësh çdokënd që e takon» ose «Janë disa zuzarë në këtë botë, të cilët thjesht duhen vrarë». Mattis zgjoi vëmendjen e publikut edhe me deklaratën e tij se është «lezet i madh» t’ua japësh një plumb burrave afganë, të cilët «torturojnë gratë, të cilat nuk bartin shami».

Më 2010 Mattis mori komandën qendrore të trupave (Centcom), e cila është përgjegjëse për Lindjen e Afërt, Afrikën Lindore dhe Azinë Qendrore. Mattis ishte kundërshtar i marrëveshjes bërthamore me Iranin, por nuk angazhohet për anulimin e plotë të saj. Pas pensionimit të parakohshëm gjenerali kritikoi presidentin Barack Obama për mungesë strategjie kundër islamit politik. Mattis është kundër «tkurrjes strategjike» të SHBA-së, siç është praktikuar nga Obama. Rolin e Rusisë në Lindjen e Afërt Mattis e sheh si kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto qëndrime të tij ndoshta mund të jenë të rëndësishme edhe sa i përket pranisë amerikane në Kosovë. Nëse Mattis e gjykon rolin e Rusisë në Lindjen e Afërt, atëherë shumëçka flet që ai do të jetë kundërshtar i rolit destabilizues të Rusisë në Ballkan. Për dallim nga Trump, i cili ka premtuar raporte të ngushta me Rusinë dhe tërheqjen e SHBA-së nga shumë vatra krize, gjenerali Mattis duket se ka një mendim tjetër. Si ministër i Mbrojtjes, Mattis i gëzohet premtimit të presidentit të zgjedhur se do të rrisë buxhetin e ushtrisë për 100 miliardë dollarë. Në vitin 2015 buxheti i ushtrisë së SHBA-së ishte 598,5 miliardë dollarë. Sa për krahasim: në vitin 2016 Kosova ka planifikuar të ndajë 49 milionë euro për Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *