OPINIONE

Pushtuesi i mirë dhe pushtuesi i keq

Pushtuesi austro-hungarezë la gjurmë: objekte, monumente e rrugë të panumërta aty ku sundoi, pushtuesi turk e serb nuk lanë asgjë, asnjë monument a rrugë, pos gjak e varre.

Shkruan: Gani MEHMETAJ

Në rininë time, kur bisedoja më kolegët kroatë për të kaluarën e tyre dhe tonën, që kishte ngjashmëri, ma vënin në pah se ata patën më shumë fat, pushtuesi i tyre- Austro-Hungaria, ndërtoi kudo që sundoi. Neve e serbëve nën sundimin e Perandorisë Turke, pushtuesi nuk na la asgjë, nuk la objekte për të qenë as në shtetin e vet. Por serbët e çliruar njëqind vjet para nesh, nisën të ndërtojnë godina të stilit austriak, të kapin kohën e humbur, të mobilizojnë energjinë e fjetura, të pushtonin territore tona, ndërsa ne përpëliteshim ende as të gjallë, as të vdekur nën pushtuesin turk.

Gjurmët e pushtuesit Austro-Hungarez në Kroaci shihen kudo: në objekte e godina monumentale, të kishat katolike që të lënë pa frymë me arkitekturën e tyre të veçantë, në rrugë e viadukte; qysh nga shekullin XIX në Zagreb qarkullonte tramvaji, ndërsa ne nuk e kemi tramvajin në asnjë qytet shqiptar as sot në shekullin XIX.

Gjurmët e pushtuesit austriak në Kroaci, veçmas në Zagreb, i hetoja edhe në mbrëmjet festive këto ditë dhjetori. Qyteti i Epërm, Qyteti i Vjetër dhe lagje të tëra të kryeqytetit të mahnitin më arkitekturën austro-hungareze, ta shpalojnë të kaluarën e traditën kulturore, të dëshmojnë se kroatët patën një aristokraci të mirëfilltë që jetoi në kamje, pati kohë e mundësi të merrej më çështje të kombit, më kulturë, letërsi, muzikë, arkitekturë dhe më shpirtin e popullit të vet. Ajo pjesë e qytetit të vjetër nuk u shëmtua as më vonë më godina socialiste, karakteristike në Beograd, Shkup e në Prishtinë. Kroatët edhe pse nën okupim, i kaluan të gjitha periudhat e ndriçimit evropian: humanizmin e renesancën, reformacionin, pushtuesi i lejoi të kultivojnë muzikën, letërsinë, teatrin, artet figurative. Ata mburren që e kanë njërin ndër universitete më të vjetra në Evropë, ndërsa ne nuk e kishim as shkollën fillore atëbotë, sepse na e ndalonte pushtuesi.

Kur bridhja nëpër qytetin e vjetër kroat ditën apo mbrëmjeve farfuritëse, më vinte plasja që ne nuk e patëm një pushtues të mirë, na e dërgoi fati a djalli Perandorinë turke. Derisa ngrija kokën drejtë një godine mahnitëse, mendja më shkonte të qytetet e fëmijërisë sime: kasaba orientale, rrugë të përbaltura, kalldrëmi i ngrënë, pushtuesi nuk la asnjë godinë më të lartë së një kat, përderisa kati i dytë ishte çardaku i drunjtë. Shtëpitë e trashëgimisë orientale osmane ishin të ngushta, ta zinin frymën më hapësirën e pakët, rrugët edhe më të ngushta, ku mezi qarkulloje, nga dritarja derisa ti ecje rrugës banori i shtëpisë mund të të kapte për veshi.

Të mbërthente trishtimi më shtëpi qerpiçi të mjera e të varfra, më rrugë të përbaltura, trashëgim të traditës turke, me njerëz të veshur keq, më ndonjë grua më shallvare që dukej si dordolec. Nuk e patëm asnjë godinë reprezentative, asnjë shtëpi që do të ofshaje për te. Vetëm Kullat e Dukagjinit të cilat e sfiduan dhe e mbijetuan pushtuesin, kishin diçka të veçantë. Ishin tonat dhe kishin kreativitet.

Pushtuesi turk nuk e la asnjë godinë në tërë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoni apo territoret etnike. Pushtuesi Austro-Hungarezë në tre vjet pushtimi të Shqipërisë e Kosovës la dhjetëra objekte që ende shfrytëzohen, la qindra kilometra rrugë, më shumë se sa 500 vjet të sundimit turk. Pushtuesi austriak hapi rrugë të reja si asnjëherë deri atëherë, rinovoi rrugët e shkatërruara nga pushtuesi otoman. E vetmja “trashëgimi” e pushtuesit osman janë dhjetëra xhami pa asnjë vulë të veçantë, shumica e xhamive që dukeshin pak më të mira ishin rinovim i kishave katolike shqiptare që u ndërtuan mbi ato xhami, apo që vetëm u lyen brenda, sa për t’ua humbur gjurmët e ikonave, sikurse Xhamia e Çarshisë në Pejë.

Pushtuesit turq nuk lanë objekte monumentale as në kryeqytetin e tyre Stambollin (qytetin e Konstantinit). Aja Sofia, kisha monumentale bizantine që u shndërrua në xhami, është objekti më madhështor. Osmanët s’kishin si të linin gjurmë kulture e tradite, kur elita e tyre aristokratike e ushtria pjesën më të madhe të jetës e kalonin në çadra, ishin popull nomad, kështu që sharmin e komoditetin e banimit nuk e njihnin. Osmanët s’kishin si të na linin ndonjë trashëgimi kulture, kur nuk kishin kulturë, shkrimin e morën nga arabët, gjuhën osmane nga një fis aziatik, e kopjuan administratën bizantine, kopjuan traditën persiane, por asgjë s’kishin origjinale, pos egërsisë së njohur.

Derisa evropianët, pra edhe kombet nën pushtimin austro-hungarez i kalonin rrymat e ndryshme letrare e kulturore, pushtuesi ynë, nuk kishte kulturë e letërsi, prandaj s’kishin si të trashëgonim asgjë pozitive nga ta. Gjuha e letërsia e ndaluar shqipe kultivohej brenda mureve të kishës, apo në krahina ku nuk shkeli këmba e turkut.

Rrymat e ndritura evropiane humanizmi e renesanca nuk e fshiken fare Gadishullin Ilirik, ku shkeli këmba e turkut. Ndërkaq ai popull që nuk e ka kaluar humanizmin e renesancën do të këtë zbrazti e probleme, është shumë më lehtë t’i nënshtrohet asimilimit, trush përlarjes apo ta pranojë si të mirëqenë diktaturën. Por e kishim një fat që humanistët shqiptarë-priftërinjtë katolik, e kultivuan letërsinë e u ndikuan nga rrymimet evropiane. Megjithatë, është fatkeqësi që s’patën mundësi të kalonim nëpër revolucionin borgjez, nuk na preku revolucioni industrial që në Perëndim bënte vepra kolosale. Ne ecnim me qerre kuajsh mu si pushtuesi ynë, ndërsa kontinenti ynë kishte trena transkontinental. Vetëm në qarqe të mbyllura priftërinjsh i jepej jehonë humanizmit e rilindjes evropiane. Kështu, më t’ia mbathur pushtuesi i keq, kaluam nga mesjeta në shekullin XX.

Prapë kur e bënë krahasimin kroatët nën sundimin e pushtuesit ngritën shtatore e pllaka përkujtimore për heronjtë e tyre të mesjetës, për personalitetet e ndryshme dhe për të kaluarën e tyre që e vlerësonin të lavdishme. Kroatët edhe sot në qendër të qytet, në cep të Kafesë së Madhe, e kanë një pllakë përkujtimore për formacionin e tyre ushtarak mbrojtësit e atdheut (domobranët) 1918, që u vranë në përpjekje për të çliruar atdheun.

Edhe ne e luftuam dhe e dëbuan pushtuesin turk, paçka që e zëvendësoi pushtuesi serb, që nuk na la asgjë të mirë, pos varreve, por as sot e kësaj dite nuk e kemi asnjë përmendore në Prishtinë e në qytetet e Kosovës që do të dëshmonte trimërinë e shqiptarëve kundër pushtuesve. Nuk e kemi asnjë pllakë përkujtimore që do t’u tregonte brezave të ardhshëm se në këtë vend u bë beteja e përgjakshme kundër pushtuesit, në filan rrugë u vranë atdhetarë shqiptarë etj. Po u krahasuam, por pa dashur ta zhvlerësojë trimërinë e kombin kroat, ne bëmë beteja të lavdishme e më të përgjakshme kundër pushtuesit turk, por nuk e kemi asnjë shenj kujtimi të atyre ditëve. Ne po e fshijmë kujtesën e historinë tonë, ne jemi bërë popull pa të kaluar, por populli që është pa të kaluar, s’ka as të ardhme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *