HISTORIA

NGA ILIRËT TE SKENDERBEU, HISTORIA E SHQIPONJËS ME DY KOKA

Shqiponja me dy koka konsiderohet nga shumë studiues si një ndër simbolet më të lashtë të botës. Ka simbolizuar gjithmonë pushtetin. Nuk ka asnjë emblemë dhe asnjë kuptim heraldik që mund të përafrohet me të dhe të jetë i mbushur me një antikitet të tillë.

Po cila është rruga e këtij simboli nëpër shekuj, çfarë simbolizon ai në të vërtetë, ku e ka zanafillën, pse e përdorin shumë shtete dhe ku mund të ketë lindur?

Një histori e shkurtër

Në tempullin e vjetër summer, në qytetin Eshnunna (Tell Asmar), shfaqet simboli i një shqiponjë me dy koka. Shqiponja me dy koka ishte simboli i zotëve dhe prezantonte pushtetin dhe absoluten. Ky simbol shfaqet në monumentet e perandorisë së parë Hittite dhe i atribuohej perëndisë Nergal. Gjithashtu, ai ishte një nga simbolet më të fuqishme të kulturës fenikase.

Shqiponja me dy koka është simbol që tregon përgjithësisht një kërkesë për trashëgimi kulturore nga Perandoria Romake. Ajo është përdorur nga Perandoria Bizantine dhe Perandoria e Shenjtë Romake si në pjesën Lindore ashtu dhe atë Perëndimore. Në Perëndim nuk u përdor më zyrtarisht me shpërbërjen e Austro-Hungarisë, ndërsa në Lindje vazhdon të përdoret në stemën e Rusisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, të gjitha këto që kishin lidhje me perandorinë bizantine. Ajo është përdorur edhe në flamurin e Kishës Ortodokse Greke. Në stemën bizantine, kokat përfaqësojnë Perandorin që ka autoritetin mbi çështjet laike dhe fetare. Gjithashtu nënkuptojnë dominimin e perandorëve bizantinë në Lindje e Perëndim. Ndërsa në Perandorinë Romake të Shenjtë atao përfaqësojnë kishën dhe shtetin

Origjina

Shqiponja me dy koka është përdorur gjatë periudhës së dinastisë Paleologu, si simbol i perandorit dhe anëtarëve të rangut të lartë të familjeve perandorake. Shqiponja me dy koka mund të gjendet në mbetjet arkeologjike të qytetërimit Hittite, që daton nga një periudhë që shkon nga shekulli 20 deri në shekullin e 7 para Krishtit. Gandaberunda është një tjetër shembull i një zogu mitologjik me dy koka, e cila është në përdorim në Indi. Shqiponja me dy koka u pa gjithnjë e më pak gjatë periudhës së fundit të Hittite (nga shekulli 9 deri në shekullin e 7 para Krishtit) dhe tërësisht u zhduk pas kapitullimit të perandorisë.

Perandoria Bizantine

Kostandinopoja ishte pasardhësja e Romës, dhe grekët bizantinë vazhdonin përdorimin e stemës së shqiponjës me një kokë në rrobat e tyre. Edhe pse rrënjët e transformimit të shqiponjës me dy koka janë të lidhura me Azinë e Vogël, detajet e miratimit të tij janë të pasigurta. Ajo shfaqet në vepra arti bizantine në fillim të shekullit të 10, por është konfirmuar në përdorim nga ana e Perandorisë si e tillë vetëm shumë vite më vonë, në periudhën e dinastisë Paleologu, kur ajo është përdorur si një simbol i perandorit dhe anëtarëve të rangut të lartë të familjeve perandorake. Kryqi u bë gjithnjë e më shumë i përdorur në standardet ushtarak megjithatë shqiponja me një kokë vazhdoi të përdoret si simbol i autoritetit perandorak.

Perandoria e Shenjtë Romake

Përmendja e parë e shqiponjës me dy koka në Perëndim daton që nga viti 1250, në një listë të armëve të Mateut të Parisit për perandorin Frederik II të Perandorisë së Shenjtë Romake. Zakonisht ishte e zezë në një sfond të artë, dhe zëvendësoi shqiponjën me një kokë, dhe më pas u miratua në emblemat e shumë qyteteve gjermane dhe familjeve aristokrate. Pas shpërbërjes së Perandorisë së Shenjtë Romake në 1806, shqiponja me dy koka është mbajtur nga Perandoria Austriake, dhe shërbeu gjithashtu si stemë e Konfederatës Gjermane.

Në principatat ruse simboli i shqiponjës me dy koka është i njohur që nga koha e Jani Beg Khan (1342-1357), i cili ishte pjesëmarrëse aktiv në politikën e brendshme të principatave ruse, dhe u vulos në monedha me simbolin e shqiponjës me dy koka.

Shqiponja me dy koka ishte një element kryesor i stemës së Perandorisë Ruse (1721-1917), e modifikuar në mënyra të ndryshme nga mbretërimi i Ivanit III (1462-1505) e më tej edhe gjatë sundimit të Pjetrit të Madh (1682-1725). Ajo vazhdoi në përdorim deri në Revolucionin Rus në vitin 1917 dhe u rivendos në vitin 1993, pas krizës kushtetuese të atij viti dhe mbetet në përdorim deri në ditët e sotme.

Në Shqipëri

Në Shqipëri, shqiponja me dy koka u prezantua për herë të parë nga familja Kastrioti. Ky simbol është përdorur nga Skënderbeu si stemën e Lidhjes së Lezhës, lëvizjes së rezistencës shqiptare kundër Perandorisë Osmane në shekullin e 15. Flamuri përbëhej nga një sfond i kuq me një shqiponjë të zezë në mes. Në vitin 1912, Ismail Qemali, ngriti një version të ngjashëm të atij flamuri në Vlorë. Flamuri ka kaluar nëpër shumë alternacione deri në 1992 kur u prezantua flamuri aktual i Shqipërisë.

Shikim i shkurtër mbi shqiponjën me dy koka dhe heraldiken

Për të lashtët, shqiponja me dy koka ishte emblemë e ekuilibrit i cili konsistonte në një trup të përbashkët që udhëhiqej nga dy koka, njëra femra tjetra mashkulli. Gjithashtu ajo simbolizonte universin në tërësi, i cili ishte i ndërtuar nga dy forca, ato superiore dhe ato inferiore.

Kjo qenie është perfekte nga të gjitha pikat e shikimit dhe perfeksioni është i tipizuar në të dyja kokat, të cilat kanë të njëjtin dinjitet. Është emblemë e finalizimit të individit, ku shpirti arrin ciklin final dhe fuqinë absolute. Duke pasur një simbolike kaq të fuqishme, ajo u përdor gjerësisht nga shumë popuj.

Shqiponjat janë të përdorura në heraldikë si në formën e pikturave ashtu edhe në atë të gdhendjes. Jo vetëm shqiponja e plotë por edhe pjesë të saja si koka, flatrat apo kthetrat, janë përdorur si simbolika nga shumë vende. Ashtu si luani që konsiderohet mbreti i kafshëve, ashtu dhe shqiponja konsiderohet mbreti i shpendëve. Duke qenë se ka një simbolikë kaq të fuqishme, shqiponja është përdorur gjerësisht në të gjithë anët e globit.

Ngjyra e zezë e shqiponjës dhe kuptimi i saj

Ngjyrat e ndryshme të shqiponjës kishin të bënin me rangjet e ndryshme të cilat përfaqësoheshin me këtë shenjë. Sipas shpjegimeve të autoreve të ndryshëm, shqiponja e artë me dy koka, ishte simboli mbretëror.

Kështu me radhë do të vinin edhe ngjyrat e tjera, ku e argjendta ishte për rangje me të ulëta, ato me ngjyra të ndryshme (unike apo të përziera) i përkisnin shtresave të tjera, apo edhe momenteve e vende të ndryshme sipas të cilave përdoreshin. Ndër këto klasifikime, vend të veçantë ka shqiponja e zeze, e cila nuk kishte shkëlqimin e artë të shqiponjës mbretërore, por me hijen që ka impononte seriozitet dhe autoritet. Ajo ishte shqiponja që përdorej në luftë. Shqiponjat e zeza përdoreshin kur kryheshin luftëra dhe ngjyra e tyre nuk kishte të bënte me rangun pasi të gjithë mbanin shqiponjë të zezë në betejë.

Jaho Brahaj: Shqiponja e Skënderbeut 

Historia e Flamurit tonë ka një rrugë po aq të komplikuar sa vetë historia jonë si komb. Nga fillesat e kësaj historie kur dokumentohet për herë të parë forma grafike e shqiponjës e deri më sot, ka shumë fakte interesante e kthesa të befta historike.

Studiuesi Jaho Brahaj, i njohur në fushën e heraldikës dhe të studimeve të historisë dhe kulturës të mesjetës shqiptare, ka botuar librin “Flamuri i Kombit Shqiptar”, ku shpjegohet në bazë të hulumtimeve të suksesshme, të bazuara në materiale konkrete arkeologjike e etnologjike, se cila është zanafilla e shqiponjës dykrenore, motiv që kombi ynë e ka edhe simbol të flamurit që prej pesë shekujsh. Në një intervistë të dhënë në media studiuesi Jaho Brahaj flet edhe për enigmën e zanafillës së shqiponjës dykrenore, e cila është trashëguar nga kohët e hershme bashkë, me besimet dhe kultin e këtij shpendi. Ja ccfarë thotë ai për shqiponjën me dy koka të përdorur nga Skënderbeu:

“Meqenëse simbolin e flamurit tonë ne kemi shqiponjën me dy krerë, duhet që patjetër të rikthehemi në historinë e lashtë të popullit tonë dhe të bëjmë pyetjen: e kishim apo nuk e kishim kultin e shqiponjës ashtu siç e kanë pasur edhe popuj të tjerë? Nga dokumentet arkivore, mitologjike apo kultet, faktohet se shqiponjën, shqiptarët e kanë pasur tipar të botës së tyre shpirtërore. Kjo derisa vijmë në shekullin e VI para erës së re, ku e kemi shqiponjën të dokumentuar në artefakte arkeologjike. E kemi në Ilirinë e Veriut, në mburojën e një luftëtari ilir të gdhendur në gur, e kemi në tumat e Matit në disa variante, e kemi edhe tek kultura ilire e zbuluar nga prof Muzafer Korkuti në afërsi të Apolonisë.

Kjo pati një vazhdimësi tek ne si iliro-shqiptarë, derisa u shfaq në Europën e zhvilluar të shekullit XI-XI heraldika, e cila ishte e përcaktuar saktësisht në mënyrë grafike se cila do ishte shenja që do të mbanin administratat, administrata kishtare, formacionet e ndryshme ushtarake, shtetet, princërit, etj. Që aty ne sërish kemi të dokumentuar shqiponja qoftë me një kokë, që e kemi tek shteti i parë i Arbërit në shek XII dhe në shek XII-XIII tek familjet feudale shqiptare si tek Muzakaj, Dukagjinët, tek Kastriotët tek Gropajt e Ohrit dhe Dibrës, etj”.

Meqë jemi te Kastriotët duhet thënë se sipas dokumenteve këtë stemë nuk e kishte vetë Skënderbeu, pasi ai e trashëgoi nga familja e tij, pra shqiponja dykrenore në fushë të kuqe ishte e trashëguar nga paraardhësit e tij. Në 1444 në Kuvendin e Lezhës, u vendos se ky do të jetë simboli i ri i kombit shqiptar, pasi Skënderbeu u zgjodh si kryekomandant.”

Bizanti i merr simbolin ilirëve

Studiuesi Jaho Brahaj shpjegon enigmën e zanafillës së shqiponjës dykrenore, e cila është trashëguar nga kohët e hershme bashkë me besimet dhe kultin e këtij shpendi. “Perandoria Bizantine e mori shqiponjën me dy krerë, si simbol, nga ato popullsi mbi të cilat u shtri e u zhvillua. Pjesë e Bizantit ishte edhe popullsia ilire ballkanase. Ne e kemi të dokumentuar shqiponjën dykrenore në shekullin VI, dhe mund të thuhet se Bizanti e mori këtë simbol nga ne. Fati e solli që shqiponja me dy krerë të ishte emblemë e derës së Kastriotëve, ashtu siç thotë Barleti. Duke qenë se në mbledhjen e princërve shqiptarë në 2 mars 1444 Skënderbeu u vendos komandant i përgjithshëm, atëherë flamuri i tij ishte edhe flamuri përfaqësues i të gjitha forcave ushtarake të arbërve. Prej këtu fillon të jetë flamur përfaqësues i kombit shqiptar, për të mbërritur në ditët e sotme”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *