POLITIKA KOMBËTARE

Aneksimi i Veriut të Kosovës pa luftë nga Serbia?!

Thaçi e Mustafa kanë folur aq shumë në Bruksel e vende të tjera me Daçiçin e Vuçiçin për këto çështje sa ia kanë mbushur mendjen vetes se këta të dy udhëheqësit e Beogradit janë “pro Kosovës së pavarur”, por që “nuk kanë mundësi të veprojnë, sepse nacionalistët ekstremistë nuk do t’i mirëkuptonin”….. Dhe këta matufët tanë kënaqeshin me mashtrimin e madh e të përsëritur të Serbisë, derisa erdhi puna te aneksimi me dhunë i territorit të Kosovës…

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi

Historikisht pushtimet dhe aneksimet janë shoqëruar me konflikte e luftëra të pandërprera. Por Beogradi ka gjet një mënyrë të re aneksimi e pushtimi të Kosovës. Ndërtojnë një mur ndarës?! Kaq u mjafton atyre që “të mbrohen nga shqiptarët”! Serbët me ndihmën e Beogradit kanë filluar prej dy ditësh të ndërtojnë një mur të madh ndërmjet veriut dhe jugut të Mitrovicës. Lumi Ibër është i përshtatshëm për ta që të ndërmarrin akte të tilla të ndarjes së territorit të Kosovës me dhunë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Edita Tahiri thotë se ky akt bie në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, por sa kohë që Brukseli bën sehir dhe lejon një mur në kontinentin e vet, le të kuptojë se Bashkimi Europian është një utopi e skicuar në disa dokumente, të cilat askush nuk i merr seriozisht, përveç elitave të korruptuara në Ballkanin Perendimor dhe banorët e varfër të tij. I merr seriozisht edhe Edita Tahiri në Prishtinë dhe Majlinda Bregu në Tiranë. Një mur betoni në mes të një qyteti, i cili deri në vitin 1999 banohej në shumicë dërmuese nga shqiptarët etnikë. Një mur i projektuar me ndihmën e KFOR-it francez dhe disa hajnave në drejtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas qershorit 1999, kur veriu i Mitovicës u spastrua etnikisht nga shqiptarët me dhunë, vendin e të cilëve e zunë serbët e shpërngulur nga zonat e brendshme të varfëra të Serbisë.

Muri etnik ekziston te lumi Ibër prej gati 18 vitesh, atëherë kur gjeneralët dhe oficerët francezë nuk lejonin gazetarët shqiptarë as të fotografonin urën e bllokuar të këtij lumi. Thaçi e Mustafa kanë folur aq shumë në Bruksel e vende të tjera me Daçiçin e Vuçiçin për këto çështje sa ia kanë mbushur mendjen vetes se këta të dy udhëheqësit e Beogradit janë “pro Kosovës së pavarur”, por që “nuk kanë mundësi të veprojnë, sepse nacionalistët ekstremistë nuk do t’i mirëkuptonin”. Udhëheqësit serbë të Beogradit u thonin liderëve shqiptarë të Prishtinës e Tiranës se “Pse mërziteni ju, Kosova është e pavarur. Këtë ne e dijmë, por çdo gjë ka kohën e vet”. Dhe këta matufët tanë kënaqeshin me mashtrimin e madh e të përsëritur të Serbisë, derisa erdhi puna te aneksimi me dhunë i territorit të Kosovës. Daçiç e ka luajtur lojën politike me Brukselin dhe Prishtinën më mirë sesa të luante në telat e violinës në ditëlindjen e udhëheqësit botëror, naltgjatësisë së tij, kryeministrit tonë të nderuar, Edi Rama! Derisa erdhën te muri i betonit dhe moskokëçarja e askujt në botë për atë që po ngjet në zemër të Europës. Në fakt Beogradi dhe serbët e veriut të Kosovës e dijnë se çfarë bëjnë. Pse elita politike shqiptare e Kosovës është, pse drejtuesit e ekzekutivit shqiptar bëjnë lojën e Beogradit me shfaqjen e shtirur të ekstremizimit verbal, kjo nuk e ngarkon me përgjegjësi udhëheqjen politike në Beograd, madje as presidentin Nikoliç e as ekstremistin e shfajësuar në Hagë, Shejshel.

Përgjegjësia për çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë është e institucioneve dhe liderëve të Kosovës, përfshi opozitën “nacionaliste”, e cila prej tri ditësh hesht para një akti të tillë, i cili cënon rëndë integritetin territorial të Kosovës. Përgjegjësia është gjithashtu e liderëve të shtetit shqiptar, të cilët prej gati tri vite punuan fort për ta rehabilituar lidershipin serb përballë komunitetit ndërkombëtar, duke i dhënë mundësi atij që para botës të paraqitet si elitë politike “e përgjegjshme, e gatshme për kompromise dhe për pajtim me shqiptarët”. Nesër Edi Rama mund të bëjë një konferencë shtypi e të thotë se “kryeministri i Serbisë më preu në besë”, çka do të evidentonte risinë e kundërt në rastin e Ahmet Zogut, aq shumë të anatemuar për “tradhëti” dhe “marrëveshje” me Nikolla Pashiq nga ana e së majtës shqiptare, të cilën e udhëheq me “shpatë në dorë”, nga dështimi në dështim lideri ynë global. Së paku Pashiq plasi prej marazi nga “tradhëtia” që i bëri Ahmet Zogu, po Edi Rama do të përpiqet që të shfajësojë veten përballë “tradhëtisë” që ia bëri miku i tij i ngushtë, Aleksandër Vuçiç. Ajo që po ndodh në veri të Kosovës, aty ngjit me Urën e Ibrit, aty ku prej 18 vitesh qyteti është i ndarë, ka zbuluar mashtrimin e madh të liderëve të Kosovës, të Brukselit dhe të Tiranës zyrtare të sotme për të ashtuquajturin “Proces të pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve” si dhe “normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Ura e Ibrit është sinonimi i Urës së Drinos në Bosnjë, për të cilën ka shkruar Ivo Andriç, por ajo që shkruan Andriç nuk e shqetëson Beogradin, ndërkohë që e frymëzon liderin tonë kryeministër. Ky mashtrim i madh nuk justifikohet me deklarata si ato të kreut të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kur thotë se “muri nuk ishte i planifikuar”.

Është idiotësi të presësh që Beogradi t’ia shpalosë planet e veta Agimit, Thaçit apo Mistafës. Mundet që se humta Edi Ramës e Baton Haxhiut t’ia kenë përshpërit në një farë mënyre aksionin që sot Beogradi zyrtar ka ndërmarrë në këtë territor. Por jo më shumë se kaq. Edhe në Bruksel ka mundësi që dikush të ketë pasur njohuri për planet serbe të ndërtimit të një muri të tillë si ai i Gazës dhe në Cisjordani. Njësoj si atje, në rastin e murit te Ura e Ibrit agresorët serbë, ndërtojnë urë “për t’u mbrojtur” nga viktimat e veta, shqiptarët. Si gjithmonë, miti dhe loja e viktimizimit është burim i nxitjes së nacionalizmit serb e njëkohësisht burim i një konflikti të ri në Ballkan. Ndoshta zotit Rama i konvenon një ndërmarrje e tillë nga ana e Serbisë dhe e serbëve, sepse do të ketë një aset më shumë në dorë për ta “frikësuar’ Angjela Merkelin dhe për t’i bërë asaj presion që në takimin e pas disa ditëve të krerëve të shteteve e të qeverive të vendeve të Bashkimit Europian, kur aty të shqyrtohet dosja shqiptare e integrimit dhe raporti i KE-së për hapjen e negociatave, të shprehet pozitivisht për “sukseset madhështore” të qeverisë së kryeministrit shqiptar. Serbët prej vitesh propagandojnë se ata janë “viktimat” e shqiptarëve, njësoj si në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Beograd të vitit 1986, kur vetëplagosjen e serbit Martinoviç e shitën si akt dhune barbarizmi të shqiptarëve kundër serbëve. Prandaj dhe në përgjigjen që do t’i japin Europës do t’i thonë asaj se “po mbrohen prej shqiptarëve”. Ndërsa shqiptarët prej 1999-ës e këtej u sollën si “fitimtarë”, duke heq dorë nga realiteti i hidhur i të qenit viktimë reale e agresionit, dhunës e terrorit serb në Kosovë. Ndërsa ndarjen faktike të Veriut të Kosovës e realitivizuan, duke krijuar një frymë euforie të pabazë, aq sa vunë në gjumë veten dhe komunitetin ndërkombëtar. E njëjta psikologji e politikë në Prishtinë e në Tiranë dhe i njëjti mentalitet hoxhist po ashtu në Shqipëri e në Kosovë. “E natyrshëm” tash Beogradi është në pozitë të favorshme përballë komunitetit ndërkombëtar. Ndryshe nuk do të kish ndërmarrë atë veprim banditesk që ndërmori para dy ditësh me fillimin e ndërtimit të murit ndarës midis shqiptarëve dhe serbëve. Tashmë aksioni serb i pushtimit të territoreve shqiptare ka nisur. Ndërsa shqiptarët bëjnë sehir. Bëjnë sehir ata që mburren se “kanë bërë luftën”, kur u thua se “Luftën e bëri NATO”. Dhe NATO nuk ka ndërmend të ndërhyjë edhe për t’u dhënë një mësim këtyre mburracakëve tanë shqiptarë.

Bëjnë sehir ata që nuk morën pjesë në luftë, edhe pse nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të dëshmuar në Perendim mosreformimin dhe mosgatishmërinë e Beogradit për vendosjen e paqes e të sigurisë në rajon. Bën sehir opozita “nacionaliste”, edhe pse është një opozitë “trimëreshë” dhe e “pamposhtu” në luftën kundër institucioneve të Kosovës. Më në fund bëjnë sehir qytetarët e Kosovës, sepse politika i ka çuar në atë terexhe, që të mos kenë më forcë për të reaguar edhe kur kërcënohet jeta dhe territori. Nga Tirana nuk ka prit ndonjëherë Kosova, që të presë tani, nëse nuk i marrim serizosht nostalgjikët hoxhistë, të cilët nuk e kanë mendjen te mbrojtja e territorit të vendit, por te mundësia për t’i thur kënge, lavde dhe ngritur monumente diktatorit Hoxha. Ne merremi me të kaluarën, luftojmë njëri-tjetrin me biografitë e shkuara, ndërsa serbët merren me të tashmen e të ardhmen. Ne bëhemi copë-copë me njëri-tjetrin për një karrige pushteti e një grusht para, serbët bashkohen edhe me djallin që të na shkoqin e të na bëjnë copë-copë. Ne vrasim vëllain për një copë arë, ndërsa bëjmë sehir për 20 përqind të territorit të shtetit të Kosovës, të cilën po e merr me hir ose pahir Serbia. Ne “luftojmë” me Malin e Zi, e ndërkohë “flemë në një krevat” me Serbinë. Ne jemi ata që nuk duhet të jemi. Dhe më e keqja, ne kurrë nuk mbushemi me mend. Edhë ndonjë të mençëm që kemi pasur si Ibrahim Rugovën ose mund ta kemi (nuk jam i sigurt se mund të gjendet ndonjë, edhe po u gjend ai është në izolim “në çmendinë), e gjuajmë me gurë.

Ne jemi shkaku kryesor i aksionit më të fundit të Serbisë për aneksimin e territorit të Kosovës dhe ne jemi fajtorët e vetëm para brezave që do të vijnë. Pastaj është Europa e At Gjergj Fishtës e më në fund mund ta çojmë zingjirin deri te ndikimi gjeopolitik i Vladimir Putin. Por ky i fundit ndersa ka rihyrë në vathën e shqiptarëve, nuk kemi pse presim të dalë nga vatha e serbëve. Gjithë sa shkrova është një elegji vaji për atë çfarë përfaqësojmë e çfarë jemi si komb e si rracë e deformuar nga mosntra të regjimeve të shkuara dhe politikanë sharlatanë të kohëve të sotme moderne. Megjithatë asgjë në këtë botë nuk mund të shihet pa rrugëdalje e pa zgjidhje. Eshtë koha që rinia ta marrë në dorë fatin e kombit, fatin e shteteve tona shqiptare, fatin e e vetevetes. Po pati vullnet dhe bashkim gjithçka është e mundëshme. Po të bashkohemi si shqiptarë pa dallim, atëherë muri serb i Mitrovicës bie për 24 orë. Mjafton një organizim modest dhe të krijohet fryma e përgjegjësisë për t’i dalë zot atdheut! Asgjë më shumë! Diaspora ndoshta ka fuqi që edhe njëherë të bëhet zot i atdheut të vet të nëpërkëmbur shumëfish nga tanët e fqinjët tanë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *