KULTURA

Krishterimi martir gjatë shekujve

Shkruan: Don Lush GJERGJI

Një ndër veçoritë dhe thesaret më të çmuara të krishterimit tonë është pa dyshim martirizimi shumëshekullor, aftësia për të vuajtur, pësuar, mbijetuar edhe në kushte pa kushte. Kjo dëshmon gjallërinë, begatinë, praninë dhe provaninë e Zotit në historinë tonë kombëtare dhe fetare.

Këtë të vërtetë e ka pranuar dhe pohuar botërisht edhe Papa Gjon Pali II gjatë vizitës në Shqipëri (25 prill 1993), ku ndër të tjera tha: “Përvoja e juaj e vdekjes dhe ringjalljes i përket Kishës së mbarë botës”. (Papa në Shqipëri, përgatiti David Xhuxhaj, DRITA – Radio Vatikani, 1995, f. 17)

Fjala martir apo martirizim vjen nga greqishtja martyros dhe domethënë “dëshmitarë; i vuajtur, vuajtje e rëndë dhe e gjatë, një që vuan shumë e jep edhe jetën për një ideal që ka; dëshmor, therror”. (Mikel Ndrecaj, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Rilindja, Prishtinë, 1986, f. 452)

Fjala martir apo martirizim në Besëlidhjen e Re, së pari, ka këtë vështrim dhe kuptim: dëshmia me fjalë mbi Lajmin e Gëzuar – Ungjillin nëpërmes kuptimit apo shpalljes së porosisë.

Mirëpo ky kuptim së shpejti ndërrohet dhe begatohet me domethënie të re qysh në fillim të shekullit të dytë pas Krishtit. Martir dhe martirizim tani domethënë dëshmi me gjak, flijim jete për dashuri ndaj Zotit, Kishës, njeriut, në shumë raste edhe ndaj vrastarit, përndjekësve.

“Martir së pari ishte titull që iu jepej të krishterëve të parë, të cilët më parë vdisnin se e tradhtonin fenë e tyre. Sot shprehje për çdo njeri që flijon jetën për bindje fetare”. (Religije svijeta, Enciklopedijski prirucnik, KS – GZH, Zagreb, 1987, f. 415)

Prandaj martirizimi si dukuri ka këto dy dimensione themelore:

A) Dëshmon fenë, besimin në Zotin si dhe besimin në pavdekshmërinë e njeriut, jetën e amshuar, dhe shi për këtë flijohet edhe jeta, sepse besohet në Jetë, në ngjallje.
B) Dëshmon dashurinë e madhe ndaj Hyjit, Kishës, bashkësisë së besimtarëve, çdo njeriut, shpeshherë edhe ndaj armikut, sipas shembullit të mësimit të Jezu Krishtit. (Khs. Lk 23, 34)
Martirizimi, si flijim i lirë, i vetëdijshëm dhe i tërësishëm i jetës për dashuri dhe besnikëri ndaj Zotit, Kishës, na ka përcjellë ne si popull iliro-shqiptar qysh nga kohët apostolike, gjatë përndjekjeve të perandorisë romake kundër Krishtërizmit. Janë të njohur katër martirë dardanë: “Flori, Lauri, Proku dhe Maksimi. Në martirologjiumin e Romës janë shënuar vetëm emrat e dy të parëve, edhe atë në ditën e 18-të të gushtit”. (Gaspër Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, DRITA, Ferizaj, 1992, f. 59)

Ky martirizim zgjati deri në vitin 313, kur u dha Edikti i Milanit dhe liria fetare në Perandorinë Romake.

Përndjekjet dhe martirizimi i dytë i madh ishte gjatë sundimit pesëshekullor turko-otoman (1468–1912). (Lexo: Gaspër Gjini, vep. E cit. fq. 126-154)

Dhe, së fundi, përndjekjet 50-vjeçare komunisto–ateiste, pasojat e së cilës po i përjetojmë ende sot.

Jezusi thotë: “Dashuria më e madhe që ndokush mund ta tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni çka ju urdhëroj unë”. (Gjn 15, 13; khs. Gjn 10, 11-14)

Shën Pali thotë: “Kryqi, si mjet flijimi dhe ngadhënjimi, shëlbimi, pajtimi me Zotin dhe me të afërmin, është Dhe njëmend, së pari, ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt”. (1 Kor 15, 3-4)

Bërthama e fesë së krishterë dhe gjithmonë ka dy dimensione: atë vertikale, ndaj Zotit, dhe atë horizontale, ndaj njeriut, si përqafim pajtimi, mëshire, lirie, përqafim dhe afrim mes qiellit dhe tokës, njerëzores dhe hyjnores.

Etërit e Kishës shohin lidhjen e ngushtë mes mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit dhe jetës së njeriut në këtë botë plot me lot, pësimeve, vuajtjeve, sprovave të ndryshme gjatë shtektimit tokësor. Tertuliani thotë kështu: “Sanguis martyrum, semen christianorum“(Gjaku i martirëve, fara e të krishterëve), duke lidhur kështu fatin e përhapjes së krishterimit në botë me anë të martirizimit.

Në mësimin e Jezusit, vend të spikatur ka ftesa dhe kushti për të qenë nxënësit e tij: pranimi dhe bartja e kryqit, si bashkëpunim më i ngushtë me të në veprën e shëlbimit. “Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua”. Ose trajta pozitive e të njëjtës ftesë dhe të vërtetë ungjillore: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë veten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! Sepse kush do të ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që do ta bjerrë për shkak timin, do ta gjejë”. (Mt 15, 10, 38; khs. Lk 14, 27)

“Marrja e kryqit”dmth. pranimi i vuajtjeve trupore-shpirtërore me fe dhe me dashuri, si intim i Jezusit, si përgjasim me të, si lehtësim dhe pjesëmarrje në vuajtjet e vëllaut – njeri.

Kemi dy mënyra të bartjes së kryqit: pasive – s’kam çka të bëj, s’mund të dal prej lëkurës sime, prandaj çdo gjë e pranoj prj dorës së Zotit (khs.1 Pjt1,6) dhe aktive – jo vetëm pranimi i kryqeve, por edhe vetëdija fetare se kryqi, vuajtja janë shenja të qarta se Zoti na do, na thërret në bashkëpunim, na bën pjesëmarrës në vuajtjen dhe ngjalljen e Jezusit (Khs. Kol1,24). Krishterimi është feja e Zotit të mishëruar i cili e ndan fatin e njeriut, fe dashurie ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit, ndaj çdo njeriut si vëlla apo motër, vërtetim i dashurisë ndaj Hyjit. Dashuria është gjithmonë zbulim–dhurim, flijim, altruizëm, ndërsa egoizmi është mbyllje në veti, vetëvrasje dhe vëllavrasje.

Jezusi ndër të tjera thotë: “Lum ata që qajnë sepse do të ngushëllohen!…Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë. Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush”. (Mt 5, 4. 10-12)

Në jetë kemi tri lloj vuajtjesh apo kryqe:

Me vetveten apo me brendinë tonë, sepse ne jemi qenie e kufizuar në kohë dhe në hapësirë, kurse në veti kemi dëshira dhe nevoja të pakufizueshme, si p.sh. dëshira për jetë, për lumturi, për liri, për paqe, për mirëkuptim, për bashkëjetesë, për dashuri… Prandaj jemi të “kryqëzuar” mes mundësive të vogla dhe dëshirave të mëdha, mes trupit, psikës dhe shpirtit, thënë figurativisht mes qiellit dhe tokës. Këtu mund t’i numërojmë edhe sëmundjet, varfërinë, mossukseset, pësimet, mëkatet, pleqërinë…(Lexo: Dr. Lush Gjergji, Fitorja e kryqit, DRITA, Ferizaj, 1992, fq. 51-60; 84-90)
Vuajtja e shkaktuar prej të tjerëve, si në rastin e Jezusit, tradhtia e nxënësit të tij – Pjetrit, shitja e Judës, kryqëzimi dhe dënimi, dëbimi nga ana e popullit…, kur i afërmi – vëllau nuk të kupton, të largon, mundohet dhe vepron për të asgjësuar tërësisht.
Vuajtja në qenien tonë dhe ajo e shkaktuar prej të tjerëve, prej jetës, rrethanava, por e pranuar me fe dhe dashuri, si dhuratë, shenjë besnikërie ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit – vuajtja e krishterë – kryqi – martirizimi. (Lexo: Po aty, fq. 98-118)
Krishterimi ynë martir gjatë shekujve ka grumbulluar një pasuri, do të thoja kapital të madh dhe shumë të çmueshëm, që duhet ta ruajmë në kujtimin historik sot dhe për brezat e ardhshëm, si zinxhir që na lidh me të kaluarën tonë të lavdishme, si frymëzim për t’u ballafaquar me vështirësitë e tashme të shumëfishta, si garanci për të ardhmen sa më të mirë, si “mbjellje” që vërtet premton.

Vetëm kështu populli ynë do ta gjejë vetveten në kontekstin krishtero–evropian me ide, ideale, aftësi për të jetuar, punuar, vuajtur me dinjitet, bindje dhe siguri se mbjellja me djersë, lot dhe gjak kurrës s’është e kotë, por jep fryte, thënë figurativisht: edhe guri do të lulëzojë! Ky botëkuptim është më se i domosdoshëm sot dhe tani për popullin tonë dhe krishterimin tonë, kur shumëçka ndërrohet, në kohën e konsumizmit dhe materializmit, ateizmit praktik, në prizmin e hedonizmit të shfrenuar, kur njeriu dëshiron të ketë çdo të mirë trupor – epshore dhe menjëherë, duke ikur prej çdo mundi, flijimi. Populli këtë të vërtetë dhe urti e ka përmbledhur dhe shprehur kështu: sa ke vuajtur aq edhe vlen!

“Kisha e mijëvjeçarit të parë ka lindur nga gjaku i martirëve: Sanguis martyrum – semen christianorum… Në mbarim të mijëvjeçarit të dytë Kisha prapë u bë martire. Përndjekjet ndaj besimtarëve, meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltarëve – ishin mbjellje e madhe martirësh në viset e ndryshme të botës. Kjo është dëshmia që s’duhet harruar. Kisha e shekujve të parë, edhe pse kishte vështirësi të mëdha organizative, ishte angazhuar për të shënuar dëshminë e martirëve në martirologji përkatëse… Edhe në shekullin tonë kemi rishtas martirë shpeshherë të panjohur, gati “milites ignoti” (ushtarë të panjohur) për kauzën e madhe të Zotit. Sa të jetë e mundshme mos të humbet dëshmia e tyre. Si këshilloi Konsistori i Kishave vendase duhet të bëjnë çmos që mos të humbet kujtimi për ata që kanë pësuar martirizimin… Kjo tregon gjallërinë e Kishës vendase…

Është detyrë e Selisë Shenjte që për hyrjen në tremijëvjetorin e krishtërizmit t’i përtrijë martirologjitë për Kishën e përgjithshme duke pasur vëmendje të posaçme edhe për ata që kanë jetuar shenjtërisht në kohën tonë”. (Gjon Pali II, Tertio Millennio adveniente, Libraria Editrice Vaticana, 1994, nr. 37, fq. 46-48)

Kjo vlen sidomos për Kishën dhe popullin tonë martir, si borxh i madh për të kaluaren tonë, si nevojë, domosdoshmëri për ta kuptuar, pranuar dhe jetësuar të tashmen nën hijen e kryqit, si lite motiv, motivim themelor dhe jetësor për zhvillimin tonë shkallor në paqe, mirësi dhe dashuri.

Këtë ia ka lënë si testament shpirtëror Shqipërisë, mbarë popullit tonë, Papa Gjon Pali II, kur ndër të tjera tha: “Le të shoqërojë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në rojë të lirisë në vitet e pafundë të shtypjes së regjimit totalitar”. (Papa në Shqipëri, vep. e cit. fq. 49)

Këtë më së miri e ka vërtetuar dhe dëshmuar Nëna jonë Tereze, tashmë në dimensionet botërore: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim!”.

Martirizmi i krishterë i ka dy veçori: in odium fidei – për shkak të urrejtjes dhe bindjes fetare dikush e flijon edhe jetën, dhe përngjasimi Jezusit në falje, duke falur edhe vrastarët dhe armiqtë, pra, dashuria edhe ndaj kundërshtarëve.

Mendoj se ne, si Kishë, krishterim, por edhe si popull në tërësi, kemi pasur mjaft batica dhe zbatica, pësime, flijime, rrënime, por të gjitha këto do të vlenin pak, mos të them aspak, pa praninë dhe fuqinë e dashurisë, pa aftësinë e faljes.

Këtë në mënyrë përmbledhëse dhe bërthamore mund ta themi me fjalën e urtë latine: “Per crucem ad lucem” (Nëpërmjet kryqit deri te drita), ose: In cruce salus (Në kryq është shpëtimi).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *