POLITIKA KOMBËTARE

“Lidhjes” Rama-Vuçiç po i mungon “interkonjeksioni”

Kryeministri Edi Rama që prej vizitës së famshme të parë në Beograd është investuar shumë, në miqësinë me kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Takimet e tyre të shumta që pas “provokaciave” për Kosovën, të sheqerosura me batuta kanë shërbyer më së shumti, për konsum politik respektiv në Shqipëri dhe Serbi, por edhe si një garë e heshtur për të zënë vendin e preferuar si “lider i Ballkanit”, në zemrën e kancelares Merkel.

Rama shkoi edhe më tej me vizitën e tij të fundit në Nish, duke anashkaluar lidershipin e Kosovës dhe duke marrë rolin e babait të gjithë kombit shqiptarë kur bëhet fjalë për investime gjigante të Bashkimit Europian, që përfshijnë jo vetëm Serbinë dhe Shqipërinë por edhe shtetin e pavarur të Kosovës, siç është edhe korridori Nish-Durrës.

E gjithë kjo miqësi, deri më tani është shitur si një investim për të forcuar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe hapjen e një epoke të re me popujve, pas 100 viteve armiqësi. Por në fakt do të duhej vetëm një sprovë e vogël që gjithçka të dilte blof dhe të vërtetonte, se “dashuria Vuçiç-Rama” është thjesht një lojë personale e dy liderëve në Ballkan, për interesa politike personale dhe elektorale. Kjo për interesa brenda vendeve të tyre nga njëra anë dhe krijimin e një imazhi të rremë përball Europës dhe veçanërisht kancelares Merkel, nga ana tjetër.

Sprova e parë do të ishte konflikti i fundit mes dy vendeve për linjën energjetike të interkonjuksionit mes vendit tonë dhe Kosovës, e ideuar dhe investuar nga Gjermania. Pavarësisht se ajo ka përfunduar, Serbia e Vuçiç e ka bllokuar pa dhënë asnjë shpjegim, kurse kryeministri ynë hesht për këtë karshillik të mikut të tij të batutave. Në këtë situatë, pak ditë më parë ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri deklaroi se Serbia po e bën këtë bllokim, “për arsye politike”. “Fatkeqësisht, për arsye politike kjo linjë akoma nuk është vënë në funksionim me gjithë lobimin tonë dhe përpjekjet tona. Unë mund të përfitoj nga rasti dhe jam i sigurt se kryeministri Rama do ta bëjë të njëjtën gjë në Berlin kur të takojë kancelaren Merkel, pasi na duhet që ky proces të përfundojë siç duhet dhe kjo linjë të jetë funksionale”, tha Gjiknuri.

Rama do shkojë në Berlin dhe do qajë në prehrin e kancelares Merkel duke u ankuar për mikun e tij më të ri Vuçiç. Ku shkuan gjithë ato “të forta” që gajasnin auditoret, publikun dhe diplomatët europian? Po shkëmbimet mikluese të vështrimeve dhe vera e mirë? Vetëm një rast u desh që kryeministri i Serbisë, ti vinte kufirin te thana Ramës duke menduar vetëm për interesat e ekonomike të vendit të tij, edhe pse pa të drejtë. Përball kësaj Ramës i ngrin buzëqeshja dhe bëhet gati të shkojë me vrap dhe të ankohet te “kumbarja” Merkel.

Teknikisht, linja e interkonjeksionit me Kosovën, një projekt me kosto 42 milionë euro që siç e thamë shumica janë të investuara nga Gjermania, ka përfunduar prej muajsh, por është ende jofunksionale. Serbia kërkon përqindje fitimi në këtë autostradë energjetike edhe pse nuk ka investuar asnjë cent, përndryshe e bllokon siç edhe po bën. E gjitha kjo e nxjerr kryeministrin tonë, në një pozicion tejet komik. Ndërkohë që vizitën e fundit në Serbi ku prezantoi edhe “Kurbanin” e shiti si një hap të madh përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve, në tryezën e Vuçiç kishte kohë që qëndronte ankesa e shtetit tonë për bllokimin në fjalë. Rama deklaroi se përveç njohjes së Kosovës, çdo gjë tjetër me Serbinë tashmë falë atij është “vaj”. Por duket se “miku im Aleksandër” as që e ka begenisur fare për një problem real, me pasoja të rënda ekonomike për vendin tonë dhe Kosovën. Prandaj po qurravitet te “mami Merkel” duke zbuluar, se sa i dështuar dhe qesharak është me diplomacinë e tij të gallatës, batutave dhe selfieve. / SyriNet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *