HISTORIA

KU GJENDEN ESHTRAT E 6000 SHQIPTARËVE

Një pjesë e madhe e viktimave nuk do të gjenden kurrë”, – shprehet Agim Musta, njeriu që në 12 librat e tij ka dokumentuar tmerret e diktaturës komuniste. Ai shton se ndërsa regjimet e tjera të japin të drejtën të varrosësh kufomën, diktatura komuniste nuk ta jepte këtë të drejtë minimale, pasi eshtrat e këtyre viktimave hidheshin në gremina, lumenj, ose digjeshin me acid.

Musta thekson se Ministria e Brendshme e regjimit të Enver Hoxhës kishte miratuar një sërë poligonesh ku bëhej ekzekutimi i të dënuarve me vdekje. Ai tregon disa prej këtyre, që i ka titulluar “Poligonet e vdekjes” në kapitullin XIV të “Libri i zi i komunizmit shqiptar”.”Por kishte dhe nga ato vende që nuk ishin autorizuar, por ku bëheshin vrasjet, kryesisht buzë lumenjve apo buzë greminave”, – shprehet shkrimtari historian.

Rrëfej poligonet e vdekjes të diktaturës

Musta më pas tregon dëshminë e Dervish Sulos, ish-prokuror i Durrësit gjatë viteve 1950: “Të dënuarit me vdekje i ekzekutonim në Porto-Romano. Dikur atje ndodhej një fabrikë për përpunimin e lëkurës dhe kishte shumë gropa, ku kishin hedhur mbeturina lëkurësh të dekompozuara nga acidet. Kështu që nuk ishte e nevojshme të hapnim gropa të reja për kufomat e të ekzekutuarve. E afronim “gazin” afër një grope, zbritnim njeriun që do të ekzekutohej, e vendosnim para prozhektorëve të autoburgut të lidhur këmbë e duar dhe e ekzekutonim nga mbrapa me automatik ose revolver.

Kur personi që ekzekutohej ishte i rëndësishëm, merrnim me vete edhe mjekun e Degës për të bërë pohimin me shkrim për personin e asgjësuar. Në shumicën e rasteve mjeku firmoste të nesërmen, pa ardhur në poligonin e vdekjes fizikisht…

Pas kryerjes së vrasjes, thirresha unë si prokuror dhe mjeku i Degës, për hartimin e raportit të ekzekutimit, që gjoja ishte hartuar në poligonin e vdekjes në Porto-Romano. Natën vonë, kufoma hidhej në gropat e Porto-Romanos dhe thithej menjëherë nga mbeturinat e fabrikës. Brenda një kohe të shkurtër ajo dekompozohej krejtësisht”.

Musta tregon se janë përdorur metoda të tilla për zhdukjen jo vetëm të kufomave, por edhe të eshtrave të tyre. “Një pjesë e tyre janë përdorur si kadavra në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe janë shitur edhe jashtë Shqipërisë, klinikave të spitaleve universitare, është kjo dëshmia e Halim Xhelos sa u takon të ekzekutuarve pas vitit 1948”, – shprehet Musta.

Ai përmend tmerrin e kënetës së Maliqit, për tharjen e së cilës kanë punuar të dënuarit politikë. “Ata që vdisnin nga puna e rëndë, nga torturat e sëmundjet, nuk i groposnin, por i hidhnin në llumin e kënetës. Në vjeshtë kur të burgosurit i dërgonin në burgje nga kishin ardhur shirat e furishëm që sillnin ujëra të shumtë, merrnin me vete llumin e kënetës dhe kufomat e dekompozuara dilnin në sipërfaqe. Ato tërhiqeshin nga qentë e katundeve përreth kënetës, duke u bërë tmerr për fshatarët dhe subjekte për legjenda të llahtarshme”, – pohon Musta.

Duke përmendur shifrën 4000 vetë që nuk kanë varre, evidencë e shoqatave të ish-të persekutuarve, shkrimtari historian Musta thekson se janë më shumë se 4000. Sipas tij, viktimat pa varre, pjesës më të madhe të cilëve nuk mund t’u gjenden eshtrat, janë 6000.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *