Arbër Gashi, Artur Roshi dhe Zudi Xhelili
POLITIKA KOMBËTARE

GËZUAR FESTËN SHQIPËRI ETNIKE

28 Nëntori është dita më e shenjtë në Kalendarin Historik të Shqiptarëve.

Kudo, anekënd botës dhe në trojet etnike, kjo Festë e Madhe e Shqiptarëve i bashkon zemrat dhe ëndërrat tona. 28 Nëntori është dita në të cilën ne i përkujtojmë firmëtarët e pavarësisë së Shqipërisë etnike. Ismajl Bej Vlora, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mit’hat Frashëri etj., janë emrat e nderuar që historia do t’i mbajë në kujtesën e saj. Janë firmëtarët e dëshmisë, se Zoti flet Shqip dhe i Bekon Shqiptarët. Janë firmat e tyre që dëshmojnë, për frytet e luftës së lavdishme të Gjergj Kastriotit, përpjekjet madhështore të Rilindësve tanë, për luftën zulmëmadhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për kryengritjen e Kosovës, për dëshmorët dhe heronjtë, për fatin tonë të lidhur me Europën dhe për të ardhmen tonë të bashkuar.

Në këtë ditë të veçantë nga të tjerat, në Manastir, Gjirokastër, Janinë, More, Follorinë, Prekaz, Carralevë, Prizren, Gjilan, Prishtinë, Mallakastër, Durrës, Tiranë, Shkup, Gostivar, Tetovë, Strugë, Ohër, Mitrovicë dhe kudo ku ndodhemi ne shqiptarët, Zemrat tona i kemi plot Shqipëri etnike dhe demokratike.

Andaj, pavarësisht përpjekjeve, askush dhe asgjë nuk mundet ta zhbëjë kombin tonë, apo ta shuajë gjakimin tonë për bashkim kombëtar.

Rroftë Shqipërija etnike dhe Flamuri i saj!

Këshilli Koordinator i Ballit Kombëtar Demokrat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *