POLITIKA KOMBËTARE

BEQIR SINA, I LINDUR NË INTERNIM, SOT ZËRI I SHQIPTARËVE NË SHBA

Intervistën e realizoi Bardha Nergjoni

Për historinë e jetës së tij dhe të familjes pritet së shpejti të ketw një film hollivudian, pse jo edhe një libër. Ka lindur në një kamp internimi dhe në përndjekje kaloi 32 vjet. Jetën e nisi nga para me ikjen në SHBA ku studioi gazetari, u bë një gazetar i njohur dhe sot raporton nga SHBA, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Është shembulli i një gazetari që nuk mbyllet në redaksi por gjendet gjithmonë në terren mes shqiptarëve dhe për shqiptarët. Për kontributin e tij në hapësirën e diasporës, Beqir Sina ka marrë titullin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës. Është kritik për zhvillimin e ngadaltë të Shqipërisë dhe për politikën e deritanishme dhe nuk i kursen fjalët për propagandën mediatike, siç e quan ai situatën aktuale në vend. Do të jetë gjithashtu ndër gazetarët që do të raportojë nga Shtëpia e Bardhë zyrtarizimin e presidentit Trump. Për këto dhe të tjera, Beqir Sina flet për tesheshi.com

Sina, jeta juaj ndahet mes përndjekjes së komunizmit dhe demokracisë së konsoliduar amerikane.  Cili është rrugëtimi juaj deri sot?

Beqir Sina me Artur Roshin, kryetarin e Ballit Kombëtar Demokrat
Beqir Sina me Artur Roshin, kryetarin e Ballit Kombëtar Demokrat

Kam lindur në një kamp internimi në Savër të Lushnjes, 2 muaj pasi babai i im ishte arratisur nga Shqipëria. Në internim, i privuar qysh ne bark të nënës nga çdo gjë, së bashku me shumë fëmijë të tjerë të kampit të internimit, i kalova 32 vjet jetë. Derisa ndryshoi sistemi kur unë e familja ime: nëna, të cilën gjej rastin ta kujtoj me dhimbje, mbasi ka vdekur para tre viteve, bashkëshortja dhe dy fëmijët, erdhëm dhe jetojmë  këtu në Nju Jork, SHBA. Babai im, Rasim Sina që la familjen në Shqipëri, ishte angazhuar herët në aktivitete patriotike së bashku me shqiptarë të tjerë duke luftuar për Kosovën, për trojet etnike si dhe iu kundërvunë edhe komunizmit duke ndihmuar në rrëzimin e tij.

Gjëja e parë që bëmë falë mundësive të mëdha që të jep Amerika, ishte plotësimi i shkollimit dhe integrimi me jetën amerikane. Ishim vendosur në një lagje të madhe emigrantësh në Brooklyn NYC. Unë vazhdova dy vitet e fundit të shkollës së mesme nga një program i posaçëm për emigrantët për integrimin tonë. Këtë program të veçantë e kishin përfunduar edhe Universitet dhe ishin profesorë, doktorë, gazetarë dhe njerëz të suksesshëm në diasporën shqiptare.

Me marrjen e një lloj diplome, u regjistruam në kolegje, bashkëshortja ime në mjekësi ndërsa unë në gazetari në kolegjin New York Tech në Brooklyn për Kompjuter dhe Gazetari – “Journalist and computer”, ku kam marrë edhe një diplomë, si dhe jam trajnuar për fotoreporter në “Freelance Photoreporter at Freelance”, NYC, 2003.

Dua të shtoj këtu se kur erdha në New York, ishte 19 shkurt 1991, takova për herë të parë babain tim, i cili bashkë me mikun e tij Hysen Mulosmanin zotëronin prej 20 vitesh radion “Zëri i Atdheut” dhe gazetën mujore “Atdheu”, ku edhe u aktivizova me disa editoriale në atë kohë.

Kam qenë korrespondent i rregullt i radio Kontakt falë drejtorit të ndjerë Agron Bala dhe miqve të nderuar nga kjo radio. Më pas jam angazhuar në gazetën kombëtare “Bota Sot”, me të cilën vazhdoj edhe sot.

Kam bashkëpunuar dhe vazhdoj me agjencinë e lajmeve në gjuhën shqip Illyria neës Agency dhe me disa portale e gazeta në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e në diasporë. Jam gazetar në tv Albanin Culture në Neës York dhe korrespondent me Albatvusa në Detroit. Kam shkruar mbi 3 mijë shkrime dhe disa intervista. Puna ka bërë që gjatë viteve të fotografoj senatorë, kongresmenë, përfaqësues të administratës, presidentë, zv. presidentë, sekretarë të shtetit amerikan deri tek i fundit Donald Trump.

Keni menduar ta botoni në një libër historinë e familjes dhe jetën tuaj profesionale?

Mendoj për këtë histori do të duhet të shkruhet ndoshta një libër, apo të bëhet një film. Këtë të fundit ma ka premtuar dhe është shprehur se do të më ndihmojë për ta realizuar një miku im këtu në Nju Jork, aktori i Hollivudit, James Biberaj.

Jam duke e menduar dhe duke u konsultuar pasi libri im duhet të jetë nga ata që do të lexohet, dhe unë të mos humbas lexuesit e përditshëm, sepse, mendoj se është krejt ndryshe të bësh një libër dhe të promovojnë e lexojnë një ditë, dhe, është krejt tjetër gjë të jesh me shkrime, publicistikë, e raportime gati çdo ditë me lexuesin tonë të mrekullueshëm.

Jeni nderuar nga presidenti Nishani, me urdhrin “Naim Frashëri” për kontributin tuaj. Si vjen ky vlerësim për ju si gazetar me përvojë të gjatë ?

Po ju sjell pak nga fjala ime kur presidenti Nishani më jepte atë dekoratë: “Duke ju falenderuar për medaljen që po më jepej, mendja më shkoi menjëherë tek ish të përndjekurit e periudhës së komunizmit. Mund të them se kjo ishte një medalje për të gjithë ata njerëz që vuajtën. Mbasi, qëndresa jonë e asaj kohe, sot rrezaton dinjitet në një formë tjetër: në mesazhet që ne përcjellim për paqen dhe kundër hakmarrjes. Mendja më shkon gjithashtu tek dy mentorët e mi heronj që nuk janë më: Babai dhe Nëna, të cilët u ndanë nga jeta pak vite më parë, dhe, nëse unë sot përpiqem të jap diçka për komunitetin, janë ata që më edukuan dhe më rritën në kushte jashtëzakonisht të vështira”.

Për mua është nder, dhe kjo më bën më të përgjegjshëm dhe më kërkues ndaj vetes dhe lajmit, në kuptimin që të mos lejoj kurrë të më përdorë dikush nga media a gazetë ose radiotelevizion, të mos e përdorë lajmin ose informacionin tim për interesa partiake, politike apo personale. Unë nuk ndryshoj sipas interesave partiake, apo politikëbërëse të kohës, as kundrejt parasë. Kurrë nuk joshem që sipas këtyre interesave të ndryshoj lajmin ose informacionin tim, ose që mediet ta shtrembërojnë atë, sepse, është shumë e vështirë të bësh emër në gazetari apo gjetkë, por është edhe më vështirë ta mbash atë emër.

Me shkrimet që bëni për komunitetin shqiptar jeni lexuar kudo nëpër botë. A ju jep kjo një kënaqësi më vete?

Po e vërtetë! Këtë kam bërë duke e parë gjithmonë gazetarin, si një profesion i lajmit, pra që merret me gjetjen dhe shpërndarjen e informacionit për një audiencë të caktuar, dhe në fakt është audienca ajo që të beson ose jo të bësh punën e gazetarit. Mënyra se si e bën t’i lajmin dhe se si komunikon, të bën më pak ose më shumë të pranueshëm për njerëzit. Këtu, besoj se kam ditur të gjej mënyrën time për të komunikuar me audiencën, që në këtë rast është kryesisht komuniteti shqiptar i Amerikës, pra t’u gjendem atyre në vendin dhe në kohën e duhur me lajmin, duke ia bërë të njohura arritjet e tyre edhe publikut në Shqipëri, Kosovë, dhe kudo në viset shqiptare.

Për këtë më ka ndihmuar shumë gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë, edhe vetë komuniteti shqiptar në SHBA, i cili është rritur mjaft në numër. Më ka ndihmuar edhe teknologjia e re digjitale, sepse tani e kam të lehtë t’i publikoj lajmet e mia në internet, Facebook dhe Tweeter. Kjo më ka ndihmuar të bëj më shumë miq, dhe të jem më i afërt me të gjithë komunitetin shqiptarë në Amerikë, shoqatat dhe organizatat, kolegët e mi të nderuar.

Një arsye për lexueshmërinë e madhe të lajmeve që unë publikoj mund të jetë edhe fakti se unë bazohem në informata të verifikueshme, të mbledhura nga burime të pavarura dhe të besueshme të mediave amerikane, të cilat u përmbahen standardeve më të larta të gazetarisë në botë. Kjo më shërben të qëndroj afër komunitetit shqiptar në Amerikë dhe të lexohem prej tij, por edhe tek lexuesit e mi jo të paktë në Shqipëri, Kosovë, e viset shqiptare, duke i “furnizuar” ata çdo ditë me lajme dhe informacione nga komuniteti ynë.

Cilat janë ato shkrime, kronika apo intervista, personazhet e së cilave ju kanë bërë më shumë përshtypje dhe i keni më për zemër?

Janë të shumta që kanë edhe lidhje sidomos demokratizimin e Shqipërisë, pra hapjen e saj dhe rrëzimin e komunizimit. Dhjetra e ndoshta qindra demonstrata, të zhvilluara në Nju Jork, Uashington, Çikago, Detroit, Dajton, Ohio. Sa e sa demonstrata, peticione, takime, deri me presidentët e SHBA, senatorë e kongresmenë, Sekretar Shteti dhe ambasador të OKB-së, për të drejtat e shqiptarëve, nën sundimin sllavo serb. Luftën për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Luftën në Maqedoni, Luginën e Preshevës, dhe ngjarjet në Mal të Zi, Çamërinë. Krijimin e Batalionit “Atlantiku”, në Neë York, e cila përfshinte luftëtarët e lirisë, që luftuan në kuadër të UÇK-së për çlirimin e Kosovës, tre dëshmorët e lirisë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, etj.

Po kështu kam bërë mbulimin e sa e sa aktiviteteve të qindra shqiptaro-amerikanëve në mbarë Amerikën, të cilët dhanë një kontribut historik, për çlirimin e Kosovës duke iu bashkëngjitë luftës heroike së UÇK-së dhe NATO-s, kundër regjimit pushtues serb – për të ndaluar që populli shqiptar të vazhdonte të ishte viktimë e gjenocidit të Millosheviçit. Do të permend ish kongresmenin Xhozef DioGuardi, presidentin e LQSHA dhe bashkëshorten e tij Shirly Cloyes DioGuardi, dhe shumë të tjerë. Do të duhej një listë e gjatë, dhe një libër i veçantë, reportazhe dhe dokumentare për secilin prej tyre.

Më i afërti është pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë. Ku unë me sponsorizimin e një mikut  tim biznesmen e suksesshëm fluturova drejt e në Kumanovë, vetëm fillikat. Kur atje ende vinte era e barotit dhe ishte shkrumbuar gjithçka, ndërsa, njerëzit i kishte përfshirë frika dhe paniku. Në rrugët e Kumanovës, shihje ende forca të mëdha ushtarake, policore dhe specialet, mbuluar me kamuflazh e maska, rrinin për rreth tankeve e autoblindave, ashtu të armatosur deri në dhëmbë në gatishmëri, qosheve të rrugëve në Lagjen e Trimave.

Një nga momentet më historike do të mbetet vizita ime dhe e bashkatdhetarëve të mi nga Amerika, së bashku me kolegët Adem Belliu dhe Gani Vila, më 4 Shtator 2016, në Sheshin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, kanonizimin e Shenjtërimit të Nëna Terezes, dhe aktivitetet që u zhvilluan me këtë rast në Romë, por edhe reportazhi im nga Shkodra në Lumnimin për të 38 martirët e klerit katolik të pushkatuar nga regjimi komunist në Shqipëri në vitet 1945-1974 për shkak të besimit në fe.
A keni ndonjë koment për Samitin e Diasporës?

Nuk dua të komentoj mbi suksesin ose dështimin e “Samitit” që u cilësua si i pari i diasporës që u mbajt në Tiranë, pasi zgjodha vetë, ( nuk gjej vend të bëj një koment më të gjatë) të mos isha i pranishëm, andaj nuk dua të bëj gjykime ose vlerësime nga kjo anë e Oqeanit, megjithëse në median shqiptare janë shfaqur me qindra vlerësime dhe gjykime në favor dhe kundër. Mendimin tim do ta them pasi me të drejtë duhej, dhe mirë u bë se nuk ka asgjë të keqe të mbash një Samit të tillë qoftë edhe për faktin se u mblodhën 1000 emigrantë, sepse u duhej shqiptarëve të shpërndarë në të katër anët e botës, të mblidheshin kështu në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, Tiranë, e të takoheshin me njëri-tjetrin.

Kjo ndodhi në një kohë  kur është vështirë t’i mbledhësh kështu qoftë prej largësisë por edhe ekonomisë. Do të ishte mirë rimbahej mbas afro një gjysmë shekulli pasi Samiti i parë u mbajt në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në prillin e vitit 1968 nga prof. Mikel Koliqi.  Ky samit i ëndërruar dhe i shumëpritur ka përfunduar dhe mendoj se duhet pranuar që nuk ishte i pari për Diasporën, por ishte një Samit që Kryeministri ynë e personalizoi dhe e shfrytëzoi deri në palcë.

Ndryshe nga sa premtoi, ai dhe njerëzit e tij në diasporë, kryeministri Rama e bëri pronë të tij dhe të bashkëshortes Lindës këtë Samit me apo pa qëllim nuk la Ministrinë e Jashtme ose drejtorinë e Diasporës për t’i përshëndetur më pas. Një miku im këtu në diasporë më tha: “Fatkeqësisht hendeku i thellë ideologjik është vështirë të ngushtohet, lëre më të zhduket në Shqipërinë tonë të sotme. Madje edhe 70-vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ky hendek influencoi edhe në organizimin e Samitit të fundit në Tiranë”.

Kjo qeveri që pashë unë, para një muaji që thirret “Rilindje” mendoj se ua ka kaluar me  propagandën që u bën shqiptarëve dhe të huajve nëpërmjet medieve që i kontrollon ajo dhe nuk janë pak por më shumë se 90 përqind e tyre, fatkeqësisht edhe qeverisë së Enver Hoxhës…

Jeni ndopak konician në mendime?

Jo pak por shumë dhe këtë e them me bindje. Jam në mendime dhe punën time si gazetar e publicist sepse, nëse je në mërgim, dhe je gazetar, shkrimtar apo poet, ke shumë se çfarë të mësosh nga i madhi dhe i pa arritshmi Faik Konica. Duhet patjetër dhe çdo njeri nga ne të marrë e të lexojë patjetër, mendojë unë librin e Faik bej Konicës, shkruar me një mjeshtëri të rrallë, dhe të papërsëritshme, nga shkrimtari, publicisti, studiuesi, dhe gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi.

Një shprehje e Konicës , thotë: “Vërtet se u linda shqiptar në Konicë – porse, u bëra patriot i madh dhe intelektual në Amerikë”.

Kush është shkrimi i radhës që do të mund të lexojmë nga ju?

Janë ato reportazhet me atmosferën e madhe festive, që është krijuar në bashkësinë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një traditë e hershme, e nisur kjo qysh nga kolonitë e klubet e para shqiptare, me Vatrën në krye, nga festimi tradicional i 28 Nëntorit, Dita e Flamurit dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 nga plaku i mençur dhe i urtë Ismail bej Qemali. Dhe, ato veprimtari që këtu dhe thirren festat e fund vitit pra Krishtlindjet dhe Viti i Ri, dhe mendoj se do të kulmojë me ndonjë raportim -drejtpërsëdrejti nga Washingtoni kur do të bëhet me 20 janar edhe ceremonia e presidentit të 45-të, të SHBA, Donald J. Trump.

Çfarë mendoni për presidentin e ri të SHBA Donald J. Trump?

Donald Tramp është i paparashikueshëm por nuk besoj se do bajë diçka më ndryshe nga paraardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht “zhurmës” së madhe. Kjo zhurmë është e njëjtë këtu në SHBA, sa herë ka zgjedhje presidenciale por është media ajo që e “ndez” apo e “shuan” situatën që vetë krijon. Media kësaj radhe ka humbur shumë në SHBA, edhe nga ana financiare dhe nga ajo profesionale ashtu edhe kundrejt besimit. Mendoj se është duke i fryrë si shumë zgjedhjes së Donald Trump, që si do të veprojë ajo për rinumërim votash, verifikim të votimit të anëtarëve të kolegjit zgjedhor si dhe në protestat që pritet të vazhdojnë deri në 20 janar të shoqëruara me lajme bombastike nga ana e medias, Donald Trump është Presidenti 45-të i SHBA pas 20 Janarit 2017. / tesheshi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *