OPINIONE

Zbutu, të bjen më mirë!

Shkruan: Kimete Berisha

Sot gratë e rrjetit protestojnë kundër dhunës ndaj grave, dhe nuk protestojnë gratë e dhunuara, por kryesisht gratë e fuqishme, individualiste dhe të pavarura, që kryesisht janë beqare.

Rrjeti i grave do të bënte mirë sikur t’i trajnonte vajzat e ‘vshtira’ të bëhen ‘të buta’ në mënyrë që mos të mbeten pa martu, ato i nxisin gratë e martuara që të mos i durojnë burrat e tyre.

Duhet m’u ‘zbut’, nuk ke çare pa u zbut, nëse e ke njet me pas punë me njerëz. Ti s’është e thënë m’u zbut përnjëmend. Aktro. Me rëndësi mos m’u hetu që po rren!

Gruaja nënshtrohet, sepse ka qejf m’u nënshtru.
Se, duhet me tregu drejtë, ka pak lezet në aktin e nënshtrimit.
Nuk e njoh bash mirë këtë ‘lezet’ ama, bëhet fjalë për një lezet që të bën të ndjehesh ‘e vogël’, ‘vajzë e re’, e mbrojtur, me prijës, etj…

Zbutja e femrave të ‘vshtira’ përfshinë tri faza:
1. Faza e I-rë, është më e vështira, sepse femra duhet të bëhet ‘e shurdhër’.
Çdo fjalë e rëndë që i thuhet asaj, ajo duhet ta pranojë me qetësi dhe me urtësinë më të madhe.

Gjatë pranimit të fyerjeve dhe urrejtjes nga ana e kundërt, femra duhet të jap shenja të qarta të nënshtrimit dhe të miratimit.
Demek, e ka kuptuar mesazhin, dhe gabimi nuk do të përsëritet.

Sa herë që femra e përsërit gabimin, do me thënë, nuk lyp të drejta, por lyp ‘burrë’ që t’ia tregoj vendin ‘again and again’ çdo të 28-tën ditë, prej s’fillimit!

2. Në fazën e dytë të trajnimit, femra duhet të mësohet me gatu.
Është shumë me rëndësi me ditë me gatu.
Ti me qenë pehrri, se nuk i duhesh gjë kujt nëse s’din me gatu.
Gjatë kësaj faze të zbutjes, femra duhet të trajnohet që me elegancë, pa fjalë, vetëm me gjeste, dhe me bishta të syve ta marr miratimin e anës së kundërt për gatimet e saj.

Të mësoj ta gjejë masën ideale të kripës dhe të sheqerit.
E mbaj mend në fëmijëri tregimin për një plakë, e cila kur plaku i saj ankohej për ushqimin që i dukej më me shumë kripë se sa që duhet, ajo thoshte: ‘kjo kripë ish kanë më e gjelbt se kripa tjetër’.
Kështu thoshte edhe për sheqerin kur ëmbëlsira plakut i shijonte pa sheqer të mjaftueshëm ‘ky sheqer ish më pak i ëmbël se sheqeri që e kemi ble deri tash’.
Ajo e ka ditur të vërtetën, ama e vërteta të prish punë, se as ana e kundërt nuk është i interesuar ta dijë të vërtetën.

3. Faza e tretë e trajnimit e mëson femrën që të mos ankohet, të mos bëjë pyetje dhe të paraqitet si legjendare. Pra, të jetë e varur dhe e pavarur në të njejtën kohë.
Në kuadër të fuqisë së saj të heshtur, dhe urtisë së pakufishme, ajo duhet të duket seksi.

P.S. Qengji i butë i thith dy nana. Duro.
Ka kohë, hakmerresh kur të plakesh. Hakmarrja e femrës fillon në pleqëri.
I keni parë qysh urrehen pleqtë ndërmjet vetes.
Plaka s’ka rahmet për plakun. M’i dëgju ti pleqtë çka hjekun prej plakave, gurin e drunin e shtinë n’gjynah.
Më shumë rrehen pleqtë sesa të rinjtë (pyet nëpër gjykata), del plaka nga dhoma e plakut ‘të flliqtë’, kur plaka fillon me ankesa e me dhunë, plaku fillon të hesht.
Nuk ka plak që shkon nga kjo botë pa u nënshtruar dhe turpëruar më parë nga plaka e tij.

Kështu që, gratë maltretohen nga burrat derisa të plaken, e burrat maltretohen nga gratë pasi të plaken.

Plakut i bjen më keq!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *