HISTORIA

HISTORIA PO NA GJYKON

Nga Mit’at Frashëri

Botuar më 1924

Nuk munt t’a mohojmë se Shqipërija jonë gjendetë sot në një situatë delikate, të vështirë. Ankimet jane të shumtë dhe çdo njeri pandeh se diagnostikon sëmundjen dhe gjen ilaçin duke u ankuar; kujton se qarja e shëron lëngatën. Kujdesi më i parë i atyreve që shohin të keqen dhe rrezikun, ka qënë qysh të ngarkojnë dokë me faj. Pandehin se me këtë mënyrë çduketë e liga dhe shpëton vëndi. Të tjerë gjenden që as mejtojnë fare, as shohin, se nuk shikojnë.

Artikujt që po pasojnë s’janë as për të parët, as për të dytët. Janë shkruar vetëm për ata që shikojnë, që vënë veshin të dëgjojnë, që duan të lodhen, të kupëtojnë përgjegjësinë e tyre personale. Qarja më e madhe sot në Shqipëri është prej situatës ekonomike, nga shkuarja dhe rrojtja që u bë fort e rëndë. Varfërija që mbretëron sot në vëndin tënë s’është një sëmundje më vete: është shënja, simptoma e një lëngate më të madhe, mbase dhe e shumë sëmundjeve. Pa ditur shkaku, pa gjetur rrënjën, nuk munt që t’i heqim një mur së ligësë.

Faji më i madh, burimi i kësaj që vuajmë, është se, kushdó prej nesh j’a heth fajin tjatrit; as kush nuk do që të marrë një përgjegjësi përsipër. E pret nga tjatrë kush ndreqjen e të metave, shpëtimin prej çdo pësimi. Bëjmë sikur harrojmë që Shqipërija është shtëpija jonë dhe që ne vetë do t’a ndreqim dhe t’a vëmë jashtë valëve të shtërgatësë. Shqipërija, sot vëndi më i varfëri i dheut, është dhe ay më i shtrënjti, ku jetesa kushtón më teprë se tekdó gjetkë. Burimet e fitimit po rrinë të mëshelë, ku se nga çdo anë shpenzimet gjejnë rëke të ra.

Gjithë vuajnë dhe qahen. Po kujtojnë se një fuqi e huaj, një krah prej qielli, do t’i nxierë nga e keqja. Të dy krahët e vetë s’i mejtón kush. U pëlqen më mirë të eksploatojnë një të tretë, se sa të pshtetenë mbi fuqin e tyre personale. Shtrenjtësi e jetësë na bën të vuajmë, se rrojmë keq, dhe me shum’ mundime. Dhe s’mejtojmë cilin burim prej pasunivet që ka dheu ynë duhet që të përdorim. Shqipëtari, thonë, rron me bujqësinë dhe bagëtinë. Unë do të shtonj një mjeshtëri të tretë: Kurbeti. Që të shpëtojmë nga varfërija duhet që të harrojmë kurbetin, të pakësojmë “çobanllëkun”, të shtojmë bujqësinë. Duke u liruar buka do të lirohet dhe jeta.

Vëndi qahet nga mungesa e tregtisë, gjë fort e natyrshme me qënë se Shqipëtari sot nuk ble asgjë, nuk shpenzón as një ovull. Shqipëtari nuk harxhon, se nuk fitón. Nuk fitón se nuk e ndien nevojën e një jete të ëmbël; pra nuk punón. Kur të punojë “robi” dhe të begatohet, atëherë do të zërë të zhvillohet dhe industria, pa të cilën nuk munt të kemi kurrë një prehje ekonomike. Po Shqipërija vuan prej një lëngate më të madhe që po i brin eshtërat: popullimi. Ne kjo e gjej rezikun më të math që na ka hipur mbi krye, që na kanoset ekonomikërisht dhe politikisht, se po shkakton dobësin tonë materiale dhe morale.

Të shtuarët e popullsisë është për neve një çështje jete; me të tetë-qind mijë e ca banorët që kemi sot, jemi duke formuar vëndin më të varfrë dhe Shtetin më të dobët të dheut; në mos i dhënshim kësaj çështjeje importencën që meritón, pritmi ynë me të vërtet vizatohet në ngjyra të errëta. Çështja kaq’ importente dhe vitale e popullëzimit është lidhur me atë të shëndetësisë dhe të shoqërive bamirse, më teprë akoma me krijimin e shoqërivet të gravet. Në qoftë se nuk zgjojmë mëmën, djalin e kemi dënuar për vdekje. Që të shpëtojmë prej greminës dhe të sigurojmë një lumturi, duhet të këqyrim plagën tonë drejt për drejt, të interesohemi, të përpiqemi, të reaktojmë.

Po rrojtja e një populli, mbajtja dhe lulëzimi i një kombi, i një Shteti, s është vetëm me mjete materiale; kërkón dhe një shumicë kondita morale, një fuqi të mëndjesë dhe të shpirtit, që sigurojnë përparimin dhe qytetërimin, që e bëjnë até komb dhe até Shtet të zërë një vënd të ndershmë në shoqëritë e sotme. Fuqija morale dhe shpirtënore është ajo që sigurón edhe pushtetën materiale, mirëshkuarjen fizike. Në këtó të paka faqe kam radhitur një diagnostik. Si çdo plagë, edhe tonat shërohenë. Dëshëronj që, kur të bierë kjo broshurë në duart e këndonjësvet, plagët tona të jenë vetëm një kujtim. Çdo njeri që rron detyrohet të shërojë trupin e tij.

Ilaçi është aktiviteti material dhe moral. Aktiviteti është puna, dhe puna bëhet me vullnet dhe me dashje. Puna s’është shorta e një njeriu, e një palë të njerëzve: është pjesa e të gjithëve.

Ftonj këndonjësit e mij të kupëtojnë mirë barrën që u bie: të mos e pandehnjë askush veten’ e tij lark çështjesë; flas për të gjithë. Të lutem edhe ty, e dashur këndonjëse, të meditosh mbi detyrën e madhe që ke, mbi shërbimin e math që munt të bësh.

Çdo Shqipëtar gjendet sot përpara gjykatores’ së historisë. Historija po na gjykón: në mos patmë fatin të jemë stërniprë të lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershëm për nipët tanë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *