KULTURA

Fitimtarët jemi Ne!

Reshat Kripa, Kumtesë mbajtur në Konferencën Shkencore të organizuar nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, në bashkëpunim me partitë e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, më datën 21 nëntor 2014, me temën:

Krimet dhe masakrat e regjimit komunist në Shqipëri

Klithmat e korbave të zinj po dëgjohen gjithmomë e më tepër, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e përparimit” siç i quante Noli këta pelivanë. Flamurin e këtyre klithmave sot e ka marrë një zotni me gradë shkencore “Doktor” dhe dhe titull “Profesor”, një zotni që ka kryer shumë detyra të larta shtetërore si ministër, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar apo sekretar komisionesh të kuvendit, një zotni që kryen shumë detyra si përgjegjës katedre, dekan fakulteti, anëtar i shumë këshillave shkencore, një zotni që ligjëron në shumë universitete shqiptare dhe të botës mbarë. E pra ky zotni, kryetar i një partie, që ka gati 20 vjet që është krijuar dhe nuk ka zhvilluar asnjë kuvend por që ka një kryetar dhe asamble të përhershme të zgjedhur nuk e di se nga kush. Medet që nuk na u ndanë këta kryetarët e përjetshëm që nuk i luan as topi nga postet e tyre. E pra, ky i vetquajtur kryetar, në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit fitoi vetëm 11.891 vota nga 1.723.295 që ishin gjithsej, baras me 0,69% të tyre. Megjithatë vazhdon ta quaj veten, madje kështu e quan edhe media shqiptare , “historian”. Më falni, por a keni dëgjuar në ndonjë vend të botës, që një kryetar partie të jetë edhe historian i pavarur. Cilën histori do të studiojë dhe do të shkruaj ai? Atë të botës mbarë, të vendit të tij apo të partisë që drejton? Ky zotni është “historiani” Paskal Milo që është vendosur në krye te komisionit per rishikimin e historisë së Shqipëris. Çfarë historie do te rishkruajë ky zotni? Ka kohë që ai është bashkuar me korin e korbave të zinj që këlthasin për “70 vjetorin e çlirimit” apo për rishikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha, kriminelit më të madh të të gjitha kohërave. Përkrah tij janë një grup korbash që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941.

Në debatet e zhvilluara në shtypin e shkruar apo atë viziv dëgjoj mendime nga më të ndryshme lidhur me qëndrimin e Ballit Kombëtar apo Legalitetit gjatë periudhës së luftës për liri. Disa i paraqesin si bashkëpuntorë të pushtuesit dhe të tjerë të kundërtën. Unë rri dhe arsyetoj: Kush e filloi i pari luftën kundër pushtimit fashist? Kush ishte organizatori i rezistencës kundër këtij pushtimi më 7 prill 1939? A nuk ishte i paharruari Abaz Kupi? A nuk ishte heroi i asaj rezistence, kapteri i ushtrisë mbretërore Mujo Ulqinaku, që dha edhe jetën e tij për këtë atdhe duke u bërë dëshmori i parë i luftës kundër pushtuesit? Po grupet komuniste ku ishin? Emri i ndonjë komunisti a është dëgjuar në këtë ngjarje? Asnjë. Për ta ende nuk kishte ardhur ndonjë urdhër.

Lexojmë shpesh mendimet e mykura të disave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që, në të vërtetë, i gryen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërit, Safet Butkës, Hasan Dostit, Ramazan Jaranit, Hysni Lepenicës dhe plot luftëtarëve të tjerë të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam kujtimet e mia të rinisë kur ata burra të shquar, të cilët u bënë mësuesit e mi në konditat e ferrit komunist, më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah. Njeri prej tyre, juristi i njohur Xhevdet Kapshtica më dha një shkrim, futur fshehurazi në burg, që luftëtari Bardhyl Pogoni e kishte shkruar një ditë pas ngjarjes dhe botuar në gazetën “Flamuri”. Titulli ishte “28 nëntor 1939” midis të tjerave shkruhej:

A do të varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim në heshtje profkat e tradhëtarve? Jo! Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!”

Shkrimi vazhdonte me zhvillimin e demostratës. Një turmë e tërë në mbrojtje të lirisë
së vendit. Në këtë turmë nuk mungonin as fëmijtë. Ja se si vazhdon shkrimi:
“Eja mblidhuni këtu!” ia krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e dhimbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim. liri. Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na ndante, ne ecnim të gjithë.Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit të Naimit. Atje larg,mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm përqark njeri-tjetrit. Flamurin me zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçare që ndoqi pas t’anë, Ramazan Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe vasha me të zeza qante…”

Ndërsa në fund autori shkruante:
Atë natë ne kënduam me zjarr. Atë natë ne folëm me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve të lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll…”

Vini veshin frazës së fundit: “ Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as çlirimtarë me yll…” Përse? Dhe ishte 28 nëntori i vitit 1939. Ku ishin komunistët? Ata nuk kishin marrë ende urdhër për të luftuar dhe ky urdhër nuk ishte dhënë pasi idhulli i tyre, Bashkimi Sovjetik, ishte ende në aleancë me Gjermaninë hitleriane.

Këto fjalë i thoshte një luftëtar pjesëmarrës i asaj demonstrate të paharruar, një luftëtar i lirisë. Kush ishte ky luftëtar? Bardhyl Pogoni, biri i Pertef Pogonit, zёvendёsministёr i Arsimit tё Shqipёrisё nё kohёn e Mirash Ivanajt. Autoritetet fashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e tij, mirёpo i ati e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit.

Nje shembull tjetër që provon se kush ishte ngritur kundër pushtimit fashist e tregojnë emrat e të internuarve nga Italia fashiste në kampin e Ventotenes. Kush u internuan atje? Ishin pikërisht krerët e Ballit Kombëtar Safet Butka, Abaz Ermenji, Isuf Luzaj, ishin Abdurrahman Kreshpa, Myzafer Pipa, Stavro Skëndi, Fazlli Frashëri, Selman Riza që nuk duronin dot zgjedhën fashiste, ishin luftëtarët e Kosovës kreshnike Gani, Hasan dhe Seit Kryeziu. Ishin pikërisht këta që e kundërshtuan më shumë se kushdo pushtimin fashist. Po komunistët ku ishin? Nga këta dallohen vetëm emrat e atyre që ishin idealista dhe që me vonë do të pushkatoheshin apo dënoheshin me burgime të rënda nga vetë krerët e tyre si Llazar Fundo, Sinan Gjoni, Zef Mala. Po ata që urdhëruan vrasjen apo burgosjen e tyre ku ishin? Ku ishte kreu i tyre, diktatori Enver Hoxha? Ai rrinte fshehur në shtëpinë e të kunatit të cilit, pak vite më vonë, do t’i dhuronte plumbin ballit dhe do ta etiketonte si “kolaboracionist”, si shpërblim të mikpritjes. pasi e tillë ishte ujdia me padronin e tyre jugosllav.

Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës, komunistët, mjeshtra të mashtrimit, hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Kjo parullë bëri që lideri legalist Abaz Kupi, të rreshtohesh në rradhët e këtij fronti. Por, pas Konferencës së Mukjes, papritur, kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, ndërsa hymni i partzanëve u bë kënga:

Bijt’e Stalinit jemi ne,
Që derdhim gjakun an’e mbanë
Sa të valojë përmbi dhe,
Flamuri drapër e çekan!

Vini veshin! Komunistët dhe partzanët nuk luftonin për flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes por për flamurin me drapër e çekan të vendit ku sundonte diktatura komuniste, të vendit që kishte në krye tiranin Stalin, që synonte të pushtonte të gjithë botën.
Kjo gjë solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon
disa herë atë të luftës kundër okupatorit, nga të dyja forcat ndërluftuese. Nuk kishte më luftë çlirimtare. Nuk kishte më luftë kundër okupatorit. Lufta ishte e shqiptarit kundër shqiptarit, një luftë e egër për pushtet. Ja se si i këndon kësaj ngjarje poeti i shquar Ali Asllani në poezinë “Dasma e madhe”:

Dhëmb për dhëmb e sy për sy, si ti mua dhe unë ty,
Nëna ime, nëna jote, zën’e qajnë për të dy,
Djali babën, baba djalin vuan ta zër’e ta përzërë,
Që ta pjek në hell të gjallë, t’i pres mishin me gërshërë,
Bot’e çmëndur, djall i çmëndur, Zot’i çmëndur, gjith’të çmëndur.
Vetëm vdekja bën të sajat, ha e ha dhe s’ka të dëndur!
A nuk janë një përshkrim i përkryer i luftës civile këto vargje?

Një faqe tjetër e historisë së nacionalizmit shqiptar do të shkruhej pas vendosjes së pushtetit të regjimit komunist në vendin tonë. Një histori e paparë në asnjë vend tjetër të Europës Lindore, do të jetë ajo e rezistencës shqiptare kundër këtij regjimi. Krahina të tëra si Postriba, Malsia e Madhe, Zhabokika e të tjera do të ngriheshin në këmbë për liri e demokraci. Grupe të tëra luftëtarësh të lirisë do të pranonim më mirë plumbat në gjokset e tyre apo prangat e rënda të burgjeve në vend të lirisë së mohuar. Të tjerë do të braktisnin lehtësirat që mund t’u jepte bota e lirë dhe do të ktheheshin në atdheun e tyre, në kuadrin e batalionit 4000 të Nato-s për t’u sakrifikuar për të. Dhe ishin pikërisht këta, që propaganda komuniste vazhdonte t’i quante “kolaboracionistë dhe bashkëpuntotë të pushtuesve“, në një kohë kur vetë bota e lirë i kishte strehuar në gjirin e saj. Çuditërisht, idetë e këtyre martirëve rezistuan për 46 vjet, megjithë shtypjen e egër që ushtronte regjimi. Ata i treguan atij regjimi se do të vinte dita e përmbysjes së tij dhe fitores së idealeve demokratike. Dhe, me të vërtetë, në saj të kësaj rezistence dhe goditjes që i dha së fundi lëvizja studentore e viteve 90-të, sistemi komunist u përmbys dhe u vendos sistemi demokratik.
Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë fitimtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më trepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi dolën të humbur nga beteja. Jo, mor zotërinj! Historia na mëson se Spartanët e mundën Athinën, por fitimtarët e vërtetë ishin Athinasit pasi janë ata që hynë në histori dhe vazhdojnë të kujtohen dhe të nderohen edhe në ditët tona. Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi hunbën vetëmn një betejë dhe këtë e humbën sepse nuk ishin vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishin të prapaskenave të pështira si ju. Ata ishin për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të botës së lirë. Ata nuk donin të derdhnin gjak shqiptari si ju. Nuk donin të ngjallnin ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donin bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira. A nuk ishit ju që dërguat brigadat partizane në Kosovë për të ndihmuar armatën jugosllave ta ripushtonte atë vend? A nuk ishin Ramiz Alija dhe Rahman Perllaku që përcillnin nacionalistët kosovarë, nëpërmjet tokës shqiptare, drejt Tivarit ku i priste një masakër e pashembullt? Madje “Apostulli i Shqiptarizmës”, Mithat Frashëri, edhe në çastet e largimit nga atdheu, deklaronte:
– Ne po largohemi nga Shqipëria jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luften
për çlirimin e saj nga thundra komuniste dhe për të vendosur sistemin demokratik.

Atëherë “Kush janë fitimtarët?” Dy janë idetë që janë ndeshur me njera-tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit, të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit, ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi, ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.

Përfaqësuesit e idesë së parë ishin Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi me pasuesit e tyre. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruat fletën si kameleoni që ndërron ngjyrën por në zemrat tuaja keni ende figurën e diktatorit.

Këto ditë dëgjojmë zërat e korbave të këlthasin për ditën e “çlirimit”. I shohim të parakalojnë, si dikur, me portretet e dikatorit dhe thirrjet histerike për sistemin totalitar. Kjo skizofreni arriti kulmin katër ditë më parë kur në vallen e vdekjes së sistemit obskurantist u shfaq edhe kryeministri i vendit dhe lakejtë e tjerë të tij nën hijen e atit të tyre shpirtëror gjë që, më në fund, shkaktoi edhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Kush qenka liria që na dhuruan këta “çlirimtarë“? A keni dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës që ditën e vendosjes së diktaturës ta paraqesin si ditë e “çlirimit“? Mos vallë qenka ditë “çlirimi“ ajo që na ndau nga bota perëndimore për të na degdisur në shkretëtirat ruse apo kineze?

Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë, pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i Shqiptarizmës” Mithat Frashëri. Është heroi i 7 prillit 1939, Abaz Kupi. Janë dishepujt e tyre, sepse pikërisht idetë e tyre fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur.

Sa herë flitet për masakrat e kryera nga regjimi totalitar komunist, më dalin para syve sekuencat e nje filimi gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore, që shfaqesh në ekranet e kinemave në fëmininë time, në ditët e para të të ashtuquajturit “çlirim”. Ishte historia e një mjeku nazist që eksperimentonte në laboratoret e tij format më të tmerrshme të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrejtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. Pothuajse i kam harruar skenat e tjera të filmit, por më ka mbetur e gjallë finalja e tij: Mjeku, i kapur pas hekurave të burgut, duke thërritur: – Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm! Ndërsa në sfond, prapa tij, shfaqeshin krimet e kryera, dhomat e tmerrshme të gazit dhe torturat e tjera. Filmi kishte një titull kuptimplotë: “Vrasësit janë midis nesh”. Unë meditoj dhe pyes:
– A kemi vrasës midis nesh?
Përgjigjen e jap po vetë:
– Po, janë ish-prokurorët dhe ish-gjykatësit, janë punonjësit e ish-Sigurimit të Shtetit
dhe organeve të tjera të dhunës komuniste që sot janë në krye të skakierës shtetërore. Ata, në
një kor të përbashkët me pseudodemokratët, pseudohistorianët dhe korbat e tjerë të zinj, po thërrasin si mjeku gjerman:
– Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!
Atëherë , kush qenka fajtor për tërë atë katrahurë që kaloi vendi ynë? Mos vallë
qenkemi ne që e paguam me jetët tona? Mos vallë tani, pas njëzetekatër vjetësh që komunizmi është përmbysur, duhet të drejtohemi pikërisht prej atyre që ishin ithtarët e atij sistemi? Mos vallë nuk paska Shqipëria djem dhe vajza të reja, që kanë mbaruar studimet në universitetet më në zë të botës dhe nuk janë të infektuar nga ideologjia komuniste, pavarësisht cilit krahu i përkasin, për t’i vendosur në postet e ishve të kompromentuar?

Para disa ditësh Gjermania, Europa dhe e gjithë bota mbarë, kremtuan 25 vjetorin e rënies
së murit të Berlinit, perdes së hekurt që ndante botën e lirë nga bota totalitare komuniste. Po Shqipëria a do ta rrëzojë ndonjëherë murin e komunizmit?

Jam i bindur, megjithëse unë, për moshën që kam, nuk do t’ia arrij asaj dite, se ky mur më në fund do të shembet. Jam i bindur se do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Do të vijë dita kur emrat e këtyre pseudodemokratëve dhe pseudohistorianëve do të hidhen në koshin e plehrave, ndërsa emrat e martirëve të nacionalizmit shqiptar do të ngrihen në piedestalet më të larta. Do të vijë dita kur nxënësit tanë nuk do të dëgjojnë më pallavrat tyre por do të mësojnë historinë e vërtetë të popullit tonë martir. Atëherë ata i prêt vetëm një gjë, në mos ndëshkimi i drejtësisë njerëzore, ndëshkimi i drejtësisë qiellore.
Kjo ditë do të vij!

One thought on “Fitimtarët jemi Ne!”

  1. I nderuari Reshat,

    Ju jeni i vetmi qe e ka kuptuar qka eshte komunizmi.

    Ju lumt per pershkrimin e krimeve qe e bene hordhite barbare te frymezuara nga shkavelloruset.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *