POLITIKA KOMBËTARE

“Simitet” e Diasporës, të bashkuar rreth Ramës e Thaçit!

Shkruan Florim ZEQA

Maskarada mashtruese apo i ashtuquajturi “Samit i Diasporës”, i organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i mbajtur nga datat 18-20 nëntor 2016, është njëra nga lojërat plot hipokrizi të pushtetarëve në Tiranë dhe Prishtinë në raport me mërgatën tonë. I ashtuquajturi “Samit i Diasporës” i paraparë të mbahej në muajin Mars të këtij viti, u mbajt tetë muaj me vonesë nën moton “Të gjithë për Shqipërinë”, të kësaj logoje të maskaradës mashtruese dhe nënçmuese njëkohësisht, kur dihet fakti se mërgata shqiptare asnjëherë në historinë e saj të gjatë nuk ka qenë më e injoruar, anashkaluar dhe abuzuar sikurse të ketë qenë në këtë dekadën e fundit nga dy qeveritë e shteteve shqiptare. Në dekadën e fundit, diaspora shqiptare, nga qeveria e Tiranës dhe Prishtinës u përdor dhe u bë pjesë e agjendave politike vetëm në raste krizash politike, duke u përdorur si dekor festimesh dhe për dekorim të ndonjë sekseri të tyre në Diasporë, gjoja për punën dhe veprimtarinë atdhetare. Zyrtar të lartë shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria, ministra dhe ambasadorë gjatë vizitave mërgatës sonë, takojnë vetëm individët dhe grupacione të afërta me ta, duke asistuar në hapjen e ndonjë shkolle të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, ndonjë aktiviteti të vockël kulturor, sa për të “mbajtur” lidhjet me sekserët e tyre, të cilëve ua hedhin nga një ashtë të fëlliqur në emër të financimit të ndonjë aktiviteti,…duke injoruar dhe anashkaluar shoqata dhe organizime të mirëfillta, duke injoruar në tërësi trurin e kombit shqiptar në Diasporë.

Krekosjet e krerëve shtetërorë

Me shfrytëzimi i disa mjeranëve, sahanlëpirësve të pushtetit, më tepër kanë krijuar ndasi dhe përçarje, saqë shumica e mërgimtarëve ndihen të anashkaluar dhe injoruar nga shtetet e tyre. Krekosjet e krerëve shtetërorë dhe shtirrja e tyre, se gjoja po e ndihmojnë diasporën në ruajtjen e identitetit kombëtar, janë hipokrizi e kulluar. Mjafton të përcjellësh me vëmendje fjalimet e tyre në “Samitin e Diasporës”, për të kuptuar deri në fund marrëzinë e tyre. Fillimisht në hapjen e këtij “Samiti”, kryeministri shqiptar, Edi Rama e tregoi joseriozitetin e tij ndaj këtij tubimi të zgjeruar me klientalat e tij në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë, duke treguar se ideja e mbajtjes së këtij Samiti të Diasporës në Tiranë, ishte një ide e bashkëshortes së tij,…se mori propozimin nga bashkëshortja, pas takimeve të shumta të zhvilluar në Nju Jork në 2015-ën, me shqiptarë të diasporës,…”ndonjëherë pëlqej mendimet e saj para të miave” kishte nënvizuar kryeministri shqiptar duke u tallur me “s(a)imitat e shumtë në sallën e madhe në “Pallatin e Brigadave”, i mbushur përplot ideolog dhe ithtar të nomenklaturës komuniste nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Ilirida dhe Diaspora. Mbase mjafton vetëm thënia e mëposhtme e kryeministrit shqiptar, për të kuptuar prapaskenat politike; “Pa diasporën Shqipëria është më e cunguar se një territori copëtuar në mijëra pjesë”. Kryeministri shqiptar po harron se Shqipëria nuk bëhet me “simite të tharbur” nga Diaspora, por me krijimin e kushteve të volitshme për kthimin në vendlindje të trurit kombëtar, krijimin e sigurisë për investime në vendin e tyre, me luftimin e korrupsionit dhe heqjen e haraçit qeveritar ndaj investitorëve shqiptar të mërgatës sonë.

Mashtrimet e Thaçit

Akoma më i qartë dhe naiv në mashtrimet e tij u tregua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndër të tjera u shpreh: ”Ne kemi obligim si shtete që të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës dhe t’i shtrijmë atyre dorën. Diaspora duhet të jetë më shumë e shtrirë në jetën institucionale të Kosovës. Prandaj në këtë frymë në kuadër të punës për reformën zgjedhore do të trajtojmë edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për të përcaktuar një numër të vendeve të rezervuara për diasporën në Parlamentin e Kosovës. Është ky i njëjti person, si ish-kryeministër i Kosovës, që injoroi mërgatën në të gjitha proceset e vendimmarrjes në Kosovë përgjatë tetë viteve të qeverisjes së tij, duke filluar; nga mohimi i të drejtës në votim, pjesëmarrjes në parlament, qeveri e deri tek kufizimi i të drejtave për investime në vendlindje, me vënien e proceduarave burokratike e deri tek haraçi i organizuar në realizimin e të drejtave të garantuara me ligj për nxjerrjen e rregullt të dokumenteve të udhëtimit, lejeve të ndërtimit, etj. Sa i dhimbshëm, po aq i pashpjegueshëm mbetet fakti i pjesëmarrjes në këtë “samit” i disa figurave të shquara të mërgatës sonë, që hiqen si mbështetës të filozofisë rugoviane, demokratë me orientim euro-perëndimor, që në prapaskenë shajnë e hedhin vrerë mbi figurën e Edi Ramës Hashim Thaçit,…përderisa në hollin ku mbahej ky aktivitet vraponin pas tyre për marrjen e ndonjë “selfije” (fotoje) për facebook! Si i lejuan vetës, që me pavetëdijen e tyre të bien aq lehtë në grackën e Ramës dhe Thaçit. Pas veprimeve të tilla skandaloze, përulja e tyre nesër para varrit të presidentit historik të Kosovës, nga rugovistët më tepër do të kuptohet si lëpirje e mermerit mbi varrin e tij, e jo si nderim i sinqertë. Mirëpo, për fatin e mirë, në grackën e Ramës e Thaçit nuk ra presidenti i shtetit shqiptar, zoti Bujar Nishani dhe shumë figura të shquara të politikës shqiptare, përfshirë veprimtar të shumë nga diaspora dhe trojet etnike shqiptare. Në fund, më mbetet t’i sqaroj lexuesit për titullin e shkrimit, që pjesëmarrësit nga mërgata në këtë samit i quajta “simite”, pasi nuk mund të jenë ndryshe po si një gatesë e përgatitur nga Rama e Thaçi. Se për çfarë “simitesh” bëhet fjalë, i mbetet lexuesit t’ua japë vlerësimin pjesëmarrësve të kësaj maskarade mashtruese, e të mos flasim për koston e lartë financiare të akomodimit të rreth 800 pjesëmarrësve në këtë aktivitet treditor,…të cilën do ta paguajnë tatimpaguesit e varfër shqiptarë.

2 thoughts on ““Simitet” e Diasporës, të bashkuar rreth Ramës e Thaçit!”

  1. Kjo eshte per ata qe kane ikur ne vitin 1998-99 ,kur kishte fillu lufta ne drenice,ketu nuk munde te hyne te gjithe Shqiptart te cilet kane dalur,qe nga vitet 1970-80,pasi jam deshmitar vet kur kane ikur dhe kane ardhur ne kufirin Austri -Maxharri,ku kam pritur me shum se 100 vet ne ,Austri te ikur nga lufta,bukur e keni cekur per ata qe kane imur qe nga fillimi i luftes ,por jo ti shtin te gjithe Shqiptart ne nje thes,per arsye se ka Shqiptar qe kane dalur jashte Kosoves ne Shtete Eropiane kur ka qen ish jugosllavija kukull dhe ishte pa viza te dilet ne keto Shtete Evropiane ,para 30 -40 vitesh,per ata qe mundohen te bajne politik jashte Kosoves,si gjat luftes po dhe tani te kote e kane vetem sa llomotisin apo krokosin nga jashte,

  2. Kesi takime nuk kane nevoje te mbahen asnnjehere. Por edhe disapora e Kosoves, eshte e mbivlersuar se tepermi ne kuptim te fitimit te lirise dhe pavaresise. Diaspora europiane po mendoj. Sepse europa nuk ka dhene as kontributin me te vogel ne shoetimin dhe qlirimin e Kosoves. Liria dhe pavaresia eshte ekskluzivisht merite e AMERIKES dhe deri diku e Toni Blairit me Britanine e Madhe. Tjera shtete veq kane kqyr ……qka po ndodh.

    Diaspora kosovare ka ike nga kosova sepse keni qene dhe jeni frikacak edhe sot. Ne vietet 1990-ta tegjithe Shqiptaret e Kosoves kane qene de diskriminuar dhe dhunuar politikisht ne qdo sfere t ejetes deri ne fillim te luftes gjenocidiale qe e inicoi Serbia me 5 Mars 1998. Pra te gjithe kemi qene te diskriminuar por 500 mije iken…ndersa 1 milion Mbetem ne Kosove dhe vazhduam te perballemi me te tjithe egersizmat e okupimit shkavellik. Ndersa ju frikacaket edhe deri diku tradhetaret iket si kurva. Dhe beheshit sikur po dilni neper disa protesta irelevante neper europe. BETEJA PER LIRI DHE PAVARESI ESHTE ZHVILLUAR NE KOSOVE……E JO NEPER RESTORANTET EUROPES.
    EDHE SOT BETEJA PER ZHVILLIMIN E DEMOKRACISE DHE LIRISE ZHVILLOHET NE KOSOVE ….E JO JASHT KOSOVES.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *