POLITIKA KOMBËTARE

20 vjet pa dr. Xhavit Ahmetin

Shkruan Bajram Mjeku

Sot njëzet vjet, në orët e hershme të mëngjesit, në një aksident të rëndë komunikacioni, humbi jetën dr. Xhavit Ahmeti, këshilltar për Arsim i presidentit Rugova.

Ishte shembëlltyrë si sakrifikohet një intelektual për shkencën dhe vendin.
Ishte erudit, personalitet i shquar, njeri i dashur… Aq sa i njihte shkencat ekzakte në të cilat kishte doktoruar, po aq e njihte artin dhe filozofinë.

Gabimet e gjithësecilit i refuzonte me buzëqeshje, por edhe sukseset i pranonte njësoj!

Isha ndër tre njerëzit e parë, kur morëm lajmin makabër ditën kur ndodhi aksidenti. Shefja e repartit në Qendrën Klinike Universitare në Beograd, një doktoreshë fine dhe me integritet, derisa na njoftonte për rrethanat e vdekjes, tha:
– Kur mediat dhanë lajmin për aksidentin, pranuam dhjetëra telefonata nga Universiteti i Zagrebit. U bindëm se i ndjeri ishte personalitet i madh!
Po të jetonte dr. Xhavit Ahmeti, do të ishte kryeministri i ardhshëm i vendit. Do të ishim me fat dhe Kosova do të kishte imazh ndryshe.
Nuk kaloi një muaj nga shuarja e tij dhe arsimi në Kosovë nisi të lëkundej.

Dr. Xhavit Ahmeti ishte përtej ideologjive, partive e fraksioneve politike. Idealiteti i tij ishte: Shteti mbi të gjitha.
Shuarja e Tij, mbetet dita më e pikëlluar në jetën time.

Në ceremoninë e varrimit të Tij në nëntorin e ftohtë të vitit 1996 në Prishtinë, morën pjesë mbi 200 mijë qytetarë.
Pushoftë në parajsë shpirti i Tij i bardhë dhe buzëqeshja e ëmbël, e cila nga fytyra nuk i hiqej kurrë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *