HISTORIA

Partizanet e Mehmet Shehut (te brigades V), prite mbi gjermanet e plagosur qe po iknin nga Shqiperia

Me 16 shtator 1944, poshte Kroit te Kusareve ne Bardhoc te Kukesit, te Uki i Verre, sulm partizan mbi ambulancat e makinat me gjermane te semure qe po iknin nga Shqiperia

Shpëtuar paq edhe një herë

(fragment nga libri i komandantit gjerman Hermann Frank, Lufta e çetave ne Shqiperi, botuar nga Klubi i Poezise, Tirane, liber qe e gjeni ne Librarine tek dera hyrese e Bibliotekes Kombetare)

Përkundrazi banditët e Mehmet Shehut janë shumë aktivë. Ata bëjnë përsëri një aksion ndaj një transporti të plagosurish dhe pushuesish, e pikërisht sërishmi në “rrugën e vdekjes” midis Kukësit dhe Prizrenit, jo larg vendit të vrasjes së parë masive, (përsëri edhe kjo beteje ka ndodhë në teritorin e fshatit Bardhoc të Lumës, pak kilometër para Hanit të Laçit, te vendi i quajtur Uki i Verrë, nën Kroin e Kusarëve, ku niste rruga automobilistike nga bregu i Drinit të Bardhë, në të majtë të rrjedhes, për në Bardhoc e Gjegjan ku ngarkohej mineral bakri te trimozha. Ky aksion kundër gjermanëve të sëmurë që po transportoheshin nga Shqipëria për në Gjermani është kryer me 16 shtator 1944 nga partizanët e Brigadave Partizane, saktësisht Brigada e pestë partizane, që kishin hyrë në Lumë, në Kala të Dodës, në kufi me Dibrën, me datën 5 shtator 1944, dhe jo nga partizanët vendas të cilët bënë aksionin tek Hani i Laçit natën e 4 shtatorit 1944. Veç të tjerëve të vrarë e të plagosur mes gjermanëve e shqiptarëve, aty është vrarë partizani Llambro Andoni, lapidari i të cilit është në fshatin Bardhoc, para shkollës, as 100 metër para shtëpisë time. Shën. bot.).

Përsëri veprojnë me zgjuarsi dhe dinakëri. Fshihen afërsisht dhjetë metra mbi anën e rrugës në çerdhet shkëmbore dhe në kaçubet e dendura tek shpatet e thepisura, të çara të maleve. Atje mund të qëndrojnë të fshehur pa u vënë re nga patrullat gjermane që mbajnë kontaktet, të cilat lëvizin tutje e tëhu midis pikëmbështetjeve.

Kur afrohet kolona e të plagosurve dhe e pushuesve, banditët hapin zjarr dhe kryejnë një masakër mizore ndaj të plagosurve të pambrojtur, të cilët nga spitalet shqiptare duhej të çoheshin në atdhe.

Ata pak pushues, midis tyre disa oficerë, vriten dhe përgjaken para se të mund të rrokin armët. Suksesi i banditëve është i përkryer.
Që grupet e çetave të Mehmet Shehut zgjidhnin shumë herë për aksionet e tyre zonën e Bicajve, kjo ka arsyen e vet: ata donin ta drejtonin në këtë mënyrë dyshimin e gjermanëve tek Muharremi. Dhe ata kërkojnë një shkak për pretendimin nxitës, gjermanët terrorizokan popullsinë.
Qysh pas sulmit të parë të befasishëm të gjithë burrat e fshatrave malorë në një perimetër të gjerë u arratisën në male, sepse kishin frikë raprezaliet gjermane. Pas sulmit të dytë u arratisën edhe gratë me fëmijët dhe bagëtinë tek burrat në male. Fshatrat janë të braktisur dhe në heshtje varri. Sidoqoftë natën vonë disa shqiptarë guxojnë, të shtyrë nga etja, që të kthehen në fshatin e tyre për të marrë ujë.

Por majori Fraj dhe oficerët e tij janë të bindur se aksionet mizore kryhen prej njësive që s’janë nga zona dhe nuk kryhen prej vendasve, bile as me ndihmën e tyre të fshehtë. Prandaj Fraj urdhëron kompaninë e shtatë, e stacionuar në kufi me territorin e Kosovës, e cila e ka vendkomandën në ish ndërtesën e doganës tek rruga, (në Morin, shën. bot.), që të vendosë, nëpërmjet informatorëve, kontakte me banorët e arratisur të fshatrave e t’u bëjë thirrje të kthehen në shtëpitë e tyre.

Malësorët e varfër binden me dëshirë dhe kënaqësi. Vetë ata vuajnë nga shtrëngimi prej çetave që s’janë nga zona e tyre, sepse banditët i mbulojnë nevojat e tyre me ushqime, kafshë barre dhe gjithçka kanë nevojë thjeshtë duke ua marrë të gjitha vendasve. Banorë të fshatrave, që donin të mbroheshin kundër plaçkitjeve, pushkatoheshin. Tani fshatrat malorë organizojnë një shërbim zbulimi, që duhet t’i paralajmërojë në kohën e duhur, nëse po vijnë banditët. Këta zbulues të përparuar janë shumë të besueshëm; ata paralajmërojnë edhe gjermanët, kur afrohen partizanët. Në sajë të këtij bashkëpunimi me malësorët, kompania e shtatë ia arrin pak ditë më vonë të pengojë një operacion plaçkitës dhe vrasës, të organizuar në shkallë të gjerë prej njësive të fuqishme partizane, t’iu presë rrugën e tërheqjes dhe t’i sulmojë ashpër nga shumë anë. Meqë banditëve si mundësi e fundit për të shpëtuar u mbeti vetëm arratisja nëpër Drin, ata u asgjësuan pothuajse plotësisht. Vetëm pak prej tyre ia dolën mbanë që ta arrinin bregun tjetër e të zhduken nën mbrojtjen e maleve. Shumë e gjetën varrin e tyre në lumë e kufomat e tyre pluskonin edhe pas disa ditëve drejt detit.

Tani edhe në territorin e Kosovës shqiptarë besnikë ndaj vendlindjes ngrihen kundër çetave. Dr. Deva organizoi reparte të forta mbrojtëse nacionaliste dhe i luftoi partizanët me sukses të paqëndrueshëm. Në tërë Shqipërinë zien lufta civile; populli po grin vetveten.
Edhe në qytetet e vendit, ku rezistenca deri tani zor se kishte gëluar në mënyrë të ndjeshme, po nis lufta e hapur kundër gjermanëve. Në këtë mënyrë ata po vihen më shumë e më shumë në një situatë të padurueshme e më në fund e shohin veten të detyruar që të heqin dorë nga Shqipëria, – një vend, ku kishin ardhur si miq dhe vetëm për të penguar zbarkimin e forcave aleate në bregdetin e Adriatikut.
Fraj dhe besnikët e tij, që në sajë të fatit të mirë i kishin kapërcyer mbarë betejat e vështira në Bashkimin Sovjetik, filluan dalëngadalë të dyshonin në fatin e tyre prej ushtaraku. Por fati deshi më të mirën për ata.

Në fillim të tetorit 1944, kur një detyrë luftarake ndiqte tjetrën dhe situata bëhet kaq e koklavitur dhe e pashpresë, saqë asnjëri nuk guxon të shpresojë më se do dalë i gjallë nga Shqipëria, Frajin e thërrasin në telefon. Paraqitet oficeri G3 i divizionit 181 dhe i komunikon Frajit se që nga ky çast grupi i tij luftarak vihet në varësi të divizionit. Ai duhet të çajë menjëherë drejt Ferizajt, të hipë atje në tren dhe – të udhëtojë drejt Beogradit.

Fraj e ul dorezën e telefonit mbi tryezën që lëkundet. I humbur në mendime shikon përjashta dritares. Vështrimi endet nga uji i gjelbër i Drinit tek malet gri në perëndim, ku diku shumë larg është atdheu.
Të tensionuar dhe plot shpresë shikojnë të dy regjistruesit Dorman dhe Adler buzët e holla të shtrënguara të oficerit.
“Më thërrisni komandantët e kompanive dhe kapterët, krahas tyre oficerët e shtabit dhe mjekun.”

Kryekapteri Drajer jep urdhërat përkatëse e korrierët shpërndahen duke fluturuar.
“A ka diçka të re, zoti major?” guxon të pyesë më në fund Drajeri. Fraj pohon me kokë. “Ne do të nisemi. Organizoni një komando të përparuar, që bashkë me nëntogerin Meqler të niset sot për Ferizaj dhe përgatisni gjithçka për transportimin e shtabit atje.”

Në një kohë rekord batalioni i dytë i përforcuar i regjimentit pushkatar 522 është gati për marshim. Edhe një natë të shkurtër do të kalojnë këmbësorët në malet karstike në vendin e shqiptarëve, në të cilin kishin ardhur para pothuajse një viti si miq dhe të cilin po e lënë përsëri me kaq qejf, edhe pse shumë, shumë vonë.

Mendimet e tyre shkojnë tek varret ushtarake, që të dy kapelanëve të divizioneve Dr. Bek dhe Gert iu desh të ndërtonin në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe tek varret dhe kryqet e shumtë, të vetmuar diku në peizazhin malor të përvëluar nga dielli, ku prehen ata, me të cilët luftuan dhe u gjakosën së bashku. Disa vrasin mendjen edhe për sensin e vdekjes gjatë luftës së pashpresë dhe të kotë në Shqipëri dhe në përgjithësi në luftë, pa e gjetur atë.

Por një gjë e dinë të gjithë: si ushtarakë gjermanë e bënë deri në fund detyrën e tyre me besimin e mirë tek drejtësia e kauzës. S’kanë asnjë njollë, që nga pushkatari deri tek gjenerali. Nderi i tyre është i pastër dhe ndërgjegjja është e qetë. Secili mund të qëndrojë ballëlartë dhe ta shohë hapur në sy tjetrin.

Kështu marshojnë në agim duke i bërë sytë katër dhe me armët gati për të hapur zjarr në luginën e ngushtë, të thellë të Drinit të Bardhë, përpjetë drejt territorit të Kosovës dhe stacionit hekurudhor të Ferizajt. Largohen pa urrejtje dhe mllef nga Shqipëria, të cilën mësuan që ta donin bashkë me popullsinë e saj dhe e cila i flaku në të njëjtin çast. Por ata e “lidhin më fort helmetën”, sepse të gjitha vendet e Ballkanit, përmes të cilave u duhet të kalojnë që të arrijnë në kufijtë e Raihut, janë shndërruar në armiq të Gjermanisë në këto javë të shtatorit 1944.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *