OPINIONE

Ne budallenjt

Shkruan: Edison YPI

Ne budallenjt në takim me ju inteligjentët vijmë gjithmonë disa minuta para. Ju qerratenjt në takim me ne budallenjt vini gjithmonë me vonesë.

Ne budallenjt themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që na thoni. Ju skilet nuk thoni atë që mendoni dhe nuk e besoni atë që ne budallenjt j’u themi.

Ne budallenjt që nisemi nga Tirana kemi bindjen se Laçi është më afër se Lezha. Ju inteligjentët që niseni nga Shkodra thoni se Lezha është më afër se Laçi. Nisuni nga të doni veç mos na thoni se Turqia është më afër se Italia.

Ne budallenjt kemi bindjen e patundur se ata që mbajnë në këmbë ekonominë dhe nuk na lënë të ngordhim, janë biznesmenët që duhen ndihmuar, favorizuar, ndërsa proletarët janë turma që duhet ta gjejë vetë mënyrën për të mbijetuar. Ju pehlivanat thoni të kundërtën. Thoni si të doni, por mos u habisni kur proletarët, sipas përvojës së bollshme të kurvit, të zbresin në shesh të xhvasin gjithçka pa bërë asgjë.
Ne budallenjt e kemi të qartë se analistat televizivë të së enjtes mbrëma nuk janë gjë tjetër përpos pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut, muret rrethues të kështjellës së politikës që bëjnë çmos ta bëjnë atë kështjellë të pamposhtur. Ju këtë bëni sikur nuk e kuptoni. J’u dalçin sytë. Juve dhe atyre.

Ne budallenjt përdorim nja treqint fjalë kur flasim dhe nja dy mijë kur shkruajmë. Ju as flisni as shkruani. Nuk është problem. Derisa të mësoni ca fjalë ju të squtët, do vazhdojmë të dërdëllisim ne budallenjt.

Ne budallenjt që nuk kemi asgjë, nuk prodhojmë asgjë, nuk fitojmë asgjë, dhe rrjedhimisht s’kemi çfarë fature tarimore të japim, faturën tatimore që na jepet për çikërrimat që blejmë, gjithmonë e marrim. Ju që keni gjithçka, faturë tatimore as nuk merrni as nuk e jepni. Zoti ju ruajt.

Ne budallenjt nuk vjedhim. Ju vidhni. As kësaj s’kemi ç’i bëjmë. Po të vidhnim ne, budallenj do ishit ju.
Ne budallenjt lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallenjt ca super budallenj që poezitë i dinë përmendësh. Kjo tablo nuk është aq dramatike sa duket. Poezitë më të bukura për ne janë ato që flasin për dallimin kolosal mes jush dhe nesh.

Ne budallenjt femrave u bëjmë komplimenta. Ju të squtët femrave u bëni teorira. Prandaj femrat ne budallenjve na falin nektarin, juve noc rrokun.

Ne budallenjt nuk ikim nga Shqipëria. Ju ikni. Mirë bëni që ikni. Veç një gjë duhet të dini; Nëse do vazhdoni të ikni, vjen një ditë kur ne budallenjt që tashpërtash jemi pakicë, bëhemi shumicë. Kur të ndodhi kjo, meqënse shumicë budallaqe s’ka, të squtë do bëhemi ne budallenjt që rrimë, budallenj do bëheni ju të squtët që do mbeteni.

Ne budallenjt e dimë që era, shiu, breshëri, toka, qielli, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, të gjitha janë të inteligjentëve, por bota është e budallenjve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *