OPINIONE

Mbylle Zërin e Amerikës

Shkruan: Edison YPI

Zoti Trump, E kam ndjekur me vite Zërin e Amerikës. Me frikë, me kufje, me dritare të mbuluar me batanije, me valë të mesme, të shkurtra, të gjata, mes zhurmash, fërshëllimash, rrapëllimash, krismash. Kam njohur plot të tjerë që gjithashtu e kanë dëgjuar Zërin e Amerikës pa u epur nat’ për natë, deri në fund të jetës, derisa kanë vdekur. Bënim një lloj gare në atë kohë kush e ka dëgjuar më gjatë pa ndërprerje. Një miku im e ka dëgjuar Zërin e Amerikës 35 vjet rrjesht pa e lënë asnjë ditë, as kur kishte qënë sëmurë apo çfardo arësye tjetër.

Megjithatë e vërteta është se as unë dhe askush, as atëhere dhe as tani, nuk kujtojmë asgjë eksluzive të dëgjuar nga Zëri i Amerikës. Kemi qënë entuziastë. Por entuziastë në hava. Përveç mbajtjes gjallë të frymës, si dhe një filli të padukshëm që na bashkonte ne që e dëgjonim, që s’ësht pak, nuk bëjmë dot asnjë bilanc të gjithatyre frikërave, gjithë asaj vëmendjeje që i kemi kushtuar. Lidhur me spekulimet sa e rrezikshme ishte ta dëgjoje dhe pasojat që mund të vuaje, e vërteta është kjo; Askush nuk është futur në burg apo internuar vetëm sepse dëgjonte Zërin e Amerikës. Përdornin një djallëzi tjetër. Të burgosnin për të tjara shkaqe, dhe, pavarsisht sa e vërtetë ishte, shtonin se “dëgjon radiot e huaja”, ndonjëherë edhe “dëgjon Zërin e Amerikës”, por pa cilësuar se çfarë konkretisht kishte dëgjuar. Ishte e qartë pse vepronin në këtë mënyrë. S’kishin se ku të kapeshin. Zërin e Amerikës nuk transmetoi pothuajse kurrë ndonjë gjë të rëndësishme që të kishte lidhje direkte me skëterrën dhe banorët e skëterrës. Vetëm anës e anës gjëra që i dinim. Gjatë atyre viteve, përveçse për tu llafosur me njëritjetrin që të mos na fikej kandili, nuk na ka shërbyer pra për gjë tjetër. Ky kontribut nuk është zero. Por tepër pak nga vendi drejt të cilit mbanim sy e veshë natë e ditë.

Zëri i Amerikës ka qënë një lloj luani që gjithë kohën fle i rrethuar nga ca kaproj me lot në sy që dridhen nga frika e një kopeje me ujq që i ndjek. Tigri është zgjuar ndonjëherë për tu shtriqur dhe për t’ja futur përsëri gjumit, duke i lënë kaprojtë të habitur se pse nuk ua nguli dhëmbët ujqërve nga pas.
Më beso zoti Trump, ësht tepër e përgjumur ajo radio. Për të mos thënë çfarë pëshpëritet se ka qënë dhe është e mbajtur peng nga Sigurimi, sot e kësaj dite dremit e dremit pa u ndalur brenda një letargjie të pafundme. Pa folur pastaj për një lloj ndryshku që e karakterizon, zërat e spikerave, për shembull, ashtu i ka ajo radio, si një pllaqurtitje me ta shpif, si një gllugllugllu pa pik lezeti që duket sikur vjen nga fundi i detit.

Sot që shqiptarët informohen nga qindra drejtime në një mijë mënyra, Zëri i Amerikës ka mbetur më batall se kurrë. Nuk do të thotë asgjë se e përcjellin nja dy televizione. Nuk janë shqiptarët që ulen para atyre televizioneve për të parë Zërin e Amerikës. Janë ato televizione që ua sjellin shqiptarëve Zërin e Amerikës para fytyrës.

Kur s’na duhet neve, s’mund t’ju duhet juve që e bëni për neve. Mbylle. Jo për arësye politike, ideologjike, gjeostrategjike. Thjesht sepse nuk ka rendimentin e duhur. Tashmë që Shqipëria është e hapur, mundësojua shqiptarëve ta prekin Amerikën “live” dhe jo me ndërmjetësinë e eterit. Nëse ke ndonjë ide tjetër për ta sjellë Zërin e Amerikës në binarë duke e reformuar thellësisht që tu përcjelli shqiptarëve me efikasitetin e nevojshëm idetë novatore të administratës së re, byrum, bëje. Ama po e le kështu si është, më mirë mbylle. Hiç mos kij frikë se mund tja zërë vendin ndonjë radio ruse, arabe, kineze, turke etj. S’ka cili vend t’i zihet diçkaje që vend kurrë nuk ka pasur. S’ke për të humbur asgjë nga mbyllja e diçkaje që ekziston por askush nuk di të thotë kujt i lypset, pse duhet, cilit qëllim i shërben. Përkundrazi ka shumë të ngjarë që përmes këtij veprimi më se të arsyshën t’i bësh një të mirë sado modeste një populli i cili ngaqë ende nuk di si ta përdori Lirinë ndjehet më rehat duke u ngushtuar se duke u zgjeruar. Sidomos pakicës së këtij populli, e cila të drejtën e ka por nuk e gëzon dot për shkak të shumicës thellësisht të indoktrinuar për faj të së cilës shumicë ky vend shkon pa u ndalur nga skemat piramidale te vetshkatërrimi, nga vetshkatërrimi tek hashishi, nga hashishi te krimi, e kështu me rradhë. Është e paimagjinueshme se si ti si biznesmeni super i suksesshëm mund të lejosh diçka që në mënyrë kaq flagrante bie ndesh me prakticitetin amerikan. Megjithatë ti e di vet ç’bën. Sa më lart nuk është më tepër se një sugjerim dashamir.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *