HISTORIA

NË KAMPIN E TEPELENËS KOMUNISTËT LANË TË VDISNIN NGA URIA 300 FËMIJË

Bisedoi: Nebil Çika

Agim Musta rrëfen për kampet e internimit dhe sajimin e bandave diversante në diktaturë

Në emisionin “Rrno për me tregue” këtë javë ka qenë i ftuar studiuesi dhe ish-i përndjekuri i regjimit komunist Agim Musta. “Ngjarja që do të trajtojmë është shumë e dhimbshme për historinë e vendit. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri, madje mund të jetë e vetmja diktaturë komuniste në Europën Lindore që ka kryer të tilla krime: internimi, vrasja e fëmijëve dhe moshave të vjetra. Unë do ta përkufizoja si “holokausti shqiptar”. Krimet që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri mund të quhen të barasvlershme me krimet që ka kryer nazizmi në Gjermani. Në kampet e internimit si ai i Tepelenës dhe i Porto-Palermos kanë ndodhur vrasje makabre.

Treqind fëmijë të vrarë, shumë djem të moshës së re të verbuar dhe varrosje e kufomave të të dënuarve politikë. Për të trajtuar këtë ngjarje tragjike që i ka ndodhur kombit, kam të ftuar zotin Agim Musta, një studiues i krimeve të komunizmit dhe një ish-i burgosur politik”, – tha në hyrjen e emisionit gazetari Çika.

– Zoti Musta, ç’mund të na thoni për këtë ngjarje të rëndë që i ka ndodhur vendit?

– Internimet e diktaturës në Shqipëri filluan në 22 dhjetorin e vitit 1944, sidomos në pjesën veriore të Shqipërisë. Me qindra familje nga Veriu i vendit u dhunuan dhe u plaçkitën. Komunistët u vodhën atyre çdo gjë, deri te pulat që kishin në kotec. Mundën të shpëtonin vetëm disa para që kishin fshehur në pjesët intime të trupit. Këtë gjë e pohon edhe ish-oficeri i Sigurimit Lekë Mëlyshi, vëllai i Pal Mëlyshit, Heroi i Popullit në diktaturën komuniste. Familja e Abaz Kupit ka bërë 51 vjet internim. Këto familje meritojnë të futen në librin “Gines”. Vajza e tij, Lirie Kupi, ka vuajtur 51 vjet internim: 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.

– Nuk është vetëm familja Kupi, ka edhe shumë familje të tjera që janë internuar në këto kampe përqendrimi, të cilat i kanë përjetuar të dyja llojet e internimit: ato të fashizmit dhe të komunizmit. Në librin tuaj ju keni trajtuar disa lloje internimesh që janë bërë në Shqipëri. Flisni për Perandorinë Otomane, kohën e Zogut, pushtimin e Italisë dhe komunizmin. Cili është ndryshimi ndërmjet këtyre?

– Kampet italiane dhe komuniste ndryshojnë si nata me ditën. Ali Kelmendi, ish-kapter, agjent i KOMINTERN-it, që nisej me shërbim. Ai kishte ardhur në Shqipëri për misionet e tij dhe u diktua nga forcat e Sigurimit. Atë e çuan në internim në Gjirokastër. Po çfarë internimi ishte ai i Ali Kelmendit? Atë e caktuan nga prefektura e Gjirokastrës që të ushqehej në një restorant të klasit të mirë dhe të rrinte në një dhomë komode, të flinte aty. I vetmi kusht që i vunë ishte të paraqitej një herë në dit në komandën ushtarake të Gjirokastrës. Kjo gjë i bën shumë historianë dhe studiues të çuditen nga toleranca që kishte regjimi i Zogut. Në kohën e Zogut ishte me rregull që personat internoheshin vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, duke bërë një analizë shumë të thellë. Dhe jo si në kohën e diktaturës, që edhe një kapter i thjesht i policisë kishte të drejtë të internonte njerëz. I tillë ka qenë përfaqësuesi i minoritetit grek Vasil Shahini, që e vranë komunistët në Gjirokastër më 1943. As në sasi nuk mund të krahasohet periudha e Zogut me atë komuniste. Në kohë e mbretërisë të internuarit numëroheshin më gishta, ndërsa në periudhën komuniste ishin me shumicë njerëzit e internuar. Gjithashtu kishte ndryshim rrënjësor edhe në trajtimin që u bëhej të internuarve. Trajtimi komunist ishte për shfarosje, gjë që e pohon Kadri Hazbiu në gjyqin që iu bë më 1983-shin. “Në mënyrë të paligjshme ne sekuestruam dhe përvetësuam së bashku me pushtetin lokal pasurinë e personave”, -thotë ai

– Zoti Agim, të qëndrojmë në kampet e përqendrimit. Sipas librit tuaj, por dhe sipas dokumenteve të arkivave të komunizmit, në shumë fshatra të thella të Shqipërisë kishte njerëz të internuar, por ju keni veçuar disa kampe, që mund të quhen “kampe të shfarosjes”. Bëhet fjalë për kampin e Tepelenës dhe kampin e Porto-Palermos. Më kanë bërë përshtypje një shifër që ju keni publikuar: 400 persona të vdekur, 300 prej tyre ishin fëmijë. Cilat ishin arsyet që kanë ndodhur këto vdekje? Cilat ishin shkaqet?

– Unë do t’ju tregoj një fakt, të cilin ma kanë thënë në burg. Vetë djali i Qazim Mulletit, të cilit i bëhej parodi, më ka thënë se brenda një periudhe 6-mujore ka varrosur dhe shfarosur rreth 350 fëmijë. Shumica e fëmijëve kanë vdekur nga uria. Gratë që ishin të internuara i çonin në malin e Luzatit për të prerë dru ose për të mbledhur gurë dhe i linin fëmijët pa ngrënë. Edhe ndërkombëtarët habiten tej mase kur dëgjojnë këto gjëra. As në Rusinë staliniste, që është pjella e komunizmit botëror, nuk kanë ndodhur të tilla krime makabre.

– Në libër thuhet se kampi ishte i ndërtuar në një fushë të minuar he shumë fëmijë kanë vdekur duke luajtur në fushat e minuara. Ishte e qëllimshme ngritja kampit në këtë fushë të minuar?

– Gjatë luftës italo-greke, që filloi në tetor të vitit 1940 dhe përfundoi në maj të vitit 1941, këto fusha u minuan ngaqë aty ishte një repart i madh ushtarak. Kazermat e repartit u përdorën për internimin e njerëzve nga komunistët. Pikërisht me tërheqjen italiane kishin mbetur shumë municione ushtarake të paplasura.

– Një nga detajet për kampin e Tepelenës ishte dhe zhvarrosja e kufomave të fëmijëve, të cilët i varrosën në breg të lumit. A gjenden sot gjurmë të këtyre krimeve?

– Kjo ishte metodë e komunistëve. Këtë në burg ma ka thënë vetë gjenerali i sigurimit. Në fillim kufomat i varrosnim me gëlqere të pashuar, më pas i varrosnin buzë lumenjve dhe përrenjve, me qëllim që, kur ata të vërshonin, t’i merrnin kufomat dhe t’i çonin në det. Nga këto metoda nuk janë gjetur as 20% e kufomave, pasi pjesa tjetër ka përfunduar në det.

– Zoti Musta, të qëndrojnë edhe pak në problemet që hasën edhe shqiptarët e Kosovës. Shumë prej tyre erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar regjimit jugosllav. Mund të na thoni diçka lidhur më këtë gjë, pasi është një histori ku thuhet se diktatura në Shqipëri ishte e mirë për kosovarët dhe e keqe për shqiptarët?

– Dihet se shumë Kosovarë kanë vuajtur nëpër burgjet e Shqipërisë. Shumë djem të rinj kosovarë kanë vuajtur në kampet e përqendrimit dhe në burgjet në Shqipëri. Shumë djem kosovarë të mirarsimuar, të etur për të mësuar gjuhën shqipe, erdhën në Shqipëri për të mësuar kulturën shqiptare. Komunistët kishin disa shtëpi sekrete sigurimi. Një në Shijak dhe një në Krujë. Aty bëhej filtrimi i tyre. Një pjesë shumë e vogël e tyre merreshin dhe bëheshin agjent të Sigurimit, ndërsa të tjerët internoheshin e burgoseshin vetëm pse nuk pranonin të bëheshin agjentë të Sigurimit. Unë kam pasur disa kosovarë ne burg. Shumë prej tyre janë ekzekutuar.

– Do të kalojmë në një pjesë tjetër të librit tuaj, atë ku luftëtarët e lirisë quhen “Desantët apo diversantët” . Në insertin që unë kam përgatitur flitet për një gjyq dhe pamjet janë marrë nga një film i vitit 1952, në të cilin ishin të ftuar edhe gazetarë nga blloku lindor. Çfarë mund të na thoni për këtë ngjarje?

– Janë gënjeshtra dhe mashtrime dhe unë dua të faktoj një gënjeshtër të madhe që ka shkruar Ramiz Alia në librin e tij. Ai thotë se Zenel Shehu bashkëpunoi me komunistët dhe se ata e kishin falur. Ky është mashtrimi më i madh që ata kanë thënë, pasi Zenel Shehu është ekzekutuar nga komunistët. Gazetarët që ishin aty ishin të tërë komunistë. Vetëm një gazetar polak i gazetës “Tribuna” dallonte nga të tjerët. Kur u kthye në Poloni, ai ka thënë se “gjyqet që bëhen në Shqipëri janë kostume të zeza të qepura me pe të bardhë”. Ato gjyqe ishin komplet të manipuluara. Aranit Çela, i cili sot bredh bulevardeve dhe ndërron kostumet angleze, u ka marrë lekët dhe florinjtë diversantëve. Është mbi 90 vjeç dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Bëri dy vjet burg kur erdhi demokracia dhe mori qindra milionë lekë si dëmshpërblim.

– Zoti Musta, të kalojmë në një pikë tjetër të librit tuaj. Është një fakt i pamohueshëm se, ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes, rezistenca e armatosur në Shqipëri vazhdoi deri nga vitet ’60.

– Lufta ndaj diversantëve mbaroi më 1954. Madje vetë Alan Dalles, që ishte kryetari i CIA-s, tha se të ndalohej çdo veprimtari. Mjafton që ne fituam një eksperiencë për lutën e tretë. Nuk rrëzoheshin regjimet komuniste me tre veta, me dhjetë veta. Gënjeshtra e madhe qëndron edhe sot. Përpara disa ditëve një ish-oficer i Sigurimit shkroi në një nga gazetat shqiptare se diversantët kanë vrarë me mijëra njerëz. Kjo është gënjeshtër e madhe. Në pak raste që ka ndodhur kjo gjë, ka ndodhur për shkak vetëmbrojtjeje, pasi ka qenë duke luftuar.

– Zoti Musta, si nisi kjo ardhja e desantëve për të përmbysur udhëheqjen nëpërmjet grupeve guerile? Si u organizua ajo?

– Shumë udhëheqës të botës thanë në atë kohë se ata u kujtuan për Shqipërinë në kohën kur Stalini bëri diversion në Greqi për të marrë pushtetin. Grupi i parë që ka ardhur këtu ishte ai i Hetem Çakut më 1949, i cili përbëhej nga katër veta. U dërguan këtu nga Italia. Ata ishin Hetem Çaku, Kasem Zhupa, Zyber Lika dhe Lumadh Lutfiu. Këta i nisi zbulimi Italian, pasi do të ndodhnin ngjarjet në gushtin e 1949-s, në rast se Greqia do të avanconte në brendësi të territorit shqiptar. Gjatë veprimtarisë Zyber Lika u vra, ndërsa dy anëtarët e tjerë të grupit u dorëzuan. Kasem Xhuma pranoi të bashkëpunonte me Sigurimin dhe u la i lirë. Po me urdhër të Mehmet Shehut, që ishte ministër i Brendshëm në atë kohë atë e kanë vrarë brenda burgut. Kjo është një shkelje flagrante e ligjshmërisë. Më pas u krijua grupi i Maltës. Ai udhëhiqej nga Dejvid Smaili, i cili kishte qenë më parë në Shqipëri. Ai ka pasur kontradikta të mëdha me Enver Hoxhën, madje thoshte se Enveri donte ta vriste mbrapa krahëve. Ky grup u zhvendos në Gjermani më 1949. Në kampet e Gjermanisë u mblodhëm 179 veta. Këta persona janë kapur nga forcat ruse dhe janë internuar në Siberi dhe në vende të tjera të Lindjes.

– Të qëndrojmë pak te libri juaj. Ju u jeni referuar studiuesve anglezë dhe amerikanë dhe thoni se dështimi i kësaj organizate për të marrë pushtetin erdhi nga tradhtia e një oficeri, Kim Filbi. Sa e vërtetë është kjo?

– Kjo është e vërtetë. Kim Filbi ishte caktuar nga zbulimi anglez për të marrë pjesë në organizatën e diversantëve. Në fillim ishte në Stamboll, më 1945. Erdhi në kontakt me të arratisur shqiptarë për të marrë informacione. Kim Filbi ishte agjent sovjetik që nga viti 1932. Kur u dyshua, ai u arratis. Informacionet që ai merrte nuk i dërgonte në Shqipëri, por ia dërgonte qendrës komuniste në Rusi. Zbulimi rus pastaj ua dërgonte njerëzve të tij në Shqipëri, që ishin në poste të larta. Në Ministrinë e Brendshme ishin 40 këshilltarë të zbulimit rus. Ata përcaktonin planin e veprimit që do të bënin shqiptarët. Helmimin e Mithat Frashërit e bënë agjentët rusë nëpërmjet vrimës së çelësit. Nga vrima e çelësit ata futën gaz helmues. Në këto mënyra ata kanë zhdukur shumë persona.

– Zoti Musta, të qëndrojmë prapë këtu. Ju i quani këta persona “trima të dëshpërimit”, pse i keni emëruar me një term të tillë?

– Ata e dinin se si ishte gjendja në Shqipëri. Ata më kanë thënë se atyre u vinin materialet me informacione se çfarë ndodhte këtu. Populli këtu ishte i frikësuar. Madje, një anglez ka thënë se “shqiptarët nuk janë këta që janë sot (referuar kohës së komunizmit), por janë njerëz të besës”. Ai thotë se besa e shqiptarëve është kthyer në tradhti. Dhe këtë ai ia dedikon sistemit komunist, që i tjetërsoi shqiptarët. Ali Branica, që u përmend në insert, ka qenë kapiten në gardën e Zogut. Mbas përfundimit të luftës ai u këtyre në shtëpinë e tij. Kur ai u kthye në shtëpi, gruaja i tha që të dorëzohej te komunistët, përndryshe do ta denonconte vetë ajo. Këtë veprim do ta bënte pasi në të kundërt do t’i shkatërronin të gjithë familjen. Dhe ashtu ndodhi: i shkatërruan të gjithë fisin, prandaj ata krijuan atë që quhet “grupi i rezistencës”. Shumë anëtar të sistemit komunist u bashkuan me këta me qëllim marrjen e informacionit. Anëtar të tillë si Kadri Hazbiu, i cili bënte rolin e doktorit. Të infiltruari morën informacione për të gjitha familjet shqiptare se cilat do të pranonin diversantë dhe cilët jo. Ata i merrnin kryefamiljarët dhe i internonin. Më 1954 u shkatërruan të gjitha familjet diversante të Shqipërisë. Por kanë ardhur edhe grupe të tjera në rrugë tokësore nga Greqia dhe Jugosllavia.

– Kush i sillte këta persona? Si vinin në Shqipëri këta persona?

– Këta diversantë vinin me avion pa pika dalluese. Pilotët që drejtonin avionët ishin polakë. Dhe ata kishin një dashuri të veçantë për Shqipërinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u dërguan 50 avionë polakë në Rusi. Këta ishin ata individë që sillnin diversantë në Shqipëri me një zgjuarsi të madhe, duke mos rrëzuar asnjë avion.

– Doja të flisnim edhe për një grup tjetër, grup të cilin shumë komunistë e kanë përdorur si provë. Kjo ka bërë bujë në Shqipëri, pasi u përdor si argument i luftës brenda vendit ndërmjet komunistëve dhe diversantëve. Bëhet fjalë për bandën e Xhevdet Mustafës. Ju në libër thoni se ishte e dyshimtë dhe e organizuar. Mund të na jepni një shpjegim më të detajuar?

– Shpjegimi është shumë i qartë, pasi në prill të 1981 ndodhën ngjarjet në Jugosllavi. Kosovarët dolën me parullën “Kosova Republikë”. Jugosllavët morën tanket dhe janë vrarë mbi 100 veta. Është bërë një masakër. Qeveria jugosllave u trondit, prandaj donin të bënin një kundërgoditje në Shqipëri. Ata menduan se i vetmi njeri i fortë fizikisht që mund ta bënte këtë ishte Xhevdet Mustafa. Por ai ishte i dënuar në Amerikë për trafikim lëndësh narkotike. Në atë kohë UDB-ja Jugosllave bashkëpunon me Ali Bajramin, që e kishte dërguar Sigurimi i Shtetit në Zelandën e Re, dhe i thonë se do t’i jepnin 1 milion dollarë garanci që ai të lironte Xhevdet Mustafën dhe të organizonin kryengritje në Shqipëri. Ail Bajrami pagoi garancinë prej 1 milion dollarësh dhe e liroi Xhevedet Mustafën nga burgu. Ali Bajrami ishte bashkëpunëtor me të dyja palët: me Sigurimin shqiptar dhe me UDB-në jugosllave.

– A kishte Sigurimi shqiptar dijeni për grupin e krijuar?

– Kishin dijeni, sepse brenda grupit të Xhevdet Mustafës ishin dy anëtarë të Sigurimit: ishte Ali Bajrami, që ishte koka krijuese e grupit, dhe Fadil Kaceli, ish-mësues. Ata shkojnë në Zelandën e Re dhe përgatiten me grupin që do të vinte në Shqipëri. Nga Zelanda e Re ata shkojnë në Leçe të Italisë, me qëllim që të niseshin për në Shqipëri. Ditën që do të niseshin, ai rrëzohet me qëllim dhe nuk hipën në skafin për në Shqipëri. Përgjegjës i këtij grupi ishte Sabaudin Hasznedari nga Përlepi i Jugosllavisë.

– Ishte i rekrutuar Haznedari nga forcat e Sigurimit?

– Jo, nuk ishte i rekrutuar nga forcat e Sigurimit. Nga Sigurimi kanë qenë të rekrutuar Ali Bajrami dhe Fadil Kaceli. Kohë më pas Fadil Kaceli ka ardhur dhe në Shqipëri, por nuk e ka hapur gojën. Tani të gjithë këta kanë vdekur. Ndërsa Ali Bajramit hetuesia iu bë te 15-katëshi. Komplet ndryshe nga çka u është bërë të tjerëve në qelitë e burgut të lidhur këmbë e duar.

– Si u përdor ky grup nga qeveria shqiptare në atë kohë?

– Enver Hoxha ishte në dijeni dhe ishte shumë i alarmuar.

– Ishte në dijeni që grupin e përdorte Sigurimi shqiptar, apo sepse e kishin dërguar jugosllavët për ta eliminuar?

– Qeveria shqiptare ishe në dijeni. Fotografitë e anëtarëve të grupit u ishin dhënë inspektorëve të Sigurimit. Gjashtë muaj përpara se të zbarkonin ata në Shqipëri, inspektorët e Sigurimit bënin patrullimin që nga Hamallaj deri në Divjakëm me qëllim që të parandaloheshin ata, pasi vetëm vendi i zbarkimit të tyre nuk dihej. Anëtarët e grupit të krijuar nga Jugosllavia morën në Belgjikë armë të precizionit të lartë për të eliminuar çdo vështirësi që do të hasnin. Më pas ata bën një stërvitje në Leçe dhe u nisën për në Shqipëri. Sabaudini dhe Xhevdeti nuk kanë qenë. Gënjejnë kur thonë se ata kanë qenë këtu. Më ka thënë vetë vëllai i Sabaudinit se, kur i kishin marrë në morg për të bërë indetifikimin e kufomës, Sabaudini kishte vetëm një shenjë në kokë. Kur u rrethua në bunkerin në Rrogozhinë, ai vrau veten. E njëjta gjë i ndodhi edhe Xhevdetit.

– Zoti Musta, nuk duket se ka një nderim për këta të burgosur politikë. Nëse për të tjerët brenda vendit ka një lloj nderimi aq sa për t’i kujtuar, për desantët nuk ka asnjë lloj përkujtimi. Ka ende një ngërç në histori për t’u sqaruar, çfarë mendoni për këtë?

– Ata që janë dënuar më vdekje nuk do të kenë as një lloj dëmshpërblimi financiar. Ata që kanë vuajtur burgun do të marrin dëmshpërblim. Për desantët ka një lloj heshtjeje. Këta “luftëtar të lirisë” i dërgonte bota perëndimore. I dërgonte Anglia, Amerika, Italia, Gjermania etj., me qëllimin e vetëm që Shqipëria të shkëputej nga zinxhirët e komunizmit.

– Pse mendoni se ndodh ky neglizhim?

– Janë akoma ato celula të komunizmit që nuk i lejojnë këto gjëra. Ende vazhdohet dhe thuhet se ata vinin të digjnin shkolla e spitale, të vrisnin pleq e fëmijë. Janë spekulime që ende vazhdojnë të bëhen pa as një bazë faktike. Vazhdon ende ai mentalitet që ka qenë në komunizëm. Nuk duhet të mbeten ende thëniet e Enver Hoxhës, thëniet e Nexhmije Hoxhës, e cila me paturpësinë më të madhe vazhdon ende të bëjë deklarata të pavërteta.

One thought on “NË KAMPIN E TEPELENËS KOMUNISTËT LANË TË VDISNIN NGA URIA 300 FËMIJË”

  1. Si turqija ashtu komunizmi ben bidate né shqiperi ku nji popull i pafajshém edhe sot po vuan . Por asht interesan se z. Musta kaq qart dhe plotsisht i ka pérjetua té gjitha te keqijat nga rezhimi komunist perse ka prit kaq ko koh te kaloj ku besoj ka jetua ne frig por komunizmi edhe sot asht zhyt aq fell né kanalet e gjakut ku nuk mund te ndahen se komunistet kan arkén e popullit ku 50 vite mbelodhén dhe tash ata nuk kan nevoj se jetojn nga florini i shtetit qé e ben pron te veten ata sot kan puyhtetin nuk ka demokrat ne shqipni as ne kosov as né maqedoni pra pjell enveriste e komuniste dhe vrasja shfarosja interrnimi ja kan vumun kapakun Shqipéris ja edhe sot por z. Agim Musta nuk asht von me ket liber té sé vrtetês se komunistet din té vjedhin din té gënjejn por edhe ma hajdut te fort jan se din te fshehin gjuajn me guar dhe fshehin dorên fakti ma i vrtet ja perse nuk i hapin DOSJET edhe sot dhe tu konfiskohet pasurija qe e kan se jan milioner dhe jetojn te lumtur por din te ankohen si dhelpra .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *