POLITIKA KOMBËTARE

Rama për “Foreign Policy”: Donald Trump është turpi i civilizimit tonë

Nga SIOBHÁN O’GRADY, 14.04.2016

Në një intervistë për “Foreign Policy” ditën e mërkurë, Kryeministri Rama tha se retorika që Trump po përdor si pjesë e përpjekjes së tij për të siguruar kandidaturën e Partisë Republikane – përfshirë dhe thirrjen për të ndaluar myslimanët që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara – mund të ndezë pikërisht ato lloj tensionesh fetare që vendi i tij ka arritur të evitojë. (Rama vetë është katolik, i martuar me një myslimane).

“Unë shpresoj shumë që ai të kuptojë se ajo çka ai thotë nuk është aspak një mënyrë për ta bërë përsëri të madhe Amerikën, por po e turpëron Amerikën në sytë e botës dhe në sytë e gjithkujt që e sheh Amerikën si qytetin rrezatues mbi kodër”, u shpreh Kryeministri në një intervistë gjatë diskutimit të zhvilluar në Këshillin Atlantik në Uashington. “Ai po shfrytëzon një boshllëk të krijuar nga mungesa e informacionit, nga mungesa e formimit, [dhe] mungesa e kulturës mbi fetë, mbi besimet.”

Mospëlqimi i Kryeministrit shqiptar për politikën e ndjekur nga Trump nuk është për t’u habitur.

Zoti Rama është jashtëzakonisht krenar për kohezionin multikulturor të vendit të tij, dhe ka theksuar se Shqipëria ka qenë i vetmi vend Europian ku kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara Holokaustit, sepse myslimanët në Shqipëri u treguan të gatshëm për t’i strehuar hebrenjtë dhe për t’i ndihmuar ata që t’u fshiheshin nazistëve. Përpara Luftës së Dytë Botërore Shqipëria kishte 200 hebrenj; pas saj ata ishin më shumë se 2000.

Kryeministri Rama tha se vendi i tij ku shumica e popullsisë është myslimane, ka arritur të reduktojë numrin e shqiptarëve që udhëtojnë drejt Irakut dhe Sirisë për të luftuar në krah të Shtetit Islamik, nga rreth 80 që ishte në vitin 2014 në zero vitin e kaluar. Ai shtoi, gjithashtu, se sistemi arsimor publik në Shqipëri do të zbatojë një program të ri pilot i projektuar me qëllim që studentët të mësojnë rreth feve dhe besimeve të ndryshme, në mënyrë që ata të mos priren të imitojnë “ekstremistët radikalë që vetëquhen luftëtarë myslimanë”, ose për të mos simpatizuar me retorikën anti-emigrim dhe antimyslimane të “Donald Trump-it dhe të tjerëve në Europë të cilët janë vërtet turpi i civilizimit tonë.”

1.98 metra i gjatë, Kryeministri Rama – i cili do të zhvillojë një takim privat me Presidentin e SHBA-së dhe Zv. Presidentin Joe Biden ditën e enjte – është i vetmi shef qeverie aktualisht në detyrë i cili ka përfaqësuar dikur vendin e tij si lojtar në skuadrën kombëtare të basketbollit. Ai predominon mbi ndihmësit e tij, por çuditërisht foli me tone të buta gjatë intervistës 25-minutëshe, edhe kur kritikoi ashpër Trump-in.

Një piktor i sprovuar i cili i hodhi hapat e para në politikë si ministër i kulturës, rinisë dhe sporteve në vitin 1998, Rama u zgjodh kryetar i bashkisë së kryeqytetit të Shqipërisë në vitin 2000. Qëndroi në këtë detyrë për 11 vjet, dhe u zgjodh Kryeministër në vitin 2013. Si kryetar bashkie, ai mbikëqyri transformimin e Tiranës nga një koleksion i mjerë ndërtesash gri prej betoni në stilin sovjetik, në një nga metropolet më shumëngjyrëshe në botë. Kritikët e tij e akuzonin se ai përqendrohej më tepër në imazhin e Tiranës, dhe jo mjaftueshëm në betejat e saj më endemike, përfshirë korrupsionin, varfërinë dhe papunësinë. Por Rama tha për “Foreign Policy” se “zbukurimi i qytetit në një moment kur qyteti kishte kaq shumë probleme të tjera, ishte një mënyrë për t’iu hapur komunitetit dhe për të marrë komunitetin në bord për të luftuar problemet e tjera.” “Unë mendoj se problemi i varfërisë nuk mund të zgjidhet pa krijuar kushtet që njerëzit të jetojnë në një hapësirë më të bukur, në një mjedis më të pastër dhe më dinjitoz”, tha ai.

Si kryeministër, Rama e ka shikimin akoma më lart: anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, i cili do të ishte një ndihmë ekonomike, sigurie dhe politike për vendin e tij me një popullsi prej rreth 3 milion banorësh. Shtëpia e Bardhë është duke u përpjekur ta ndihmojë atë që t’ia arrijë këtij qëllimi duke shpenzuar rreth 25 milionë dollarë këtë vit për qeverisje të mirë dhe iniciativat e zbatimit të ligjit, pararendës kyç për të fituar pranimin në BE. Shqipëria është kandidate zyrtar që prej vitit 2014, dhe Uashingtoni e ka mbështetur me sukses ofertën e mëparshme të Shqipërisë për t’iu bashkuar NATO-s në vitin 2009.

Sekretari i Shtetit John Kerry vizitoi Shqipërinë për herë të parë në shkurt, dhe Rama tha se takimet e tij në Shtëpinë e Bardhë të enjten do të shërbejnë si një mundësi për Uashingtonin që të ritheksojë mbështetjen e tij për Shqipërinë. Ndërkohë që Shqipëria vazhdon të ecë përpara me ofertën e saj për t’iu bashkuar BE-së, qeveria në Tiranë ka qenë e fokusuar veçanërisht në denigrimin e industrisë së drogës, dhe shtatorin e kaluar policia shqiptare njoftoi se shkatërroi 99,2 për qind të bimëve të kanabisit në vend. Rama tha se gjatë javës do të takohet me drejtorin e FBI-së James Comey për të diskutuar mënyrat me të cilat personeli i zbatimit të ligjit të SHBA-së mund të ndihmojë Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit, kontrabandës së drogës, si dhe krimeve të tjera.

Ndryshe nga fqinjët e saj, Shqipëria nuk është bërë ende një ndalesë në rrugën e Ballkanit që shumë emigrantë ndërmorën për të mbërritur në Austri dhe Gjermani përpara se Maqedonia, Kroacia dhe Sllovenia të mbyllnin kufijtë e tyre në fillim të këtij viti. Rama tha se qeveria e tij është koordinuar ngushtë me policinë italiane për tu përgatitur në rast se emigrantët do të fillojnë të kalojnë përmes Shqipërisë për të vazhduar më tej në Itali nëpërmjet detit. Por ai ka vëzhguar me kujdes se si retorika anti-emigrante është bërë gjithnjë e më e zakonshme në Evropën Perëndimore, duke përfshirë edhe në Francën ku, pas sulmit të militantëve të Shtetit Islamik në nëntor, mbetën të vrarë 130 persona.

Sot, me anëtarësimin në BE si një mundësi e vërtetë, Rama ndodhet përballë perspektivës së bashkimit me një trup që përfshin vendet ku retorika e djathtë dhe antimyslimane është rritur gjithnjë e më shumë, dhe ku disa udhëheqës kanë përqafuar retorikën dhe politikat që ai e urren. “Europa ka Donald Trump-ët e vetë sa andej këndej, të cilët janë shfaqur përpara Donald Trump-it, dhe që praktikisht e kanë turpëruar Europën me pikëpamjet e tyre për emigrantët, me pikëpamjet e tyre për myslimanët, me pikëpamjet e tyre për vetë Bashkimin” tha ai. “Është DAESH dhe janë këto lloj, si të thuash, ekstremistësh gjakftohtë në anën tjetër të medaljes. Kjo është diçka e pabesueshme.”/ Foreign Policy

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *