HISTORIA

Ferexheja dhe qytetërimi

Nga Tajar Zavalani – Botuar më 1936

Rryma përparimtare që ka kapur shoqërinë shqiptare është kaqë e fortë sa pozitat e botës së vjetër po vihen një pas një në rrezik. Të vjetrit e ndjejnë se nuk mjafton vullneti i tyre dhe forca brutale për të ruajtur këto pozita dhe prandaj përpiqen të përligjin mrapështinë e botës së tyre me argumenta ….. fillosofike.

Njerëzit nuk kanë aq ndërgjegjie sa të thonë “kështu e kemi gjetur, kështu do t’a vazhdojmë, se kështu na e don interesi”, por mundohen të mbajnë me sofizma ngrehinat e asaj bote të dënuar nga historia, nga arsyeja dhe nga jeta vetë, bëhen odiozë ose qesharakë.

Një nga mbeturinat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane. Natyra hipokrite dhe e urryer e kësaj forme skllavërimi ishte kaqe e dukshme (ashiqare) sa nuk kujtonim të kishte nevojë të provohej. S’na shkonte nga mendja se ka burra që i thonë vehtes të dijshëm dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumenta gjoja serioze, mshehjen e gruas myslimane mrapa një perde të zezë. Por ja ku na duallën zotërinjtë e “Zanit të Naltë” dhe deshën të na provojnë pa qeshur se ferexheja nuk pengon qytetërimin e gruas myslimane. Edhe sa çudira do të shohim në këtë Shqipërinë tonë të vogël?

Ndoshta s’e vlen të humbasësh kohë për të rrëzuar një thezë kaqe absurde dhe pa pikë bujarije, por ka shumë burra që në shkrimet e “Zanit të Naltë” gjejnë shkak për të mos lejuar heqjen e çarshafit. Prandaj do t’a marrim punën seriozisht sado që s’e meriton. Të merremi vesh mirë. Çkuptojmë me fjalën qytetërim, dhe a mund të jetë i qytetëruar një skllav? I pari fitim i qytetërimit është triumfi i lirisë personale. Gruaja myslimane është skllave e burrit deri sa ky e detyron të dalë e mbuluar. I pari çap i saj në rrugën e qytetërimit duhet të jetë grisja e çarshafit. Apo ndofta asaj i pëlqen më mirë të dalë e mbuluar? Një pyetje e tillë është një e fyeme për gruan myslimane që ka dëshirën më të zjarrtë të jetë e lirë të qytetërohet si çdo krijesë njerëzore që jeton në këtë shekull.

Mjafton të qëndrosh një orë në një rrugë kryesore të Tiranës për të parë se si gruaja myslimane mundohet me një mijë mënyra të kufizojë efektin e asaj mbulese që urren me gjithë shpirt.

Kur shef disa gra të veshura mirë, gadi si në një kënd të botës së qytetëruar, dhe vetem me një peçe të zezë mbi fytyrën, të bie në sy i gjithë shëmtimi i kësaj zgjedhe të çpikur nga një shpirt sadisti. Një mjet që përdoret gjoja për të ruajtur namuzin dhe shpesh herë nuk bën gjë tjetër veçse të mbulojë imoralitetin më të përbuzshëm!

“Me i zbulue gratë nuk asht vështirë, – thotë “Zani i naltë”. – puna e vështirë asht me i prue gratë në atë gjendje që t’a çmojnë detyrën e tyne”. E pranojmë. Por që të çmojë detyrën e saj, gruaja duhet të ketë ndjenjën e përgjësisë dhe të dinjitetit të vetë. Si mund të zhvillohen këto ndjenja në një grua që rritet e jeton si skllave dhe nuk ka të drejtë as të mendojë, as të gjykojë, as të vendosë me mendjen e vetë. E përdorin gruan në vend të një plaçke, e përbuzin kur ajo guxon të çfaqë një mendim të sajnë, dhe pastaj duan që të çmojnë detyrën e saj dhe të betohen se nuk e pengojnë të qytetërohet.

Qëllimi i qytetërimit është që gruaja të mos kufizohet në rolin e një kafshe shtëpiake por të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore krah për krah me burrin.

Qytetërimi i vërtetë fillon atëherë kur gruaja del nga rrethi i ngushtë i familjes dhe lartësohet shpirtërisht  duke zhvilluar fuqitë e saj mendore dhe ndjesitë e saj të holla.

Atje, në viset e qytetëruar ku gruaja është çkëputur nga robëria shekullore dhe ka vënë mendjen e saj të hollë dhe zemrën e ndjeshme në shërbim të shoqërisë, shohim që shkëlqejnë në të gjitha fushat e aktivitetit shoqëror sa e sa përfaqsonjëse të seksit që jemi mësuar të quajmë të dobët. Shkrimtaret si M- me Collete, dijetare si M – me Curie, ministreshat si Miss Perkins janë gra që me veprat e tyre kanë sjellë një kontribut të veten në thesarin e vlerave morale të njerëzimit dhe qëndrojnë shumë më lart nga shumë burra që krekosen si pjesëtarë të ashtu-quajturit seksit të fortë. Mjerisht në botën myslimane s’kemi as një shembull të tillë. Atje mbretëron errësira, injoranca, ndjenjat e vrazhda, instinktet e këqija që përjetohen brez pas brezi sepse fëmija janë pema e edukatës që u japin nëna të skllavëruara. Prandaj në shtetet myslimane që hyjnë në rrugën e qytetërimit, çlirimi i grus nga zgjedha e çarshafit është një nga të parat masa që merren midis reformave shoqërore. Shëmbëllën klasike në këtë drejtim na e jep Turqia kemaliste.

Nuk provon gjë argumenti i “Zanit të Naltë” që pyet si pa të keq: pse malësorja shqiptare me gjithë që del e zbuluar nuk është e qytetëruar? Nuk pretendoi njeri se heqja e çarshafit mjafton që gruaja myslimane të jetë e qytetëruar. Ne themi dhe ngulim këmbë mbi një pikë: gruaja myslimane nuk mund të qytetërohet kurrsesi deri sa burri e detyron të dalë e mbuluar. Por ndofta zotërinjt’ e “ Zanit të Naltë” mund të na quajnë ….ekstremistë dhe të frymësuar nga një urrejtje krejt subjektive kundër çarshafit. Kujtojmë se ata si shqiptarë të mirë peshojnë së paku fjalën e një Naim Frashëri. Nuk mund të vërë njeri në dyshim faktin që apostulli i Shqiptarizmës ka dashur me zemër të përvëluar përparimin e këtij vendi dhe lartësimin e këtij kombi. Ja pra ç’ka shkruar Naim Frashëri për gruan myslimane:

“Të mëshehurit dhe të mbuluarit e fytyrës së gruas s’ka qënë një kohën e profetit por është çpikur më vonë. Ndalim i math në përparimin e një kombi! Si mund të vejë mbroth një komb kur gratë, domethënë gjysma e njerëzisë rron e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar e i mbarë një komb pa patur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmijësë, dhe këto qysh mund të bëhen kur burri rrin veç gruas? Ç’dashuri, ç’ arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë e një të tillë familje…. Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë se burri se fëmija së pari nga mëma e marrin arsimin dhe mësimet… Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt i njerëzisë.”

Çdo koment do të ishte një e fyeme për kujtimin e krijonjësit të mistikës sonë kombëtare. Vetëm një gjë është për t’u vajtuar.. Që gratë e mbuluara si bashkëshorte të burrave muhamedanë kontribojnë, me anën e subvencioneve të majme që shteti ynë afetar u jep komuniteteve fetare, në mbajtjen e një reviste si “Zani i Naltë” që kërkon përjetësimin e ferexhesë si mjet kulture.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *