POLITIKA KOMBËTARE

Tregu i grave në Kavajë

Përgatiti për botim: Rexhep SHAHU

(fragment nga libri Lufta e çetave ne Shqiperi te komandantit gjerman Hermann Frank, botuar nga Klubi i Poezise, Tirane)

Zbulim i fuqishëm luftarak në drejtim të jugut! Kështu Fraj dhe çunat e tij vijnë në Kavajën e harruar nga bota, në juglindje të Durrësit. Pikërisht në Kavajë u vjen më në fund posta nga atdheu. Lajmet të zënë frymën: mbërrijnë telegramët e parë për “bombat”. Shumë ushtarë, që janë nga Gjermania perëndimore kanë humbur të afërmit e tyre dhe pasurinë e tyre. Ata marrin lejen për “bombat”. Me shtrëngim të fortë dore i përcjell Fraj, kur nisin udhëtimin e tyre trishtues.

Fraj ndjek me sy Fiatin e vjetër italian, me të cilin do nisen dhe tund kokën me dyshim. “E marrtë dreqi!” i thotë ai Drajerit. “Po gjithmonë ishte detyra e ne burrave, t’i dilnim para duke e mbrojtur atdheun, të luftonim për atë, të derdhnim gjak, sa për mua edhe të vdisnim për atë. Këtë e bënim prej vitesh, për ta mbajtur luftën larg grave dhe fëmijëve. E tani këta birbo thjesht hedhin natën nga mijëra metra lartësi bomba mbi qytetet tona, vrasin gra, fëmijë, pleq, të sëmurë dhe të plagosur, shkatërrojnë pasurinë dhe pronat e brezave të tërë dhe i kallin frikën të mbijetuarve për sulmin tjetër. Në të vërtetë po humbet tërë domethënia e luftës tonë.”

Në një nga ditët e ardhshme zhvillohet në Kavajë tregu i grave. Asnjë nga ushtarët gjermanë nuk e merr dot me mend se ekziston ende diçka e tillë në botë.

Të mbuluara me perçe sterrë të zeza gratë e vëna në shitje janë ulur këmbëkryq mbi truallin e nxehtë me pluhur prapa bohçeve të pista, që mbajnë brenda ato pak rraqe të tyre. Zotërinjtë dhe pronarët e tyre të deritanishëm qëndrojnë plot dinjitet në këmbë aty afër dhe pinë duhan. Cigaret e dredhura vetë janë futur në cingarishtet e gjata, të rënda prej qelibari me ornamente të bukura në ngjyrë të argjendtë në filigran, të cilat vezullojnë në diell.
Këto gra nuk u hyjnë më në punë ose nuk u pëlqejnë më atyre. Pra ato thjesht u shiten atij që ofron më shumë. Në të shumtën e rasteve janë gra plaka, të sëmura ose gra që nuk bëjnë më fëmijë. Por edhe gra, të cilat deri tani kanë sjellë në jetë vetëm vajza. Vajzat muhamedani nuk i llogarit si fëmijë.
Për pak napolona – këto janë kartmonedha njëmijëlekshe me portretin e Viktor Emanuelit – mund ta blesh një grua të tillë.

Duke tundur kokën pa mirëkuptim Fraj, Adami dhe Drajeri i bien lart e poshtë këtij tregu të çuditshëm. Kudo qeniet me perçe rrinë ulur të heshtura prapa bohçeve të tyre.

“Po kjo është si në mesjetën më të errët!” ka mendimin Drajeri i indinjuar.
“E i dashur, qysh në atë kohë gratë tek ne ishin shumë më lart të vlerësuara!” e kundërshton Adami.
“Varet si ta marrësh. Po në atë kohë kisha akoma i digjte gratë si shtriga!”
“Sa keq që gratë tona s’mund ta shohin këtë gjë këtu. Ato do t’i vlerësonin burrat e tyre krejtësisht ndryshe!”
“Atëherë sille një herë këtu shtojzovallen tënde!”
Drajeri e thotë këtë me qesëndi.

Adami ndalet dhe mendohet: “Po t’i mbledhim pagat tona, mjafton për të blerë njërën nga gratë…”
“Jo, i dashuri im nga Burgenlandi”, buzëqesh Fraj, “fatkeqësisht s’bëhet. Në fund të fundit ne nuk jemi muhamedanë.”
“Po një shqiptar i këtillë” ka mendimin Adami, “e ka në terezi. Gruaja është për të një investim i mirë kapitali. Ai punon deri në moshën tetëmbëdhjetvjeçare, atëherë ka fituar boll para për të blerë një grua. Nëse vjen nga një familie e pasur, ia jep madje babai paratë. Kur martohet, i bën gruaja të gjitha punët, ai vetë bën pushime deri në fund të jetës.”

Nën hijen e një muri shtëpie qëndron një grup shqiptarësh që po bëjnë pazar me gjallëri.
“Aty po kryhet në mënyrë perfekte një blerje” mendon Fraj. Ata afrohen pa u vënë re më ngjitur me muhamedanët. Njëri nga burrat me qeleshe të bardhë po i zgjat një tjetri kartëmonedhat. Një brohoritje me zë të lartë e gruaja me perçe e ulur këmbëkryq në tokë çohet dhe e hedh bohçen e vet në supe. E nënshtruar afrohet pranë zotërisë së saj të ri dhe pret me përulje se çfarë do t’i urdhërojë ai.

Por ai i hipën me një lëvizje elegante kalit të tij të vogël, kurrizi i ngushtë i të cilit përkulet frikshëm, kur burri i rëndë hidhet mbi samarin primitiv prej druri. Krenar largohet mbi kalë, zotëria i ri, kurse gruaja ecën e bindur me hapa të shkurtër e të shpejtë duke nxituar pas tij.

Ndërsa gjermanët ndjekin akoma me sy kalorësin, një djalë i braktisur ulet në gjunjë para kapitenit Fraj dhe fillon t’i pastrojë çizmet me furçë e leckë. “Lustër ekstra, lustër ekstra, e shkëlqyer deri në Berlin!” thërret ai me zërin e hollë, ndërsa duart e tij të shkathëta i bëjnë çizmet të shkëlqejnë.
I zbavitur Fraj e lë që t’i lustrojë çizmet. Pastaj e paguan e djaloshi i vogël largohet me shumë përkulje.

(ky liber gjendet ne Librarine prane deres se hyrjese se Bibliotekes Kombetare ne Tirane)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *