POLITIKA NDËRKOMBËTARE

Shqiptarët, të vetmit në Ballkan ku Putin nuk mund të shtrijë ndikim

Pasi media austriake Der Standard, para pak ditësh shkruajti se në Ballkan vetëm Shqipëria dhe Kosova janë orientuar strikt pro-perëndimit, e këtij mendimi është edhe media kulturore gjermane Schwaebische, me dallim të vogël se ajo në këtë mes fut edhe liderin malazez Gjukanovic.

“Manovrat e përbashkëta ushtarake mes Bellorusisë, Rusisë e Serbisë afër kufirit të Maqedonisë, manovrat e NATO në Malin e Zi, tentimi i Grushtit të shtetit, tentim atentati ndaj kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq dhe teoritë tjera konspirative tregojnë më së qarti se diçka po zihet në Ballkan – mollë sherri mes Perëndimit dhe Lindjes,” shkruan fillimisht media e njohur gjermane Schwaebische.

Në pak ditë, janë sekuestruar arsenal i madh i armëve, njëra afër shtëpisë së Vuçiq në Beograd. Kundërshtarët më të mëdhenj të Vuçiqit janë oligarkët që janë të fuqishëm financiarisht dhe mbështesin disa parti serbe. Politika “pro Europiane” e Vuçiqit është gjithashtu në kundërshti me politikën e presidentit serb, Tomislav Nikoliq dhe partnerin e koalicionit, socialistët e Ivica Daçiq, të cilët njihen si filorusë, përcjell botasot.info. Rusia e presidentit Vladimir Putin shpreson që Serbia të kundërshtojë jo vetëm integrimin në NATO, por edhe BE-në. Në anën tjetër Serbia mundohet të përfitojë ekonomikisht nga Brukseli, ndërsa në të njëjtën kohë për interesat e saj në Ballkan sheh Rusinë si “partner strategjik”.

Shefi i shërbimit sekret rus, “dirigjienti” i Grushtit të shtetit?

Që Vuçiq nuk mund të kënaqet shumë nga mbështetja ruse, tregon rasti i Malit të Zi. Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviq tha se agjentët rusë kishin tentuar Grushtin e shtetit për të sjellë në qeveri opozitën filo-ruse. Rusia kundërshton akuzat fuqishëm, megjithatë gjatë asaj nate kur u arrestuan 20 puçistët, shefi i shërbimit sekret rus, Nikolaj Patrushev, qëndronte në Beograd.

Prej kohësh Putini shfrytëzon prezencën e dobët të Evropës në Ballkan, për të rritur ndikimin. Vetëm Shqipëia, Kosova dhe Mali i Zi janë orientuar qartasi pro perëndimit. Serbia është partneri më i rëndësishëm rus që bashkëpunon edhe ushtarakisht. Bosnja dhe Maqedonia vlerësohet si shtete potenciale për t’u kthyer në “plaçke lufte.”/Bota sot/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *