POLITIKA KOMBËTARE

Urrejtje e Ramës për lirinë e fjalës

Në Tiranë e në Prishtinë, Edi Rama po shfaqet si njeriu që urren lirinë e fjalës, kritikën dhe alternativën. Në Shqipëri, sulmi i tij ndaj medieve po rrëfen pozicionin e vështirë politik dhe dështimin qeverisës në të gjitha fushat, ndërkohë që në Prishtinë, arroganca e Edvinit po shihet siç është në të vërtetë, një shërbim indirekt për interesat strategjike të Serbisë. Monologu i djeshëm në facebook ishte përroi psikik i një prokurori që s’ka asnjë shpresë për t’ia dalë dhe lëshon kuturu akuza, i nxitur prej paaftësisë dhe prej urrejtjes ndaj fjalës së lirë.

Në video-monologun e kësaj të diele, që Edi Rama e publikon çdo fundjavë në Facebook-un e tij, Kryeministri ka zgjedhur të flasë për debatin e tij me gazetarët dhe analistët në Kosovë para disa ditësh, duke shprehur një mllef për analistët dhe portalet në Shqipëri. Sipas Kryeministrit, edhe Kosova është “infektuar” nga analistët dhe portalet e Tiranës, duke ndikuar negativisht. Kreut të qeverisë shqiptare mesa duket nuk i del inati me portalet, që aktualisht janë një mundësi ku mendimi i lirë shprehet lirisht dhe nuk ka mundësi kontrolli apo censure nga qeveria. Sipas Ramës, analistët në Tiranë dhe portalet janë kthyer në parti politike për të hedhur akuza ndaj kundërshtarëve politikë.

Urrejtja e tij për fjalën e lirë duket se s’e ndal asnjë kufizim i politikisht korrektes dhe përveç aksionit për t’u mbyllur gojën medieve në Tiranë, përmes sanksioneve financiare, intimidimit të drejtuesve apo edhe reperkusioneve institucionale, tashmë në rend të ditës ka dalë edhe linçimi i kundërshtarëve mediatikë, duke i cilësuar si tradhtarë. E njëjta linjë u ndoq edhe në daljen e tij të shëmtuar televizive në Prishtinë, kur ai, duke u vetëdekluar si kryepërfaqësuesi i shqiptarëve, shfaqi arrogancë ndaj analistëve të ftuar në studio dhe u vetëshpall si “personaliteti” që ka ngritur në nivelin që meriton përfaqësimin e Shqipërisë në raport me Serbinë.

Njeriu që për pak vëmendje nuk kursen të shesë shqiptarët tek serbët na doli dje në ekranin e facebook-ut për të recituar vargjet e radhës, ku i kapur mat nga dështimet dhe paaftësia e treguar në qeverisje, zgjodhi të mos japë përgjigje për problemet e vendit, por të bëjë oratori duke u përpjekur ta shesë veten si lider i zoti. Por Rama përpara se të ngrihet e të flasë me superlativa për veten si përfaqësues i zoti i shqiptarëve, duhet të japë njëherë llogari se përse kanë dështuar ato masa që ai premtoi se do të ndërmerrte për ti hapur rrugë forcimit të marrëdhenieve ekonomike Shqipëri-Kosovë. Duhet që Edvini t’u japë përgjigje shqiptarëve këtu dhe përtej atij “kufiri”, që sipas tij do të dukej inekzistent falë nismës së “Rilindjes” për të lehtësuar qarkullimin në dogana si të transportit të mallrave dhe të njerëzve. Rama  nuk është as përfaqësuesi më në zë i shqiptarëve sot dhe as lider, sepse ai ka frikë të dalë e t’i tregojë shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit se përse kamionët serbë e kalojnë më shpejt kufirin në Morinë dhe ata kosovarë presin në radhë kilometrike për të ardhur në Shqipëri për shkak të vështirësive doganore që ky njeri dhe ministri i tij i Ekonomisë aplikojnë ndaj biznesmenëve kosovarë. Edvini i trembur nga e vërteta që ka dalë në shesh mbi interesat e tij dhe beniaminëve të tij në marrëveshjet që ai firmos me Serbinë, tenton që nëpërmjet fjalëve të bukura, me të cilat pretendon se karakteri përfaqësues i vendit është veshur në mandatin e tij qeverisës, mund të manipulojë patriotizmin e shqiptarëve dhe bindjet e tyre.

Në mungesë të komplimentave për reformat e tij të dështuara kryeministri organizon videomesazhe ku i thur elozhe vetes si njeriu që stimuloi nivelin e përfaqësimit të shqiptarëve duke e çuar atë në tjetër dimension, por harron se shqiptarët shqetësohen dhe ndihen të frikësuar, kur kuptojnë se ai që i përfaqëson në të vërtetë është stimuluesi kryesor i sharlatanizmave, egoizmit, krimit dhe varfërisë së tyre. Ai ka guximin të baltosë dhe të hedh akuza në drejtim të ish-kryeministrit Berisha dhe kabinettit të tij, duke cituar se ata përkeqësuan bashkëpunimin me Kosovën, por harron se të gjithë shqiptarët e dinë se ishte Berisha ai që luajti rolin e një burri shteti kur vendosi të bashkonte shqiptarët e të dy anëve të kufirit me një vepër infrastrukturore nga më potencialet në Ballkan, siç është “Rruga e Kombit”. Gjithashtu ishte qeveria e dikurshme ajo që falë përfaqësimit të kujdesshëm e të arrirë që i bëri Shqipërisë arriti ta anëtarësonte vendin në NATO e të punonte fort për ta orientuar Shqipërinë drejt statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Pra njeriu që ka 20 vite pushtetar e 3 vite kryeministër përbën shembullin më të qartë se kush duhet larguar si i paaftë dhe zullumqar. I dehur nga miliardat që ka vjelur falë pushtetit që gëzon në këto tre vite, Rama tashmë e ka humbur orientimin nëpërmjet arsyes dhe logjikës, e s’ka sy të shohë dështimet e qeverisë së tij, të cilat duhet përmendur që e kanë kthyer Shqipërinë vite prapa në kohë, duke bërë që populli të vuajë varfërinë, krimin dhe drogën. Ky kryeministër fillimisht duhet të heqë dorë nga egoizmi i sëmurë dhe të pranojë problematikat që sot shqetësojnë shqiptarët e Shqipërisë, sepse pa qenë njëherë lider që jep zgjidhje këtu në vendin e vet dhe për njerëzit e vet, ai nuk mund të jetë një lider i të gjithë kombit shqiptar siç mburret e krekoset se është lart e poshtë nëpër ekrane. Kryeministri në “video-akuzën” e përgatitur për opinionin publik dhe mediat shqiptare sot baltosi punën e portaleve, sepse e ka kuptuar që ato janë e vetmja media, që sot për sot nuk mund t’i nënshtrojë me paratë e pista të kartelit të tij të drogës dhe e shfaqi hapur frikën që ka ndaj tyre duke guxuar ti cilësojë si mjete që përdoren për të ndarë shqiptarët e të dyja anëve të kufirit. Por jo mor Edvin, e vërteta sot është shumë më ndryshe nga sa e paraqet ti në vjershat e tua propagandistike, sepse mediat dhe portalet janë ato që kanë hedhur dritë mbi zullumet e tua jo vetëm me drogën në vend, por edhe me pazaret e fshehta që bën në Serbi, ku shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës i sakrifikon dhe i shet në dobi të xhepave të tu dhe të sivllait tënd Vuçiç. Kryeministri ynë i dashur e tregoi se frika e tij më e madhe dhe makthi që ia prish gjumin e çdo nate janë sot editorialet dhe shkrimet që tregojnë me detaje pafytyrësinë e tij dhe pazaret që kryen në kurriz të interesave të shqiptarëve dhe me këtë dalje në publik sot, ku nuk denjoi të kërcënonte median me pikën e dobët të saj që është liria e mendimit dhe e shprehjes së tij, Rama forcoi edhe më tepër zërat që flasin për dashurinë e tij ndaj totalitarizmit. Edvini ndoshta mendon që është i plotëfuqishëm dhe zot i këtij vendi, por me lavdërimet që i bën vetes për të dalë i larë para shqiptarëve e për tu himnizuar si një figurë ikonike në nivelin e përfaqësimit të kombit shqiptar, ai vetëm forcon edhe më tepër bindjen se është egoist dhe gënjeshtar, të cilin shqiptarët nuk duhet ta besojnë kurrë, sepse është i gatshëm t’i tradhtojë e t’ua shesë tradhtinë si arritje pa u skuqur nga turpi.

Reagimi – Ben Blushi kundër Kryeministrit: Fajin ia ka fytyra, jo pasqyra

Deputeti Ben Blushi ka reaguar ndaj Kryeministrit Edi Rama për deklaratat që ky i fundit bëri ndaj analistëve dhe portaleve. Në një status në Facebook, deputeti i larguar nga Partia Socialiste thotë se situata ku ndodhet sot media shqiptare është produkt i politikës, dhe këtë e ka ilustruar përmes një shembulli. “Pashë KM që kishte bërë nje video kundër medias. Ka ende njerëz që ngatërrojnë fytyrën me pasqyrën. Politika është fytyra ndërsa media është pasqyra. Zakonisht ata të cilëve nuk iu pelqen fytyra përpiqen të mbulojne pasqyrën por kjo nuk i ndihmon. Përkundrazi!”, u shpreh deputeti Ben Blushi.

Në video-monologun e djeshëm, Kryeministri Rama sulmonte analistët dhe portalet duke thënë se janë shndërruar në parti dhe sulmojnë kundështarët politikë përmes gjobave. Nuk është hera e parë që Edi Rama “nuk kursehet” ndaj mediave në Shqipëri, kryesisht ndaj portaleve pasi e ka të pamundur që t’i kontrollojë dhe t’i censurojë. / G55

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *