HISTORIA

Projekti i Federatës Ballkanike

Elisabeta Luli (Anxhaku)

1. Çfarë thotë në “Kritikën historike” Ali Hadri?

Ali Hadri është një studiues i njohur i historisë nga Kosova. Në “Kritikën Historiografike″, ai ka paraqitur dy studime: “Vlera e veprës së Dimitrije Tucovicit: Serbia dhe Shqipëria″ dhe ″Vështrim kritik mbi memoaret e Svetozar Vukmanoviç Tempos″.

Ajo që të bie në sy, është fakti se qëndrimet e socialistit demokrat, Dimitrije Tucoviqit, janë shumë më të larta, më paqësore dhe më humane për të ardhmen e popujve ballkanikë sesa një eksponent i Partisë Komuniste të Jugosllavisë siç ishte Tempo.

Pikëpamjet dhe qëndrimi i drejtë i Tucovicit ndaj çështjes shqiptare, mund të kuptohen ashtu siç duhet, vetëm nëse shihet në reciprocitet të pandashëm me çështjen ballkanike dhe atë lindore në përgjithësi.

Dimitrije Tucovici(1881-1914), kryevepra e të cilit është libri ″Serbia dhe Shqipëria″, ka qenë një nga socialistët më të spikatur të Serbisë, Ballkanit dhe të Europës në fillim të shekullit të njëzetë.

Po për Tempon çfarë thotë Ali Hadri?

“Për të çmuar në mënyrë objektive memoaret e përmendur, do të hiqnim një paralele krahasuese midis asaj që Tempo ka vënë në dukje në kohën e luftës, asaj që thekson në librin e botuar, si dhe të asaj që shikojmë në dokumentet historike në lidhje me çështjet e shtruara…”

Duke parë vektorët e këtyre paraleleve, duket qartë se ndryshe flet Tempo në kohën e luftës, krejt ndryshe në kujtimet dhe akoma më ndryshe flasin dokumentet për qëllimet e Tempos dhe të drejtuesve të tij, të cilët kanë vetëm një qëllim: aneksimin e Shqipërisë në Jugosllavi.

2. Në shpellën e Polifemit

Në vitet 1944-1955 ishte i padiskutueshëm ndikimi i faktorit sovjetik në Shqipëri, Bullgari, Hungari, Rumani, Jugosllavi etj.

Pas Luftës së Dytë Botërore, situata në Ballkan dallohej për specifikën e saj: Pala sovjetike kishte jo pak mundësi për të ushtruar ndikim, sepse në shumicën e vendeve, përveç Shqipërisë, ndodheshin njësitë e Ushtrisë së Kuqe dhe në vendet e çliruara funksiononin komandat ushtarake sovjetike, ndërsa në vendet ish-pjesëmarrëse të ″Boshtit″ si në Bullgari, Hungari dhe Rumani në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të aleatëve, rolin vendimtar e luanin përfaqësuesit sovjetikë, si dhe vepronin aktivisht misionet, përfaqësitë dhe ambasadat diplomatike sovjetike, të cilat ishin qendra të formimit të sistemeve të këshilltarëve politikë, ekonomikë dhe ushtarake. Për rregullimin e jetës shoqërore në një sërë vendesh përdoreshin grupet operative që kishin kompetenca të mëdha.

Në një dokument ″Tepër sekret″, dokumenti nr. 1, datë 10 janar 1944 me titull “Promemorie e drejtuesit të Komisionit të Komisariatit të Popullit për Punët e Jashtme të BRSS”, midis të tjerave thuhej: “Duke kaluar në fatet e vendeve të vogla të Europës, është e domosdoshme të theksojmë se nuk është në interes të BRSS-së, të paktën në periudhën e parë të pasluftës, të përkrahim krijimin e llojeve të ndryshme të Federatave, si për shembull: të Danubit, të Ballkanit apo të tjera, për të cilat tani flasin kaq shumë në Perëndim. Prandaj, linja jonë për këtë problem duhet të mbetet negative.″

Kjo ″Promemorie″ për Komisarin e Popullit për punët e jashtme V. M. Molotov, me kalimin e kohës ka një qëndrim të prerë për federatat në përgjithësi e për atë ballkanike në veçanti.

Po në këtë ″Promemorie″ midis të tjerave thuhet: ″Jugosllavia pas përfundimit të luftës (por mundet edhe më shpejt), në rast të forcimit të elementëve që grupohen tani rreth Titos, me gjasë, gjithashtu dëshiron të lidhë me BRSS Paktin e Ndihmës Reciproke me afat të gjatë. Bashkimi Sovjetik duhet ta përkrahë këtë dëshirë të forcave demokratike të Jugosllavisë.

Problemi për Greqinë është pak i vështirë. Bashkimi Sovjetik është i interesuar për Greqinë shumë më pak se për vendet e tjera ballkanike, ndërsa Anglia përkundrazi, për Greqinë është jashtëzakonisht e interesuar. Prandaj, në lidhje me Greqinë, Bashkimi Sovjetik duhet të respektojë veçanërisht një kujdes të madh.

Greqia gjithashtu mund të rivendoset në kufijtë e saj të mëparshëm dhe përveç kësaj, të marrë Dodekanezin, të cilin ajo e meritoi plotësisht në luftën e saj heroike si kundër Italisë, ashtu edhe kundër Gjermanisë.

Bullgaria duhet t’i kthejë Jugosllavisë dhe Greqisë tokat që ka aneksuar prej tyre, ndoshta me përjashtim të Dedeagaçit, sepse mbajtja e Dedeagaçit prej Bullgarisë do të mund të paraqesë interes për BRSS, në rast të lidhjes së Paktit të Ndihmës Reciproke sovjeto-bullgare. Kompensim i mjaftueshëm i Greqisë për Dedeagaçin do të ishte Dodekanezi.

Problemi për kufirin ndërmjet Bullgarisë dhe Rumanisë duhet të zgjidhet në përputhje me interesat e BRSS.

Problemi për Shqipërinë dhe Maqedoninë kërkon një shqyrtim të veçantë”.

Prologu dhe epilogu i kësaj ″Promemorie″ duhet analizuar me një kujdes të posaçëm, pasi siç e vumë re edhe më sipër, krijimi i çdo lloj federate, sikundër edhe ajo ballkanike shihet me dyshim në Bashkimin Sovjetik. Duke qenë se ajo mirëpritet në Perëndim, në kuptimin figurativ, mund të thoshim se ishim miq në shpellën e Polifemit dhe për të shpëtuar do të thërrisnim si Odiseja, i cili e quante veten ″askushi″. Pikërisht në këtë mënyrë do të trajtohej në qarqet diplomatike kjo çështje.

Bashkimi Sovjetik do t’ia linte Jugosllavisë tutelën për Shqipërinë, ndërsa vetë do të parapëlqente rolin e arbitrit.

Në një raport të atyre viteve të sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Eduard Kardel, në informacionin ndërkombëtar shkruan për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, një raport të titulluar ″Për situatën politike në Jugosllavi″.

″Për sa i përket perspektivës, ne e konsiderojmë të domosdoshme që Jugosllavia të lidhet ngushtë me Bullgarinë dhe Shqipërinë.″

Më tej për Shqipërinë në këtë raport flitet edhe për bashkimin me Jugosllavinë: “…Por ende nuk janë pjekur kushtet e politikës së jashtme. Pothuajse njëlloj qëndron problemi me Shqipërinë, ku kushtet e brendshme politike tashmë janë pjekur plotësisht për bashkimin dhe Shqipëria vetë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, nuk ka rrugë tjetër përveç se asaj që në mënyrë më të ngushtë të mbështetet te Jugosllavia. Duke iu referuar faktit se kushtet e politikës së jashtme nuk janë të përshtatshme, ne ramë dakord me Shqipërinë, që të lidhim me të Paktin për Ndihmën Reciproke, i cili mund të nënshkruhet brenda një kohe të shkurtër″.

Por, në shpellën e Polifemit centimetër më centimetër mund të përfundoje në gojën e përbindëshit dhe Shqipëria e sapodalë nga lufta ishte ndërmjet dy alternativave të projektuara nga jugosllavët: Ose konfederatë ose bashkim me Jugosllavinë. Shqipëria do të kalonte nëpër skena dramatike-tragjike derisa të dukej drita e tunelit në vitin 1948, kur marrëdhëniet midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë do të do të merrnin të çarën e madhe. Megjithatë, deri më atëherë do të kalonin shumë prova dhe sfida të njëpasnjëshme.

3. Një takim kokë më kokë dhe Vlora

Më 22 prill 1946, ambasadori sovjetik në Jugosllavi A. I. Llavrentjev, takohet me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Jugosllavisë, marshallin J. B. Tito.

Biseda zhvillohej për kërkesat e Greqisë, pretendimet territoriale të Jugosllavisë, si dhe planet e Federatës Ballkanike.

Historia dhe jeta shpeshherë paraqitet më e larmishme se imagjinata e çdo shkrimtari apo historiani: Josif Broz Tito, i cili në heshtje me të gjitha forcat, kërkoi që ta përfshijë Shqipërinë brenda Jugosllavisë. Pikërisht për këtë ngrihet kundër kërkesave të Greqisë për të marrë troje shqiptare dhe sidomos Vlorën.

Është kjo një shtirje apo roli i një feudali, i cili kërkon që tokat t’i gllabërojë për vete?

″Tito me këmbëngulje theksoi se Vlora (Valona), në asnjë mënyrë nuk duhet t’i jepet Greqisë. Rëndësia e saj është jashtëzakonisht e madhe, pasi Vlora është një pikë mjaft e rëndësishme strategjike. Nëpërmjet Valonës, duke e lidhur atë me hekurudhë me Jugosllavinë, më vonë mund të eksportojmë dhe të importojmë të gjitha mallrat. Vlora fiton akoma më shumë përparësi atëherë kur Trieste nuk do të futet në përbërje të Jugosllavisë.″

Tito këtu flet si zot i tokave shqiptare, e mbi të gjitha për një port të tillë jetik siç është Vlora për Shqipërinë. Këtë pazarllëk ia thotë ambasadorit sovjetik.

Kjo bisedë me tone të tilla, ku Shqipëria shihej si një plaçkë tregu që nuk i duhej dhënë Greqisë, por Jugosllavisë, bëhej pikërisht në atë kohë kur qeverisja jugosllave njihte botërisht qeverinë shqiptare nëpërmjet një deklarate të tillë:

″Qeveria demokratike e Jugosllavisë federative me anë të misionit ushtarak jugosllav në Tiranë, komunikoi zyrtarisht se njeh qeverinë demokratike të Shqipërisë”.

Pas kaq vitesh lufte të ashpër dhe heroike, pas sakrificave mbinjerëzore që bëri për të shpëtuar atdheun nga thonjtë e përbindëshit fashist, populli kishte të drejtën e plotë të priste nga fuqitë e bllokut antifashist, njohjen e qeverisë së tij demokratike.

Populli shqiptar kishte njohur dhe kishte çmuar me kohë ndihmën e madhe të popujve të Jugosllavisë në luftën kundër armikut të përbashkët italian dhe gjerman. Ai njeh dhe çmon më shumë se kurrë përpjekjet që po gjen në qeverinë e marshallit Tito, njeh dhe çmon me mirënjohje të thellë gjestin e madh të qeverisë demokratike të Jugosllavisë, që ngre e para zërin për të njohur solemnisht një të drejtë të pamohuar të popullit shqiptar.

Konsekuenca e vëllazërimit lindi dhe u forcua në luftën e madhe të përbashkët kundër një armiku të vetëm, fashizmit.

Jo vetëm kaq, por edhe në politikën e jashtme, do të ndihej presioni dhe patronati jugosllav ndaj Shqipërisë së asaj kohe.

Në telegramin e Hysni Kapos, atëherë ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Jugosllavi, drejtuar Koçi Xoxes për bisedimet me Kardelin rreth marrëdhënieve diplomatike me anglo–amerikanët, ky i fundit u shpreh se: “Interesi i Shqipërisë është që të jenë të stabilizuara marrëdhëniet diplomatike me anglo-amerikanët, pasi të bëhet traktati i paqes.

Kardeli dëshiron që të ketë kopjen e akordit të nënshkruar nga regjimi i Zogut me amerikanët, si dhe tekstin e letrës së qeverisë angleze për heqjen e mandatit″.

Përse këto kërkesa? Përse i duhet Eduard Kardelit t’i ketë këto dokumente?

Takimi kokë më kokë i ambasadorit sovjetik në Jugosllavi, A. I. Llavrentjevit me Josif Broz Titon ishte thelbësor për qëndrimin, që do të mbahej deri në vitin 1948, vit ky në të cilin marrëdhëniet sovjeto-jugosllave u përçanë.

Enver Hoxha, në Plenumin e Dytë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, që u mbajt në Berat, kishte kaluar në ferrin e kritikës dhe prapaskenës jugosllave. Ky plenum ishte me të vërtetë një prapaskenë e luftës së heshtur, por të ashpër, ndërmjet përfaqësuesit jugosllav Velimir Stojniç dhe bashkëpunëtorëve e veglave të tij. Enver Hoxha e kishte kuptuar tanimë dhe priste kohën e duhur mes vetëtimave dhe gjëmimeve të një deti të trazuar dhe plot të papritura.

4. Një det në stuhi

U pa qartë se Moska në atë periudhë e bazonte veprimtarinë e vet në Ballkan nëpërmjet Beogradit, por gjithnjë pa e lëshuar rolin e vet të arbitrit.

Sipas dokumenteve të kohës, Moska e konsideronte të panevojshëm kontaktin e drejtpërdrejtë me Partinë Komuniste Shqiptare dhe sanksionoi kështu patronatin e Partisë Komuniste Jugosllave ndaj asaj shqiptare.

Ky patronat i heshtur partiak, pothuajse i ligjëruar dhe shtetëror, do të kalonte në disa faza:

Kështu, viti 1946 u bë viti i krijimit formal të bashkëpunimit Jugosllavi – Shqipëri.

Më 9 korrik 1946 u nënshkrua Traktati për Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Ndihmën Reciproke me afat veprimi 20 vjet, duke shtuar këtu edhe mundësinë e zgjatjes automatikisht për pesë vjet.

Neni i parë i këtij traktati ″miqësie″, fliste për bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm, ndërsa neni i tretë kalonte te dhënia e ndihmës ushtarake të menjëhershme në rast të sulmit të njërës prej palëve.

Po në këtë vit, u nënshkrua edhe Traktati për Shkëmbimin e Mallrave dhe Pagesave.

Më tej ai për Bashkëpunim në Fushën e Kulturës dhe të Arsimit, si edhe dy protokolle shtesë.

Në total, gjatë vitit 1946 u lidhën 21 marrëveshje, ndërsa viti pasardhës, 1947, u pasua nga marrëveshje të tjera.

Në një takim të ambasadorit sovjetik në Jugosllavi, Llavrentjev me Enver Hoxhën, ai do të theksonte se ″Orientimi i Shqipërisë në afrimin me Jugosllavinë, do të thotë orientim i Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Ky i fundit do të japë çdo mbështetje, por kjo nuk duhet afishuar kurrsesi në mënyrë të tillë që të mos dëmtohet Shqipëria.″

Fraza e fundit ishte një shkëndijë shprese për bashkëbiseduesin.

Sipas një studimi të Jurij Pavllovec, “Në kufijtë e Luftës dhe të Paqes”, detyrë kryesore e Moskës në Europë në përputhje me interesat kombëtare e shtetërore të Bashkimit Sovjetik, ishte krijimi përgjatë kufijve sovjetikë të “Brezit të Sigurisë″, i aftë ta mbrojë atë nga përtëritja e një agresioni të mundshëm, në radhë të parë ndaj atij gjerman.

Bazë për formimin e bllokut sovjetik të shteteve juglindore duhej të ishin Jugosllavia dhe Shqipëria.

Në këto dy vende, menjëherë pas çlirimit nga pushtuesit, u krijuan qeveritë komuniste, të cilat i dhanë mundësinë Moskës për mbështetjen e saj në Gadishullin Ballkanik.

Gjithashtu, duke e përfytyruar mirë raportin e potencialeve të BRSS dhe botës kapitaliste, Stalini nuk kishte iluzione të mëdha lidhur me mundësinë e fitoreve të shpejta në arenën ndërkombëtare. Sipas mendimit të tij, të shprehur në Kremlin gjatë takimit me udhëheqës të Partisë Komuniste Jugosllave me në krye Titon, në prill të vitit 1945, atij i duhej të priste patjetër fillimin e luftës ndërmjet BRSS dhe vendeve kapitaliste pas 15-20 vjetësh.

Në sfondin e kësaj pritjeje ndodhi edhe forcimi i strukturave të bllokut sovjetik, i bazuar në sistemin e lidhjeve reciproke dypalëshe të BRSS me secilin prej vendeve të demokracive popullore.

Po sipas këtij studimi, aleanca e krijuar ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitet e luftës, para së gjithash ishte aleancë e dy partive të krijuara me iniciativën e krerëve partiakë.

Deri në vitin 1946, bashkëpunimi realizohej vetëm në nivel politik dhe ushtarak, ndërsa shumë dokumente programore të Partisë Komuniste Shqiptare ishin thjesht të përkthyera nga serbo-kroatishtja.

Por me ofensivën e forcave sovjetike dhe daljen e tyre jashtë kufijve të Bashkimit Sovjetik, ndikimi i Moskës si në Jugosllavi dhe në Shqipëri filloi të rritet, që u shpreh jo vetëm në rritjen e ndihmës ushtarake, ekonomike dhe politike, por edhe në forcimin e punës ideologjike në këto vende.

Pavarësisht rrethanave, statusin e ″vëllait të madh″ ndaj Shqipërisë, Jugosllavia nuk kishte ndër mend që t’ia linte Bashkimit Sovjetik.

Në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, synimi për afrimin e Shqipërisë shpjegohej me atë që në këtë vend (në Shqipëri), kushtet e brendshme politike tashmë ishin pjekur plotësisht për realizimin e bashkimit. Në të njëjtën kohë, situata e jashtme ende nuk e lejonte Beogradin që të zgjidhte në mënyrë të pavarur problemet politike të jashtme pa i konsultuar me Moskën.

Në vitin 1948 ndodhi çarja në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave. Si përfundim, diplomacitë me këto vende u ndërprenë menjëherë. Vendin e Jugosllavisë në botën komuniste e zuri Bullgaria, ndërsa Shqipëria i ishte nënshtruar plotësisht kontrollit komunist në Moskë.

Në kushte të tilla krijimi në shtator 1947 i Byrosë Informative, ndërsa në janar 1949 formimi i KNER, u krijua etapa e re për krijimin e bllokut sovjetik dhe si rrjedhojë edhe Shqipëria.

5. Retrospektivë

Në këtë det plot stuhi dhe rreziqe, nëse nuk do të kishte ndodhur ftohja dhe çarja e marrëdhënieve midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe asaj të Jugosllavisë, atëherë nuk do të mund ta mendonim dot fatin e Shqipërisë. Në cilin port do të kishte ankoruar anija e saj e batuar dhe e shkatërruar?

Përmendëm pak më lart llojet e marrëdhënieve ekonomike, ushtarake, kulturore dhe arsimore që u lidhën aq lehtësisht, në një kohë të shkurtër midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, por për ta parë më thellë dhe më qartë se si precipituan në këtë mënyrë, kur situata e lirisë dhe e pavarësisë së Shqipërisë ishte në rrezik, le të japim një retrospektivë të marrëdhënieve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë që në vitet e luftës.

Sipas një relacioni të kohës, proceset që ndodhën në Shqipëri dhe në Jugosllavi në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ishin shumë të ngjashme dhe u gërshetuan me njëra-tjetrën duke lënë gjurmë në politikën e ndjekur nga njëra apo nga tjetra palë.

Dihet se në fillim të vitit 1939, në Ministrinë e Punëve të Jashtme Jugosllave, lidhur me përgatitjet e Italisë për të pushtuar Shqipërinë dhe bisedimet e Kryeministrit jugosllav Stojadinoviç me ministrin e Jashtëm italian, Konti Ciano, flisnin për hartimin e detajuar të aksionit të përbashkët për ndarjen e Shqipërisë.

Me rënien e kabinetit të Stojadinoviçit, të gjitha planet jugosllave u përmbysën, sepse Duçja nuk e shihte më Jugosllavinë si aleat të domosdoshëm për këtë problem.

Në Shqipëri, në fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe me rritjen e luftës antifashiste në Jugosllavi, u vu re afrimi i forcave politike, me qëllim krijimin e frontit të përbashkët të rezistencës.

Në literaturën jugosllave, prej vitit 1941 deri në vjeshtë të vitit 1944, ishin anëtarët e komisionit për Kosovën dhe Metohinë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, të cilët ndihmuan në lëvizjen antifashiste shqiptare. Puna më efektive u zhvillua prej tyre në fushën organizative, nga e cila nxorën udhëzimet e para për formimin e celulave të partisë dhe rekrutimin e anëtarëve të parë.

Po sipas këtyre burimeve, në shtator të vitit 1942, në Shqipëri mbërriti delegati jugosllav Bllazho Ivanoviç, i cili i dha Partisë Komuniste Shqiptare letrën e Partisë Komuniste Jugosllave me udhëzime dhe sqarime të ndryshme.

Duhet vënë në dukje se ndërmjet PK Jugosllave dhe asaj Shqiptare, u vendosën lidhje të ngushta, por është e domosdoshme të theksojmë se aleanca e krijuar midis tyre në vitet e luftës, ishte para së gjithash një aleancë ndërmjet dy partive, e krijuar me iniciativën e liderëve përkatës.

Në plenumin e jashtëzakonshëm të Beratit, Enver Hoxha u kritikua ashpër nga emisarët jugosllavë dhe veglat e tyre për pozicionin e tij ndaj Ballit Kombëtar.

…Të gjitha këto përbëjnë nga njëra anë, një labirint të presioneve dhe diktateve jugosllave për ta futur plotësisht në tutelë Partinë Komuniste Shqiptare dhe liderin e saj që në kohën e luftës, gjë që nuk e arritën plotësisht. Ndërkohë që, nga ana tjetër, parulla për Konfederatën Ballkanike iu shërbeu si taktikë për të arritur strategjinë e tyre: përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *