HISTORIA

EDHE I VDEKUR DËNOHESHE…

Shkruar nga Ksenofon Dilo, marrë nga libri “ILIA DILO SHEPERI” ISBN 978-9928-4353-1-6

Ku shkoi gëzimi dhe hareja, ku humbi besa e trimëria, ku shkoi dashuria e mikpritja, ku u fsheh dielli i bukur me perëndimet e mrekullueshme tej Adriatikut të kaltër?

– Të gjitha humbën. Një dorë me kthetra shtazore i përmblodhi të gjitha në grushtin e saj të lerosur dhe i shtrydhte pa mëshirë, e zgërdhihej pa turp. Mos kishte më të voglën mëshirë që po torturonte një popull të tërë, që po zhdukte çdo gjë fisnike e madhore nga ky popull, që po vidhte, po ç’nderonte, po vriste, po torturonte, po mashtronte, po gënjente, po godiste pa mëshirë vet kombin, arriti tu vidhte fëmijëve fëmijërinë, të rinjëve lirinë e dashurinë dhe gjithçka i ngjante një shkretëtire të pafundme, vet jeta e të gjithëve ishte si e mpirë dhe nuk jetoje: tërhiqeshe zvarrë në një rrugë, në të cilën nga momenti në moment mund të të dilte përpara humnera e vdekjes dhe… të gjitha mbaronin. E pikërisht këtu fillonte tmerri më i madh.

– Edhe i vdekur dënoheshe, sepse nuk kishe gjetur forca të përballoje torturat e të vazhdoje të jetoje ferrin komunist, t’i shërbeje atij. Në regjimin komunist, kur vdiste një njeri, 100, 1000 njerëz, askush nuk çante kryet. Kur ngordhte një lopë, mjer veterinari, e mjerë kujt i binte përgjegjësia për këtë…

Le t’i vijë keq ndokujt, por e vërteta le të godasë. Njeriu ishte më pak i llogaritshëm se sa kafsha.

Por le të kthehemi aty, në vitin ’44-45. Aty kur akoma kishte dehje e marramendje të pakontrolluar, atëherë kur thërrisnin: Rroftë partia, e rroftë…, e rroftë… Dhe dalngadalë, ai që bërtiste më shumë filloi të kuptonte se në çdo rroftë i ikte një pjesë e jetës së tij, çdo rroftë i kushtonte aq sa nuk mund ta merrte me mend, sepse të thërrisje rroftë për atë që të vidhte, të dhunonte, të torturonte, do të thoshte të jepje dorën atij që donte të të rrëmbente krahun, që donte lëngun e jetës, që donte sigurisht vdekjen tënde.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *