Zimmermann: Rugova ishte një prej personaliteteve më të jashtëzakonshme politike që kam takuar në Jugosllavi

Si e përshkruante gjendjen në Kosovë dhe liderin e shqiptarëve, ambasadori amerikan në Beograd, Warren Zimmermann? Detaje nga libri i tij: “«Origins of a Catastrophe – Yugoslavia and its destroyers”, Times Books (1999)

Më 25 shkurt 1990, zëvendëssekretari Eagleburger erdhi për një vizitë dyditore në Jugosllavi. Në takim me Eagleburger-in, grupi nga Kosova ishte impresiv dhe i artikuluar. Ibrahim Rugova, udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, tha që Kosova duhet të jetë autonome në kuadër të një Jugosllavie konfederale. Për të dalë nga kontrolli i Serbisë, ai favorizonte dialogun me qeverinë federale të Ante Markovic-it.

Disidentët shqiptarë ishin impresivë – të disiplinuar, të artikuluar dhe kundërshtues të ashpër të pushtetit serb. Lideri i tyre, Ibrahim Rugova, ishte një prej personaliteteve politike më të jashtëzakonshme që kam takuar në Jugosllavi. Modest, njeri i nderuar, dukej si poet dhe ishte i tillë. Qeshte shpesh dhe me përzemërsi, gjithnjë mbante shall, madje edhe kur moti ishte i nxehtë. Kur e pyeta se pse mbante shall, u duk i zënë ngushtë, dhe tha se ka lexuar diku që secili duhet të ketë një shenjë identifikuese.

Rugovën e donin haptazi shqiptarët e Prishtinës. Kur ecnim bashkë rrugëve të qytetit, afroheshin njerëz të ndryshëm për ta përshëndetur. Kur më çonte në restorantet shqiptare, faturat nuk paguheshin kurrë. Gjatë kohës së provokimit të madh serb ai ia doli t’i mbante shqiptarët e Kosovës në kursin e rezistencës paqësore. Kur autoritetet serbe futën në shkolla planprogramet serbe – me gjuhën serbe si të detyrueshme, e jo atë shqipe – shqiptarët bojkotuan qetësisht, duke filluar shkollat në shtëpitë e tyre. Kur serbët importuan doktorë si staf për spitalet shtetërore, doktorët shqiptarë ndërtuan klinikat e tyre private.

Gazetarët amerikanë më kishin paralajmëruar të mos besoja gjithçka që do të dëgjoja në Kosovë, kështu që vendosa t’i bëja Rugovës një test ndershmërie. Duke përmendur shkeljet e serbëve kundër shqiptarëve, të cilat zyrtarët serbë nuk i kishin pranuar asnjëherë, e pyeta se si ishin trajtuar serbët nga ana e shqiptarëve, kur kishin pasur pushtet përpara periudhës së Miloheviqit.

“Për fat të keq”, u përgjigj pa ngurrim, “janë kryer shumë krime kundër serbëve”.

Nacionalizmi shqiptar i formësuar nga Rugova ishte joviolent, por i vendosur. Ishte kështu sepse ai në radhë të parë ishte reaksion ndaj taktikave agresive të Milosheviqit. Serbët shtypnin, shqiptarët forcoheshin. Kam punuar shumë për ta bindur Rugovën që të marrë pjesë në zgjedhjet serbe të vitit 1990, duke argumentuar se kundërshtimi i zgjedhjeve nuk do t’i ndihmonte kredencialet e tij demokratike. I citova shembuj se si minoritete të disiplinuara që futen në parlamente, mund t’i paralizojnë ato, siç kanë bërë irlandezët në Britani në shekullin XIX ose algjerianët në Francë në vitet ‘50. Nënvizova se ishte e mundshme që shqiptarët të avancojnë kauzën e tyre në një ambient politik armiqësor.

Rugova ishte i papajtueshëm. Ai e bëri të qartë se nuk do të qëndronte as edhe një ditë të vetme si udhëheqës i shqiptarëve nëse do ta ndërmerrte një hap të tillë. Ai tha se shqiptarët e Kosovës nuk do ta njohin kurrë më pushtetin serb. Ishte e qartë se qasja kërcënuese e Milosheviqit po i shtynte shqiptarët në rrugën pa kthim drejt pavarësisë së plotë nga Serbia.

Në këto rrethana shpërthyese kërkova nga Milosheviqi që të takohet me Rugovën. Paraprakisht e kisha siguruar pajtimin e Rugovës për një takim. Milosheviqi refuzoi duke thënë për udhëheqësin e dy milionë shqiptarëve të Serbisë: “Kë e përfaqëson ai?”

Gjatë muajit gusht 1990 senatorët Robert Dole dhe Alfonse D’Amato vizituan Kosovën. Në Hotel Grand, madhështia e të cilit qëndron vetëm në punët e ndyta epike, takuam udhëheqësin e shqiptarëve Ibrahim Rugova. Ai na tregoi fotografi të disa të lënduarve që ishin shumë përgjakur, por asnjëri nuk ishte vrarë. Rugova dhe udhëheqësit e partive tjera politike shqiptare i dhanë Dole-it dëshmi të matura dhe impresive për vuajtjet e tyre.

Derisa po e përfundonim takimin, Dole më tha se dëshironte të shëtiste për të takuar shqiptarë të rëndomtë. I thashë që për këtë është më mirë ta pyesim Rugovën. Për befasinë time, ai kundërshtoi fuqishëm.

“Serbët mund ta përdorin këtë si shkas për dhunë edhe më të madhe. Mendoj se duhet të shkoni drejt në aeroport”.

Dole, i dëshpëruar, e përfilli këshillën e tij. Mendova për vlerat e karakterit të Rugovës. Një incident i dhunshëm sigurisht do të ishte në dobi të tij, por ai dëshiroi ta shmangte atë, sepse nuk dëshironte të lëndoheshin njerëzit.

3 Komente

  1. Ju lutem lexues/e, analizoni vetem titullin: “Rugova ishte një prej personaliteteve më të jashtëzakonshme politike që kam takuar në Jugosllavi” dhe pastaj mendoni me koken tuaj: Pse ishte Rugova një prej personaliteteve më të jashtëzakonshme politike që z. Warren Zimmermann e ka takuar në Jugosllavi?! Pergjigja do te ishte: sepse Rugova me asgje nuk ia ka prishur tymin e duhanit Serbise… Ndersa ambasadori Zimmermann dhe zëvendëssekretari Eagleburger, ishin dy diplomat te larte te SHBA, te cilet me krejt qenien ishin proserb e projugosllav. Qe te dy kane bere çmos qe Kosova te mbetet ne kuader te Serbise. Pra, eshte e kuptueshme se atyre u konvenonte “politika paqesore” e Rugoves, u pelqente qe Rugova ta mbante popullin si delet ne torisht, e vet te pinte wiski dhe te sorollatej poshte e larte… Besoj se isha i qarte me kaq, perndryshe, duhet te shkruhen faqe te tera qe te shpjegohet e verteta e hidhur e asaj kohe. Kjo nuk do te thote se “udheheqesit” dhe “komantantet”, te cilet, pas lufte, ishin ne pozita te larta partiake dhe shteterore u sollen me mire se Rugova. Perkundrazi, ata, bashke me klanet mafioze te Uke Rugoves, te Bujar Bukoshit,te Xhavit Halilit, te Azem Syles, te Hashim Thaqit, te Adem Grabocit, te Behxhet Pacollit Pacollit, te Isa Mustafes dhe te mafive, matrapazeve dhe kuislingeve tjere (LDK, PDK, ORA, NISMA, etj.) plackiten, degraduan, vodhen dhe shkaterruan te gjitha vlerat kombetare dhe shteterore te shtetit te ri te Kosoves…

  2. Shume nderime per z Zimermanin ne pershkriminne librin e tije per figuren e z Rugova eshte e saket se edhe ne jetuem ne ate koh dhe perjetuem fashizmin serb por ishte z Rugova persone qe diti me ruejt popullin e vet dhe arriti pavarsin e Kosoves fal dijes guximit dhe vizionit te zotit Rugova
    Keshtu edhe z Zimerman e pershkruen sepse eshte objektiv dhe si ka hy ne hake z Rugova
    E ne Kosove ende ka njerz te pushtetit qe bili te largojn nga puna vetem pse je kan perkrahes i z Rugova dhe politikes se ti paqsore e keta qe tashe jan patriota e zhvaten shtetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *