POLITIKA KOMBËTARE

KISHA POLITIKE E KRIMINELIT MILLOSHEVIÇ

Shkruan: Gani Mehmetaj

Kisha serbe në qendrën universitare të Prishtinës është veja e qyqes që do të na rri mbi kokë si bombë e kurdisur sa herë ta shoh të arsyeshme Beogradi. Do të provokojnë më këtë gjysmë rrënoje, do të kurdisin skandale, ka rrezik të montojnë bomba për ta rrënuar, shërbimi i tyre i fshehtë mund të lëndoj apo të vrasë studentë a priftërinj, duke ua lënë fajin shqiptarëve mu si në kafenenë “Panda” në Pejë para 20 vjetësh. Provokimi e rreziku na rri çdo ditë mbi kokë si shpata e Demokleut.

Kisha serbe aty ku u ndërtua nuk e ka asnjë besimtar: oficerët e policët vrasës që i kishte në kompleksin banesor afër, ia mbathën më të hyrë trupat e NATO-s nga frika e ndëshkimit ndërkombëtar. Kishën serbe nuk e ngritën për besimtarë, e ngritën për të dëshmuar të padëshmuarën, kinse Kosova është e tyre.

Shqiptarët s’kanë asgjë kundër kishës -faltore, por janë kundër kishës politike, të ngritur nga krimineli Milosheviq, të mbështetur nga kriminelët e luftës që jetojnë sot në Serbi pa therë në këmbë. Shqiptarët janë kundër kësaj ngrehine politike që do t’u shkaktojë andralla, janë kundër qëndrimit shovinist të kreut të Kishës së Beogradit, që u vu në shërbim të gjenocidit apo që i priu krimeve në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë e Kosovë.

Jo pa qëllim Beogradi e plasi skandalin në kohën kur pushoi rrëmuja në mes të opozitës e pushtet për ndarjen kufitare me Malin e Zi. Serbia s’do ta lë të qetë asnjëherë Kosovën: më kishat ortodokse që do të duhej të ishin tonat dhe nën ligjshmërinë e Kosovës.

Sa herë kaloj nga “kisha” që është përballë Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ma kujton tmerrin e okupimit serb. Kësaj ngrehine është mëkat t’i thuhet kishë.

Qëllimi i Serbisë është ta bëjnë vend pelegrinazhi, t’ua kujtojnë shqiptarëve diktaturën vrastare dhe t’u thonë sa të pafuqishëm janë. Serbët e kanë bërë një pikë pelegrinazhi që i thonë Gazimestan ( turqisht vendi i lavdisë), afër Prishtinës, ku shkrryhen çdo vjet si derrat në baltë, duke provokuar rëndshem. Këtë pikë e kanë shndërruar në vend pelegrinazhi edhe turqit, duke na kujtuar pafuqinë tonë: në vend ta bënim ne simbol kombëtar Fushën e betejës, sepse beteja në mes ballkanasve e turqve u bë në atdheun tonë, Arbërinë, ku morën pjesë princër arbëror nga jugu e nga veriu. Princërve e luftëtarëve tonë trima nuk u ngritëm asnjë përmendore, as që i kujtojmë, kurse serbët shkrryhen për kontin e tyre – Lazarin në tokat tona.

Ndërkaq, turqit u falën zorrëve të Sulltani Muratit në Tyrben e Gazimestanit, sepse kronistët thonë se vetëm zorrët e Muratit i varrosën në tyrbe, kurse trupin ia dërguan në Brusë.

Kështu, serbët bëjnë pelegrinazh politik që të dëshmojnë të padëshmuarën, kurse turqit duan ta kujtojnë shkëlqimin e historisë së tyre, të mbështetur mbi krime të tmerrshme ndaj arbërorëve.

Ne i shikojmë hutueshëm si të mos jetonim në këtë botë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *