POLITIKA KOMBËTARE

ASNJEHERË NUK ËSHTË VONË

Shkruan: Sefedin Krasniqi

Bacë, ti po kthehesh me hapa gjigant, por siç ke qene i urtë, i kujdesshëm, i edukuar, ndonjëherë i ndrojtur edhe me këtë kthim të bujshëm nuk po ke dëshire t’ia zësh frymën askujt.

Kishin kaluar 22 vite nga telefonata e parë (1994), që vinte pas takimit tonë të rastësishëm, në rrugë, afër Stanovct të Vogël. Atë ditë, u kurorëzova në Prilluzhë, në zyrën e vendit dhe dëshmitarë e kam pasur Shefqet Qerim Krasniqin dhe Xajë Jasharin. Ndërsa ti kishe ardhur nga Zagrebi ta vizitosh vëllain tënd në burg, Behxhetin, pasi akuzohej për demonstratat e viti 1981. Pasi u përshëndetëm shkurtas, ta bëra të vetmen pyetje ; Bacë e të lanë ta vizitosh Behen ? Po, mu përgjigje, por t’i ndihmojë s’mundem asgjë. Megjithatë, ia dola t’i them, « mos i jep shokët » ! Ndjeva shumë dhimbje për të dytë. Ndoshta për Behxhetin më shumë, sepse gjatë studimeve një kohë, nga fukarallëku, banonim në Prishtinë në një dhomë dhe flinim bashkë në një krevat që i kishim si dyshek disa copa të rrobave që i merrja te rrobaqepësit.

Ritakimi në vitin 1996

Më kujtohet mëngjesi i hershëm, i vjeshtës 1996 kur dola e të mora në Frieburg (D), stacionin e trenit dhe kaluam në Francë. Hëngrëm mëngjes bashkë në Qendrën tregtare e quajtur Casino derisa e prisnim Skënder Budakovën të vinte nga Baseli. Pas pak kohe, kaluam kufirin dhe u takuam me Hilmi Nebihin, i cili na priste në një kafene. Ishim të lumtur, sepse kujtonim me bindje se çlirimi i Kosovës ishte në prak dhe qeshëm gjithë rrugës. Kur flisje ti, të gjithë të dëgjonim në heshtje dhe të shikonim dhe admironim. Buzëqeshja e lehtë të ka karakterizuar gjithë jetën. Urtësia dhe maturia ishin virtytet tua që të cilësonin nga të tjerët. Fjete dhjetë natë në dhomën e Valit. Punoje natën dhe e mbushe çantën me shkresa, dokumente, harta topografike dhe u ktheve me tren për Kroaci. Para se të kthehesh vizitove dy njerëz, Shefqet Jasharin dhe Xhafer Shatrin. Atëherë më pate folur për disa kroatë që të kanë ndihmuar në procesin gjyqësor, i lavdëroje dhe mburreshe me ta. Nuk përmendje emra dhe unë nuk të pyesja duke menduar se nuk duhej të pyes. Ndërsa kemi folur për gjithçka qysh nga ndeja në Rrezen e Kishës (si adoleshent) që tash i thonë Rrezja e Kronit, kur më pate pyetur se si « guxoja të rrija me ty, pasi familjen tënde e kishte lëçitur katundi », për shkak të Aziz Zhilivodës ! Unë isha më i ri dhe as që kuptoja çka është lëçitja!

Gjithçka kaloi shpejt

Ti u ktheve disa herë te unë në banesën time në Zvicër dhe shkoje edhe te njerëz tjerë, por unë kurrë nuk të kam pyetur për ata njerëz. Aq më bënte, pasi u shndërrove në idhullin tim, kur natën e parafundit, kur doje të ikje për Kroaci, më the : « Bacalok, aty ku ka varre lind shteti, prandaj duhet të luftojmë për Kosovën ». Po për betimin e ushtarit a ke menduar. Tash më the do ta shkruajmë. Dhe e shkruam. U lexua nga komandant Tahir Zemaj dhe nga ushtarët e FARK në Tropojë, ditën e betimit.

Edhe dita e fundit kur shkove për Shqipëri t’i bësh Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, erdhi shumë shpejt. Atë ditë erdhe me Hilmiun dhe e mora librin « 17 Shtatori » që ma pate besuar ta bëj realizimin kompjuterik. Më the që do ta botoje në Tiranë. Këtë libër sivjet e përmendi edhe miku yt kroat, Drazen Jerkovic. Libri yt nuk është botuar kurrë !!!

Kur iu afrove derës së daljes nga banesa, u ule për tokë për t’i mbathur këpucët, sepse the që kishe probleme me kurrizin. Gruaja ime, që as ajo kurrë nuk të shtonte pyetje, të tha : « Baci Ahmet, a bënë të pyes diçka » ? Kishte pasur parandjenjën që ti kurrë nuk do të kthehesh më te ne. Po, iu përgjigje pa asnjë hezitim. « Çka ta merr mendja Bacë a ftojmë » ? “Paj bre bacalok, me ditun që s’na ndihmon i madh Zot dhe Amerika kurrë nuk kisha hi në luftë, se serbët janë shumë të pa shpirt sa kanë me na e bërë dhjetë herë më keq se myslimanëve të Bosnjës. Na moralin dhe dijen e kemi, vazhdove, por për luftë duhen armë. Në fillim do të jetë vështirë. Pasi të armatosemi, luftën do ta fitojmë. Nëse s’na lejojnë të armatosemi, do të shkaktojë krizë humanitare dhe do të ndodh intervenimi i NATO-s”!

Vrasja që tronditi…

Nga Kosova vinin lajme tronditëse. Por kërcënimet se do ta vrasin Ahmet Krasniqin ishin më tronditëset. Dhe e bënë… Më 21 shtator 1998, në Tiranë ndodhi vrasja e shekullit që tronditi shqiptarët. Opinionin publik ishte përgatitur me muaj të tërë për këtë vrasje që duhej të thuhej se u vra një tradhtar i çështjes kombëtare. Në vazhdim virtualit argatët e krimineleve të vranë shumë herë. Që nga 22 shtatori i atij viti i kemi zbuluar vrasësit disa herë, por shërbimet inteligjente ( apo të budallme) të dreqit e të birit na i mjegullojnë të nesërmen. Çdo herë i drejtojnë shigjetat herë te ai grupim herë te ky grupim dhe një ditë do ta akuzojnë Shën Terezën (Nënë Terezën, se ti nuk e di që tash e quajmë kështu). Me dhjetëra herë janë munduar të më mashtrojnë, sepse si duket, të gjithë kanë nga pak gjynahe. Sidomos pas çdo përvjetori të vrasjes tënde, të gjithë lubitë çohen në këmbë.

18 vjetori i vrasjes zbuloi disa gjera të çuditshme

Në një vjetorin e vrasjes, kur as zogjtë e malit s’guxonin ta përmendin emrin, në Bernë, me Shefqet Jasharin, Kadri Osmanin dhe Arbër Ahmetajn nga Tropoja, organizuam një Akademi të thjeshtë, por shumë simbolike për përkujtimin tënd. Nuk iu shpëtuam kërcënimeve as nga larg as nga afër. Nga afër pati ardhur Bekim Ramadani, më thirri dhe në një qosh të sallës më tha me kërcënim se ku përmendet emri i Ahmet Krasniqit nuk dua të përmendët edhe emri i vëllait tim (Agim Ramadanit). U shtanga, jo nga frika, por u turpërova për te. Ishte si një bombë. Nuk dua ta përshkruaj sesi ia doli ta qetësojë situatën Baca Kadri (i ndjerë), sepse do të më turpëronte. Në Diasporë u organizuan edhe të tjerë, por në Kosovë, e theu akullin, i ndjeri, Faik Aziz Zhilivoda. Ai i cili në vitin 1994 kishin ardhur me Shefqet Qerimin dhe më porositën që duhej të bëja gjithçka. Dhe të gjeta. Numrin tënd të telefonit në Rovinj ma ka dhënë Hilmiu. Asgjë s’kam harruar dhe në kujtimet e mia do ta përmend secilin që lidhet me ty. Kështu kaluan vitet. U mbushën 18. Kësaj radhe kujtimin për ty e ngjalli miku yt, Drazen Jerkovic i cili erdhi me gruan, Ivanen, në Prishtinë dhe tregoi në detale për ndihmën që i ke dhënë në armatosjen e Gopiçit dhe Likës. Kur i shkrova dhe e informova, u tregua shumë modest duke më thënë se nuk mërzitet për shpenzimet, sespe donte të takohet me familjen tënde, por shprehu dëshirën që ftesa të jetë zyrtare. Këtë dëshirë, nëpërmes Z. Kika e realizoi Azizi në cilësinë e organizatorëve. Akademinë e bëri madhështore pikërisht dr. Drazen Jurkovic, i cili tha se i gjithë Gospici dhe Lika i ka borxh Ahmet Krasniqit.

Filmi dokumentar

Mbeti për më vonë apo për një herë tjetër. Materiali është në duar të sigurta. O do e bëjmë, o s’bënë ndryshe. Gur e dru do i rrotullojmë dhe do e bëjmë. Sidoqoftë, Bacë, ti po kthehesh me hapa gjigant, por siç ke qene i urtë, i kujdesshëm, i edukuar, unifikues, ndonjëherë i ndrojtur edhe me këtë kthim të bujshëm nuk po ke dëshire t’ia zësh frymën askujt.

Ne do ta respektojmë dëshirën tënde dhe do ta respektojmë secilin që ta ka falur respektin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *