POLITIKA KOMBËTARE

Tirana dhe Prishtina, me qeverisje lokale të dirigjuara nga klientela e ndërtimit

Shkruan: Ylber Vokshi – Arkitekt

Urbanizmi është sfida kryesore që i pari i qytetit apo kryeqytetit të ndonjë vendi duhet ta menaxhoi suksesshëm nëse dëshiron që të mbahet në mend për të mirë dhe të ketë suksese pozitive gjatë mandatit të tij. Natyrisht edhe problematikat tjera që bien në kompetencat e qytetit i kanë specifikat e veta, por organizimi i tërë territorit të qytetit dhe komunës,ku ndërlidhën të gjitha çështjet e funksionimit të mirëfilltë të tij, pik së pari janë të ndërlidhura me fushën e planifikimit hapësinor të komunës dhe planifikimit urban të qytetit apo kryeqytetit. Për fat të keq të gjithë ata që ishin në këto pozita tek pas përfundimit të mandatit, në të shumtën e rasteve e kanë kuptuar këtë. Prandaj domosdoja e përpilimit dhe posedimit të dokumenteve të mirëfillta hapësinore dhe urbane është e një rëndësie të veçantë.

Jam i vetmi njohësi i problematikës hapësinore dhe urbane, që në vitet e fundit publikisht kam trajtuar në mënyrë profesionale, me kritika konstruktive situatën urbane në të dy kryeqytetet të shteteve tona,gjegjësisht Tiranës dhe Prishtinës,që në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kanë pasur zhvillime urbane diametralisht të kundërta, falë sistemeve politike të diktuara, imponuara në Shqipëri dhe Kosovë.

Vizitën e këtyre ditëve të kryebashkiakut të Tiranës z.Erion Velijaj kryeqytetit të Kosovës gjithsesi duhet përshëndetur,duke shpresuar se ma në fund në fushën e urbanistikës do të ketë bashkëpunim profesional të bazuar në disa norma dhe standarde urbane,të domosdoshme për funksionimin e një shoqërie,pa probleme elementare që po na shqetësojnë pa ndërprerë e që po ndikojnë direkt në kualitetin e jetës urbane. Sot kjo dukuri është prezentë në të dyja kryeqytetet,dhe është tregues i një realiteti faktik në të dyja shtetet.

Zhvillimet urbane në vitet e “tranzicionit” të stërzgjatur shqiptar,në këtë njëzet e pesë (25) gjegjësisht shtatëmbëdhjetë (17) vite, në të dy kryeqytetet janë dëshpëruese, të pa shpjegueshme, se si është e mundur të shpenzohen miliarda euro në ndërtime, pa pasur një vizion të tërësishëm hapësinor dhe urbanistik, i cili do të duhej të përcillej me dokumente të mirëfillta hapësinore dhe urbane,që duhej të lehtësonin punën e armatës së madhe të profesionistëve në procesin e ndërlikuar të zbatimit të tyre.

Ç’është e vërteta gjatë këtyre viteve janë punuar dokumente të shumta urbane por nuk janë zbatuar pasi kanë shërbye vetëm si mbulesë për veprimet e padrejta të papranueshme të kryebashkiakëve në Tiranë dhe Prishtinë. Tirana ndërtohej me disa plane pjesore apo fragmentare rregulluese deri në vitin 2011 kur u miratua Plani rregullues i tërësishëm i Tiranës i bazuar në një konkurs ndërkombëtarë. Nga viti 2000 ishte menaxhuar me studime pjesore urbane ku ma së paku respektoheshin kriteret urbane, ngjashëm ka ndodhur edhe në Prishtinë. Është kjo praktik që rrallë mundesh ta gjesh në shtetet demokratike,të ndërtosh pa plane rregullues urban të mirëfillta për tërë kryeqytetin është e pa imagjinueshme.

Pas zgjedhjeve të fundit lokale në viin 2015,që rezultoi me zgjedhjen e kryebashkiakut të ri z.Veliaj, ende pa u inauguruar në postin e ri rezultoi me tendenca për ndryshime me ndërhyrje klienteliste me “konkurs të dirigjuar” të dështuar mu në hyrjen e Parkut të liqenit artificial, i cili në këto vite ma së paku ishte dëmtuar nga veprimet e papërgjegjshme urbane të paraardhësve të tij. Edhe disa veprime tjera urbane asocojnë në kthim ka e kaluara dhe kishte elektrizuar situatën urbanen dhe politike në Tiranë.

Situatë e ngjashme ishte edhe në Prishtinë deri në vitin 2013, kur u bë ndërrimi i udhëheqjes komunale pas zgjedhjeve lokal. Edhe kur u aprovuan disa dokumente hapësinore (PZhK dhe PZhU) në mandatin e kaluar në vitin 2013,qeverisja e re komunale hasi në vështirësi të mëdha me i zbatuar, pasi janë punuar duke mos u bazuar në realitetin e ri urban të krijuar, që moto kryesore e kishte abuzimin me territorin e kryeqytetit dhe jo ligjshmërinë si pjesë integrale të pushtetit komunal.

Ndalja e ndërtimeve pa leje ishte veprim i domosdoshëm i udhëheqjes aktuale në krye me Shpend Ahmetin, por jeta duhet vazhduar me frymuar në kryeqytet në relacionet e reja urbane që i imponon koha. Nuk ka plan rregullues të aprovuar përpara, që është në kundërshtim me normat,standardet,ligjet dhe rregulloret universale të ndërtimit,që mundet të detyron komunarët të japin leje ndërtimi.  I vetëdijshëm se kjo është punë shume e vështirë e cila  kërkon kohë dhe angazhim të madh të profesionistëve, duke iu përshtatur kërkesave të reja që rrjedhin nga ligji i ri i Planifikimit Hapësinor dhe ndryshimi i politikave të punësimit nga niveli qendror. Urgjent duhet ndërprerë definitivisht bashkëpunimin mafioz me strukturat e caktuara nga para-politika gjithë-shqiptare.

Ajo çka ma së shumti më ka çuditur dhe më bënte përshtypje dëshpëruese ishte ngjashmëria me atë se çka ishte duke ndodhur në Tiranë dhe Prishtinën e pas luftës në fushën e urbanizmit,pas shumë vite çlirim nga ideologjia komuniste serbo-sllave. Si duket këtu është gjeneza e qasjes primitive të zgjidhjes së problemeve të shumta hapësinore dhe urbane të cilat shqiptarët as që kanë dëshirë dhe vullnet për ti zgjidhur, ashtu si veprojnë të gjitha popujt tjera në botë. Kjo ngjashmëri është brengosëse për të dy shtetet,se si janë duke funksionuar kryeqytetet tona nga aspekti urban jemi dëshmitar okular vetë. Ndërtimet e reja në kryeqytetin Tirana kanë ngjashmëri të madhe me atë se çka ka ngjarë në Prishtinë dhe në qytetet tjera në tërë Kosovën,nuk e kamë të qartë se cilat kritere janë përdorur kur janë lejuar këto ndërtime.

Komunikacioni është problemi kryesor edhe se janë investuar para të mëdha pa bërë analiza detale në të dy shtetet. Bëhet zgjerimi i rrugës për Durrës dhe Fushë Kosovës, shpenzohen para të mëdha,pa dhënë askush llogari përse po na dalin të ngushta ato ekzistueset, në thelb mungojnë hulumtimet, analizat hapësinore dhe urbane që duhej ti zgjidhin këto sfida në mënyrë profesionale dhe permanente.

Kjo formë e punës në të ardhmen nuk duhet të jetë bazament i bashkëpunimit urban në mes të këtyre dy kryeqyteteve Shqiptare. Prishtina me udhëheqjen aktuale të komunës ka tërësisht qasje tjetër konstruktive dhe pozitive, në zgjidhjen e problemeve urbane të trashëguara nga e kaluara. Kjo nuk mundet të thuhet për Tiranën ku haptas ka tendenca me u kthye veprimet e kaluara, si ndërhyrjet në Parkun e Liqenit (lojnat e fëmijëve) apo ndërtimit të stadiumit të ri mu në qendrën  e Tiranës, duke shkatërruar një monument të trashëgimisë kulturore. Uroi që pas miratimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtare në Shqipëri këtë vit,urbanistika të ketë vazhdimësi e jo të injorohen tërësisht dokumentet hapësinore dhe urbane të kaluara si veproi z.Velijaj kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës.

Bashkëpunimi ndërmjet dy kryeqyteteve është i mirëseardhur,pos anës protokollare të vizitës të z. Veliaj dhe atyre klisheve tipike politike të ngjyrosura me “patriotizëm formal” të llojit te takimit në mes komunave kryesore shqiptare të rajonit, siç janë Tirana, Prishtina, Tetova, Presheva dhe Ulqini, janë pjesë e folklorit të tejkaluar patriotik që nuk na bën nderë. Fokusi duhej të ishte shkëmbimi dhe bashkëpunimi i përbashkët, posaçërisht në fushën e urbanistikës të bazuara në të arriturat e botës së civilizuar  cila  ka munguar të dy kryeqytetet. Një herë e përgjithmonë duhet flakur atë bashkëpunimin “vëllazëror” që u aktivizua menjëherë pas luftës në Kosovë e që u karakterizua me abuzime të mëdha me territorin,me jo ligjshmëri,me ndërtime me leje e pa leje, në thelb me shkatërrime të indit Shqiptar-familjes,që do të ketë pasoja afatgjate për gjeneratat e reja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *