OPINIONE

RROFTË RROTA

Shkruan: Edison YPI

Rroftë rrota që rrëzoi aeroplanin e drogës, rrota që vuri në lëvizje rrotat e propagandës, rrotaxhilet e gazetave, rrotaxhinjtë e televizioneve.
Rroftë rrota që ndezi fantazinë e atyre që vrasin babain me kazëm, therin gruan me thikën e bukës, shkulin gurrmazin e ortakut me tyrjelën e heqjes së tapës.
Rroftë rrota që rrotulloi rrotat e Parlamentit, rrotat e pushtetit, rrotat e rendit.

Rroftë rrota që kultivuesve të drogës u bëri të ditur se me pak më tepër vigjilencë rrotash drogën mund të vazhdojnë ta kultivojnë.
Rrofshin rrotat që me sebepin e rrotës së drogës po na thonë se drogën s’kemi pse të mos e legalizojmë.

Rroftë rrota që na kujtoi se pas pak kultivuesve të drogës do tu japim titujt; “Nderi i drogës”, “Heroi i rrotës“, “Martiri i miellit”, “Lavdia e barit”.
Punë të mbarë kryepleqve rrotullues të fshatrave ku kultivohet droga për më tepër vigjilencë rrotash dhe spiunim rrotaxhil.
Rroftë ajo rrotë e bekuar e prishur, e hedhur, e ngecur.

Rrofshin e qofshin rrotat ende të pa ngecuara dhe të pazbuluara të livadheve ku kaçatorrat e drogës ulen e ngrihen si n’harradoz.
Rroftë rrota e Historisë. Që kurrë nuk ngec, as nuk thyhet, veç vërtitet e vërtitet duke kërrcitur.
Rrofshim dhe ne që me rrotat e drogave veç qajmë e qeshim, e duke qarë e qeshur, presim të vdesim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *