EKONOMIA

NGA VITI NË VIT, MË TË VARFËR E MË TË PASHPRESË!

Shkruan: Florim ZEQA

Ideja e këtij shkrimi me lindi nga një deklaratë e kryeministrit të vendit gjatë vizitës në BIK, i cili decidivisht u shprehë në këtë mënyrë, po citoj; “Çdo Bajram po e presim më të lumtur dhe më të pasur”.

Me siguri, në momentin kur kryeministri Mustafa i ka thënë këto fjalë, mendjen e ka pasur tek mimilonat e tij dhe krerëve tjerë shtetëror, liderëve partiak, por asesi mendjen nuk e ka pasur mundësi ta ketë tek qytetarët e vendit, të cilët nga njëri Bajram në tjetrin, nga njëra festë në tjetrën vetëm sa po varfërohen dhe zhgënjehen akoma më shumë nga keqqeverisja, korrupsioni, mashtrimet dhe abuzimet me pushtetin,…e të mos flasim për hipokrizinë e kryeministrit Mustafa, të cilën nuk e hanë aspak “pazari ditor” i politikbërjes karrshi qytetarëve të varfër të vendit. Liderët shtetëror, vërtetë nga Bajrami në Bajram, nga festa në festë, nga darka në darkë,…nga dialogu në dialog me Serbinë në Bruksel po pasurohen dhe po majmen aq shumë, sa që po e vërtetojnë katërçipërisht në praktikë slloganin e “Elefantëve” në pushtet.

Politikanët e pasuruar mbi kurrizin e këtij populli të varfër, me koka të dhjamosura, sa që kollaret (kravatat) me vështirësi i vëjnë në qafën e tyre të trashë, me barkun e dalur përpara posi gratë shtatëzëna në prag të lindjes së binjakëve (kërkoj falje para nënave e motrave për këtë krahasim të panatyrshëm). Mbase e gjithë kjo ndodhë si pasojë e një kurorëzimi të panatyrshëm, të pasinqertë dhe djallëzorë të liderëve aktual shetëror, të cilët bashkarisht për tetë vite rresht abuzuan me pushtetin në nivelin qendror dhe lokal. Si pasojë e binjakëzimit të dy shkollave të kundërta politike, këtyre tetë viteve të fundit në hapsirën kosovare kemi pasur vetëm përçim të imazhit negativ, mashtrim e dështime në të gjitha fushat e jetës institucionale (shtetërore) dhe publike. Përveq degardimit institucional, shtetit i kanë shkaktuar ndarje të sovranitetit dhe tkurrje të integritetit territorial nga lindja në perëndim dhe veriu në jug. Festat fetare, siq ishte kjo e fundit e “Kurban Bajramit”, janë një rast i mirë për pushtetarët dhe politikanët hipokrit që të rrëfehen para prijësve fetar për “sukseset” e tyre në qeverisjen e vendit,…duke i harruar mëkatet e tyre si dhe duke menduar se qytetarët e vendit janë aq naiv dhe të paditur të mos i kuptojnë hipokrizitë dhe marrëzitë e tyre, aferat skandaloze të korrupsionit dhe krimit të organizuar qeveritar. Logjika e thjeshtë vetvetiu të shtynë të parashtrosh pyetjen; Si ka mundësi të pasurohet populli nga rritja e papunësisë, si pasojë e mbylljes në vazhdimësi e fabrikave, largimit të puntorëve nga vendet e punës nga pronarët e firmave dhe kompanive të paligjshme në Kosovë,…ose edhe më keq, për ata që punojnë, të cilët nga disa muaj rresht e nuk i marrin pagat nga punëdhënësit e tyre idiot dhe të papërgjegjshëm,…për të cilët shteti nuk qanë kokën fare të mirret me hallin e tyre, përderisa drejtësia është bërë “imune” ndaj keqpërdoruesve të djersës së puntorëve! “Imun” janë bërë edhe sindikalistët e mbështetur në krah të pushtetarëve, që kanë mbyllur sy e vesh para padrejtësive në përditshmërinë kosovare.

Vetëm gjatë mandatit (dyvjqar) të kryeministrit Mustafa janë mbyllur ose kanë pezulluar punën kompanitë më të mëdha dhe më profitabile në vend, si; Gjiganti Metalurgjik “Feronikeli” në Drenas, Fabrika e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, Fabrika e Tjerrtores “Rematex” në Dragash,…e shumë të tjera si këto që kanë lënë pa kafshatën e gojës mijëra familje kosovare. Në këto rrethana, deklarata e kryeministrit Mustafa në BIK, “Çdo Bajram po e presim më të lumtur dhe më të pasur”, përveqse fyerje për qytetarët e vendit, është hipokrizi dhe çmenduri e kryeministrit, qytetarët e vendit të cilin ai e drejton, çdo ditë mallkojnë pushtetarët dhe liderët partiak,..në pamundësi për të bërë diç tjetër, i luten Zotit për largim nga atdheu, nga vendi i “mallkuar” siq e quajnë nga dëshprimi dhe zhgënjimi në kastën politike që udhëheq me vendin e tyre. Vërtetë është tepër e dhimbshme, kur e dëgjon një intelektual të profilit të lartë, duke u shprehur; “Nëse më ipet mundësia të largohem njëherë nga ky vend, kurrë për jetë nuk do të kthehem, qoftë edhe për një ditë të vetme…” Deri në këtë situatë e sollën vendin kusarët politik, që rropën e ç’rropën gjithçka mundën nga pasuria e shtetit, duke e lënë në harresë popullatën e vuajtur e të përvëluar nga flakët e luftës, me zemër të thyer e shpirtë të plagosur nga humbja e më të dashurve të tyre,…duke shpresuar për një jetë të dinjitetshme në shtetin për të cilin sakrifikuan shumë dhe gjatë, duke besuar në barazi qytetare dhe mirëqenje për të gjithë.

Për qetësimin e shpirtërave të thyer në Kosovë, ka ardhur koha që të pastrohet me një “fshesë” të madhe oborri qeveritar në Prishtinë, ku disa duhet dërguar menjëherë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdovc të Podujevës,…e sa të tjerëve prej tyre u bënë mirë shoqërimi për në Entin e Personave me të Meta Mentale në Shtime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *