POLITIKA KOMBËTARE

Po të ngrihej sot Azem Hajdari

Shkruar nga Rexhep SHAHU

Pamë sot memoralin e ringritur në vendin e vjetër qe i kushtohet Azem Hajdarit heroit te demokracisë dhe Besim Çeres heroit të lashtë e tradicional shqiptar i cili u vra për me mbrojtë Azemin, të cilit ia kishte dhënë fjalën e besën me e mbrojtë e me vdekë për të.

Nëse Azemit i themi heroi i demokracisë, Besimi i bie të jetë heroi i heroit të demokracisë.

Përmasat më të vogla të memorialit më pëlqyen sepse ideja është t’i bëjmë tokësorë e njerzor herojtë, t’i bëjmë me përmasa njerzore, sa më njerzore dhe jo ta bëjmë mitralozin në duart e heroit më të madh se trupi e shtati i heroit.

Diferenca e dukshme, shumë e dukshme mes te dyve, mes Azemit që paraqitet më i madh dhe Besimit që paraqitet më i vogël është masakër entuziaste, është fyerje, përbuzje, është rivrasje. Me sa e çfarë guximi i bëjmë ne të gjallët këto diferenca?

Jam krejt i sigurtë se po të ngjallet sot Azem Hajdari, ai Azem që patëm njoftë në pjekurinë e tij politike, do të organizonte një protestë të madhe siç dinte ai kundër këtij diferencimi që kanë bërë mes tij dhe atij që dha jetën për të dhe nuk do ta ndalte protestën deri në shembjen e këtij memoriali të një gjigandi e një liliputi që e kanë ndërtuar në emër të dashurisë për heroin.

Unë nuk jam artist, dhe mos më merrni seriozisht, lexojini dhe fshijini këto fjalët e mia se unë nuk i kuptoj veprat e artit, nuk i deshifroj as përkthej dot por thjeshtë më duket se bërtet dhe vret diferencimi që u bëjmë herojve.

I vrasim herojtë me hipërbolizimin që u bëjmë, i tallim, i bëjmë të pabesueshëm, i bëjmë karikatura që nuk frymëzojnë dhe pastaj nxjerrim barsaleta pa fund për to.

Kështu duke bërë diferencime të tilla, duke i sajuar herojtë më tepër nga sa e si janë natyralë e origjinalë, ata pastaj bëhen bajatë dhe nuk i merr askush seriozisht. A thua ka pasë interes ndokush që të mos merret seriozisht Azemi dhe Besimi që nuk i kanë bërë njëlloj bashkë të mëdhej se të dy nga një jetë kanë dhënë, të dy nga një vrasje kanë provuar.

Azemi është hero i demokracisë, Besimi është heroi tradicional shqiptar, heroi i vërtetë shqiptar, hero i besës që u vra për shokun, për mikun, për heroin tonë. Pse është më pak hero Besimi, pse duhet ta ketë betonin apo gurin apo metalin më të vogël se Azemi për të cilin ai dha jetën.

A janë në rregull herojtë tonë dhe ne a jemi në rregull me dashurinë tonë për herojtë tonë, a mos jemi trafikantë, shtiranë, servilë, të pa skrupuj, pak maskarej që i shalojmë herojtë.

E pse duhet që Azemi të jetë në kolonë më i madh, më i lartë dhe ai që dha jetën për Azemin të jetë më i vogël. Çfarë do të thotë kjo? Kush i ka caktue këto përmasa, këto dimensione të heroizmit e patriotizmit?

A kemi heroj shpëtimtarë ne, pyet veten më shumë se mua miku im Izet Duraku?

Punë e ngatërruar kjo puna e herojve, por më e ngatërruar dashuria jonë e pandershme dhe hipokrite ndaj tyre! A e dinë herojtë se ne i duam vetëm për interes dhe eshtrat e tyre me lehtësinë më të madhe do ti përdornim vërtetë si krurëse dhëmbësh për dhëmbët tonë të ndryshkur.

Herojtë si të vdesin nuk e dinë se sa më të lartë që ua bëjmë përmendoret aq më të vogël e kemi dashurinë e nderin për to dhe nuk e dinë se duke dashtë me i puthë i përjargim e kafshojmë prej dashnisë tonë të madhe për to.

Nuk po di më shumë, por jam i sigurtë se Azem Hajdari nuk do të ishte dakort me këtë diferencim, ai do ta shembte atë memorial, do ta fshinte edhe atë fjali që është gdhendë aty se nuk është ndër fjalitë më të përveçme e të spikatura të tij.

Kështu shpesh më kap frika se dalëngadalë do të më lini pa Azem Hajdarin, do të ma zvogëloni e bjerrni atë, heroin tim, heroin e kohës time.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *