Parlamenti i parë shqiptar
HISTORIA

Fanatizmi, ja armiku

Shkruar nga Ali Këlcyra

Në asnjë vend tjetër të botës nuk është përligjur thënia e famshme e Gambetta-s kundër fanatizmit fetar më shumë se sa në Shqipërinë e sapokrijuar, sidomos në kohën kur lindi shteti shqiptar. Në këtë periudhë, veçanërisht armiku kryesor i nacionalizmit shqiptar ishte kuçedra me dy kokë, fanatizmi mysliman e ortodoks, që qe ngulur si një pengesë e pakapërcyeshme në rrugën e përparimit kombëtar.

Ali Kelcyra
Ali Kelcyra

Qysh kur ndërgjegjja kombëtare u copëtua nga jataganët e jeniçerëve, feja ka qenë arma kryesore në duart e të huajve të interesuar për të shkulur nga rrënjët idenë e një atdheu shqiptar.

Në plan të parë në këtë drejtim qëndronin dy shtete që kishin parim zyrtar dominimin e fesë mbi kombësinë, Perandoria Osmane dhe Greqia, të cilat pikërisht në fillimet e shekullit XX arritën paradoksalisht të mohonin qenien e një kombi shqiptar.

Këto dy shtete, armiq shekullorë midis tyre, pajtoheshin ngaherë mes tyre vetëm në një pikë, në luftën kundër nacionalizmit shqiptar. Në këtë drejtim mund të thuhet se Patrikana Ekumenike e Fanarit ka qenë agjencia e përbashkët e propagandës së tyre.

Në emër të fesë myslimane sulltanët u mohonin shqiptarëve të drejtën e arsimit në gjuhën amtare, ndërsa Greqia zyrtare, përsëri në emër të fesë ortodokse, e quante (dhe e quan) grek çdo shqiptar ortodoks.

Këto dy qeveri, që në kohën e formimit të shtetit të ri shqiptar, në përfundim të dy luftërave ballkanike, sapo kishin nënshkruar paqen midis tyre, nuk ngurruan të bashkëpunonin haptazi kundër nacionalizmit shqiptar duke përdorur secila për llogari të vet armën e fesë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *