HISTORIA

Kontributi atdhetar i Zogollëve të Matit

Gjatë gjithë epokës së Skënderbeut, Mati, kjo kryeqendër e kahershme e Principatës së Kastriotëve, mbeti i papushtuar nga turqit otomanë. Por edhe pas vdekjes së Skënderbeut mbeti sërish i papushtuar dhe autonom, për shkak të rezistencës së matjanëve me në krye Zogun e Madh, i cili, sipas taktikës së Skënderbeut, i komandonte njësitë ushtarake me zhdërvjelltësi, duke i zhvendosur vazhdimisht, sa në malet e Dejës dhe Balgjaj-t, aq edhe në Lurë, Bulqizë e Peladhi, duke u dhënë goditje vdekjeprurëse ushtrive të pushtuesit.

Pas tërheqjes së turqve otomanë në një armëpushim të shpallur zyrtarisht nga Porta e Lartë, e cila e shpallte “Autonome” krahinën e Matit, Zogu i Madh e zhvendosi rezidencën e tij nga Varoshi (qyteza pranë Malit të Dejës), në fshatin Burgajet, ku ndërtoi një kështjellë të madhe me gurë ciklopikë, sipas traditës pellaszgo-ilirike me të cilën u ndërtua edhe Kalaja e Shkodrës.

Zogu i Madh, jo rastësisht zgjodhi Burgajetin si rezidencë. E zgjodhi sepse atje, në kufijtë e atij fshati, në lagjen “Cibaj”, kishte vendosur rezidencën dhe banonte familja e Ballaban Pashë Baderës pas vdekjes së tij, Pasha ky që konsiderohej “tradhtar” nga matjanët dhe mbarë shqiptarët.

Pasi dogji sarajet e kësaj familjeje dhe vrau guvernatorin otoman Gazi beun, Zogu i Madh u kërkoi matjanëve të rezistonin si në kohën e Skënderbeut dhe t’i kundërviheshin Sulltanit. Ndaj dhe ky i fundit e njohu me ferman Autonominë e Matit dhe qeverimin e tij nga Zogu i Madh.

Por otomanët përsëri e sulmuan Matin dhe Zogun e Madh, ndaj ai u detyrua të vihej në krye të rezistencës antiturke duke e shtrirë me fitore të njëpasnjëshme sundimin e tij në Mat, Dibër, Tiranë, Elbasan, Peqin e Rrogozhinë, derisa u vra pas 9 ditë luftimesh të përgjakshme me turqit, në Peladhi të Bulqizës.

Pas Zogut të Madh drejtimin e familjes dhe të rezistencës e mori djali, Ymer Zogu, i cili vazhdoi luftërat dhe fitoret e babait derisa vdiq, për t’ia lënë trashëgiminë Zogut të Vogël, i cili u vra në Peqin, pas 12 ditë luftimesh, në vitin 1614.

Zogu i Vogël u varros me nderime të mëdha pranë Bregut të Lanës, në lagjen e Pishës në Tiranë, ku deri në vitet ’50 të shekullit të kaluar ekzistonte varri i tij dhe një pllakë përkujtimore.

Pas Zogut të Vogël drejtimin e morën djemtë Avlla dhe Selman Zogu, të cilët gjithashtu u vranë në beteja me turqit, për t’ia lënë vendin djalit të Avlla Zogut, Mahmudit, që pas vdekjes u trashëgua nga djali i tij Ahmet Zogu, që la pas si trashëgimtarë dy djem: Xhelal Pashë Zogun (gjyshi i Mbretit Zog) dhe Riza Pashë Zogun. Ky i fundit u zgjodh sekretar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Xhelal Pasha la trashëgimtar djalin e tij Xhemal Pasha, babain e Mbretit Zog.

Vdiq i helmuar nga otomanët, të cilët e varrosën me nderime të mëdha në Stamboll, në “Haxhi Badem Uskunda”, ku edhe sot ndodhet varri i tij me një pllakë përkujtimore të skalitur, me tekst plot superlativa.

Përveç formimit atdhetar, djemtë e Familjes Zogolli kishin edhe një arsye më shumë për të ndjekur rrugën e të parëve në luftërat për liri të shqiptarëve dhe në qeverisjen e tyre me përkushtim e atdhedashuri: ata ishin trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, në linjë gjaku amësor, të motrës së Sklënderbeut, Mamica Kastriotit. Fakt ky i vërtetuar nga pedigreja dhe Pema Gjenealogjike e detajuar, që pinjollët e shquar të kësaj Familjeje e siguruan nga arkivat perandorake në Stamboll.

Turqia dhe shqiptarët gjatë shekullit IXX

Fillimshekulli IXX e gjeti Perandorinë turke tejet të dobësuar ushtarakisht, për shkak të kryengritjeve që shpërthyen në të gjitha trevat e sunduara prej saj dhe nga luftërat me Perandoritë Ruse e Austro-hungareze. Por mbi të gjitha, e gjeti akoma më të dobët ekonomikisht, për shkak të rrënimit të shkaktuar nga keqqeverisja, korrupsioni masiv dhe reformat ekonomike të dështuara.

Sidomos shkatërrimtare për ekonominë e Perandorisë rezultoi konkurrenca e fortë në shkëmbimin e mallrave me perandoritë dhe shtetet perëndimore, që asokohe po njihnin zhvillim të paparë të marrëdhënieve kapitaliste në prodhim.

Ashtu si edhe më parë, marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët gjatë fillimshekullit ‘19-të ishin dhe mbetën tejet të tendosura, sidomos pas Masakrës së Manastirit të 30 korrikut 1830, në të cilën Mehmet Reshit Pasha vrau me pabesi mbi 500 krerë shqiptarë të Shqipërisë së Jugut dhe asaj të Mesme, të thirrur gjoja për t’u dhënë rrogat e prapambetura në një ceremoni festive të organizuar nga Stambolli “në shenjë vlerësimi të kontributeve” të tyre për Portën e Lartë.

Masakra e Manastirit, mosbesimi reciprok dhe pakënaqësitë e mëdha i acaruan marrëdhëniet e tendosura shqiptaro-turke qysh në dekadat e para të shekullit IXX.

Zogollët gjatë shekullit IXX

Për shkak të përvojës së hidhur me Zogollët e Matit gjatë afro 4 shekujve, Porta e Lartë vendosi të bëjë ndryshime në ligjin fiskal lidhur me krahinën myslimane të Matit, krahinat katolike të Lezhës, Mirditës dhe Malësisë së Madhe edhe si pasojë e presionit të Austro-Hungarisë.

Sipas këtij Kodi të ri fiskal, jo administrata tatimore, por krerët e njohur, apo të emëruar, të këtyre krahinave, do të mblidhnin taksat dhe xhelepet në emër të Portës dhe një herë në vit do t’i paguanin një shumë të arsyeshme Stambollit, ndërkohë që krahinat e tjera ia paguanin taksat dhe xhelepet administratës perandorake gjatë gjithë vitit, sipas sistemit të Iltizamit, që kishte fiksuar taksa të rënda.

Ky privilegj mundësoi fuqizimin ekonomik të Zogollëve dhe rritjen e mëtejshme të ndikimit të tyre tek shiptarët e varfër, që lehtësoheshin në taksa nga këta sundimtarë bashkatdhetarë, që gjithmonë i kishin ndihmuar në mbijetesë dhe u kujtonin kohën e lavdishme të Skënderbeut.

Kryengritjet e viteve 1835-1847 në mbarë Shqipërinë, por sidomos ato të viteve 1837-1845 në Mat, Dibër, Plavë e Guci, Tiranë, Elbasan, Ulqin, Mirditë, Lezhë, Shkodër, Has, dhe ato të njohura si “kryengritjet e Kosovës dhe Pollogut”, në Prishtinë, Gjakovë, Rrafshin e Dukagjinit, Prizren, Shkup, Manastir, Kumanovë, Gostivar e Tetovë, u ndikuan, u frymëzuan dhe u financuan fuqimisht nga Xhelal Pashë Zogolli.

Këto kryengritje e kishin burimin tek varfëria ekstreme dhe pakënaqësia e thellë e shqiptarëve myslimanë të këtyre trevave, të cilët diferencoheshin skajshëm nga nënshtetasit e tjerë të Perandorisë të besimit ortodoks (serbët, malazezët dhe grekët), si në taksat e papërballueshme, ashtu edhe në shërbimin e tejzgjatur ushtarak të nizamëve.

Shqiptarët i konsideronin djemtë e tyre nizamë si viktima të sakrifikuara për luftëra dhe kauza të huaja, me vdekjet dhe gjymtimet e pafundme, apo prej plakjes në shërbimin ushtarak që zgjaste shpesh here edhe me dekada, ndërkohë që në fakt pikërisht këta djem ishin më të aftët fizikisht për të ndihmuar familjet e tyre në përballimin e jetesës së vështirë.

Mospranimi i kërkesave të shqiptarëve çonin në shpërthimin e kryengritjeve edhe për shkakun se Porta e Lartë i trajtonte ata krejt ndryshe politikisht në raport me popujt fqinjë, që gëzonin autonomi vetëqeverisëse, privilegje të fiksuara në Kushtetutën turke, arsimim në gjuhën amtare dhe zhvillim ekonomik të vrullshëm. Dhe në këtë ndërgjegjësim kishte filluar të kishte ndikimin e vet të fuqishëm Rilindja Kombëtare, me përfaqësuesit dhe idetë iluministe, ndonëse në hapat e para të saj.

Faktorizimi i shqiptarëve në Europë

Pashallëqet e Shkodrës dhe Janinës dhe kryengritjet e shumta, i faktorizuan shqiptarët në opinionin europian dhe në planet e Fuqive të Mëdha.

Në fillim të vitit 1853, gazeta e madhe austriake që botohej në Trieste, “Triester Zeitung”, i kushtoi shqiptarëve shkrime speciale në disa numra radhazi, ku në njërin syresh shkruhej se “Ka përfunduar koha e klasifikimit të popujve sipas kombësisë…, sot duhen respektuar interesat e shëndosha politiko-tregtare, të bazuara mbi principet e zhvillimit ekonomik të popujve, veçanërisht atij shqiptar, që është edhe më i prapambeturi. Kështu ka punuar Rusia, qysh nga kohë e Pjetrit të Madh, ndaj dhe Austria duhet të bëjë të njëjtën gjë dhe nuk duhet të ndalet derisa ta realizojë. Askush nuk mund të na ndalojë të mbrojmë katolikët tanë në Turqinë perëndimore. Anglia dhe Franca llogarisin të shtojnë koloni të reja në Afrikë dhe brigjet e lumit Gang, ndërsa për Austrinë këto koloni janë: Bosnja, Hercegovina, dhe një vend të cilin rrallë e ndërmendim, Shqipëria”.

Kriza Lindore dhe Lufta e Krimesë

Në korrik 1853 Rusia i shpalli luftë Turqisë dhe e shpartalloi ushtrinë e saj në të gjitha trevat danubiane. Gjithashtu ajo u kërkoi shteteve dhe principatave autonome ortodokse të Ballkanit, që të hidheshin në luftë kundër Turqisë. Kjo luftë shënoi kulmimin e konfliktit që, në histori, njihet si Kriza Lindore.

Duke shfrytëzuar rrethanat e favorshme ushtria greke pushtoi Artën, Prevezën, Thesalinë dhe mbarë Vilajetin e Janinës në fillimvitin 1854. Ndërkohë flota ruse e Krimesë nisi marshimin drejt Bosforit dhe Dardaneleve.

Franca dhe Anglia u alarmuan nga rreziku i rënies së Turqisë dhe daljes së Rusisë në Mesdhe.

Flotat e tyre pushtuan Pireun dhe e detyruan Greqinë të tërhiqej. Pastaj me shpejtësi rrethuan flotën ruse të Krimesë dhe e detyruan me forcë të kthehej mbrapsht. Ndaj dhe konflikti u quajt “Lufta e Krimesë”, që përfundoi në mars të vitit 1856, me nënshkrimin e një Traktati Paqeje në Paris.

Nga situata e rëndë e Turqisë përfitoi Austro-Hungaria, që shkëputi nga Porta e lartë të drejtën për t’u rikthyer në Shkodër dhe për të përfituar nga Traktati i Paqes “Kultusprotektoratin (Mbrojtjen fetare)” mbi krahinat katolike shqiptare, duke risjellë në Shkodër jezuitët dhe franceskanët e përzënë dhe duke rritur volumin tregtar me Shqipërinë nëpërmjet limanit të Shëngjinit, dhe sidomos atij të Shkodrës.

Shtetet ortodokse dhe shqiptarët

Në vitin 1861 Serbia dhe Greqia hynë në bisedime të fshehta për një aleancë ushtarake kundër Turqisë. Për të jetësuar këtë plan, pas një viti që erdhi në fuqi (1862-1865), kryeministri Garashanin deklaroi se ky plan nuk do të kishte kurrfarë mundësie për sukses nëse për realizimin e tij nuk do të angazhoheshin edhe shqiptarët, që kishin dëshmuar se ishin luftëtarët më të vendosur dhe forca ushtarake më efikase në luftë kundër Turqisë, nisur nga pakënaqësitë e tyre.

Edhe diplomacia ruse kishte të njëjtin vlerësim dhe mendim. Madje zv/ministri i Jashtëm i Rusisë, Hitrov, deklaroi: “Turqia jo vetëm nuk mund të shpresojë për përkrahjen e shqiptarëve, por përkundrazi, pikërisht në Shqipëri mund të përgatitet shkatërrimi i saj i shpejtë. Çdo gjë varet nga kjo: a do të përgatitet në kohë Shqipëria për ngjarjet e ardhshme(?); a do t’i kushtohet asaj vëmendja e duhur(?); a do t’i jepet asaj vendi i duhur në këtë luftë(?)”.

Ndyshimi i pushtetit politik në Serbi

Pas ardhjes në pushtet dhe në krye të Principatës Serbe të Mihajllo Obrenoviqit në shtator 1860, dhe njohjes së detyruar të tij nga Stambolli, me ndihmën e fortë të Vjenës dhe Parisit, në Beograd u emërua kryeministër Ilija Garashanin (autor i Naçertania – projekti). Ky menjëherë nisi punën për organizimin e ushtrisë serbe dhe për këtë emëroi si ministër të Luftës nënkolonelin francez Hipolit Monden (Hippolyte Mondain), me ç’rast siguroi edhe mbështetjen e fuqishme të Francës-tutore, e cila e furnizoi me armë moderne ushtrinë e re serbe.

Qeveria serbe dhe ministri i ri i Luftës mobilizuan nën armë 86 mijë ushtarë, nga afro 1.3 milionë banorë që kishte gjithsej Principata.

Kjo fuqi e madhe ushtarake i mundësoi Serbisë të largonte nga tokat e saj të gjithë “turqit”, çka në fakt nuk ishte tjetër veçse jetësimi i Naçertanije-platformës së Garashaninit për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone në kufijtë e Principatës fqinje, që asokohe shtrihej mbi Rashkën e vjetër dhe zinte një sipërfaqe afro 37 mijë kilometër katrorë.

Platforma e “përzënies së turqve” nga Serbia filloi me largimin e garnizoneve të ushtrisë turke nga 7 kështjellat kryesore të saj, ndër të cilat më kryesoret ishin ato të Beogradit, Shabacit, Smederevos dhe Uzhicës.

Për këtë qëllim serbët organizuan një incident me anë të vrasjes së një të riu serb nga një ushtar turk në lagjen serbo-“turke” të Doreolit në Beograd, që për pak sa nuk shkaktoi fillimin e një lufte midis Serbisë autonome dhe Turqisë perandorake.

Por menjëherë ndërhynë Fuqitë e Mëdha dhe pas shumë tratativash, në prill 1867, u arrit largimi përfundimtar i ushtrisë turke nga kështjellat dhe territori i Principatës së Serbisë.

Duke parë lehtësinë me të cilën mundi të arrihej shkëputja e lëshimeve nga Stambolli në rast të mbështetjes nga Fuqitë e Mëdha, Xhelal Pashë Zogolli hyri në kontakte me Vjenën dhe Parisin, duke nisur tratativa të fshehta edhe me Beogradin.

Xhelal Pashë Zogolli

Xhelal Pashë Zogolli lindi rreth vitit 1800 dhe, si shumica e djemëve të familjeve fisnike europiane të kohës, edhe ai mori një arsim në kushtet e familjes, me mësues privatë, nga të cilët mësoi mjaft gjuhë të huaja dhe dije të disiplinave dhe sistemeve të edukimit të huazuara nga kolegjet klasike perëndimore, e që datonin me njohuri të marra qysh nga antikiteti. Qysh në rini të hershme u angazhua me drejtimin e ekonomisë së Pashallëkut të trashëguar Zogolli, krahas drejtimit të krahinës së Matit dhe Sanxhakut të Dibrës, administrimi autonom i të cilave u ishte ngarkuar me ferman Pashallarëve të Zogollëve nga Porta e Lartë prej më shumë se 3 shekujsh. Pas një përvoje të vyer në administrimin e Pashallëkut të Matit dhe Sanxhakut të Dibrës, Xhelal Zogolli u thirr në Stamboll dhe për shkak të aftësive të shkëlqyera negociuese dhe gjuhëve të shumta që zotëronte, u emërua në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë. Gjatë kësaj periudhe, Xhelali dhe Pashallëku i Zogollëve trashëgonin ndikim politik dhe lidhje të fuqishme familjare me krerët politikë e ushtarakë të krahinave të Dibrës, Lurës, Kthellës, Mirditës, Pukës, Shkodrës, Lezhës, Krujës, Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Ohrit, Manastirit, Kërçovës, Fushës së Pollogut, Tetovës, Gostivarit, Shkupit, Kumanovës, Prizrenit, Lumës, Hasit, Gjakovës e deri në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit – shumica e të cilëve ishin Pashallarë të Pashallëqeve lokalë, me status të favorizuar enkas nga Porta e Lartë. Pikërisht këto lidhje (shpesh edhe krushqie), mundësuan ndikimin e Xhelalit e të Zogollëve në shpërthimin e kryengritjeve antiosmane të këtyre trevave dhe në mbështetjen politike për emërimin më pas të vëllait të tij, Riza Pashë Zogollit, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878.

Shumica e krahinave të lartpërmendura përfaqësonin Kaza apo sanxhaqe me status të veçantë të dhënë nga Porta e Lartë, që quhej “Mustesna”, sipas të cilit myslimanët nuk i nënshtroheshin thirrjes nën armë, as shërbimit ushtarak, dhe nuk paguanin shumicën e taksave dhe xhelepeve.

Lidhjet e forta politike, karakteri i këndshëm, eduakata elitare, kultura e thellë dhe miqësitë familjare i mundësuan Xhelal Zogollit një karrierë të shpejtë diplomatike dhe njohje ndërkombëtare, që kulmuan me emërimin si ambasador i Perandorisë në Shën Petërburg dhe Vjenë. Nuk ishte aspak i rastit ndikimi dhe njohjet personale e familjare të Xhelal Pashës me krerë politiko-ushtarakë e administrativë të kazave, pashallëqeve dhe sanxhaqeve që shtriheshin në vijëkalimin e rrugës tejet strategjike Shkodër-Prizren, në jug të Drinit, por edhe me krerët respektivë katolikë të kazave, pashallëqeve dhe bajraqeve në veri të Drinit (Malësia e Madhe, Hoti e Gruda, asokohe në kufi me Malin e Zi), lidhjet me të cilat Xhelal Zogolli i intensifikoi sidomos pas kredencialeve austriake si treva të besimit katolik. Por gjithashtu, ai kishte njohje dhe ndikim edhe tek dy fise-klanet e mëdha “malazeze” me origjinë shqiptare të Vasojeviqëve dhe të Kuçit (nga të cilët dolën shumë prijës e shtetarë serbë e malazezë), të cilat i forcoi pas konfliktit turko-malazes dhe kredencialeve politiko-diplomatike të Shën Petërburgut dhe Parisit.

Xhelal Pasha kishte njohje personale me disa sulltanë që u ndërruan në fron (Mahmudi II, Abdylmexhiti dhe Abdylhazizi), dhe u ngarkua prej tyre me detyra të rëndësishme ushtarake e misione diplomatike në Lindjen e Mesme dhe Ballkan, suksesi i të cilave i rriti njohjen ndërkombëtare dhe reputacionin në Stamboll, krahas marrjes së titullit “Pasha – gjeneral”, si kreu i Pashallëkut të trashëguar prej shekujsh të Zogollëve të Matit. Si përfaqësues ndër më të shquarit i dinasti-Pashallëqeve shqiptare, Zogollëve të Matit, Xhelal Pasha kishte njohje dhe miqësi personale me Pashallarë-bashkëkohësit e shquar Bushatllinj të Shkodrës dhe me Mehmet Ali Pashën e Egjiptit.

Vizioni politik, kultura e thellë, informacioni i gjerë si diplomat me peshë, pikëpamjet atdhetare dhe bindjet solide politike e orientuan Xhelal Pashën kah konkluzioni i palëkundur se Autonomia e trojeve shqiptare në kuadër të Perandorisë ishte statusi i merituar i popullit dhe i vendit të tij. Objektiv që, me anë të kryengritjeve, lëvizjeve politiko-diplomatike, dhe me ndihmën e Fuqive të Mëdha, në bindjen e tij, mund ta realizonin edhe shqiptarët.

Në këtë kuadër Xhelal Pasha i shikonte me rezerva dhe frikë përpjekjet e Principatës së Serbisë dhe Mbretërisë së Greqisë për zgjerim territorial në kurriz të trevave etnike të banuara nga shqiptarët, duke shfrytëzuar maksimalisht tendencat shpërbërëse ndaj Turqisë të Fuqive të Mëdha si Rusia, Austria, Gjermania dhe më pak Franca, që në fakt ishin edhe aleatët kryesorë të Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

E vetmja Fuqi e Madhe europiane që mbështeste me forcë dhe pa rezerva Portën e Lartë si digë kundër Rusisë pansllaviste për mosdaljen në Mesdhe dhe Adriatik dhe si partnerja më e fuqishme ekonomike e tregtare për ekonominë më të zhvilluar të kohës (që po përjetonte bumin e revolucionit industrial), ishte Anglia.

Kontaktet me krerët më të hierarkuar shqiptarë në Stamboll dhe mbarë Perandorinë, kontaktet me filozofinë e Rilindjes shqiptare që sapo ravijëzohej, kontaktet me veprat e filozofëve, mendimtarëve dhe shtetarëve gjermanë, që synonin bashkimin e principatave gjermane në një shtet unitar, dhe sidomos kontaktet me rrymën e Rilindjes italiane të Garibaldit dhe Mazzinit, që synonin poashtu bashkimin e Italisë – krijuan shtratin e plotë të mendimit dhe veprimit politik autonomist të Xhelal Pashë Zogollit.

I bindur se gjuha shqipe dhe arsimi shqip ishin instrumenti kryesor për ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve dhe orientimin e tyre kah aspiratat e bashkimit kombëtar, në vitin 1871, Xhelal Pasha, si Hoxha Tahsimi, Naum Viqilharxhi, Tahib Efendi Shkodrani, Seit bej Toptani dhe Ismail Qemali (asokohe kryeredaktori i gazetës “Zaman”), si ndihmës i përzgjedhur për të shkruar me kaligrafi dinjitoze – konceptoi, hartoi dhe dorëzoi një Peticion drejtuar Sulltanit Abdylhaziz, në bashkëpunim me atdhetarë të shquar të Stambollit.

Në këtë peticion, në emër të shqiptarëve, Xhelal Pasha i kërkonte Portës: Autonomi, liri më të shumta politike e kompetenca administrative, bashkë me vlerësimin se shqiptarët dhe Shqipëria ishin fuqia dhe faktori kryesor politik e ushtarak në Ballkan dhe më besnikët e Portës së Lartë, ndaj dhe si të tillë e meritonin këtë status dhe të vetëqeveriseshin.

Sulltani e pranoi me politesë Peticionin, por si kundërshpërblim lejoi vetëm të drejtën që shqiptarët të hapnin shkolla shqipe dhe të mësonin gjuhën amtare, me ç’rast i dorëzoi Xhelal Zogollit për këtë qëllim një shumë prej 27 mijë lirash turke të destinuara për hapjen e shkollave shqipe.

Por meqenëse kërkesat e Peticionit të Xhelal Pashë Zogollit u konsideruan si ekstremiste, secesioniste dhe separatiste në raport me interesat dhe situatën faktike të Perandorisë Otomane, ato u refuzuan me takt.

 Vepra e tij atdhetare

Porta e Lartë konkludoi se Xhelal Pasha e kishte mbushur, dhe madje e kishte derdhur “kupën e durimit”. E gjetën mënyrën për ta eleminuar fizikisht, disa muaj më vonë, teksa në pranverën e vitit 1872 e helmuan në Vjenë, ku po shërbente si ambasador i Perandorisë. Ndaj jo rastësisht Xhelal Pasha ishte njëri nga nxitësit dhe frymëzuesit e rebelimeve dhe kryengritjes së viteve 1843-1844, që shpërtheu në Kosovë dhe trevat lindore shqiptare kundër Reformave të Tanzimatit, të cilat në Shqipërinë e Veriut u shpallën zyrtarisht nga Porta e Lartë në vitin 1843. Fillimisht u rebeluan miqtë personalë të Xhelal Zogollit (bashkë me garnizonet e tyre në shumicë shqiptarë), që ishin Abdurrahman Pashë Tetova, Havzi Pashë Shkupi dhe vëllai i tij Husein Pashë Kustendili. Më pas rebelimet dhe kryengritja përfshinë kryeqendrat dhe qytetet e tre Vilajeteve (të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit), si Prizrenin, Prishtinën Gjakovën, Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Kumanovën, Preshevën, Bujanovcin, Vranjën, Kaçanikun, Leskovcin, Prizrenin, Shkodrën, Manastirin, Fushën e Pollogut dhe Ohrin në jug, e deri në skajet veriore e verilindore të Kosovës, në të cilat shqiptarët vendosën pushtetin e tyre, ndërsa garnizonet ushtarake turke u detyruan të mbylleshin në kështjellat e qyteteve.

Porta e Lartë hyri në bisedime me udhëheqësit e kryengritjes, të cilët kërkuan njohjen e Autonomisë së Shqipërisë, ashtu siç ishte njohur autonomia e Serbisë më 1830, por kërkesa nuk u pranua dhe bisedimet dështuan. Ndërkaq, Porta e Lartë shpalli amnistinë për ata që do të dorëzonin armët. Shpalli gjithashtu edhe se do të hiqte dorë nga rekrutimi i nizamëve dhe nga tatimet e reja, por nga ana tjetër përqendroi në Manastir 32 mijë ushtarë të komanduar nga Omer Pasha, që më 18 maj kaluan në mësymje kundër kryengritësve dhe i detyruan ata të tërhiqeshin drejt Shkupit, Tetovës, Kumanovës, Karadakut (Mali i Zi) dhe Shkupit.

Pas luftimesh të përgjakshme që vazhduan 6 muaj, në korrik 1844 kjo kryengritje u shtyp dhe Shqipëria, sipas dëshmive të bashkëkohësve, trajtohej më shumë si vend i porsapushtuar sesa si provincë e Perandorisë.

Por në vjeshtën e vitit 1844 shpërtheu kryengritja në Sanxhakun e Dibrës dhe forcat e komanduara nga Rexhep pashë Tetova u thyen nga kryengritësit në fushën e Mavrovës. Pas këtyre zhvillimeve Stambolli hodhi në këtë krahinë ushtri të shumta, të komanduara nga Hajredin Pasha. Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën në nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushën e Gjoricës, që u drejtua nga miku i Xhelal Pashës, Sheh Mustafa Zerqani. Në kuvend u vendos të mbroheshin të drejtat e autonomisë lokale, që popullsia gëzonte prej kohësh.

Kuvendi i bëri thirrje për t’u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë së krahinave të Kosovës, të Mirditës, të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta po mblidhte forca për t’i hedhur kundër tyre. Gjatë muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive Otomane të komanduara nga Hajredin Pasha. Por përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri kryengritësit u tërhoqën në luginën e lumit Drin.

Luftimet e përgjakshme vazhduan edhe një muaj dhe më në fund kryengritja u shtyp me terror dhe djegie e rrafshime në mbarë krahinën. Sipas raportit të një diplomati francez në Janinë, madje edhe gra dhe fëmijë morën pjesë në beteja. Por ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në fundvitet ‘50 të shekullit XIX, poashtu si edhe trevën e Shkodrës.

Mirëpo në maj të vitit 1845 rreth 8 mijë malësorë të krahinës së Gjakovës u ngritën kundër qeveritarit të saj dhe e detyruan atë të largohej nga qyteti për në Prizren. Kryengritja u përhap në viset malore të Rekës, të Bytyçit, të Gashit, të Tropojës dhe të Krasniqes, që u ngritën nën udhëheqjen e Binak Alisë, Niman Ukës – Bajraktar i Bytyçit, dhe të Sokol Ramit. Por Valiu i Rumelisë Mehmet Reshit Pasha e shtypi me gjak rebelimin. Paskëtaj Porta e Lartë shpalli amnistinë për 2 mijë kryengritësit që ndodheshin të burgosur në Stamboll pas shtypjes së kryengritjeve të dy viteve të fundit, dhe në sigurimin e kësaj amnistie roli i Xhelal Pashës ishte vendimtar.

Pas qetësimit të situatës, qyteti i Gjakovës u bë seli e konsullatave të Fuqive të Mëdha.

Xhelal Pasha dhe lufta turko-malazeze 1852-1853

Pas refuzimit për të paguar taksat dhe sidomos pas ndihmës së gjithanshme që Princi Danillo i Parë Petroviç Njegosh (i rritur dhe i edukuar në Shën Petërburg dhe i mbështetur nga Rusia), u jepte kaçakëve hercegovinas kundër otomanëve, në nëntor 1852 Porta e lartë vendosi ta sulmojë ushtarakisht Cetinën, kryeqendrën e Principatës Autonome të Malit të Zi.

Në këtë ekspeditë ushtarake me kryekomandant Omer Pashë Latasi-n (guvernatori i Bosnje-Hercegovinës), Porta e Lartë angazhoi 33 mijë trupa. Nga këto trupa, vetëm 17.400 komandoheshin direkt nga Omer Pasha dhe zëvendësi i tij Osman Pasha (Veziri i Shkodrës), sepse 7 mijë trupa komandoheshin nga Selim bej Tivari, ndërsa 8.600 të tjerat komandoheshin nga Mustafa Pasha dhe Ismail Pasha.

Kjo ushtri u përball me 9 mijë luftëtarë malazezë të rekrutuar nga 7 fiset dhe klanet kryesore të Malit të Zi. Në këtë përballje të pabarabartë otomanët sulmuan në 4 kollona Cetinën, Nikshiqin, Podgoricën dhe Grahovin. Malazezët rezistuan heroikisht për afro 6 muaj, por në fund u shpartalluan dhe qytetet kryesore ranë në duart e Omer Pashës. Mirëpo Rusia, Austria dhe Franca protestuan me forcë dhe Porta e Lartë u detyrua të futej në bisedime me Princin Danillo, në prani të emisarëve diplomatikë rusë dhe austriakë. Në këto bisedime Porta dërgoi si negociator Xhelal Pashë Zogollin, i cili i zhvilloi dhe i përmbylli bisedimet me aftësi të rrallë, duke u evidentuar si diplomat tejet i vlerësuar nga Vjena dhe Shën Petërburgu, që e “përzgjodhën” atë si partner të preferuar në kontaktet diplomatike, për shkak të zbulimit tek ai të prirjeve autonomiste dhe separatiste, si dhe dëshirës për të bashkëpunuar me çdo Fuqi europiane dhe faktor ballkanik që do të konsideronin të drejtën e kombit shqiptar për Autonomi administrativo-territoriale nga Porta e lartë, në të gjitha trevat etnike shqiptare.

Me këtë rast, Vjena dhe Shën Petërsburgu, të interesuara për shpërbërjen e Perandorisë Otomane, e ftuan Xhelal Pashën për vizitë zyrtare, apo të fshehtë, në momentet më të përshtashme. Vizita që ai mundi t’i realizojë dhe të shpërfaqë idetë e bashkëpunimit, të respektimit dhe përmbushjes së interesave reciprokë, kombëtarë dhe shtetërorë.

 Xhelal Pasha, Rusia dhe Serbia

Kriza Lindore, dobësimi i Turqisë, dhe sidomos suksesi i shpejtë i Beogradit, i mundësoi Xhelal Pashë Zogut nxitjen dhe shpërthimin e kryengritjes së shtatorit 1864 në Vilajetin e Kosovës, në krahinat e Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës.

Porta e Lartë u tmerrua dhe dërgoi 10 mijë ushtarë për shtypjen e saj. Mirëpo Fuqitë e Mëdha ndërhynë për shuarjen e gjakrave dhe me këtë rast i kërkuan Turqisë miratimin për vendosjen e konsullatave të tyre në Shkodër dhe Prizren, për të ndjekur nga afër vazhdimin e zhvillimeve paqësore.

Bazuar në vlerësimet superlative në adresë të Xhelal Pashës si faktori më i fuqishëm shqiptar i kohës për aksion politiko-ushtarak kundër Turqisë, ambasadori rus në Stamboll, Nikollai Petroviç Ignatijev, në janar 1866, i kërkoi Shën Petërburgut që të ndikonte tek Beogradi që të lidhej sa më parë me Xhelal Pashën për të bashkërenduar veprimet kundër Turqisë.

Xhelal Pasha, me një plan paraprak të përgatitur dhe të pjekur prej kohësh, me anë të emisarit personal, ortodoksit shqiptar Naum Sidi, në mars 1866 i dërgoi Princit Mihajllo një letër ku parashtrohej plani që ai mendonte për luftën e shqiptarëve kundër Turqisë me mbështetjen e Beogradit. Sipas këtij plani, Serbia duhej të armatoste dhe furnizonte me gjithçka shqiptarët e krahinave në kufijtë e atëkohshëm të saj: Nishit, Pirotit, Prokupljes, Vranjës, Kurshumlisë, Toplicës, Kosanicës, Leskovcit, Leposaviqit, Sanxhakut dhe Novi Pazarit, për të shpërthyer kryengritjen antiosmane.

Por përgjigjia ishte se serbët nuk ishin të përgatitur për një gjë të tillë, dhe se Xhelal Pasha mund të merrte një përgjigje më të saktë në të ardhmen.

Kjo përgjigje e futi në dyshime të arsyeshme Xhelal Pashën dhe e ftohu besimin e tij në një ndihmë të serbëve. Dhe nuk gabohej sepse, sipas Naçertanies, Serbia nuk mund të armatoste shqiptarët- shumicë të këtyre krahinave, të cilat ishin të parat që do të përvetësoheshin më vonë e do të përdoreshin për rritjen territoriale të Serbisë, që asokohe shtrihej në vetëm 37 mijë km.2, kryesisht në krahinën e Rashkës së vjetër.

I alarmuar, ambasadori serb Jovan Ristiç (më vonë ministër i Jashtëm), nga Stambolli i shkruante Garashaninit: “Ne gabojmë nëse me kaq lehtësi nënvleftësojmë dhe anashkalojmë personalitete dhe fise të mëdha shqiptare, të cilët Porta e Lartë kurrë nuk ka mundur t’i mposhtë, apo t’ua zbusë qëndrimet pa dëshirën e tyre. Një popull dhe fise të tillë luftëtarësh që numërojnë mbi 1 milionë e gjysëm, e meritojnë plotësisht dhe pa ngurrim vëmendjen tonë”.

Pas kësaj letre, Garashanini menjëherë dërgoi emisarin e tij Stojan Vezenkoviç në trevat shqiptare, për të kontaktuar me krerët e fiseve të shquara në rezistencën antiturke, për të propaganduar tek ata nevojën e vënies në kontakt dhe nën udhëheqjen e Xhelal Pashës për një kryengritje të madhe kundër Portës së Lartë.

Poaq i alarmuar ambasadori rus në Stamboll i shkruante Carit se në planet e Rusisë roli i Xhelal Pashës dhe i fiseve shqiptare të dalluara në luftërat dhe kryengritjet kundër Portës së lartë ishte vendimtar për çrrënjosjen e saj nga trevat ballkanike.

Shtetet ortodokse sërish kundër shqiptarëve

Me autorizim të Beogradit dhe Athinës, ambasadori i Serbisë në Stamboll, Ristiç, dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Delijanis, në janar 1867 nënshkruan një marrëveshje të fshehtë në Stamboll, sipas së cilës të dy vendet binin dakord që Serbia të aneksonte Bosnje-Hercegovinën dhe “Serbinë e Vjetër”, domethënë Nishin, Pirotin, Prokupljen, Vranjën, Kurshumlinë, Toplicën, Kosanicën, Leskovcin, Leposaviqin, Sanxhakun, Novi Pazarin dhe mbarë vilajetet e Kosovës e të Manastirit, ndërsa Greqia të aneksonte Epirin e Veriut e të Jugut, Thesalinë dhe ishujt e Arqipelagut të Egjeut. Pjesa tjetër e trojeve shqiptare, duke mos përfshirë këtu ato që synoheshin të aneksoheshin nga Mali i Zi me ndihmën e Rusisë, mund të lejoheshin të bashkoheshin për të formuar një shtet të pavarur shqiptar.

Disa muaj më vonë, konform kësaj marrëveshjeje të cilën e miratoi në parim, Rusia i kërkoi me forcë Turqisë njohjen e Autonomisë së popujve të krishterë të Perandorisë turke, dhe ndarjen e pjesës europiane të saj në 4 provinca të mëdha autonome, sipas karakterit fetar dhe aspak sipas atij etnik. Dhe konkretisht: sipas memorandumit të kancelarit rus Gorshakov, Shqipëria e Veriut dhe Kosova duhet të bashkoheshin me Bosnje-Hercegovinën me popullsi sllave; kurse Shqipëria e Jugut e banuar nga shqiptarë në shumicë myslimane dhe pjesërisht otodoksë, bashkë me Thesalinë dhe Vilajetin e Janinës, të banuara me shumicë nga ortodoksë shqiptarë dhe më pak myslimanë, sipas memorandumit, duhet të bashkoheshin me krahinat e tjera të Mbretërisë së Greqisë.

Xhelal Pasha këmbëngul…

Për shkak të dyshimeve të bazuara, Porta e Lartë vendosi ta mbikqyrë rreptë Xhelal Pashën dhe më në fund i propozoi postin e Guvernatorit të Kurdistanit, por ai refuzoi kategorikisht.

Duke këmbëngulur në realizimin e planeve të tij për organizimin e kryengritjes kundër Portës, Xhelal Pasha i kërkoi rekomandim të shkruar mikut të tij Mustafa Pashës së Egjiptit, për të takuar Napoleonin III në Paris, me qëllim sigurimin e mbështetjes së Francës. Por Porta e Lartë e emëroi Vezir në Bosnje-Hercegovinë, me ç’rast Xhelal Pasha mori mesazhin se jeta e tij rrezikohej seriozisht.

Pasi mori një rekomandim plot superlativa prej ambasadorit serb në Stamboll, Jovan Ristiç, Xhelal Pasha mori në dorëzim detyrën në Sarajevë dhe menjëherë shkoi në Beograd në dhjetor të vitit 1868, për të biseduar lidhur me kryengritjen shqiptare me ndihmën e Serbisë, gjithmonë sipas planit të parë, për të cilin këmbënguli se kish ardhur koha.

Beogradi e refuzoi me elegancë planin e tij dhe i kundërpropozoi Xhelal Pashës realizimin e kontakteve të përgatitura nga serbët me krerët e krahinave të Rozhajës dhe të Pejës, për organizimin e kryengritjes. Por Xhelal Pasha kundërpropozoi ndihmën e Serbisë për organizimin e kryengritjes në krahinat e Matit e Dibrës, në të cilat kishte ndikim absolut.

Serbët nuk mund të refuzonin, ndaj dhe pranuan që për detajet të dërgonte njerëzit e tij të besuar në Beograd, pasi në çdo mënyrë tjetër kontakti dypalësh, jeta e tij vihej në rrezik.

Për këtë arsye, në shkurt 1869, Xhelal Pasha dërgoi në Beograd një dërgatë prej tre krerësh matjanë dhe dy dibranë, përkatësisht: Ahmet Xhetanin, Nezir Isufin, Merrë Kolecin dhe Kurt Alinë e Hasan beun.

Për suksesin e këtyre bisedimeve interesohej vetë Cari, që dërgoi në Beograd, si ndërmjetës, diplomatin Ignatijev.

Palët ranë dakord në parim dhe dërgata shqiptare u zotua për fillimin e kryengritjes.

Por informacioni rrodhi dhe garnizonet turke në mbarë Shqipërinë e Mesme u vunë në gjendje alarmi dhe gatishmërie të plotë, duke realizuar dështimin e planit.

Në këto kushte dhe situata befasuese, Xhelal Pasha i kërkoi Beogradit rikthimin në negociata të planit të tij të parë. Beogradi nuk mund të refuzonte negociatat dhe i kërkoi Xhelal Pashës që bisedimet të bëheshin në një vend asnjanës, për të ruajtur jetën e tij, dhe për këtë u ra dakord që takimi dypalësh të bëhej në Zvicër, në mars 1869, për ku Xhelal Pasha udhëtoi me pasaportë dhe identitet të ndryshuar.

Por takimi dështoi për shkak të refuzimit të Beogradit për të ndihmuar një kryengritje të shqiptarëve të trevave kufitare me Principatën e Serbisë.

Sapo mësoi për marrëveshjen e fshehtë serbo-greke të janarit 1867 për ndarjen e trojeve shqiptare dhe aneksimin e shumicës së tyre nga Serbia dhe Greqia, Xhelal Pasha refuzoi menjëherë dhe kategorikisht vazhdimin e mëtejshëm të kontakteve me Beogradin, për çka vuri në dijeni Ristiçin, me ç’rast edhe e akuzoi Serbinë për “tradhti” dhe “thikë pas shpine ndaj interesave të shqiptarëve”.

Pranoi të rikthehej në Stamboll, ku Sulltani e emëroi në një post të lartë ushtarak.

Vdiq në Vjenë i helmuar nga otomanët, të cilët e varrosën me nderime të mëdha në Stamboll, në “Haxhi Badem Uskunda”, ku edhe sot ndodhet varri i tij me një pllakë përkujtimore ku është skalitur një tekst plot superlativa.

Riza Pashë Zogolli

Kriza e Tretë Lindore dhe shqiptarët

Fillimi i Krizës Lindore i gjeti shqiptarët në marrëdhënie të acaruara me Portën e Lartë, ngaqë asnjëra nga kërkesat e ngritura ndër dekada prej tyre nuk ishte pranuar prej saj.

Shqipëria nuk gëzonte asnjë të drejtë kombëtare dhe me masat që Porta kishte ndërmarrë pasi shpalli dekretin e dytë të Tanzimatit (Hatt-i Humayun, i vitit 1856), gjendja e Shqipërisë u keqësua edhe më shumë.

Ngritja e shkollave shqipe vijonte të ishte e ndaluar, në një kohë kur rrjeti i shkollave të huaja në trojet shqiptare po zgjerohej nga viti në vit.

Trevat etnike shqiptare qëndronin të copëtuara ndërmjet 4 vilajeteve të ndryshme, dhe me këtë copëtim Porta e Lartë vijonte t’ua mohonte atyre karakterin etnik shqiptar.

Shqiptarët kishin filluar të bindeshin se shpëtimi i vendit të tyre mund të arrihej vetëm me një kryengritje të përgjithshme dhe me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë shqiptar, ose, siç shprehej një vëzhgues i huaj, të një principate të lirë shqiptare.

Kriza e Tretë Lindore i gjeti shqiptarët të rrethuar nga mospërfillja e Fuqive të Mëdha, teksa asnjëra syresh nuk ishte shprehur publikisht për njohjen e të drejtave të tyre kombëtare, ngaqë nuk dëshironin që të prishej status quo-ja në Gadishullin Ballkanik.

Kriza Lindore e ktheu mundësinë e copëtimit të Shqipërisë, nga një rrezik potencial, në një rrezik real.

Në këto rrethana qarqet politike shqiptare i vunë vetes si qëllim të vijonin përpjekjet për të arritur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet autonom në kuadrin e Perandorisë Otomane, zgjidhje kjo që nuk e cenonte politikisht status quo-në Ballkan.

Krijimi i një vilajeti autonom shqiptar u bë kështu, në fillim të Krizës Lindore, program i përbashkët politik, si për atdhetarët më radikalë rilindas, ashtu edhe për qarqet atdhetare të moderuara.

Në mbledhjen e parë, që u mbajt në Stamboll më 18 dhjetor 1877, u krijua Komiteti i Stambollit, kryetar i të cilit u zgjodh Abdyl Frashëri, ndërsa anëtarë ishin Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, etj…

Në programin politik të Komitetit të Stambollit përfshiheshin tezat e organizimit të kryengritjes së armatosur kundërotomane dhe krijimi i shtetit kombëtar shqiptar.

 Kriza Lindore dhe arena ballkanike

Në vitin 1876, Serbia dhe Mali i Zi, me dijeninë dhe ndihmën e Rusisë sulmuan bashkërisht

Bosnje-Hercegovinën për ta ndarë, ndërsa Serbia sulmoi sanxhakun e Novi Pazarit, për ta aneksuar.

Ushtria turke u kundërpërgjigj duke i shkatërruar ushtritë serbo-malazeze dhe iu drejtua Beogradit. Rusia ndërhyri menjëherë duke i shpallur luftë Turqisë dhe duke nisur trupat drejt Stambollit, nëpërmjet territorit të Rumanisë.

Anglia, Austria dhe Franca ndërhynë me shpejtësi duke paralajmëruar Rusinë. Madje kryeministri i Anglisë Lordi Bikonsfild (Dizraeli), përkrahës i flaktë i Perandorisë Otomane, e kërcënoi Carin me luftë.

Në mars 1877 Serbia u detyrua të nënshkruajë me Portën një rikthim tek Statu quo-ja e para konfliktit, sidomos kur mësoi se Rusia i kish premtuar Austrisë ndihmën për aneksimin e Bosnje- Hercegovinës.

Në dhjetor 1877 Cari nisi marshimin drejt Stambollit. Më 4 janar 1878 rusët pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit.

Menjëherë flota angleze u fut në detin Marmara dhe kërcënoi ushtrinë ruse. Rusia kërkoi armëpushim në janar 1878 dhe bisedimet e Paqes ruso-turke filluan në Shën Stefan, pranë Stambollit.

Në fund të bisedimeve të dy palët nënshkruan të famshmin Traktat të Shën Stefanit, më 3 mars 1878.

Sipas Traktatit, Bullgaria merrte trevat shqiptare të Kaçanikut, Shkupit, Ohrit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Dibrës, Korçës, Bilishtit dhe Kosturit. Sanxhaku i Novi Pazarit i jepej Austrisë, ndërsa Nishi shqiptar i jepej Serbisë bashkë me nja 375 km2 troje të tjera shqiptare, ndërkohë që Serbia e Mali i Zi përfundimisht shpalleshin shtete të pavarura.

Sapo u bënë të ditura vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, të gjithë fqinjët e shqiptarëve dolën kundër: Mali i Zi ankohej se nuk kishte dalje në det, ndërsa Serbia ankohej se kish marrë shumë më pak territore nga shqiptarët, nga sa mendonte se meritonte. Por frika se Rusia i kishte futur fort kthetrat në Ballkan, i detyroi Fuqitë e Mëdha të kërkonin zhvillimin e një Kongresi për rishikimin e vendimeve të Shën Stefanit, kongres që u vendos të mblidhej në Berlin, në qershor 1878.

Nga vendimet e Kongresit të Berlinit shqiptarët humbën Novi Pazarin që iu dha Austrisë, por humbën edhe Nishin, Pirotin dhe Vranjën (rreth 500 km2), që iu dhanë Serbisë.

Mali i Zi të cilit i trefishohej sipërfaqja nëpërmjet aneksimit të trojeve shqiptare, do të përfshinte brenda kufijve të tij një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës, por edhe Nikshiqin dhe Tivarin, duke siguruar përfundimisht Cetinës dalje në detin Adriatik.

Në vitin 1881 Fuqitë e Mëdha e detyruan Portën që t’i japë Greqisë gjithë Thesalinë, Epirin e Jugut dhe Artën me Prevezën, që në tërësi zinin 13.400 km2 dhe kishin 800 mijë banorë, ndërkohë që e gjithë Greqia asokohe kishte vetëm 1.7 milionë banorë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Tre ditë para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, më 10 qershor 1878, afro 110 krerë- përfaqësues nga më të shquarit e 4 vilajeteve shqiptare u tubuan një Prizren dhe shpallën krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nën shembullin e Lidhjes së Lezhës të Skënderbeut.

Kuvendi i Lidhjes i dërgoi një memorandum Kongresit të Berlinit, në të cilin deklaronte se: kish shpallur Autonominë e Shqipërisë; se nuk njihte asnjë vendim për aneksim nga fqinjët të territoreve shqiptare brenda Perandorisë Otomane, dhe se; në rast të kundërt, do t’i mbronte me gjak trojet etnike shqiptare.

Fuqitë e Mëdha e injoruan memorandumin dhe e konsideruan Lidhjen si manovër politike të Stambollit për të ruajtur sa më shumë territore shqiptare.

Lidhja zgjodhi strukturat drejtuese të saj. Në postin e Kryetarit dhe si komandant të Përgjithshëm të ushtrisë zgjodhi Iljaz Pashë Dibrën (Çoku). Si Sekretar të Përgjithshëm zgjodhi Riza Pashë Zogollin, ndërsa si përfaqësues diplomatik pranë Fuqive të Mëdha zgjodhi Abdyl Frashërin.

Pas tre vjet luftërash dhe funksionimi me atributet e një qeverie, Porta e Lartë e shtypi Lidhjen dhe arrestoi e dënoi me gjyq dhe vendime të rënda 4 mijë pjestarë të saj, me në krye Abdyl Frashërin.

Riza Pashë Zogolli dhe Lidhja e Prizrenit

Edhe vëllai i Xhelal Pashës, Riza Pashë Zogolli, ishte një personalitet i shquar, i nderuar dhe shumë i edukuar. Ai vazhdoi rrugën atdhetare të Xhelal Pashës, që i kish lënë si trashëgim një reputacion të shkëlqyer dhe mjaft miq e përkrahës, çka mundësoi që, njëzëri dhe me meritë të padiskutueshme, të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Gjatë gjithë jetës ai ishte dhe mbeti një atdhetar i flaktë për të drejtat e popullit shqiptar.

Shtëpia e tij ishte gjithmonë e mbushur me atdhetarë dhe personalitete të shquar, vendas e të huaj, që e vlerësonin shumë mendimin dhe kontributin e tij për kombin.

Madje shumica e veprimtarive dhe përgatitjeve për çdo lëvizje në favor të Autonomisë bëheshin në shtëpinë e tij dhe ideohej e financohej prej tij.

Riza Pashë Zogolli, si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes kishte vulën e vendimit për çdo veprim politiko-ushtarak të saj. Ai ishte energjik, tejet inteligjent, i shpejtë dhe efikas në vendimmarrje dhe veprime.

Ishte Riza Pasha ai që urdhëroi vrasjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit dhe Abdulla Pashë Drenit më 6 shtator 1878 në Gjakovë, duke i dhënë Portës së Lartë provën e vendosmërisë së Lidhjes për ta çuar deri në fund luftën dhe vendimet e saj për shpëtimin e Shqipërisë. Madje beteja e Gjakovës dhe vrasja e dy Pashallarëve, sidomos ajo e Pashë Maxharit që ishte i dërguari i Sulltanit, tregoi se Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë krejtësisht e pavarur nga Porta e Lartë.

Porta e Lartë e la në heshtje përkohësisht përleshjen e Gjakovës, duke ua ngarkuar përgjegjësinë e gjakderdhjes disa personave të “papërgjegjshëm”, kundër të cilëve deklaroi se do të merreshin masa në kohën e duhur. Dhe si “person kryesor të papërgjegjshëm” kishte parasysh Riza Pashë Zogollin.

Pasi analizoi gjendjen e re politike, Komiteti i Stambollit, në mbledhjen e fshehtë që zhvilloi nën kryesinë e Abdyl Frashërit, vendosi ta ngrinte me forcë para Portës së Lartë çështjen e formimit të Vilajetit Shqiptar. Vendimi i Komitetit u shpall botërisht si lajm, pa emër autori, më 27 shtator 1878, në gazetën “Terxhuman-i Shark”, që botohej në Stamboll nën drejtimin e Sami Frashërit.

Sipas këtij lajmi, Lidhja Shqiptare kishte hartuar një program prej 7 pikash. Në pikën e parë thuhej se sovraniteti i Sulltanit do të ruhej në Shqipëri dhe se asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nuk duhej t’u jepej shteteve të tjera. Në pikën e dytë kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë, domethënë bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative. Pikat e tjera trajtonin prerogativat autonomiste dhe parimet kushtetuese që duhej të kishte ky vilajet.

Pasi programi i ri u shpall botërisht, u ftuan të gjitha degët e Lidhjes së Prizrenit që ta miratonin dhe të ngarkonin një delegacion të përbërë nga personalitete shqiptare të njohura për t’ia paraqitur atë Portës së Lartë.

Nën ndikimin e Riza Pashë Zogollit, fillimisht programi në fjalë u shtrua për diskutim në degën e Lidhjes Shqiptare për sanxhakun e Dibrës, më 14 tetor 1878, në një kuvend të jashtëzakonshëm.

Rezoluta që doli nga ky Kuvend do t’i nënshtrohej një diskutimi më të gjerë në një kuvend të posaçëm, në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të sanxhakut.

Kuvendi i posaçëm i Lidhjes u mblodh më 1 nëntor 1878 në qytetin e Dibrës, me nismën e Komitetit të Lidhjes Shqiptare për të dyja Dibrat dhe veçanërisht të kryetarit të saj, Iljaz Pashë Dibrës (Qoku) dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes, Riza Pashë Zogollit.

Në fund të vitit 1878, Porta e Lartë vendosi t’i zbatonte detyrimet territoriale kundrejt Malit të Zi.

Vendimi i Stambollit ngriti përsëri në këmbë shqiptarët, të cilët u bënë gati për luftë, meqenëse Plava e Gucia bënin pjesë në vilajetin e Kosovës.

Me revoltën e armatosur të Gjakovës dhe me aksionin diplomatik të pranverës së vitit 1879, Lidhja Shqiptare ia hoqi Portës së Lartë de facto të drejtën që të fliste në emër të Shqipërisë.

Pas vrasjes në Gjakovë të Mehmet Ali Pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë të përmbushte kundrejt Malit të Zi detyrimet territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit. Por knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë justifikim dhe kërkonte ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Otomane të dorëzonte krahinat e Plavës, Gucisë e të Rugovës, të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Malit të Zi.

Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali Pashë Gucisë, shpalli gjendjen e luftës për Plavën e Gucinë.

Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali Pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë.

Më 15 dhjetor 1879 u mblodh në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit Ndërkrahinor të Kosovës, i cili vendosi që ta kundërshtonte me armë deri në fund dorëzimin e kalasë së Gucisë. “Ne, banorët e Plavës e të Gucisë, – thuhej në memorandumin e miratuar nga Kuvendi, – nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona”.

Në janar 1880 shqiptarët shpartalluan ushtrinë malazeze në Plavë e Guci dhe u përgatitën për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës në pranverë 1880. Por pas luftimesh të pabarabarta i humbën të katër krahinat, pas shtypjes së Lidhjes.

Duke e vlerësuar Riza Pashë Zogollin si shumë të rrezikshëm për planet e Portës së Lartë dhe Malit të Zi, ai u vra bashkë me bashkëshorten, në një pritë të organizuar, teksa po kthehej nga Prizreni për në Mat, në vitin 1880.

Xhemal Pashë Zogolli

Xhelal Pashë Zogolli la pas si trashëgimtar legjitim Xhemal Pashën (babai i Mbretit Zog I). Xhemal Pasha, i lindur në vitin 1867, në vazhdën e paraardhësve, e qeverisi Matin me fisnikëri dhe shpirtmadhësinë karakteristike me të cilën ishte mbrujtur.

Xhemal Pasha, përveç bujarisë së rrallë, karakterit burrëror dhe këmbënguljes për ruajtjen e dokeve dhe traditave më të mira familjare e të trevës së Matit, kishte arritur të formonte një kulturë dhe përvojë të gjerë politike dhe administrative, cilësi të veçanta këto që e lartësonin në sytë e matjanëve dhe dibranëve, të cilët ushqenin për të një simpati dhe dashuri të skajshme.

Asokohe Xhemal Pashë Zogolli vazhdonte të ruante dhe të konsolidonte traditën atdhetare të Familjes, duke përkrahur veprimtarët e angazhuar për çështjen kombëtare, dhe pikërisht për këtë arsye shtëpia e tij ishte gjithmonë plot me miq dhe gëlonte si një fole e kombëtarizmit. Aty priteshin e përcilleshin, jo vetëm atdhetarët shqiptarë, por edhe miq të huaj evropianë, që ishin të interesuar për mëvehtësinë e Shqipërisë.

Por veprimtaria e parë me rëndësi madhore për çështjen kombëtare e Xhemal Pashës ishte nxitja, frymëzimi, ndihmesa në organizimin dhe financimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës së vitit 1899.

Kombi shqiptar në rrezik

Në fillimvitet ’90 të shekullit XIX, Lëvizja kombëtare shqiptare u ballafaqua me të ashtuquajturën “çështja maqedone”, e cila nuk ishte tjetër veçse një sajesë-artific i qarqeve fqinje pansllave e greke, për të grabitur trojet etnike lindore shqiptare dhe për të shtënë në dorë: korridorin strategjik të Vardarit që të nxirrte në portin poaq strategjik të Selanikut; korridoret strategjike që lidhnin Danubin me detin Egje, dhe; korridorin strategjik që lidhte detin Adriatik, nëpërmjet Rrugës Egnatia, me detin Egje dhe në vijim me Lindjen.

Për të përfituar me kosto minimale, fqinjët shovinistë shfrytëzuan faktin se “Maqedonia” nuk ekzistonte si njësi e veçantë administrative-territoriale e Perandorisë Otomane dhe nuk banohej nga një masë e vetme etnike-kombëtare.

Nisur nga këto interesa strategjikë të fqinjëve dhe të tutorëve të tyre europianë, kjo çështje njohu zhvillime të frikshme dhe tejet kërcënuese për çështjen kombëtare shqiptare.

Në shekullin XIX, territoret e Maqedonisë së kohës antike, sipas ndarjes administrative të vendosura nga Perandoria Otomane, përfshinin vilajetin e Selanikut dhe një pjesë të vilajetit të Manastirit, ku shqiptarët përfaqësonin numerikisht etninë më të madhe ndër 5 të tilla.

Në rrethana të tilla ndërhyrja e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në çështjen maqedone prekte drejtpërsëdrejti interesat kombëtarë të popullit shqiptar dhe cenonte tërësinë e trojeve të tij etnike.

Serbët, grekët dhe bullgarët organizonin dhe dërgonin banda të armatosura në viset shqiptare dhe në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës.

Bandat e tyre sulmonin popullsinë e fshatrave të krishtera shqiptare për t’i detyruar ato të braktisnin kombësinë e vet dhe të përqafonin kombësitë e fqinjëve.

Qëndrimi që Fuqitë e Mëdha mbanin ndaj çështjes shqiptare dhe politika e tyre ndaj Shqipërisë përcaktohej nga interesat respektive ekonomike e politike në këtë zonë dhe nga pozita gjeostrategjike e territoreve shqiptare, përmes të cilave kalonin rrugët tregtare, si edhe ato të një ekspansioni të mundshëm të këtyre fuqive drejt Lindjes së Mesme.

Rusia përkrahte synimet e shteteve sllave të Ballkanit për t’u zgjeruar duke pushtuar territoret shqiptare.

Austro-Hungaria synonte vilajetet shqiptare të Shkodrës, të Kosovës e të Manastirit dhe të dilte në Selanik.

Italia punonte për t’u zgjeruar drejt bregdetit shqiptar të Adriatikut e të Jonit, që zinin një pozitë kyçe në kanalin e Otrantos dhe për depërtimin në brendi të Ballkanit.

Vjena nxiste dhe përkrahte zhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe përpjekjet që bëheshin për zgjimin e tyre kombëtar. Në të njëjtën kohë ajo shfrytëzonte politikën pushtuese të shteteve sllave të Ballkanit ndaj Shqipërisë dhe rrezikun që përfaqësonte ajo për të ardhmen e saj, për të krijuar te shqiptarët bindjen se e vetmja rrugë shpëtimi ishte protektorati austro-hungarez mbi territoret shqiptare.

Shtetet evropiane, sidomos Austro-Hungaria, Italia e Franca, kishin ngritur në qytetet e vilajeteve shqiptare konsullatat dhe agjencitë tregtare, që u shërbenin jo vetëm marrëdhënieve me këto treva, por edhe synimeve politike të qeverive të tyre në Shqipëri.

Njohja nga afër e këtyre problemeve që kulmonin në sanxhaqet fqinjë me atë të Dibrës, e cila administrohej prej Zogollëve, e shtynë Xhemal Pashën në një veprimtari të ethshme kombëtariste në 3 vilajetet shqiptare që implikoheshin dhe rrezikoheshin nga “çështja maqedone”.

Lakmitë pushtuese të qeverive ballkanike, të nxitura edhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare, si edhe rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare i dhanë një shtytje luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit.

Qarqet shoviniste bullgare kërkonin të futnin në kufijtë e Bullgarisë, ose të Maqedonisë “autonome” të projektuar prej tyre në perëndim të vilajetit të Manastirit, deri edhe viset shqiptare të Drenovës (afër Korçës), dhe në veri-perëndim Dibrën sëbashku me një pjesë të Kosovës, deri në Kumanovë.

Propagandë të dendur për përhapjen e ideve kombëtare, në Shqipërinë e Mesme, në Dibër, në Ohër, në Strugë, në Elbasan, në Tiranë, në Krujë dhe në qendra të tjera, bënin miqtë e Xhemal Pashë Zogollit, atdhetarët Hamdi Ohri, Said Najdeni, Ibrahim Temo e Dervish Hima, ndërsa në Vilajetin e Kosovës e bënte atdhetari kosovar Haxhi Zeka.

Në këto rrethana, kur lindi përsëri rreziku i copëtimit dhe i aneksimit të tokave shqiptare, atdhetarët rilindës nëpërmjet peticioneve, protestave e memorandumeve që iu paraqitën në vitin 1896 Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha, shtruan një varg kërkesash, që synonin njohjen zyrtare të kombit shqiptar dhe të së drejtës së tij për mësimin e përdorimin e lirë të gjuhës amtare.

Lidhur me çështjen shqiptare, që zuri një vend të rëndësishëm në bisedimet austro-ruse, Vjena që synonte të kapte Adriatikun dhe Otranton, propozoi që të krijohej një shtet i pavarur shqiptar me emrin “Principata e Shqipërisë”, që do të përfshinte në kufijtë e vet tokat midis Janinës në jug dhe liqenit të Shkodrës në veri dhe do të kishte një shtrirje të “arsyeshme” në lindje. Por ky propozim u hodh poshtë nga Rusia.

Kriza Lindore nxiti më tej lakmitë e Beogradit, të Sofjes e të Cetinës “për të zgjidhur çështjen maqedone”, pra për të pushtuar territoret shqiptare dhe për të ndarë ato “sllave-maqedone”.

Të bindur se e vetmja rrugë për t’u bërë ballë ndërhyrjeve të shteteve fqinje në Shqipëri dhe për të siguruar autonominë e saj ishte organizimi i një lëvizjeje të përgjithshme kombëtare, atdhetarët rilindës dendësuan përpjekjet për ngritjen e ndërgjegjes politike të popullit shqiptar, për të ngulitur tek ai idenë e bashkimit e të organizimit.

Në kushte të tilla, atdhetarët rilindës arritën në përfundimin se para lëvizjes kombëtare ngrihej si detyrë e dorës së parë krijimi i një organizate të re, si ajo e Lidhjes së Prizrenit, që të përfshinte të gjithë vendin dhe të siguronte udhëheqjen e vetme të luftës për çlirimin kombëtar.

Në vitin 1895 Komiteti i Stambollit dërgoi tek Xhemal Pasha, në Sarajet e Burgajetit, një dërgatë të përbërë nga atdhetarë të afirmuar si Dervish Hima, Ibrahim Temo, Said Najdeni (Hoxhë Voka), Hamdi Ohri, etj., që të koordinonin veprimtarinë politiko-atdhetare dhe të siguronin financimet për lëvizjen kombëtare dhe kryengritjet e armatosura.

Problemet u futën në rrugën e zgjidhjes dhe qysh nga kjo kohë Sarajet e Zogollëve u shndërruan në seli ku ngjizeshin projektet për zgjidhjen e Çështjes kombëtare.

Nismën për krijimin e një organizate të tillë e morën qytetet kryesore të vilajetit të Kosovës, ndaj dhe në Pejë e në Gjakovë u zhvilluan mbledhje të përfaqësuesve dhe u hodhën bazat e një lidhjeje të re që u quajt “Besëlidhja Shqiptare”, organizator i së cilës ishte Haxhi Zeka.

Besëlidhja Shqiptare përcaktoi si kërkesë kryesore ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga rreziku i jashtëm.

Haxhi Zeka dhe drejtuesit e tjerë të Besëlidhjes punuan gjithashtu për të vënë në themel të saj kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, duke parashtruar si hap të parë drejt saj bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm.

Në pranverën dhe në verën e vitit 1897 gjendja në Shqipëri u acarua edhe më shumë për shkak të përqendrimit të forcave të mëdha ushtarake Otomane për shtypjen e lëvizjes kombëtare. Nëpërmjet vijës hekurudhore të Shkupit u dërguan në Mitrovicë 34 vagona me ushtarë.

Në maj 1897 popullsia e Pejës, e Prizrenit, e Prishtinës, si edhe ajo e Dibrës, e Tetovës dhe e Kërçovës në vilajetin e Manastirit, hynë në konflikt të armatosur me ushtritë Otomane.

Në të katër vilajetet shqiptare, në gushtin e vitit 1897, u arrestuan 300 atdhetarë shqiptarë, të akuzuar për organizimin e kryengritjes, të cilët u dërguan në shkretëtirat e Anadollit.

Në nëntor të vitit 1897, një kryengritje e udhëhequr nga Haxhi Zeka përfshiu Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Gucinë, Prishtinën, Tetovën dhe qendra të tjera të vilajetit të Kosovës. Nga 15 nëntori e deri në fundin e tij në rrethet e Pejës, të Prizrenit, të Gjakovës e të Prishtinës u zhvilluan, thuajse çdo ditë, përleshje të përgjakshme ndërmjet kryengritësve dhe ushtrisë Otomane.

Në nëntor të vitit 1897, Haxhi Zeka dhe ithtarët e tij parashtruan në këtë tubim kërkesën e Autonomisë së Shqipërisë.

Përpjekjet e shqiptarëve për t’u bashkuar në një Besëlidhje të përgjithshme, si edhe qëndresa e tyre kundërosmane për autonominë e Shqipërisë, ndeshën në qëndrimin armiqësor të shteteve fqinje ballkanike dhe u pritën me shqetësim edhe nga Fuqitë e Mëdha. Këto të fundit nuk e përkrahën lëvizjen shqiptare për formimin e një shteti autonom, sepse e shihnin atë si një faktor që do të prishte status quo-në në Ballkan e në Lindjen e Afërme, si dhe ekuilibrin midis tyre.

Lidhja Shqiptare e Pejës 1899

Gjatë vitit 1898, ndërsa Porta e Lartë vazhdonte të shtypte me të njëjtën ashpërsi lëvizjen shqiptare, atdhetarët rilindës e intensifikuan veprimtarinë e tyre. Por Porta e Lartë nuk qe në gjendje të shtypte qëndresën e shqiptarëve dhe t’i çarmatoste ata, teksa në muajin gusht kryengritja përfshiu përsëri Pejën, Gjakovën dhe zonën përreth.

Fillimi po në këtë kohë i bisedimeve ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për të ndarë tri vilajetet: të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut, e acaroi edhe më shumë situatën politike në Ballkan dhe në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjera të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Vuçiternë, në Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar një Lidhje të re.

Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall Lidhja e Pejës, kryetar i së cilës u zgjodh Haxhi Zeka.

Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash.

Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit.

Në rast lufte u vendos të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë; forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës do të ruanin kufirin me Malin e Zi.

Në Kuvendin e Pejës u vendos të kërkohej Autonomia e Shqipërisë dhe emërimi i Haxhi Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë.

Rëndësi e veçantë nga ana e Lidhjes iu kushtua krijimit të ushtrisë shqiptare, në radhët e së cilës menjëherë pas Kuvendit hynë më shumë se 15 mijë vullnetarë.

Por Lidhja e Pejës u shtyp me gjak nga Porta e Lartë.

Lidhja e Dibrës dhe Xhemal Pasha

Më 27 shkurt 1899, me shtysën e Xhemal Pashë Zogollit dhe iniciativën e Said Najdenit, në Dibër u zhvillua një kuvend i ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Pejës të janarit 1899, të kryesuar nga Haxhi Zeka.

Në këtë Kuvend të Dibrës morën pjesë mbi 1500 delegatë nga vise të Shqipërisë së Veriut dhe të Shqipërisë së Mesme. Kuvendi mori të njejtat vendime dhe miratoi nje rezolutë me tekst të njejtë me atë të Kuvendit të Pejës.

Meqë në njërën nga vendimet e Kuvendit të Dibrës ishte edhe hapja e shkollave shqipe në territorin e Dibrës, Hoxhë Voka e deklaroi hapur për këtë angazhim edhe mbështetjen personale të Xhemal Pashë Zogollit, por edhe të atdhetarëve të shquar Sali bej Dohoshishti dhe Abdurahman Salihut, duke hapur në vitin 1900, për herë të tretë, një shkollë për mësimin e gjuhës amtare. Por kjo shkollë sërish shumë shpejt u mbyll nga autoritetet.

Në vitin 1903, Hoxhë Voka (Said Najdeni), ndërmori një udhëtim të vështirë për në Tripoli, ku do të hartohej programi për një kryengritje shqiptare. Në këtë mbledhje Said Hoxha përfaqësonte Dibrën dhe Kosovën, Refik Toptani përfaqësonte Shkodrën dhe Ismail Qemali përfaqësonte Janinën. Mbledhja kryesohej nga Xhemal Pashë Zogolli. Lajmi për këtë takim të përfaqësuesve shqiptarë e tronditi Portën e Lartë.

Hoxha me ndihmën e miqve arriti të kthehet në Tiranë, por ky udhëtim ia kishte përkeqësuar shumë shëndetin dhe sapo u kthye në Dibër ra në shtrat dhe nuk arriti të çohet më.

Për sëmundjen e tij na informon edhe Ismail Qemali në kujtimet e veta, kur shkruan: “Një nga miqtë e mi më të vjetër shqiptarë, Said Efendiu, me rastin që shkonte në Tripoli, erdhi të konsultohej në Romë, për të patur një marrëveshje me Mareshal Rexhep Pashën. U kthye pas pak kohësh nga Tripoli shumë i vrarë, nga një sëmundje që e shqetësonte prej kohësh. U bë një konsultë me mjekët më të mirë të Romës, por ishte një sëmundje e pashërueshme. Arriti të marrë pak forca, dhe shkoi në qytetin e tij të lindjes, në Dibër, ku vdiq pak ditë më vonë.”

Xhemal Pasha dhe shkollat shqipe

Në librin e saj “Në fillimet e nacionaliznmit shqiptar”, autorja franceze Nathalie Clayer shkruan: “Fuat bej Toptani nga Tirana i bëri të ditur konsullit austro-hungarez August Kral në Manastir për bisedimet që Xhemal Pasha i Matit dhe Salih beu kishin patur me Qeverinë për shkaqet e mos’hapjes së shkollave shqipe dhe Xhemal Pasha i kërkonte Austro-Hungarisë që të tregohej e gatshme t’i ndihmonte. Nga na tjetër Xhemal Pasha ishte i afërm i Fuat beut dhe Dervish beut nga Elbasani (Biçakçijtë). Po ashtu, abati mirditor i komunikonte përfaqësuesve austro-hungarezë në Shkodër kërkesën që Xhemal Pasha i kishte bërë Austro-Hungarisë që të ndihmonte në hapjen e shkollave duke dhënë para, libra dhe mbrojtje karshi qeverisë Otomane. Një tjetër person që përdori personalitetin e Xhemal Pashës ishte Ismail Qemal bej Vlora. Në korrik 1903 ai hyri në kontakt me të dhe me abatin e Mirditës, duke u kërkuar të viheshin në krye të një lëvizjeje për Autonominë administrative të Shqipërisë. Fjala ishte për të krijuar një Shqipëri të madhe autonome, integriteti territorial i së cilës do të garantohej karshi bullgarëve dhe serbëve. Ky program duket se u prit mirë në Dibër. Paria lokale atje do të dërgonte më pas Said Najdenin pranë Ismail Qemalit, i fshehur si dervish, për të mësuar më shumë për këtë çështje”.

Tentativa e Xhemal Pashës për kryengritje në vitin 1903

Në vitin 1903, Xhemal Pashë Zogolli, bashkë me mjaft kombëtaristë shqiptarë përgatiti një kryengritje për pavarësimin e Shqipërisë, dhe fillimisht veproi e u lidh me parinë e Dibrës, e cila e pranoi me kënaqësi propozimin. Për këtë qëllim, me anë të Said Najdenit, Xhemal Pasha u mundua të siguronte bashkëpunimin e disa krerëve në Manastir dhe Kërçovë, si dhe atë të Mareshalit Rexhep Pashë Mati, komandant ky i Ushtrisë Otomane në Libi dhe njëkohësisht Vali i Tarabulluz-Garbit.

Si ndërlidhës me Rexhep Pashë Matin ishte Xhaferr Beg Breshtani dhe gjithçka ishte organizuar në rregull dhe konform planit të kryengritjes, për të cilën pritej vetëm dita dhe ora e caktuar.

Mareshali Rexhep Pashë Mati kishte kërkuar nga Porta e Lartë një autorizim për të zhvilluar një manovër detare dhe tokësore, dhe më së fundi arriti të autorizohej për ta bërë këtë manovër.

Asokohe ishte Xhaferr bej Breshtani që rrinte më së shumti në Burgajet, në shtëpinë e Xhemal Pashës dhe realizonte ndërlidhjen midis tij dhe Mareshalit Rexhep Pashë Mati në Libi.

Nacionalistët e përbetuar që asokohe u vunë në dijeni për kryengritjen ndodheshin në Stamboll. Ata dhe të tjerë shqiptarë nga Mirdita, Dukagjini, Shkodra, Elbasani, Korça, Tirana dhe vise të tjera kishin rënë dakord me organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë kryengritje. Pritej të caktohej vetëm afati i shpërthimit të saj nga ana e Rexhep Pashë Matit, me ç’rast ai do të zbarkonte në viset e Selanikut.

Rexhep Pashë Mati kishte bindjen se pas shpërthimit të kryengritjes dhe kalimit të Armatës së tij në anën e shqiptarëve, nuk do të kishte ndonjë përleshje dhe konflikt ushtarak midis shqiptarëve dhe turqve, ngaqë ai mendonte se Qeveria dhe ushtria turke nuk ishin në gjendje të përballeshin dhe të përlesheshin ushtarakisht, pasi Armata e Rexhep Pashës ishte më e kompletuara ndër të gjitha armatat otomane.

Kjo përgatitje në interes të Shqipërisë ishte hartuar në një mënyrë të përkryer dhe asnjëherë më parë nga shqiptarët nuk ishte bërë ndonjë organizim i tillë i kryengritjes. Por në momentin kur të gjitha përgatitjet po merrnin fund dhe plani po merrte formën përfundimtare të ekzekutimit, për fatin e keq të Shqipërisë u bë një gabim i madh dhe i pavullnetshëm, siç ishte ai i lajmërimit të qeverisë greke, me mendimin se edhe ajo do t’i ndihmonte shqiptarët në fitoren e kryengritjes së tyre.

Ky gabim, sikundër e pohoi edhe Xhaferr bej Breshtani, ishte gabimi më i madh dhe tragjik, pasi kryengritja dështoi ngaqë qeveria greke kishte vënë në dijeni hollësisht qeverinë turke për kryengritjen.

Në kundër-reagim, Porta e Lartë mori masa të shpejta e të rrepta për zbulimin dhe eliminimin e personazheve drejtues që përgatitën këtë kryengritje.

Zbulimi i kësaj kryengritjeje i demoralizoi nacionalistët shqiptarë.

Qeveria Otomane i tërhoqi vëmendjen Mareshalit Rexhep Pasha dhe e urdhëroi të kthehej në Stamboll, duke ndaluar rreptësisht edhe manovrën e parashikuar dhe të miratuar. Rexhep Pasha nuk shkoi në Stamboll por u vendos në Libi.

Pas zbulimit të kryengritjes, Porta e Lartë filloi reprezalje të ashpra për ta shtypur me dhunë dhe gjak organizatën që përgatiti kryengritjen, ndaj dhe filloi të ndiqte të gjithë nacionalistët pjesëmarrës, si dhe celulat e organizatës.

Paskëtaj Sulltan Hamidi e ftoi enkas Xhemal Pashë Zogollin në Stamboll, por ai refuzoi të shkonte, duke nxjerrë si justifikim sëmundjen.

Thuhet se Xhemal Pashë Zogolli pësoi një ftohje të rëndë dhe vdiq në tetor të vitit 1908, në moshën 41 vjeçare. Në momentin kur vdiq në sarajet e tij ishin tubuar mbi 1000 nacionalistë dhe shumë miq të tjerë europianë.

Vdekja e parakohshme dhe e dyshimtë e Xhemal Pashë Zogut tronditi thellë nacionalistët shqiptarë si edhe miqtë e tij të huaj.

Ahmet Zogu dhe kryengritjet për Pavarësi

Ahmet Zogu u aktivizua në veprimtaritë politike atdhetare qysh në moshë shumë të re, kur ishte student në Akademinë ushtarake të Gallatasarait në Stamboll. Ai ishte anëtar dhe pjesëmarrës aktiv në klubin Bashkimi të Stambollit, i cili ka qenë qendra kryesore e aktivitetit politik të atdhetarëve shqiptarë brenda Perandorisë Otomane dhe në kolonitë ku ata jetonin si emigrantë.

Pas masakrave të Shefqet Dërgut Pashës mbi shqiptarët e Kosovës gjatë dhe pas kryengritjes së vitit 1910, Ahmet Zogu mbajti hapur një fjalim të ashpër proteste para shqiptarëve të Stambollit, për çka u kërcënua nga pushtetarët xhonturq dhe iu ndalua kthimi në Shqipëri.

Në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi shkruan: “Ahmet Zogun e kam njohur në Stamboll qysh më 1910. Në atë kohë tepër i ri, Zogu ka qenë anëtar me rëndësi i Klubit të Aksarait”.

Angazhimi i tij në veprimtaritë politike atdhetare përkoi në kohë me zhvillimet dramatike në Ballkan, në dëm të kombit shqiptar.

Pas përfundimit të studimeve në vitin 1912, Zogu arriti të siguronte kthimin në atdhe me anë të miqve influentë.

Në këtë kohë, në Hotel Pera Palace, takohej shpesh me Ismail Qemalin dhe Xhaferr Bej Breshtanin, të cilët po përgatiteshin për një inkursion diplomatik në Rumani e Europë, në mbrojtje të çështjes kombëtare, dhe po punonin për përgatitjen e Autonomisë e Pavarësisë së Shqipërisë me ndihmën e Austro-Hungarisë.

Këto takime midis Zogut dhe Ismail Qemalit, fillimisht morën shkas nga nevoja për formulimin dhe më pas dërgimin e një peticioni të atdhetarëve shqiptarë drejtuar autoriteteve xhonturke, ku kërkoheshin masat konkrete të Turqisë kundër planeve të fqinjëve ballkanikë për coptimin e trojeve shqiptare midis tyre.

Më 20 korrik 1912 Zogu u nis nga Stambolli për në Shqipëri. Kur arriti në Selanik, u dërgoi telegrame solidariteti krerëve të kryengritësve shqiptarë si Sefedin Agë Pustinës në Dibër, Dervish Himës në Manastir, Ibrahim Temos në Dibër, Bajram Currit dhe Isa Boletinit në Kosovë, Abdi Toptanit në Tiranë dhe Kapedan Markagjonit në Shkup.

Sapo mbërriti në Ohër, ku qëndroi tre ditë, bisedoi me Parinë e Ohrit, të cilën e bëri me dije për planet e atdhetarëve dhe Ismail Qemalit në Stamboll.

Më 28 Korrik 1912 mbërriti në Dibër të Madhe, ku u prit nga Paria e Dibrës, e Matit dhe e Mirditës. Që këtej kryengritësit me në krye Zogun i dërguan kërkesa ultimative Stambollit, në mbështetje të kryengritësve shqiptarë që ndodheshin në Shkup.

Ndërkaq xhonturqit e trembur filluan të bëjnë lëshime.

Ahmet Miftar Pasha shpërndau parlamentin dhe formoi qeverinë e re turke, e cila u akordonte liri shqiptarëve dhe autonomi të kushtëzuar, sipas së cilës njihej dhe garantohej Autonomia e Shqipërisë me qeveri dhe zyrtarë shqiptarë në 4 vilajetet e saj: të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

Të trembur nga këto zhvillime, shtetet ballkanike filluan një aksion të fortë diplomatik dhe u përgatitën për luftë kundër Turqisë dhe shqiptarëve. Ata arritën të bllokojnë edhe projektin e kryediplomatit Bertold të Austrohungarisë të 13 gushtit 1912, që parashikonte mbrojtjen ushtarake të Turqisë dhe shpëtimin e trojeve shqiptare nga coptimi.

Në shtator 1912 shpërtheu kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Kral Nikolla i Malit të Zi përfitoi nga situata, teksa më 8 tetor 1912 i shpalli luftë Turqisë dhe sulmoi kufijtë shqiptarë. Ndërkaq, më 17 dhe 18 tetor 1912, edhe Bullgaria, Serbia dhe Greqia i shpallën luftë Turqisë.

Me të marrë këto lajme, Ahmet Zogu shpalli kushtrimin e luftës për mbrojtjen e atdheut dhe në krye të 2 mijë matjanëve u nis për të shkuar në ndihmë të Shkodrës.

Më 1 nëntor 1912 hyri në Lezhë, ku kontaktoi me komandantin ushtarak të qytetit, kolonel Ali Fehmi Kosturin, i cili e njohu me situatën dramatike.

Zogu menjëherë hyri në luftime të përgjakshme me malazezët në Kakarriqin e pushtuar prej tyre, duke i thyer dhe duke u shkaktuar me qindra të vrarë, por duke humbur edhe vetë rreth 400 luftëtarë.

Ndërkohë merr lajmin se serbët po mësynin Matin dhe ndodheshin në portat e tij, në Qafë të Buallit dhe në Qafë Murrë, pasi kishin pushtuar Dibrën, shumica e luftëtarëve të të cilës ndodheshin në Shkodrën e rrethuar, për mbrojtjen e saj.

Zogu nis tërheqjen drejt Matit por i pritet rruga nga ushtria serbe që kishte zënë Kallmetin dhe po marshonte në drejtim të malit Velë, afër Lezhës.

Malazezët morën zemër dhe u rikthyen duke e rrethuar në bashkëpunim me serbët.

Pasi çau rrethimin, Zogu e la Lezhën nën mbrojtjen e trupave të kolonel Ali Fehmi Kosturit dhe me një marshim të shpejtë dhe në kushte të vështira arrin të kthehet në Mat.

Për këto beteja Terenc Toçi shkruante: “Në malet e Kakarriqit, në jug të Shkodrës, Zogu u ndesh me trupat malazeze, me ç’rast u ndez një luftim i gjatë dhe i përgjakshëm… Udhëheqësi i ri, gjithmonë në vijë të parë, ngjalli entuziazmin e besnikëve, duke dhënë njëherit prova të mëdha trimërie ndaj armiqve…”.

Sapo mbërriti në vendlindje dhe riorganizoi e pozicionoi forcat, Zogu mori një letër nga Ismail Qemali, me anë të korrierit Ibrahim Kaloçi nga Elbasani, ku i kërkohej nisja urgjente për në Vlorë, në kuvend, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë.

Me të marrë ftesën, Zogu mblodhi parinë e Matit e të Dibrës, dhe pasi i njoftoi për Kuvendin e Vlorës dhe nisjen e tij të detyrueshme për atje, u la amanet mbrojtjen me çdo çmim të Matit.

Pasi mbaroi me shpejtësi të gjitha këto përgatitje, mori me vete Riza Beg Çelën dhe Kurt Agë Kadiun, dhe me 25 kalorës u nis për në Vlorë. Në Elbasan mori Hamdi Beg Ohrin dhe Dervish Beg Biçakun, me të cilët shpejtoi për në Kuvendin e Pavarësisë.

Në kuvendin e Vlorës, Zogu ishte edhe përfaqësues i Mirditës, i ngarkuar me këtë detyrë nga kapedan Marka Gjoni dhe 12 bajraktarët e Mirditës.

Në proces-verbalin e Kuvendit Kombëtar, të botuar në gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, shkruhet se në Kuvendin e Vlorës, në emër të krahinës së Matit morën pjesë këta delegatë: … Mati: Ahmet bej Zogolli, Riza bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu.

Pas përfundimit të Kuvendit, situata dramatike në Mat e detyroi të kthehej sërish me shpejtësi për ta mbrojtur krahinën nga sulmet serbe.

Më të mbërritur në Mat, Zogu mblodhi të gjithë krerët e Matit, Dibrës e Mirditës dhe pasi u komunikoi çfarë ishte vendosur në Kuvendin historik të Vlorës, u kërkoi që me çdo çmim e sakrificë të mbronin Matin e të çlironin Dibrën.

Në betejat e shqiptarëve të udhëhequra prej tij, serbët pësuan vetëm humbje të mëdha dhe kurrë nuk mundën të futen në Mat.

Konform pjesës së fshehtë (suplementare) të Traktatit të Aleancës midis Bullgarisë e Serbisë, nënshkruar më 29 shkurt të vitit 1912, Bullgaria i njohu Serbisë të drejtën e marrjes së territorit shqiptar, të mbajtur ende nën pushtimin otoman të deriatëhershëm. Në lidhje me këtë dispozitë, e duke u përpjekur që të sigurojnë daljen e Serbisë në det, trupat serbe, më 15 nëntor të vitit 1912 hynë në Lezhë dhe gradualisht pushtuan gjithë Shqipërinë e Veriut, deri në Tiranë e Durrës.

Asokohe në gazetën “Times” të Londrës, më 25 nëntor 1912, u botua deklarata e Pashiqit sipas së cilës “Serbia kërkon Durrësin bashkë me hinterlandin përreth…”.

Pas fillimit të luftës serbo-turke më 16 tetor 1912, serbët brenda dy javësh e thyen Korparmatën turke të Perëndimit në Kosovë, duke triumfuar në Çernalovë, për të pushtuar më pas Prizrenin më 1 nëntor, Gjakovën më 7 nëntor dhe Manastirin më 19 nëntor.

Pas këtyre fitoreve serbët nisën marshimin drejt Lumës, Dibrës dhe Pogradecit, për t’u pykëzuar në Shqipërinë e Mesme.

Vllamasi shkruan: “Me shkatërrimin e ushtrisë turke më 1912, … shqiptarët, para fuqive të mëdha serbe tërhiqen në Mat, ku mbasi u organizuan, bashkë me matjanët e zunë pozicionin e tretë në Qafën e Murrës dhe në Qafën e Buallit. Këtu lufta vazhdoi për një kohë të gjatë dhe serbët nuk përparuan më. Kësaj Lufte iu dha emri ‘Lufta e Malësisë’.”.

Revista e përmuajshme “Përparimi” e atdhetarëve të Shkodrës, në maj të vitit 1915 shkruante për Zogun: “… Ahmet Zogu asht ndër kto vendet t’ona ma i përndrituni atdhetar, e të gjithë ja njohin veprat, mundin, dijeninë, e e thrrasin shqyptar përnjimend. Asht i ri për moshë. Për mend asht i dijshëm e i hollë, sidomos n’ato punë qi i përkasin t’mirës s’Atdheut t’onë. E përnjimend, ndër kto tri vjet turbullimesh e luftnash, kjarisht u diftue kundra anmiqve t’Shqypnisë, e nuk kje rrejt as me pare e as prej friget, për me i mbajt pah anmikut t’Shqypnisë…”.

Në një shkrim të tij, botuar në gazetën ”Dielli” të datës 16 shkurt 1916, kushtuar figurës së Ahmet Zogut, Fan Noli është frymëzuar nga një letër që ka marrë nga Nikollë bej Ivanaj.

Në këtë shkrim Noli, ndër të tjera, thekson tekstualist: “Nga letra që botuam dje, mësuam që i dëgjuari atdhetar, zoti Nikoll bej Ivanaj ndodhet në ushtërinë shqipëtare të Ahmet bej Matit. Ahmet bej Mati, me të cilin bashkëpunon Nikollë bej Ivanaj, është djalë fare i ri, … por luan nga zemra dhe hekur nga karakteri. Dhe e provoi me punë. Mati është i vetëm vend i Gegërisë që s’u shkel nga serbi, as në luftën ballkanike, as në luftën evropiane. Ahmet Zogolli, në krye të matjanëve të tij, e mprojti nga armiku i huaj dhe e mbajti lart flamurin e Skënderbeut. … nuk iu unj as serbit, as Esatit… E paçim sa malet.”.

(*) Përgatitur nga një ekip studiuesish nën kujdesin dhe drejtimin e Kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Sulejman Gjana MR, sipas kërkesës të Profesor Muhamet Shatri për botim në edicionin 13 të “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, Shoqata “Trojet e Arbrit”,

Prishtinë, Shtëpia Botuese “Lumbardhi”, Prizren, 2016

Bibliografia

  •   Bernd J. Fischer: Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri. Shtëpia botuese “Çabej”, Tiranë, 1995.
  •   Herman Bernstein, Hugh Grant: Diplomatë Amerikanë për Mbretin Zog. Shtëpia botuese “Dardania”, Tiranë, 1994.
  •   Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH), Tiranë. Fondi 416, Dosja nr. 10.
  •   Muin Çami: Shqipëria në rrjedhën e historisë (1912-1924). Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë,2007.
  •   Arben Puto: Shqipëria politike 1912-1939. Shtëpia botuese “Toena”, Tiranë, 2009.
  •   Antonello Biagini: Storia dell’ Albania. Shtëpia botuese “Bompiani”, Milano, 1999.
  •   Gaqo Gogo: Ngrehja e një Mbretnije. Zogu I dhe populli i tij, Tiranë, 1938.
  •   Kristo Dako: Shënime historike nga jeta dhe vepra e N.M. Tij Zogu I dhe Populli Tij, Tiranë, 1938.
  •   Sali Vuçiterna: Pikla t’arta heroizmi nga jeta e Mbretit dhe Nanës Mbretneshë, Tiranë, 1937.
  •   T. Dilo: Mbreti ynë në rininë e Tij. Shtypshkronja “Gutemberg”, Tiranë, 1935.
  •   Jugoslovenske zemlje u XIX veku. Izdanje istorijskog instituta, 1963.
  •   Branko Pavićević (1990). Danilo I Petrović Njegoš, knjaz crnogorski i brdski, 1851-1860.Književne novine.
  •   Jovan Ristiç: “Diplomatska istorija Srbije (1898), knj. 1 dhe 2.
  •   Milan D. Miliçeviç, “Knezhevina Srbija (1876)”, Beograd, 2005.
  •   Milan D. Miliçeviç, “Dnevnik 1”, Beograd, 2012.
  •   Martin Xhurxheviç: “Memoari od Balkana 1858-1878).
  •   Slavenko Terziç: “Projekat austrougarskog Balkana”.
  •   Dragoljub M. Diniç, “prvi put kroz albaniju, 1922”.
  •   Grgur Jakšić i Vojislav J. Vučković: “Spoljna politika Srbije 1860-1870 godine”.
  •   Stanoje Stanojeviç, “Srpska Kosova”, 1927.
  •   Zdenko Zlatar: “The last year of Michael of Serbia’s foreign policy 1868-1869”.
  •   Jasha Tomiç, “Rat u Albaniji i oko Skadra, 1912 i 1913 godine”.
  •   Haxhi Vasiljeviç Jovan: “Arnautski pokreti u XIX veku, Beograd, 1905”; “Arbanaska Liga –Arnautska kongra i srpski narod u turskom carstvu 1878-1882, Beograd, 1909”; “Juzhna stara

    Srbija, knjige 1-2, Beograd 1909-1913”.

  •   Radosh Ljushiç, “Ilija Garašanin on Serbia’s Statehood”.
  •   Bogumil Hrabak, “Prizrenska Arbanashka Liga 1878-1881, Beograd 1908”; “Arbanashkiustanci 1912 godine”; “Arbanashki upali u pobune na Kosovu i u Makedoniji, od kraja 1912 do

    kraja 1915 godine, branje 1988”.

  •   Spiridon Gopçeviç, “Gorna Albanija i njena Liga, Novi Sad, 1903”.
  •   Georges Castellan, “Histoire des Balkans (XIV-XX siecle)”.
  •   Bogumil Hrabak, “Kosovo prema Mladoturskoj revoluciji 1908 godine, Obeležja IV/5 (1974)107-151”.
  •   Sasha Mishiç, “Albanija, prijatelj i protivnik”, Beograd, “sluzhbeni glasnik”, 2009, faqe 261
  •   Olga Zirojeviç, “Islam, Balkan i velike sile (XIV-XX vek)”, Beograd 1996.
  •   Софија Божић: “ИСТОРИЈА СРБИЈЕ ОД 19 ДО 21. ВЕКА, ХОЛМА ЗУНДХАУСЕНА.
  •   Aleksandra Ilić Rajković: “Albanci i srpsko-albanski odnosi u srpskim udžbenicima(1887-1987)”.
  •   Aleks N. Dragniç: “Jovan Ristiç and Serbia Struggle for Indipendence and Democracy”,Serbian Studies, Volume 5, Nr. 3, Spring 1990.

    Jovan Ristiç: “Diplomatska istorija Srbije (1898), knj. 1, 2”.

  •   Milan D. Miliçeviç, “Knezhevina Srbija (1876)”, Beograd, 2005.
  •   Milan D. Miliçeviç, “Dnevnik 1”, Beograd, 2012.
  •   Martin Xhurxheviç, “Memoari od Balkana 1858-1878)”.
  •   Slavenko Terziç, “Projekat austrougarskog Balkana”.
  •   Dragoljub M. Diniç, “Prvi put kroz Albaniju, 1922”.
  •   Grgur Jakšić i Vojislav J. Vučković: “Spoljna politika Srbije 1860-1870 godine”.
  •   Stanoje Stanojeviç, “Srpska Kosova”, 1927.
  •   Zdenko Zlatar, “The last year of Michael of Serbia’s foreign policy 1868-1869”.
  •   Jasha Tomiç, “Rat u Albaniji i oko Skadra, 1912 i 1913 godine”.
  •   Aleks N. Dragniç: “Jovan Ristiç and Serbia Struggle for Indipendence and Democracy”,Serbian Studies, Volume 5, Nr. 3, Spring 1990.
  •   Zogu the First king of the Albanians, By: Christo A.Dako 1937.
  •   Shënime historike nga jeta dhe Vepra e NMT Zog I Mbreti i Shqiptarëve, By Kristo Dako.
  •   Nga notimet e Zogut I Mbreti i Shqiptarëve, By Hysen Selmani, Shtator 2008.
  •   10 vjet Mbretni, 1928-1938. 1 Shtator 1938, Dr. Zoi Xoxa.
  •   Bogumil Hrabak, “Kosovo prema Mladoturskoj revoluciji 1908. godine, Obeležja IV/5 (1974) 107-151”.

    “Kratkaja istorija Albanii”, 148-150.

  •   G. L. Arš i dr, “Kratkaja istorija Albanii”, 167-170; “Prvi balkanski Rat”.
  •   Vojćeh Ščepanjski, “Lokalni albansko-srpski sukobi u razdoblju”, 1881-1912.
  •   B. Peruničić, “Zločini Arnauta i Turaka nad kosovskim Srbima”. 1904 i 1905 godine; “Zulumiaga i begova”.
  •   J. Tomić, “Rat na Kosovu i Staroj Srbiji”, 1912 godine.
  •   M. Brusin, “Rasprava o Kosovu. Zašto gubimo Kosovo?”.
  •   Đ. Borozan, “Velika Albanija: porijeklo, ideje, praksa”, Beograd, 1995; “Prepiska o arbanaskimnasiljima”.
  •   Branislav Nušić, “Srpski konzul u Prištini, ministru inostranih dela Srbije Andreju Nikoliću”,Priština, 10. VII 1893.
  •   B. Peruničić, “Pisma srpskih konzula iz Prištine (1890-1900)”, Beograd, 1985; “Dokumenti ospoljnoj politici Kraljevine Srbije 1903-1914”.
  •   HHStA, PA XXXVIII/379, Kviatkovski, Durazzo, 19/9/1903; PA XXXVIII/421, Ippen,Scutari, 27/7/1903.
  •   S. Vllamasi “Kujtime…”, viti 2000.
  •   Terenc Toçi, Titulli i origjinalit: “Il re degli albanesi” [Mbreti i shqiptarëve].
  •   “Përlindja e Shqipërisë”, Vit’i II, Nr. 10, datë 14 shkurt 1914 dhe sipas “Dokumente Historike”të Lef Nosit, Nr. 4, faqe 119-125, qershor 1924, dhe Nr. 5, faqe 152-157, korrik 1924, Elbasan). 

      

Г. Л. Арш, И. Г. Сенкевич, Н. Д. Смирнова «Кратая история Албании») (Prishtina:

Rilindja, 1967

Faik Konica, “Memoare mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, Bruksel, janar 1884.

Jason Tomes, “King Zog: Self-Made Monarch of Albania”, 2006.

Joseph Swire, “King Zog’s Albania, 1937, USA, Neë York.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *