OPINIONE

PSE NUK E KAM VIZITUAR KURRË VARRIN E PRESIDENTIT RUGOVA?!

Shkruan: Bajram Mjeku

Shkas për këtë postim është përvjetori i Kushtetutës së Kaçanikut. Mbrëmë, djali im kërkoi të dinte më shumë detaje për këtë datë të rëndësishme. Në fund befas pyeti: Pse kurrë nuk e ke vizitua varrin e Ibrahim Rugovës?!

Që të jem korrekt me Zotin dhe për respekt të lexuesve të mi, përgjigja ishte kjo: Nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës e deri më 24 mars të vitit ‘99, me kolegët e pakët në Qendër për Informim të Kosovës, kemi punuar me përkushtim të madh për vendin, aq sa kemi mundur dhe aq sa kemi ditur. Punën e kemi nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe e kemi lënë në orët e mesnatës. I kemi qëndruar besnik vizionit politik të Rugovës deri në sakrificë, prandaj janë vrarë dy kolegët tonë; Enver Maloku gjatë luftës dhe Xhemail Mustafa mbas luftës.

Nuk e vizitoj varrin e presidentit Rugova edhe për faktin se në çdo përvjetor a datë të rëndësishme, shoh duke bërë joga pranë varrit të tij kundërshtarët më të mëdhenj politikë; autonomistë e enveristë, komunistë e stalinistë, sigurimsa e mëkatarë, të cilët për të gjallë ia dëshironin vdekjen Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Neveritem kur përmes ekranit televiziv shoh funksionarë të LDK-së pranë varrit të tij, të cilët për të gjallë e kanë kundërshtuar fuqishëm vizionin dhe frymën e tij. Si mjeranë e zvarranikë që janë, 10 vjet mbas vdekjes së tij, ende zhvatin pamëshirshëm buxhetin e Kosovës në emër të Rugovës, përfitojnë pozita deputetësh e ministrash në emër të Rugovës dhe bëjnë punët më të pista për Kosovën në emër të Rugovës.

Në mars të vitit 1998, disa funksionarëve të LDK-së, të cilët luanin rulet nën rrogoz, Rugova u pati thënë: Jeni të lirë… Pavarësinë e bëjmë edhe pa ju!

Nuk jam idealist siç pretendojnë disa. Jam pragmatik dhe nuk dua të përgjërohem para varrit të tij, sepse këtë nuk e kam bërë as për të gjallë të tij. Kurrë dhe asnjëherë në jetën time, as kam kërkuar pozitë, as kam zhvatur para e benefite në emër të tij. Një herë në jetën time kam patur pozitën e shefit të Zyrës për Informim! Kur më degraduan ata me të cilët sot “rugovistët” janë në koalicion, botërisht thoshin: Ia këputëm edhe një degë Ibrahim Rugovës!

Rugovën gjithmonë e quaj themeltar të pavarësisë dhe jo “President historik”. A e dini pse? Sepse zhvatësit dhe injorantët që sot janë në krye të LDK-së, duke pretenduar të mbijetojnë me mitin për Rugovën, duke qenë majtistë me bindje e duke u vetëthirrur djathtistë në elektorat, ia kanë vënë këtë epitet, njësoj si udhëheqja e partisë “rivale”, e cila për të njëjtat cene, heroit të Kosovës Adem Jashari ia vuri epitetin “Komandant legjendar”.

“Historikët” dhe “legjendarët”, veç që keqpërdorën luftën dhe lirinë, keqpërdorin edhe emrat e burrave më të mëdhenj të Kosovës së pavarur, të cilët i përdorin si rekuizita për mbijetesë politike. Prandaj nga 21 janari i vitit 2006, kurrë nuk e kam vizituar varrin e themeltarit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *