POLITIKA KOMBËTARE

PRONTO U DËNUA NGA TË GJITHË, PËRVEÇ LIDHJES DEMOKRATIKE

Analistët dhe deputetët e opozitës theksojnë se Isa Mustafa është vetë e keqja e Kosovës, derisa krijohet përshtypja që edhe heshtja e tij karshi skandalit të fundit, ‘Pronto’, është e qëllimshme, ngase edhe vetë LDK-ja përfaqëson një lloj të skandalit ‘Pronto’, e si rrjedhojë nuk distancohet prej tij, raporton Gazeta Kosova Sot

Ani pse mori përmasa tejet të mëdha në opinion, skandali ‘Pronto’, që ditëve të fundit arriti të bëhej çështja më e diskutuar dhe e përfolur për çdo ditë, hiq disa deklarimeve se me këtë çështje duhet të merret drejtësia, deri më tani akoma nuk ka pas ndonjë reagim më serioz nga i pari i Qeverisë së vendit, Isa Mustafa, dhe as nga ndonjëri bashkëpartiak i tij. Analistët e kësaj fushe, por edhe opozitarët kanë vlerësuar se kjo heshtje dhe indiferencë karshi këtij skandali, mbase është edhe normale për Isa Mustafën, ngase partia e tij është në bashkëqeverisje me atë të protagonistëve të skandalit ‘Pronto’. Por pavarësisht kësaj, ata kanë tërhequr vërejtën se në kushte normale kjo nuk e amniston askënd qoftë ata të koalicionit në pushtet por edhe të tjerët që mos të reagojnë ndaj çdo të keqeje që ndodh në shoqërinë tonë. Ndaj është shtuar edhe dilema se nëse kjo heshtje e LDK-së dhe kreut të saj, mund të jetë vetëm për ta mbrojtur këtë skandal përmes ndikimeve në drejtësi, mbase analistët kanë nënvizuar se edhe vet LDK-ja, është një parti, e cila funksionon mbi bazën e këtij modeli, derisa është ngritur edhe pyetja e sipërpërmendur se përse asnjëherë i pari i Qeverisë Isa Mustafa nuk e dënoi skandalin, ‘Pronto’ dhe autorët e tij të cilët i ka partnerë të koalicionit në Qeveri?. Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot”, ka thënë se një reagim i tillë nga kreu i Qeverisë, duke e dënuar skandalin e fundit ‘Pronto’ nuk ka ndodhur për shkak se janë partnerë dhe kanë interesa të përbashkëta, derisa siç tha është e natyrshme, ngase edhe kanë një marrëveshje në koalicion të partneritetit.

U harruan akuzat e fushatës

Baraliu thotë se ani pse gjatë kohës së zgjedhjeve, gjegjësisht fushatave parlamentare orientimi i sulmeve dhe pakënaqësive kishte qenë i orientuar në mes, siç tha këtyre dy partive, njëra kundër tjetrës, e veçanërisht LDK-ja kundër PDK-së, tani janë në pushtet së bashku dhe kanë interesa të përbashkëta dhe po heshtin. Isa Mustafa e kishte moto të fushatës qeverinë pa PDK-në e SHIK-un, por përfundoi në koalicion me ata që i akuzonte përditë, me klanin “Pronto”. “Kështu që është çështje e politikës, po ashtu çështje e orientimeve të tyre, por e vërteta është se në këtë drejtim ky është një problem serioz, i cili do duhej të kishte edhe adresime, por do duhej të kishte edhe reagim, pasi pavarësisht koalicionit ajo që nuk është e mirë si fenomen në shoqëri do duhej të luftohej edhe nga anë- tarët e koalicionit por edhe nga qeveria, dhe po ashtu nga shoqëria civile”, vijoi më tej ai. “Pra çdo qytetar aktiv dhe çdo qytetar i Kosovës ka përgjegjësi që në çdo të keqe dhe në çdo fenomen negativ të reagohet dhe të luftohet me metoda ligjore dhe demokratike”, ka theksuar analisti Mazllum Baraliu.

Kryeministri i shantazhuar

Ndërkaq, analisti tjetër, Florim Zeqa, thotë se edhe përkundër serialeve të gjata të ” telenovelës” së aferës, “Pronto”, asnjëherë deri më sot lideri i LDK-së, njëherit kryeministri i vendit, Isa Mustafa, nuk e ngriti zërin për ta dënuar aferën skandaloze të grupit “Pronto 2″. ” Sipas mendimit tim, në heshtjen e liderit të LDK-së kanë ndikuar dy faktor, i pari është fakti se pozicioni i tij si kryeministër i vendit është i varur nga autorët e aferës, “Pronto”, me të cilët është në koalicion, ndërsa faktori tjetër është, se Isa Mustafa nuk ndihet i pastër as në qeverisjen e tij për dy mandate në komunën e Prishtinës, për çka mbi supet e tij rëndojnë hiq më pak se 72 akuza të ngritura nga pushtetarët aktual të kryeqytetit tonë. Dhe jo vetëm kaq, Isa Mustafa përmes ndikimeve në sistemin e drejtësisë është duke e ndihmuar grupin, “Pronto”, nga frika e dështimeve skandaloze në qeverisjen e vendit, po ashtu keqpërdorimeve me tenderë dhe punësimit pa kritere të militantëve partiak nëpër institucionet shtetërore sipas modelit, ‘Pronto’ “, theksoi ai. “Përderisa partnerët e koalicionit aktual qeverisës të vendit, (PDK-LDK), gjatë periudhës së luftës u pasuruan përmes fondeve të 3 % dhe “Vendlindja Thërret”, ndërsa që nga paslufta e deri më sot po pasurohen përmes aferave koruptive të modelit, ‘Pronto’ dhe ‘Ri Investë’ “, ka vijuar më tej Zeqa. Andaj e tërë kjo heshtje dhe mosndërmarrja e asnjë hapi për të bërë diçka pozitive për vendin, sipas tij, është për të ardhur keq.

Heshtje e qëllimshme

Në anën tjetër, deputeti nga ‘Nisma’ për Kosovën, Zafir Berisha, tha për gazetën “Kosova Sot” se Isa Mustafa është vetë e keqja e Kosovës, derisa tha se krijohet përshtypja që edhe heshtja e tij karshi skandalit të fundit, ‘Pronto’, është e qëllimshme, ngase Berisha mendon se edhe vet janë një lloj i skandalit ‘Pronto’, por më ndryshe. “Ne jemi dëshmitarë se edhe atëherë kur ka qenë në pushtet LDKja në bashkëqeverisje d.m.th në legjislaturën e tretë me PDK-në ka qenë pjesë e klanit, ‘Pronto’ por edhe tani dëshmitë po tregojnë se LDK-ja është një ‘Pronto’ e veçantë e Kosovës, për shkak se shumë anëtarë të bordeve, por edhe të agjencive tjera të pavarura zgjidhen me çelës në bashkëpunim me PDK-në. Kështu që me një fjalë siç thotë populli, ‘hajni- hajnin nuk e zë’ sepse dihet se janë të të njëjtit zanat”, ka deklaruar deputeti Zafir Berisha.

One thought on “PRONTO U DËNUA NGA TË GJITHË, PËRVEÇ LIDHJES DEMOKRATIKE”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *