HISTORIA

Problemi i gruas

Shkruar nga Branko Merxhani

Një nga ngjarjet shoqërore më me rëndësi të muajit të kaluar, është, pa dyshim, vendimi që mori Këshilli i përhershëm i Komunitetit Mysliman për zbulimin e fytyrës së gruas. Ky vendim përparimdashës është çapi i parë në udhën e reformave shoqërore të paralajmëruara prej N.M së Tij Mbretit për kët vit. Shtypi kombëtar e priti me gëzim të madh dhe me komentime shumë të mira. Nuk mbeti pasë këtë radhë as edhe “Zani i Naltë”, fletore fetare, dhe parimisht pak a shum’ e rezervuar ndaj të tilla reformave radikale. Kjo është një shenj’ e mirë. Bile këtu në Tiranë me rastin e kësaj fushate ndodhëm dëshmonjës edhe të një fenomeni krejt të jashtëzakonshëm. Një shumicë njerëzish me moshë të kaluar dhe të njohur gjer dje, mbase gabimisht, si kundërshtarë të rreptë ndaj çdo përpjekje emancipimi në jetën t’onë shoqërore, duallnë në shesh me një fytyrë krejt të ndryshuar, duartrokitën me nxehtësi të madhe vendimin, dhe u çfaqën po thua si flamurtarë të kësaj reforme. Midis këtyre çquheshin edhe disa zotërinj të ndershëm me një edukatë fetare ose edhe me një edukim shkollor të paktë, për të cilët, bile, ka qenë e rrënjosur qint për qint bindja se nuk do të shihnin kurrë me sy të mirë lëvizjet dhe vendimet e tilla. Ky fenomen që vjen çuditëristh të përgënjeshroj me një mënyrë të hapët famën reaksionare që u ngarkohej kot një grumbulli njerëzve, është një shënjë me rëndësi të madhe.

Është një paradoks që na jep të kuptojmë se mund të realizohen për bukuri një tok ndryshime shoqërore, mjaft që këta të jenë të frymëzuar nga vullneti i ndritur dhe i pa-kundërshtuarshëm i N.M. së Tij Mbretit dhe të përgatiten me mënd dhe me urtësi. Nga pikëpamja e atyre që qysh prej kohe përpiqen të përhapin një atmosferë reformative të shëndoshë, le t’a themi haptazi, sido që të jetë, kjo përfaqëson një fitim moral që vlen të regjistrohet me një kujdes të posaçëm nëpër shtyllat e librit të përpjekjes reformative shoqërore me këtë shënim: “U hodh një çap përgatitës me rëndësi drejt emancipimit evolucionar të Shqiptarkës myslimane, dhe ky çap, pas disa mundimeve dhe ndryshimeve të vogla, që të gjitha të kapërcyera për hirë të Urtësis së Tij Mbretit dhe me ndihmën e kohës, u pranua dhe u duartrokit prej të gjithëvet. U zhduk edhe një gjurmë tjetër zakonesh të vjetruara”.

Por për hatër të së vërtetës, siç shkruan edhe “Demokratia” e Gjirokastrës, në Nr. E saj të 6 Marsit, duhet përmendur se në vendet më të shumta të Shqipërisë, gruaja myslimane, e bëri evolucionin e sajë dhe e flaku vet çarçafin dhe ferexhen. Në Gjirokastër, b.f., me përjashtim të plakave 90-vjeçare s’ka grua që të dalij e mbuluar. Fletorja gjirokastrite, në Nr. E sajë të përmendur, ku komenton me një mënyrë të lavdëruarshme dhe me gëzim vendimin e Komunitetit, kërkon me të drejtë të vendoset dhe të përballohet problemi i gruas Shqiptare në realitetin e tij të gjall. Dhe shkruan: “..Nuk mjafton vetëm që gruaja të jet’ e zbuluar. Gruaja Shqiptare ka edhe probleme të tjera me rëndësi që as janë prekur gjer më sot”.

Simbas “Demokratis” këto problema, kryesisht janë dy: Më parë nga të gjitha gruaja Shqiptare duhet bërë një faktor ekonomik; njëkohësisht duhet bërë edhe një faktor demografik. Roli ekonomik i gruas përcaktohet në këto fjalë: “Të bëhet një shtyllë ekonomike e familjes me anën e zanateve shtëpijake.” Sa për faktorit e dyt, thotë kështu: “Vendi i gruas është shtëpia. Roli i sajë kryesor është shtimi i popullsisë dhe ritja e fëmijëve”.

* * *

Që zbulimi i fytyrës së gruas myslimane nuk është një çap i mjaftuarshëm për zgjidhjen e problemit të Gruas Shqiptare përgjithësisht dhe se ajo duhet të ndihmohet që të bëhet me ngadalë edhe një faktor shoqëror në jetën kombëtare të përgjithëshme-ky është një parim i pohuar prej të gjithëvet, jashtë çdo bisedimi. Por si do të arrihet realizimi i një qëllimi të tillë?- Për neve problemi që përfshin kjo pyetje, është një problem i gjër dhe delikat, problem i cili pikë së pari duhet të vendoset mirë me gjithë gjërësin dhe tërësin e tij, të studiohet vetëm me kritere që na jep fenomeni shoqëror i posaçëm i jetës s’onë kombëtare, larg nga çdo prirje imitimi, dhe mbasi të vendoset objektivisht, të caktohet edhe një plan veprimi shkallëzor që të filloj puna nga themeli, pa kërkuar që qëllimet e tëra të plotsohen dhe të arrihen për një ditë. Dhe le të mos harohet se problemi i gruas nuk është një problem i pavarur nga problemet e tjera të vendit.

Përkundrazi është një pjesë me rëndësi kryesore e tërë kadros së problemeve shoqërore shqiptare dhe zhvillimi i tij nuk mund të sigurohet pa i dhënë pikë së pari një rythëm përparimtar jetës shoqërore të përgjithëshme dhe pa regulluar dhe ngrehur në një nivel më të lartë edhe jetën ekonomike të vendit. Me gjendjen shoqërore dhe ekonomike të tanishme, probleme shoqërore si ky i emancipimit dhe i shoqërizimit të gruas, do të vonojnë shumë akoma që të futen në udhën e realizimit. Sot për sot problemi i gruas ndër ne, paraqitet më tepër si një problem edukate. Ç’kemi bërë gjer më sot për edukimin e femrës? Ç’duhet të bëjmë këtej e tutje? Drejtimet, ato të pakta, që i janë dhënë gjer më sot kësaj përpjekjeje, a frymëzohen vallë nga parime të shëndosha, apo janë vetëm disa ngrehje nxitimi dhe imitimi të kota? A ka sot këtu ndër ne një autoritet, një organizëm, qofatë edhe një zyrë që merret me studimin e të tillë problemave? Ja një tok pyetje për të menduar dhe për të biseduar.

Botuar më 1937

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *