KULTURA

Me shenjtërimin e Nënës Terezë po rikthehet e vërteta historike për shqiptarët

Shkruan: Don Jeton Thaqi

Shenjtërimi i Nënës Terezë, Nënës së të varfërve dhe bijës më të mirë shqiptare është një ngjarje historike për popullin tonë shqiptar, për Kishën Katolike dhe për mbarë botën. Në veçanti do të thosha është një ngjarje unike për të varfrit, për ata që ndihen si më të braktisurit. Sot, edhe një herë kjo ngjarje po e rikthen të vërtetën historike në peshoret e drejtësisë, e vërtetë kjo që rrëfen se shqiptarët janë popull fisnik, i drejtë dhe bujar. Nga ky popull, pra, rrjedh edhe familja shumë fisnike Bojaxhiu dhe vetë shenjtëresha e bamirësisë, e dashurisë dhe e dhembshurisë. Rrjedh ajo grua që botës ju bë frymëzim dhe të varfërve ngushëllim. Papa Gjon Pali II, Papa që aq fort e deshi popullin tonë shqiptar, gjatë predikimit të mbajtur në Vatikan, më 19 tetor 2003, në rastin e lumturimit të Nënës Terezë, përdor disa atribute që me shumë precizitet e sintetizojnë figurën madhështore të shenjtëreshës në fjalë. Papa e quan Nënën Terezë “Grua e guximshme”, “Ikonë e Samaritanit të mirë”, “E dashuruara në Zotin”, “Dëshmitare e përvuajtur e ungjillit”, “Bamirëse e palodhshme e njerëzimit”, “Shërbëtore e të varfërve, e Kishës dhe e mbarë botës”. Shën Gjon Pali II observonte në këtë figurë dy fusha të pandara njëra prej tjetrës dhe që kompletoheshin në mënyrë të mrekullueshme reciprokisht: soditja shpirtërore nga njëra anë, dhe veprimi konkret i bamirësisë dhe dashurisë, në anën tjetër. Nëna Terezë me njërën dorë shtrëngonte fëmijët nevojtarë e në tjetrën lëvizte rruzaren e shenjtë. Tek ajo në çdo çast bashkëjetonin në mënyrë gati të përsosur ungjillëzimi dhe promovimi i dinjitetit njerëzor. Nëna Terezë sikurse dukej me shtat e vogël, ashtu edhe dëshironte të jetë para Zotit dhe para njerëzve. Në këtë mënyrë paraqitet në rastin e lumturimit në Vatikan: “Ajo dëshironte të jetë një shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Zotit, e dhembshurisë së Zotit dhe një shenjë e tillë për të na kujtuar të gjithëve vlerën dhe dinjitetin e të gjithë bijve të Hyjit ‘të krijuar për të dashur dhe për të qenë të dashur’. Në këtë mënyrë Nëna Terezë ‘dërgonte shpirtrat tek Hyji dhe Hyjin tek shpirtrat’ dhe shuante etjen e Krishtit, veçanërisht të atyre më në nevojë, atyre që takimi me Zotin u është errësuar nga vuajtja dhe dhimbja”. Nëna Terezë e njihte në thellësinë më të mundshme shpirtin e njeriut, sidomos shpirtin e njeriut të varfër. Ajo shpeshherë e përsëriste që “varfëria më e madhe është të jesh i padëshiruar, të mos kesh askënd që kujdeset për ty. Kjo është Nëna Terezë, shenjtëresha që e patëm fatin ta shohim me sytë tanë, ta prekim me duart tona, ta dëgjojmë zërin e saj me veshët tanë. Është kjo mësuese e jetës, e dashurisë, e bamirësisë dhe humanizmit. Kjo jetë shembullore, ky ekzemplar i dashurisë, kjo dritë hyjnore, ky bekim i popullit tonë shqiptar dhe i mbarë botës sot ka porosi të caktuara për popullin tonë, për Kishën, ndër shqiptarë e sidomos për klasën udhëheqëse. Porosia është kjo: të gjithë të vihemi në shërbim të dashurisë, në shërbim të njeriut vëlla dhe motër, në shërbim të nevojtarëve, të atyre që më së shumti kanë nevojë për ndihmën dhe afërsinë tonë. Nuk mjafton të krenohemi me Nënën Terezë. Duhet ta ndjekim shembullin e saj. Ajo na bëri të krenohemi me të. Le t’ia mundësojmë edhe ne asaj që edhe ajo të krenohet nga qielli për bijtë e saj shqiptarë. Krejt në fund sikurse populli shqiptar ashtu edhe Kisha Katolike në këto troje me shenjtërimin e Nënës Terezë duhet të ndihen krenarë dhe të lumtur. Sepse populli shqiptar ka një bijë të veten që nderohet në altarin e shenjtërisë dhe Kisha Katolike ka një ndërmjetësuese para të madhit Zot, që sot ndërmjetëson fuqishëm për këtë grigjë të vogël, por edhe mbarë popullin shqiptar. Prandaj e ndiej me obligim ta uroj secilin shqiptar për këtë ngjarje historike, unike në llojin e vet. Zoti e bekoftë popullin shqiptar dhe Nënë Tereza, shenjtëresha jonë, e botës dhe e të varfërve ndërmjetësoftë për nevojat tona!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *