HISTORIA

NGA ANTON HARAPI, LEF NOSI E DERI TE MEHMET SHEHU, 23 POLITIKANËT SHQIPTARË QË U EKZEKUTUAN

Abdyl Këllezi sjell historitë e dhimbshme të atyre që patën një fund të dhimbshëm, duke u eliminuar. Nga Anton Harapi, Luigj Gurakuqi, Koço Kota e deri tek Lef Nosi, Sejfulla Malëshova dhe Mehmet Shehu.

Historia shqiptare nuk është treguar bujare për shtetarët e vet. Shumë nga politikanët e famshëm shqiptarë janë ekzekutuar, pjesa më e madhe nga ish-shokët e tyre.

Abdyl Këllezi

Për 30 vjet, që pas çlirimit të vendit deri në vitin 1975, ai mbajti poste të rëndësishme drejtuese si në strukturat shtetërore ashtu edhe në Partinë e Punës së Shqipërisë. Guvernator i Bankës së Shqipërisë, ministër i Financave, zëvendëskryeministër, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe më vonë kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, anëtar i Byrosë Politike etj., Abdyl Këllezi u pushkatua në vitin 1977, pas gjyqit të inskenuar, ku u akuzua si kryetar i të ashtuquajturit grup armiqësor në ekonomi.

Anton Harapi

At Anton Harapi para gjyqit komunist

Anton Harapi ka lindur në Shirokë, afër Shkodrës. Pas mësimeve të para në Shkodër, ai kreu mësime të larta në Vjenë të Austrisë. Shërbeu së pari si famullitar në Grudë të Malit të Zi, më vonë si drejtor i Kolegjit Françeskan të Shkodrës, edhe si drejtor dhe profesor i filozofisë në gjimnazin ”Illyricum”, dhe në vitet 1941-43, si provincial i françeskanëve. Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Ky post qeveritar në kohën e okupacionit gjerman në Shqipëri vulosi fatin e At Antonit. Pas fitores së Ushtrisë Nacionalçlirimtare ai u detyrua të fshihej në pyjet e thella të Dukagjinit, në katundin Pulth-Plon, dhe prej andej ai bëri përpjekje për të organizuar një rezistencë nacionaliste kundër pushtetit komunist.

Në qershor 1945, një kompani ushtarësh erdhi në atë zonë për të kapur priftin antikomunist, dhe në ditën e tretë e gjetën në atë shtëpi ku kishte marrë strehim. Me vendim, të datës 19 shkurt 1946, të Gjykatës Speciale në Tiranë, At Antoni është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit.

Bahri Omari

Bahri Omari lindi në Gjirokatër. Më 1912 është nënprefekt i Himarës dhe mjaft aktiv në Shpalljen e Pavarësisë, ku njihet me emrin Bahri Gjirokastra. Më 1923 është anëtar i Kuvendit Kushtetues dhe përkrahës i forcave të Nolit në Parlament. Pas përmbysjes së qeverisë së Nolit, mërgon në Bari të Italisë. Në qershor 1939 kthehet në Shqipëri e më 5 dhjetor emërohet nëpunës në Këshillin e Shtetit. Gjatë pushtimit fashist lidhet me elementët nacionalistë si Mid’hat Frashëri, H. Dosti, N. Peshkëpia, Ali Këlcyra, Kolë Tromara, etj. Shtëpia e tij u bë bazë për marrëveshjen e forcave politike të kohës: Skënder Muço, Koço Muka, Sejfi Vllamasi etj., nga Balli Kombëtar dhe Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Nako Spiro, Ramize Gjebrea dhe të tjerë nga Partia Komuniste. Në vitin 1943 ai emërohet ministër i Jashtëm në qeverinë shqiptare të Rexhep Mitrovicës, një post që vetëm dy vjet më vonë patriotit të shquar do t’i merrte jetën. Pas çlirimit të vendit, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, ai u arrestua me akuzën si bashkëpunëtor i pushtuesve. Ai ishte në grupin e parë të intelektualëve që u dënuan në të ashtuquajturin “Gjyqi Special” në vitin 1945 dhe do ekzekutohej menjëherë pas vendimit me vdekje që dha prokurori i atëhershëm Bedri Spahiu.

Beqir Balluku

Ushtaraku që qëndroi për 20 vjet në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut. Balluku kreu në Moskë Akademinë Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e Parë të PKSH së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1952, ministër i Mbrotjes Popullore. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneral laitenantit, e ndërkohë Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor. Por të gjitha këto grada në jetën e tij, s’e shpëtuan nga akuzat e fabrikuara si organizator i një “puçi ushtarak”. Në akuzën e prokurorisë shkruhej: “Akuzoheni si organizator i një organizate kundërrevolucionare me qëllim puçi dhe komploti si dhe për tradhti të lartë”. Për krerët e shtetit të asaj kohe, fuqizimi i kastës ushtarake mund të përbënte rrezik potencial për pushtetin. Në materialet e hetuesisë të kohës aludohej se i ashtuquajturi “grupi puçist i ushtarakëve të lartë” ishte “shtet brenda shtetit”. Beqir Balluku nuk i pranoi këto akuza. Në gjyq, ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua për tradhti të lartë ndaj atdheut. Eshtrat ju gjetën në verën e vitit 2001.

Beqir Valteri

Emri i tij u bë i njohur që në moshën 18-vjeçare, kur në shkallët e parlamentit shqiptar, më 23 shkurt 1924, i bëri një atentat mbretit Zog, të cilin e plagosi në këmbë. Por mbreti u tregua zemërbutë me djalin e ri që ishte me origjinë nga Burgajeti i Matit, nga i njëjti vend ku kishte lindur edhe mbreti. Por në vitin 1945 ai ishte një nga të dënuarit me vdekje të Gjyqit Special së bashku me shumë intelektualë të tjerë. Pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, ai u detyrua të largohej dhe të emigronte jashtë vendit, ku qëndroi për gati 15 vjet, për t’u kthyer në vitin 1939, një kthim që i kushtoi shtrenjtë Beqir Valterit. Pas kthimit në Shqipëri ai u bë anëtar i qeverisë së Shefqet Vërlacit, ku mori postin e ministrit të Kulturës Popullore dhe zëvendësministrit të Drejtësisë. Në vitin 1944, pas çlirimit të vendit, ai arrestohet nga regjimi komunist, dhe Gjyqi Special e dënon atë me vdekje si bashkëpunëtor të pushtuesve.

Esat Pashë Toptani

Esat Pashë Toptani lindi më 13 qershor 1863, në Tiranë. Ai ishte mbështetës i xhonturqve si dhe deputet i parlamentit turk nga pala shqiptare.

Ai u zgjodh për pak kohë ministër i Brendshëm gjatë qeverisjes së Princ Vidit. Më pas ai arrestohet nga regjimi i Vidit për trazira. Më 5 tetor 1914, pas largimit të Vidit dhe vendosjes së influencës së tij në Tiranë, ai deklarohet kryeministër i Shqipërisë. Por vetëm gjashtë vjet më vonë, më 13 qershor, Esat Pashë Toptani ekzekutohet nga Avni Rustemi në Paris.

Feçor Shehu

Tragjedia për ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, nisi që me shkarkimin si ministër në janar të vitit 1982. Por në fillim nuk dukej si tragjedi. Ai thjesht ishte caktuar në detyrën e zëvendësministrit me pretekstin se nuk kishte njoftuar partinë për fejesën e djalit të Mehmetit me Silva Turdiun. Por zbritja nga drejtimi nuk do të mbetej me kaq. Në muajin shkurt 1982, ish-ministri i Brendshëm arrestohet në zyrën e tij. Ai akuzohej si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut bashkë me disa figura të tjera të shtetit të asaj kohe si Kadri Hazbiu, LLambi Ziçishti etj. Si ata, pati të njëjtin fund. Pas një gjyqi special, ata u dënuan me vdekje. Vetëm dy ditë pas përfundimit të gjyqit, në mesnatën e 15 shtatorit të vitit 1983, të ashtuquajturit “grupi armiqësor i Mehmet Shehut”, nën masa të rrepta sigurie u morën nga qelitë e Burgut 313 dhe u ekzekutuan diku në periferi të Tiranës, afër fshatit Linzë.

Ilijaz Agushi

Intelektuali me origjinë nga Kosova ishte ministër në dy nga qeveritë shqiptare të krijuara gjatë pushtimit nga Italia në Shqipëri. Në vitin 1942 Mustafa Kruja i dha postin e ministrit të Punëve Botore në qeverinë e tij, për shkak të reputacionit të madh që kishte ai në viset kosovare pasi vinte nga një familje patriotike.

Edhe mbas dorëheqjes së Qeverisë Kruja, Iljaz Agushi qëndroi prapë ministër i qeverisë pasardhëse të kryesuar nga Ekrem Bej Libohova. Por fakti se ishte ministër në qeverinë e Mustafa Krujës i kushtoi jetën ministrit të Arsimit me origjinë nga Kosova. Në vitin 1943 me urdhër të krerëve të Partisë Komuniste, të nxitura edhe nga jugosllavët Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, ministri i Arsimit, Ilijaz Agushi ekzekutohet në apartamentin e tij nga dy atentatorë të njësiteve guerrilase komuniste.

Javer Hurshiti

Ministri i Kulturës së qeverisë së Eqerem bej Vlorës në vitet ‘40, Javer Hurshiti u pushkatua në prill të vitit 1945 së bashku me shumë intelektualë të tjerë pas vendimit të Gjyqit Special. Njeriu që kishte dhënë aq për Shqipërinë u pushkatua me akuzën e bashkëpunimit më pushtuesit nazi-fashist. Javer Hurshiti lindi në Afkazi (Kakukaz), më 1880. Ai ishte i biri i Maliq Pash Libohovës. Javer Hurshiti ishte ndër kundërshtarët e parë të grekëve për çështjen e Vorio-Epirote dhe për këtë e internojnë në fshatrat e Korfuzit. Në vitin 1920 ai ishte kryetar i forcave të Gjirokastrës në Luftën e Vlorës kundër italianëve. Miku i Çerçiz Topullit, Muço Qullit, Gjergj Fishtës, në sajë të Trimërisë së tij, Javer Hurshiti arrin të shpëtojë Gjirokastrën nga djegia që deshën t’i bënin grekët. Në vitin 1925 ai zgjidhet deputet i Gjirokastrës dhe është iniciator i marrjes së eshtrave dhe varrimit të Çerçiz Topullit. Ai pranon postin e ministrit të Kulturës në qeverinë e krijuar menjëherë pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, post që i mori jetën.

Kadri Hazbiu

Vetëm një grup shumë i vogël mund ta kenë parashikuar në atë fillim vjeshte të vitit 1982, se njeriut të fuqishëm të asaj kohe po i rrëshqiste toka nën këmbë. Me një karrierë të shkëlqyer dhe për me tepër një nga figurat më kryesore të shtetit për dekada me radhë, kurrkush nuk mund ta merrte me mend se një ditë e gjithë veprimtaria e tij do të thërrmohej si një pirg rëre. Starti i karrierës për Kadri Hazbiun, ishte çlirimi i Shqipërisë. Ishte vetëm 23 vjeç kur u emërua shef i Sigurimit të Ushtrisë. Por, studimet pas çlirimit në Shkollën e Lartë të Sigurimit në Moskë e profilizuan në fushën e agjenturës dhe të çështjeve të policisë. Pas kthimit, fillon punë si nëpunës në Ministrinë e Brendshme, por shumë shpejt emërohet zëvendësministër, detyrë që e mban deri në vitin 1954. Me pas emërohet ministër i Brendshëm, një detyrë qe do ta mbante për gati një çerek shekulli. Në vitin 1979 ai u emërua ministër i Mbrojtjes. Pikërisht ky post duket se ishte tersi i tij. Në vitin 1981 u vra Mehmet Shehu dhe që nga ai moment furtuna dhe rrebeshi i sulmeve të Hoxhës do të sillej rreth e qark tij. U përjashtua me shumë bujë nga Partia në Plenumin e Komitetit Qendror në vitit 1982, i akuzuar si armik i popullit dhe i partisë. Me akuzën e përmbysjes me dhunë të pushtetit popullor dhe si autor i një tentative për të eliminuar Enver Hoxhën, Hazbiu dënohet me vdekje dhe ekzekutohet më 10 shtator të vitit 1983.

Koço Kota

Kryeministri i qeverisë së Zogut në vitin 1925 pati një fund tragjik, kur në vitin 1949 vdiq nga torturat në burgun e Burrelit, të ndërtuar nga ai vetë gjatë kohës kur ai drejtonte shtetin. I lindur në vitin 1888 në qytetin e Korçës, Koço Kota u diplomua në Shkencat Politike, në Universitetin e Athinës, dhe që nga ajo kohë ai iu përkushtua politikës. Në vitin 1912 ai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij, duke punuar si kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali.

Ai njihet si përkrahës i zjarrtë i mbretit Zog dhe si një nga njerëzit më besnikë të tij. Që nga viti 1925 e deri në vitin 1939 ai u zgjodh kryeministër i vendit.

Pas pushtimit të vendit nga Italia, Koço Kota u largua nga Shqipëria së bashku me mbretin Zog e u vendos në Selanik të Greqisë, duke mos u përzier fare me politikë. Në vitin 1945 ai u rrëmbye nga tre oficerë të Sigurimit Shqiptar në bashkëpunim me disa komunistë grekë në shtëpinë e tij në Selanik. Ata e morën me forcë në një furgon të mbyllur dhe e sollën në Tiranë, ku e nxorën para Gjyqit Special në marsin e vitit 1945. Gjyqi e dënoi kryeministrin shqiptar me shumë vite burg. Por në vitin 1949 Koço Kota në moshën 61-vjeçare vdiq nga torturat në burgjet komuniste.

Koçi Xoxe

Koçi Xoxe ishte i pari ministër i Brendshëm gjatë regjimit komunist që u ekzekutua me vdekje. Ndonëse ishte nga drejtuesit kryesorë të Partisë Komuniste, dhe një nga themeluesit e saj, ai u dënua për spiunazh në favor të jugosllavëve në vitin 1949.

Ai ka marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Ka kryer shumë detyra partiake dhe shtetërore, kryetar i Grupit Komunist të Korçës, anëtar i Komitetit Qendror të PKSH-së, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, anëtar i Byrosë Politike. Në prill të vitit 1946 u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme e zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, sekretar i Komitetit Qendror të PKSH-së dhe deputet i Kuvendit Popullor që në legjislaturën e parë. Në vitin 1949 ai dënohet nga prokurori Bedri Spahiu me akuzën e spiunazhit, bashkëpunimin me jugosllavët për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, si dhe për eliminimin e këtij të fundit.

Koço Tasi

Një fat tragjik e shoqëroi ministrin e Drejtësisë gjatë qeverisjes së Fan Nolit, pas Revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Në vitin 1945 ai arrestohet dhe Gjykata e Speciale, e krijuar nga regjimi komunist, e dënoi atë si bashkëpunëtor të pushtuesve dhe e burgosi në burgun e Burrelit deri sa vdiq. Miku i ngushtë Fan Nolit ishte edhe një antizogist i betuar. Ai ishte një nga drejtuesit kryesor të Revolucionit të Qershorit, të zhvilluar në vitin 1924. Pas largimit të Zogut dhe krijimit të qeverisë së Nolit ai merr postin e ministrit të Drejtësisë. Pas kthimit të Ahmet Zogut ai së bashku me patriotë të tjerë antizogistë largohen nga Shqipëria për t’i shpëtuar persekutimit të Ahmet Zogut. Koço Tasi kthehet në Shqipëri në vitin 1939 së bashku me shumë antizogistë të tjerë, pas largimit të mbretit Zog. Gjatë viteve të pushtimit ai është një nga krerët organizatës së Ballit Kombëtar. Megjithëse e ndjeu që komunistët po vinin në fuqi në fund të vitit 1944, ai nuk pranoi të largohej më nga Shqipëria. Ai u arrestua menjëherë pas çlirimit të vendit.

Koço Theodhosi

Në vitin 1977, kur pas “zbulimit të grupeve puçiste” në fushat e kulturës dhe të ushtrisë, duhej zbuluar një grup i tillë edhe në ekonomi, për ta bërë sa më të plotë kuadrin e “veprimtarisë së bashkërenduar të armikut të jashtëm e të brendshëm kundër të vetmit vend socialist në botë”. Arsyet përse u zgjodhën pikërisht emrat e Abdyl Këllezit e të Koço Theodhosit për t’i vendosur në krye të “komplotit” në ekonomi, janë po aq të qarta sa edhe arsyet përse u zgjodhën emrat e Paçramit dhe Lubonjës në kulturë, apo të Ballukut e Dumes, në ushtri. Koço Theodhosi deri atëherë ishte një figurë e shquar e partisë në pushtet. Ai ishte emëruar nga vetë Enver Hoxha me detyrën e komisarit të Jashtëzakonshëm të Naftës në Kuçovë (1944-1947). Kishte qenë në funksione të larta si zëvendëskryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, anëtar i kabinetit qeveritar dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, anëtar i Byrosë Politike, zëvendëskryeministër, e ministër i Industrisë së Rëndë dhe Minierave. Por rrëzimi i tij ishte akoma më e shpejtë nga ngjitja. Keqësimi i vazhdueshëm i ekonomisë shqiptare, për shkak të ideologjisë që ndiqej, përkthehej në një plan krejt tjetër: Atë të sabotimit të ekonomisë, në krye të së cilës ishin ekonomistët më të mirë të vendit. Një prej tyre ishte edhe Koço Theodhosi. I shpallur armik i popullit dhe tradhtar, ai dënohet me vdekje nga Gjykata e Lartë më 17 maj të vitit 1977. Në vitin 1977 ai u ekzekutua, dhe varri ende nuk është zbuluar.

Kol Tromara

Një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë, pati një fund tragjik, kur, në vitin 1945, u pushkatua së bashku me mikun e tij Bahri Omarin, pas një vendimi të “Gjyqit Special”. Shkak për dënimin e tij ishte posti i ministrit të Kulturës, që ai mbajti gjatë qeverisë së Rexhep Mitrovicës në vitet e pushtimit nazist.

Kol Tromara ishte pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit në vitin 1924 dhe pas dështimit të tij u detyrua të emigrojë jashtë vendit, për shkak të ardhjes në fuqi të Ahmet Zogut. Ai kthehet në Shqipëri në vitin 1939. Pas krijimit të qeveris së Rexhep Mitrovicës, në vitin 1943, ai bëhet anëtar i saj ku merr postin e ministrit të Kulturës Popullore. Në vitin 1944, menjëherë pas ardhjes në fuqi të komunistëve, ai arrestohet dhe dënohet me pushkatim. Ekzekutimi i tij u krye në prill të vitit 1945.

Kostandin Kote

Vendimin e parë me vdekje, ministri i Ekonomisë e mori që në vitin 1924. Mbreti Zog e dënoi me vdekje për shkak se ishte përkrahës i Nolit dhe kishte marrë pjesë në Revolucionin e Qershorit në vitin 1924. Por vdekja nuk i erdhi nga qeveria e Zogut, por nga një qeveri e re që erdhi në fuqi menjëherë pas çlirimit të vendit.

Shok i ngushtë i Gurakuqit, më 1912 ishte së bashku me të në Vlore për ngritjen e flamurit, anëtar i shoqërisë “Bashkimi” me Avni Rustemin e Nolin, përhapës i ideve që paraprinë Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Mbas humbjes së Revolucionit, dënohet me vdekje nga Zogu dhe merr rrugën e mërgimit. Ai jeton në mërgim për 15 vjet, për t’u kthyer në atdhe pas largimit të mbretit Zog. Në vitin 1942, Mustafa Kruja i kërkon që të bëhej ministër i Ekonomisë në qeverinë që ai drejtonte. Por pranimi i këtij posti i kushtoi shtrenjtë ministrit të Ekonomisë. Pasi në vitin 1944, ai u arrestua nga komunistët. Ai ishte një nga të dënuarit e gjyqit special në prill të 1945-s, ku anëtarët e trupit gjykues e dënuan me pushkatim. Ai u ekzekutua së bashku me shumë intelektualë të tjerë të asaj kohe.

Lef Nosi

Lef Nosi është një nga patriotët e shquar, që ndihmoi në Shpalljen e Pavarësisë së vendit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Elbasanit në gusht të vitit 1909, gjatë të cilit u themelua Shkolla Normale. Më vonë ai u bë drejtor i kësaj shkolle. Lef Nosi ishte një nga delegatët që morën pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Me krijimin e Qeverisë së Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali, ai u emërua ministër i Postave. Në vitin 1919 u zgjodh anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, i drejtuar nga Luigj Bumçi (1872-1945). Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nosi ishte kryetar i lëvizjes antikomuniste, Balli Kombëtar dhe në vitin 1943 u bë kryetar i Kuvendit shqiptar dhe anëtar i Këshillit të Shtetit gjatë kohës së pushtimit gjerman. Lef Nosi gëzonte një reputacion të madh, jo vetëm si patriot, por edhe si koleksionist i njohur. Ai bëri një punë të madhe për rregullimin e Postës Shqiptare, themelimin e muzeve etj. Pas çlirimit të vendit nga nazi-fashistët, Lef Nosi u arrestua nga regjimi komunist dhe u dënua me vdekje, dhe vetëm pak kohë më vonë u ekzekutua.

Llambi Ziçishti

Pas vdekjes së Mehmet Shehut erdhën dhe dënimet e fundit. Një nga këta ishte edhe ai i Llambi Ziçishtit, i cili ishte ministër i Shëndetësisë në atë kohë. Pas një procesi hetimor, që zgjati nga nëntori i vitit 1981 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar (më 17 shtator 1983) së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peqinin. Sipas deponimeve të ish-ministrit Ziçishti, të shkruara dhe firmosura prej tij në dokumentin në fjalë, ai pranon të ketë bashkëpunuar me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, i cili që në vitin 1973 ka dashur që ta helmonte Enver Hoxhën me anë të mjekëve kinezë, që ai kishte thërritur apostafat nga Kina. Por bashkëkohësit e tij e rrëzojnë variantin zyrtar. Sipas tyre, kreu i Shëndetësisë së asaj kohe kishte shprehur dyshime për vrasjen e Mehmet Shehut, i cili, pasi kishte parë kufomën, kishte thënë me shkrim se kjo nuk ishte vetëvrasje. Por tri ditë pas vrasjes së Shehut, Ziçishti e tërheq mendimin se ishte një vrasje për kryeministrin dhe firmos procesverbalin ku thuhej se Mehmet Shehu ishte vetëvrarë. Por si bashkëpunëtor i Mehmetit, apo për dyshimet për vrasjen e tij, fundi është i njëjtë. Ai ekzekutohet me vdekje.

Luigj Gurakuqi

Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912).

Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për Shpalljen e Pavarësisë. Pas krijimit të Qeverisë së Vlorës ai zgjidhet ministër i Arsimit. Më 1916 ishte nga themeluesit e “Komisisë Letrare” në Shkodër. Në vitet 1921-1923 L. Gurakuqi, si deputet i Shkodrës, u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë.

Bashkëluftëtar i F. Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924. Pas kundërrevolucionit emigroi në Itali, dhe në mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu.

Mehmet Shehu

Kryeministri më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë, vdiq në rrethana të mistershme, më 17 dhjetor të vitit 1981. Në versionin zyrtar thuhet se Shehu vrau veten në dhomën e gjumit, në një moment krize nervore, pas akuzave të ashpra të Byrosë Politike e të Enver Hoxhës. Hipotezat e një eliminimi të mundshëm, kanë qenë më të forta se varianti zyrtar, por asnjëherë të faktuara. Shehu cilësohej si krahu i djathtë i Enver Hoxhës.

Pas shkarkimit të Koçi Xoxes nga detyra e ministrit të Brendshëm dhe pushkatimit të tij, Mehmet Shehu mori detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, prej vitit 1948 deri në vitin 1953. Ky post i rëndësishëm për të, u bë si trampolinë për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë për 30 vjet me radhë.

Shehu cilësohej si promotor i luftës së klasave. Në kushtet dhe rrethanat e kohës konsiderohej ”parimor, i prerë në vendime dhe i pa pajtueshëm me gabimet dhe fajet, për të cilat ai ishte i pari që kërkonte dënime të rrepta”. Por kjo deri në vitin 1981, kur jeta e tij u rrokullis drejt fundit, nën damkën e “agjentit të shumëfishtë të shërbimeve të huaja sekrete”.

Musine Kokalari

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.

Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg.

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen.

E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga kanceri. Hyn nw listwn e politikanw tw ekzekutuar, pasi bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.

Nesti Nase

Kishte drejtuar diplomacinë shqiptare prej dhjetëra vitesh, kur u arrestua në shtator të vitit të kobshëm 1982, vit në të cilin u eliminuan shumë nga figurat kryesore të regjimit monist. Dëshmitarët tregojnë se agjentët e Sigurimit të Shtetit e arrestuan me ritualin e njohur të asaj kohe: “Në emër të popullit, je i arrestuar”! Nase ishte shkarkuar nga detyra e kryediplomatit në qershor të këtij viti, ku ishte zëvendësuar me Reis Malilen, dhe ishte transferuar si këshilltar në zyrën e Institutit të Studimit te Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Brenda pak kohësh në institut filluan mbledhje të organizatës së partisë dhe ministrisë që u kthyen në një gjyq të vërtetë ndaj Nases. Mbledhjet i drejtonin sekretarë të komitetit të partisë të rajonit Nr. 4 nga varej organizata e partisë e ministrisë, dhe aty i drejtoheshin shumë akuza. Një prej tyre ishte edhe se përse e kishte konsideruar si djalë të mirë Vladimir Shehun, djalin e Mehmetit. Pas arrestimit, Nases iu komunikua akuza për tradhti dhe bashkëpunim me agjenturat e huaja. Disa muaj më vonë edhe ai u pushkatua si “armik i popullit”.

Sejfulla Malëshova

“Lame Kodra”, pseudonimi me të cilin u bë i njohur që në moshën 24-vjeçare, vdiq në vitin 1971 i internuar në Fier. Që në Plenumin e Beratit, në vitin 1944, Sejfulla Malëshova shfaqi kritikat e tij mbi linjën e Partisë Komuniste. Ai e cilësoi atë si një parti terroriste. Në këtë plenum ai goditi ashpër figurën kryesore të asaj kohe, Enver Hoxhën dhe shprehu mendimin se “me shkopin e diktatit nuk shkohet përpara”. Por, megjithëse ishte i bindur se Enver Hoxha nuk duhet të ishte më në krye të Partisë, ai gjykonte se Hoxha nuk duhej të largohej në këtë situatë dramatike. Ai duhej të hiqej me zgjedhje të lira, duke bërë Kongresin e Parë të Partisë, i cili mendohej të mbahej shpejt, fill pas çlirimit të Shqipërisë. Kongresi, jo që s’u zhvillua siç po mendohej, por u bënë gjithë ato spostime deri sa më pas u zhvillua në 1948. Në vitin 1946, Malëshova shkarkohet nga funksionet e larta partiake, pasi u ndesh me majën e piramidës. Më 1947-ën shkarkohet edhe nga funksioni i lartë shtetëror, ai i ministrit të Arsimit, me motivacionin e çuditshëm “për paaftësi”. Deri më 1949 e mbajti postin e sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve. Punoi shumë vjet në Institutin e Shkencave si punonjës shkencor i letërsisë ruse, por pa të drejtë botimi me emrin e tij. Pas Konferencës së Tiranës, më 1956 internohet, fillimisht dy vjet në Ballsh dhe trembëdhjetë vjet në Fier, me detyrën e magazinierit, deri sa vdiq më 11 qershor 1971 në gjendje mjerane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *