Terroristët Dushan Mugosha, Enver Hoxha dhe Milladin Popoviq
HISTORIA

Bedri Spahiu: PSE E THËRRISNIM Enver Hoxhën KËRRIÇ

Intervista e pabotuar e ish-kryeprokurorit dhënë gazetarit Vangjush Gambeta

Me rastin e 70-vjetorit të pushtimit komunist, gazeta “Tirana Observer” sjell një intervistë të rrallë të Bedri Spahiut. Sipas rrëfimit të djalit të Bedri Spahiu, gazetari i njohur Vangjush Gambeta në maj të vitit 1991 i kërkoi një intervistë ish-prokurorit të Përgjithshëm. Spahiu pranoi dhe mori pyetjet e shkruara nga Gambeta. Por më pas, ndoshta ngaqë familja Spahiu ndërroi shtëpinë dhe për shkak të ngjarjeve që erdhën më pas, Gambeta nuk arriti ta merrte intervistën, e cila nuk u botua kurrë. Me këtë rast, “Tirana Observer” sjell intervistën e plotë. Në këtë intervistë, Bedri Spahiu flet më shumë për karakterin e Enver Hoxhës dhe pse ai arriti t’i eleminonte të gjithë kundërshtarët e tij në parti.

Vangjush Gambeta: Ju keni qenë në një moshë, në një lagje, në një klasë me Enver Hoxhën. Keni krijuar grupin komunist të Gjirokastrës në vitet ‘30. Enver Hoxha nuk ka folur kurrë që të ketë patur aktivitet gjatë luftës në atë qytet. Cili ka qenë roli i tij në luftë?

Bedri Spahiu: – Më duhet ta filloj nga koha e Zogut se atëherë bëra përpjekjen e parë (dhe kjo qe e fundit) për të futur E. Hoxhën në grupin komunist të Gjirokastrës. Në gusht të 1931 unë krijova grupin komunist në ushtrinë e Zogut ku isha oficer. Në 11 Qershor 1937 më arrestuan, ndërsa isha akoma oficer, së bashku me shokët e grupit. Kishte dështuar kryengritja e Fierit dhe meqë ne kishim lidhje me ta na arrestuan me akuzën: pjesëmarrës në kryengritje, subversion në ushtri dhe propogandë komuniste. Pas 7 muajsh hetuesi na liruan dhe mua me Tahir Kadarenë na internuan në Gjirokastër. Krijova grupin komunist të këtij qyteti. Në vitin 1938 dëgjova se E. Hoxha ishte kthyer nga Franca. Mendova ta tërhiqja edhe atë në grup. Dërgova Tahir Kadarenë që ta thërriste. E. H. Refuzoi duke i thënë: “Mos më përzini në këto punë”.

Në 1939, pasi iku Zogu, E. Hoxha i kërkoi Shemsi Totozanit që ta takonte me mua. Në mbrëmje Shemsiu vjen tek unë dhe më thotë: ” Ai gangsteri i Mullait do që të takohet me ty”. Refuzova në mënyrë kategorike. Nuk e kuptova pse E.Hoxha kishte patur frikë nga Zogu.

Në atë kohë isha epiqendra e lëvizjes komuniste në Gjirokastër dhe përgjegjësia për detyrën time më bënte të ndërgjegjshëm në kujdesin për zgjedhjen e anëtarëve të ardhshëm të Partisë. ish grevëthyesi i djeshëm ( një herë, klasa jonë, edhe ai po ashtu, morëm një vendim për të bojkotuar mësimin, por E.Hoxha e theu këtë vendim duke u paraqitur i vetëm në shkollë) mund të bëhej sabotatori i ardhshëm.

Që nga ajo tentativë e E.H. për të më takuar ai mbaroi për mua. Mundet që të ketë ardhur edhe herë të tjera në Gjirokastër e të jetë zhdukur si fantazëm, kujtesa nuk më sjell ndonjë moment që ta kem parë atje.

Gjithçka është shkruar nga diktatura për E. Hoxhën si organizator apo militant i P. Komuniste është kryekëput një mashtrim, një falsifikim i historisë.

Dy qenë Konferencat për formimin e P.K.SH. E para e drejtuar nga Dushan Mogosha (Sala), ku mora pjesë edhe unë; dështoi pasi Qemal Stafa kërkoi që D. Mogosha të ishte i pajisur me dokumentin që vërtetonte se ishte i dërguari autentik i Kominternit për të ndihmuar bashkimin e grupeve komuniste shqiptare. Në këtë konferencë E. Hoxha nuk ishte.

Meqë konferenca e parë dështoi, misionarët jugosllavë u përgatitën për të dytën duke përdorur një skenar për të mos pranuar në këtë konferencë persona të njohur mbasi mund të ndodhte si rasti i konferencës së parë me Q. Stafën. Pra dhanë udhëzime që të caktoheshin nga dy persona, por jo kryetarët, për të përfaqësuar grupet komuniste në këtë konferencë.

Koço Tashko më tregoi se ç’kishte ndodhur në Korçë kur Miladin Popviçi kishte vajtur për të marrë pjesë në mbledhjen ku do të caktoheshin dy anëtarët për konferencën e formimit të Partisë. Numri pjesëmarrësve kishte qenë i vogël, si pasojë Miladini i thotë Koços që të dilte e të gjente ndonjë anëtar tjetër. Koçua del dhe në një mejhane gjen E. Hoxhën. Ky kishte ca kohë që jetonte në Korçë, ishte thjesht një simpatizant i grupit komunist të këtij qyteti. Koçua e ftoi që të vinte në konferencë. Miladini sapo e pa tha: “Shumë mirë, ja njëri, caktoni dhe një tjetër”.

Në konferencën që u bë në Tiranë merrte pjesë edhe Tuk Jakova, anëtar i grupit të Shkodrës. Disa ditë mbas konferencës ai më takoi dhe më tha: “Na zgjodhën Enverin. Po atje nuk u përmend asnjë emër. Miladini tha:- Njëshi është intelektual, familje patriote, ka mbaruar studimet jashtë etj, etj. Shtanga kur mora vesh më vonë se ky Njëshi ishte Enver Hoxha”.

Mbas ca kohësh takova misionarin jugosllav dhe i thashë: “ A e njihni ju Enver Hoxhën?”

Ai ma ktheu me buzëqeshje dhe duke më rrahur shpatullat: “E njohim, por ne na duhet vetëm për periudhën e luftës”.

Si u bë dhe kur u bë sekretar i parë E. Hoxha, kjo ka qenë gjithmonë një mister dhe kam arritur në konkluzionin se Sekretari i Parë politik i Partisë tonë ka qenë produkt i flirtit Miladin – Enver, i Miladinit intelektual dhe Enverit gënjeshtar.

Thuhet se në Korçë, kur dëgjoi për përpjekjet që bëheshin në Tiranë për formimi e Partisë Komuniste E. Hoxha tha: “Tani bëhet karrierë në Tiranë prandaj duhet shkuar atje”.

Unë nuk e di në se E. Hoxha i ka thënë vërtet këto fjalë apo në se i ka thënë tamam kështu. Fakti ështës e gjithë veprimtaria e tij i shërbeu këtij qëllimi që ai e realizoi me sukses të plotë.

Vangjush Gambeta: Roli i E. Hoxhës në luftën Nacional-Çlirimtare?

Bedri Spahiu: Ai nuk ka luajtur një rol për luftën. Ai ka luajtur rolin e njeriut pa principe, pa skrupuj moral, që aspiron vetëm pushtetin, i gatshëm t’i shërbejë edhe djallit për t’ja arritur këtij synimi. Ai ishte aventurieri politik, uzurpator i pushtetit dhe i autoritetit të Partisë Komuniste Shqiptare, autoritet ky që u rrit në popull nga aktiviteti i militantëve të ndershëm, të devotshëm, që besonin me të vërtetë në të ardhmen e lumtur e të ndritur të shoqërisë shqiptare, të Atdheut të tyre, kauzë për të cilën ata sakrifikuan deri pasurinë, familjet dhe veten e tyre.

Vangjush Gambeta: Cili ka qenë Enver Hoxha – fëmijë po i ri. A janë të vërteta fjalët për moralin e tij të shthurur?

Bedri Spahiu: Me E. Hoxhën kemi të njëjtën moshë. Shtëpitë tona në Gjirokastër ishin më pak se 100 m larg njëra-tjetrës dhe kemi qenë në një klasë. Në lodrat fëminore ai ishte fëmija që donte vetëm të fitonte dhe me çdo kusht. Hilet, dredhitë ishin mjetet më të zakonshme për t’i siguruar fitoren. Ndershmëria në lojë nuk ishte element i njohur nga E. Hoxha – fëmijë. Me mësime ai ka qenë nën mesataren. Nga koha e shkollës më kujtohet si e veçantë një ngjarje që sapo e përmenda pak më lart:

1 Maji në Gjirokastër është dita e luleve dhe në kohën tonë bëhej pushim edhe në shkolla për ta festuar duke zbritur në fusha me trandafila në duar. Në vitin 1923 Ministria e Arsimit urdhëroi shkollën tonë 6 vjeçare të vazhdonte mësimin rregullisht edhe ditën e 1 Majit. Së bashku me një shokun tim, Nesip Gjebrenë, mblodhëm klasën dhe të gjithë bashkë vendosëm të bojkotonim mësimin dhe 1 Majin ta festonim si çdo vit. Edhe E. Hoxha ishte dakord me gjithë shokët e klasës.

Në mbrëmje autoritetet e shkollës dhe një xhandar vijnë në shtëpi, më marrin dhe më mbyllin në klasën e shkollës. Mbas meje sjellin Nesip Gjebrenë dhe kështu me radhë të gjithë shokët me të cilët kishim biseduar për të bojkotuar mësimin. Në 1 Maj mësimi filloi rregullisht dhe i vetmi që shkoi në orën 8 si zakonisht ishte E. Hoxha.

Ndoshta treguesi më i saktë për të karakterizuar E. Hoxhën e asaj moshe ishte epiteti që i kishin vënë shokët. E thërrisnin “gazhel” (kërriç).

Mbas klasës së gjashtë jeta më ndau nga E. Hoxha për të më takuar përsëri (me sa më kujtohet) në Shtabin e Përgjithshëm në Labinot. Kështu që rininë nuk ja kam njohur drejt për së drejt. Por për sa e kam njohur në vegjëli mund të them me bindje të plotë se në atë moshë ai ka patur të gjitha cilësitë që spikatin në individë të predispozuar të jenë ana e kundërt, ekstreme e virtytit. Nga shokë të mi, apo të njohur të tjerë, të respektuar dhe të besueshëm në ndershmërinë e tyre, kam dëgjuar edhe unë plot gjëra për moralin e shthurur të E. Hoxhës (besoj se ai ka patur vetëm një moral: të jetë i pamoralshëm). Kështu që, përsëri duke u mbështetur edhe në njohjen time të mëpasshme, duke bërë edhe një përqindje zbritje për shtesat, hiperbolizimet, interpretimet subjektive etj., them se nga ato që thuhen për E. Hoxhën në çështje morali mbeten përsëri shumë të vërteta.

Shumë njerëz çuditen: Si është e mundur që një njeri i vetëm të fusë në thes dhe të asgjësojë kaq e kaq udhëheqsa të dalluar në luftën heroike Nacional-Çlirimtare? Si mundi t’i zërë E. Hoxha pozitat kyçe, si mundi të mbahet dhe të ushtrojë diktaturën e tij e të përdorë një palë të shokëve të tij kundra palës tjetër e të bënte bashkëpunëtorët e tij vrasësa të të vrarëve? Si mundi ta bëj një popull të tërë t’i këndojë këngë lavdie dhe t’i atribuojë merita të padrejta dhe të paqena? Si mundi ta shndërrojë një Parti të tërë në spiunë, sot të një shteti dhe nesër të një tjetri? Si mundi t’i bëjë prindërit spiunë të fëmijëve të tyre dhe anasjelltas? Si mundi ta bëjë familjen shqiptare agjenturë të Sigurimit?

Këto e të tjera u bënë të mundura sepse në krye të piramidës u vu E. Hoxha (pa harruar faktorin vendimtar jugosllav), njeriu që ishte i denjë për të kryer transformime të tilla. Falë kësaj denjësie diktatori doli në krye si fitonjës.

Askush nuk mund të bëhet diktator pa u përleshur me kundërshtarët e vet e pa fituar mbi ta. Veç kësaj ai gjendet edhe në garë me shokët e kryesisë për vendin Nr. 1 dhe e fiton këtë vend, pra fiton edhe garën me bashkësunduesit e vet duke ushtruar kështu pushtetin diktatorial. Fakti është se E. Hoxha bëri atë që nuk do ta bënte asnjë nga shokët e tij të vjetër apo të rinj. E bëri si diti ai dhe fitoi, e çfarëdo që të thuhet, çfarëdo e keqe që t’i atribuohet ai mbetet figura e udhëheqësit fitimtar, i denjë për një pushtet të këtij lloji.

Gjatë gjithë periudhës së luftës E. Hoxha bëri të pa mundurën për të më njollosur dhe për të më spostuar. Dhe për këtë ai ndihmohej edhe nga jugosllavët, të cilët merrnin pjesë në çdo mbledhje.

Në dhjetor të 1942, në konferencën e Partisë Komuniste të qarkut të Gjirokastrës, i deleguari i Komitetit Qendror Dushan Mogosha dhe Kristo Themelko u përpoqën të më shkarkonin duke më akuzuar për paaftësi.

Në Dhjetor 1943 bëhet konferenca e qarkut Shepel të Zagorisë. Të deleguar ishin Dushan Mogosha dhe Liri Gega. Mua nuk më thirrën me gjithë se isha përfaqësuesi i zonës. Ngritën akuzën se nuk kisha zbatuar urdhërat për qëndrimin ndaj Ballit, duke përmendur rastin kur partizanët kishin ndaluar dhe marrë me vete Ali Bej Këlcyrën dhe unë, jo vetëm që nuk kisha dhënë urdhër për ta pushkatuar por kisha urdhëruar që dy partizanë ta shoqëronin për në Gjirokastër shëndoshë e mirë.

Në Nëntor 1944, në Pleniumin e Beratit u propozua që Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova dhe unë të hynim në Byronë Politike. Për këtë E. Hoxha nuk ishte dakord. U bënë shumë debate, të gjithë ju kthyen E. Hoxhës. Ai e pa veten keq dhe ngrihet e thotë: “Po, është e vërtetë, unë nuk jam i aftë për këtë detyrë. Jam dakord që Shqipëria të bëhet Republika e shtatë e Jugosllavisë dhe Titua sekretar i parë i saj”. Në këtë kohë Koçi Xoxe ngihet me vrull dhe thotë: “Ç’na thua kështu? Partia jonë është e pavarur. Ç’do Titua këtu?!”.

Mbas çlirimit i shkruajta një letër Titos ku tregoja se kush ishte E. Hoxha. Mbas disa muajsh më thërret Enveri në zyrë dhe sapo u ula në kolltuk ai ngrihet duke thënë se po shkonte në banjo. Te tavolina, afër mej dhe i kthyer nga unë, ishte një libër i hapur. Zgjatem dhe shikoj faqen e hapur. Ishte letra ime që i kisha bërë Titos për E. Hoxhën. Shoh kapakun e librit: ishte fletorja zyrtare e Jugosllavisë. U bë e qartë çdo gjë: Titua njoftonte E.Hoxhën për kundërshtarët. Mbas disa vitesh më ra në vesh se edhe Nako Spiro i kishte shkruar Titos një letër të tillë dhe besoj që E. H. do t’i ketë bërë këtë lojë, gjë që e ka detyruar Nakon të vrasë veten.

Jugosllavët e vunë në krye dhe e mbajtën E. H. sepse ishte më i përshtatshmi për ta. Vetë E. Hoxha e ka shprehur e ka shprehur këtë mbas vdekjes së Titos: “Pavarësisht nga kontradiktat ideologjike, Titua për ne ka qenë një ombrellë”.

Kam qenë pjestar i delegacionit të parë në Jugosllavi bashkë me E. Hoxhën, Koçi Xoxen dhe Hulusi Spahiun. Më kujtohet darka e fundit e shtruar për ne kur Titua në bisedë e sipër tha: “Në vendet e prapambetura pjesa më aktive janë ushtarakët dhe intelektualët”.

Dihet eleminimi i këtyre dy klasave në periudhën 1945-1948 dhe mbas prishjes me Jugosllavinë ky eleminim duhej justifikuar. E. Hoxha e quajti “Sigurimi mbi Partinë” dhe në popull përhapën sloganin “koha e Koçit”. Dhe gjatë gjithë sundimit të tij ai ka luajtur me të njëjtin skenar.

Situata në Shqipëri ashpërsohej apo zbutej sipas situatës ndërkombëtare. Dhe ishte herë në favor e herë në disfavor të E. Hoxhës. Një periudhë ashpërsimi pasohej nga internime, burgime e akte terrori për të cilat thuhej se i bënte Mehmeti, ndërsa kur situata zbutej hapej fjala se Enveri është i mirë por nuk e lënë të tjerët, se uji vjen i kulluar nga burimi por turbullohet rrugës etj.

Në vitin 1951 kam qenë dëshmitar në një ngjarje në zyrën e E. Hoxhës. ishte hedhur bomba në ambasadën sovjetike. Isha duke shkuar në zyrën e E. Hoxhës dhe takoj në korridor Mehmet Shehun. I thashë se ku po shkoja. Sapo isha ulur kur dëgjohet një trokitje dhe tek dera e hapur u duk Mehmeti. Që nga aty ku ishte ai foli me zë të lartë, me sa duket që të dëgjohej mirë: “Ke dhënë urdhër që të fillojnë arrestimet dhe torturat në burgje. E dua me shkrim!”. E. Hoxha u shpërfytyrua, shkoi tek tavolina, shkruajti një letër dhe ja dha Mehmetit. Ndërsa Mehmeti fuste letrën në xhepin e brendshëm të xhaketës, i kthyer nga tashmë nga unë, më shikonte sikur donte të më thoshte: “S’ma hedh dot mua si ja hodhi Koçit…”

Mendoj se themelore nuk është në se E. Hoxha ishte në vendin që meritonte apo jo, por e ç’natyrë ishte denjësia e tij për këtë vend dhe në çfarë konsistonte kjo denjësi.

Besoj se konsistonte në:

1- Origjinën e familjes së tij,dhe

2- Në trinomin cilësor të karakterit Enverian.

1- Familja e E. Hoxhës ishte e një shtrese mesatare, nga ato familje që silleshin pa pushim si satelitë rreth parisë gjirokastrite duke përgjuar e duke të futej në rradhët e saj. Por, megallomane e perifane, kjo pari nuk e afroi kurrë dhe familja Hoxha nuk mundi të njësohej me parinë gjirokastrite. Nga ky synim i parealizuar kurrë E. H. , bashkë me qumështin e nënës, thithi dëshirën për të dalë në krye, për t’u dalluar, për të sunduar.

2- Trinomi cilësor i karakterit enverian për bëhet nga:

a – Pandershmëria

b – Dinakëria

c – Demagogjia.

Këto cilësi u bënë fokusi i cilësive të tjera morale të E. Hoxhës ashtu siç e paraqitin kundërshtarët, dashamirësit dhe ai vetveten.

Vangjush Gambeta: Përse ka qenë dënimi Juaj?

Bedri Spahiu: Jam dënuar nga Gjykata e Lartë për “tradhëti ndaj Atdheut, agjitacion e propagandë sipas nenit 64,1472 të K. P. me 25 vjet heqje lirie, konfiskim pasurie dhe heqje e të drejtës elektorale për 5 vjet, (më 18-04-1958). Më liruan nga burgu në 1974. Kishin ardhur të më merrnin dy djemtë e mi, por me ta më lanë vetëm 10 minuta, sa për t’i lajmëruar se çohesha i internuar në Selenicë të Vlorës. Me një makinë të M.P.B. më çuan në Tiranë. Në këtë Ministri një oficer u përpoq të më mbushë mendjen që të merrja vullnetarisht familjen në Selenicë. Refuzova duke theksuar se bashkimin e familjes me mua e konsideroja si një masë të dytë kundra familjes time. Më çuan në Elbasan dhe më lanë vetëm 4 orë me time shoqe dhe vajzën. Që aty drejt e në internim në Selenicë. Djemtë më erdhën të nesërmen. Familjen ma internuan në Dushk të Belshit në Prill 1976 dhe në maj më dërguan edhe mua atje. U mblodhëm bashkë në tavolinë pas afro 20 vjetësh.

Janë të rrallë udhëheqësit e Partisë që të kenë folur në emër të Partisë, të kenë popullarizuar Partinë dhe të kenë asgjësuar personalitetin e tyre për të buisur atë të Partisë siç kam bërë unë. Por objektivisht kjo i shërbeu kundërshtarëve të mi politikë në radhët e Partisë.

Duke mos patur asnjë prirje prepotence, asnjë mbrapaqëllim kundra cilitdo dhe duke qenë prej natyre kundra intrigave, unë isha një nga udhëheqsat e domosdoshëm për ata që zhvillonin luftën për pushtet në krye të Partisë. Por kur kjo luftë mori fund unë u gjenda përpara fituesit, objektivisht si mbeturinë anakronike e një periudhe të kapërcyer, në pritje të rastit të volitshëm për t’u flakur jashtë udhëheqjes së Partisë. Dhe ky rast erdhi kur Hrushovi, me deklaratën e tij të bujshme në Beograd, në vizitën e parë, i hoqi petat lakrorit.

Lavdi Zotit – thoshte gjyshi im kur binte fjala për shtetin – i kalova njëqind vjetët dhe nuk e pashë derën e Huqumetit as për mirë e as për keq!

Mua, nipit të tij më takon të them: Lavdi Zotit! Të gjitha regjimet shtetërore më kanë arrestuar për çështje politike

Kush ishte Bedri Spahiu

Ka lindur më 13 korrik 1908, në lagjen “Palorto” të qytetit të Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë, gjendja ekonomike e familjes së tij ishte shumë e rëndë. Babai i tij, Sinani, shkoi në kurbet (në Turqi) me shpresë për t’u mëkëmbur. Gjatë kësaj kohe Bedri Spahiu ishte në shkollën fillore dhe deri më 1923 mbaroi filloren me nota të shkëlqyera. Në pamundësi ekonomike për të vazhduar ato klasa që i mbeteshin si dhe gjimnazin, më 16 maj 1923 u nis për Izmir, ku ndodhej edhe babai, me shpresë për të vazhduar shkollën. Mbaroi shkollën fillore italiane në Stamboll dhe mori dëftesën e lirimit. Periudha e jetës së tij me idetë komuniste, siç e ndan vetë, përbëhet nga tri faza, e para prej të cilave filloi në shtatorin e 1927-ës dhe mbaron në gusht 1931 (në shkollën e artilerisë). Në këtë fazë aktiviteti i tij është propaganda komuniste në shkollë. Faza e dytë fillon në gusht 1931 (në ushtrinë e Zogut) deri në tetor 1941. Kur u formua Shtabi i Përgjithshëm, ai zgjidhet anëtar i këtij Shtabi. Në Berat u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe me këtë funksion ishte deri në 17 qershor 1955. Arrestohet sapo kaloi derën e sallës ku bëhej plenumi i KQ të PPSH-së më 17 qershor 1955 dhe izolohet për pesë ditë në një shtëpi. Kjo erdhi si pasojë e luftës së tij të gjatë kundër politikës së Enver Hoxhës. Mbas 15 ditësh, më 23 qershor 1955 internohet familjarisht në Elbasan. Më 1 qershor 1957, arrestohet dhe izolohet në Kalanë e Kaninës në Vlorë, prej ku transferohet në 4 janar 1958 për Tiranë. U dënua me 25 vjet. Në 6 tetor 1974 lirohet nga burgu dhe internohet drejt e në Selenicë. Lirohet nga internimi më 10 maj 1990, ditën kur u shpërnda Komisioni i Internim – Dëbimeve. Bedri Spahiu ka qenë prokuror në gjyqin special, prokuror në gjyqin e Koçi Xoxes dhe sekretar i Agjitacion-Propagandës, pastaj ministër i Arsimit dhe Kulturës deri në kohën e Plenumit të vitit 1955. Bedri Spahiu vdiq më 11 janar 1998. Bedri Spahiu është i vetmi funksionar i lartë i regjimit komunist që ka pranuar gabimet e veta gjatë kohës kur ishte prokuror si dhe ka kërkuar ndjesë publike për të gjitha krimet e kryera nga regjimi komunist.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *