OPINIONE

Banak

Shkruan: Edison YPI

Sonte në këtë banak me të ftuarit Shtupa, Garuzhdja, Dhia, Dhoga, Tyta, Sqepi, Çiçi, Piçi, Kuçi, Maçi, do diskutojmë për Poezinë “Bari”,

Atje poshtë lëvizi bari
erë s’fryvi, ai ç’pati ?

Si i shihni ju Zonja Shtupa këto dy vargje me erën që fryvi e s’fryvi dhe barin që lëvizi e s’lëvizi ?
-Era endacake është fukarallëku. Bari me rrënjë është zengjinllëku. Autori është një dinak që pyet kot. Era mund të fryjë si t’i teket.
Po ju Zoti Tyta, ç’mund të na thoni ?
-Era që s’fryn është Politika që s’merakoset për popullin. Bari që lëviz edhe kur erë s’fryn, është populli zevzek të cilit s’i zë bytha vend.
E kundërshtoni Zotin Tyta ju Zonja Garuzhdja ?
-Po. Përderisa në këtë Telebanak nuk i përgjigjemi dot pyetjes; Çfar bën era kur nuk fryn ? kjo poezi nuk mund të jetë veçse erotike me protagonistë, “Barin e poshtëm” që lëvizi dhe “erën e epërme” që s’fryvi.
Si ju duken këto që thanë parafolësit juve Zoti Kuçi ?
-Unë Kuçi këtë mendoj ndryshe. Meqënëse Bari lëvizi edhe atëhere kur erë s’fryvi, është e qartë se kemi të bëjmë me një përpjekje të lavdërueshme për të ringjallur shpirtin e ngordhur të iniciativës. Se çfar bën era kur nuk fryn e di gagaçi Maçi që nuk jam i sigurtë nëse do flasi a s’do flasi.
A ua rrënqethën mishin këto vargje juve Zoti Sqepi ?
-Po mendoj për gjenialetin e autorit të këtyre vargjeve.
Zonja Dhoga, a e teproi zoti Sqepi ?
-Era nuk fryn vertikalisht, por vetëm horizontalisht. Këto vargje me thelb paradoksal e kompromentojnë aftësinë vargëzuese të autorit, gjenialetin e tij.
Na thoni diçka ju Zonja Dhi.
-Qasjet e gabuara të parafolësave po e ndotin këtë Banak me nam. Ato vargje bartin mesazhin e madh se respektimi i rregullit shkak-pasojë është iluzor. Rendi i vërtetë i ndodhive në botën tonë nuk është shkak-pasojë por pasojë-shkak. Përderisa era s’fryvi, e megjithatë bari lëvizi, që gjërat të vihen në rrjedhën që ka fal Zoti, bari që lëvizi me forcat e veta është një apel i qartë për erën që s’fryvi që tash e tutje ajo erë të fryjë, pra të bashkëpunojë. Nuk është kurrë shkaku i shkakut që shkakton pasojën, por gjithmonë pasoja e pasojës që shkakton shkakun e shkakut.
-Zoti Tyta, a mund të na thoni se prej kujt e pret përgjigjen ky Poet që pyet ?
-Këto katër vargje që shpërthejnë nga katakombat e subkonshit të Poetit në formën e një rrebeshi simbolesh me erëra dhe barëra që fryjnë e s’fryjnë lëvizin e s’lëvizin duke pretenduar se barin e lëviz vetëm era, dhe era fryn vetëm për të lëvizur barin, është tablo tejet tronditëse. Ato vargje edhe mund të kenë të meta, por jo ato që nënvizuan parafolësit. Ç’janë këto erëra që na shkulkan barëra dhe këta barëra që na shkaktokan furtuna ?! Kjo është pyetja. Këtu të ndalim derisa sytë të na dalin, tamthi të na pëllcasi.
E keni ju fjalën Zonja Garuzhde.
-Mohimi i të drejtës së erës për të bërë çfarë të dojë është dhunë. Era është në të drejtën e saj të mos lëvizi barin që ndodhet aty, por një tjetër bar që ndodhet në një tjetër vend, pse jo edhe në një tjetër kohë. I bëj thirrje Banakut për një qasje më të shëndetëshme ndaj problemit.
Zoti Kuçi, kur duhen lexuar këto vargje, para buke, pas buke, ditën, natën, në muzg, para gjumit, pas gjumit, gjatë fryrjes së erës, gjatë lëvizjes së barit ?
-Poezia nuk është spital që të këshillon si ta ruash veten nga traumat dhe si ta përmirësosh shëndetin. Mua më preokupon pyetja nervoze vargun e katërt; “Ay ç’pati ? Cilin pyet ky Poet, barin që lëvizi, erën që s’fryvi, veten e vet, ne të Banakut, apo lexuesin e mjerë që në kësi rastesh hutohet dhe s’di nga t’ja mbajë ? Po t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje vetëm atëhere mund të themi me plot gojën se më së fundi ja kapëm fillin këtij konspiracioni dhe kemi nisur ta kryejmë si duhet misionin tonë fisnik prej telendarësh telebanakierë mbrëmësorë.
-Cili është sipas jush Zonja Dhoga, vargu më prekës, si të thuash pika kulmore e kësaj poezie, momenti më drithërues i saj, ai moment kur zemra gufon, sytë lagen, qurrat rrjedhin, shpirti plas ?
-Është e gjitha një poezi kulmore, madhështore, uluritëse, dalë nga penda demoniake e Poetit.
Faleminderit për kontributin e paçmuar që dhatë në këtë Banak. Zoti na ruajt deri në Banakun tjetër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *