POLITIKA KOMBËTARE

Si u themelua liceu “Sami Frashëri” në Prishtinë?

Shkruan: Bajram Mjeku

Njësoj si Shqipëria me Liceun e Korçës, Kosova krenohet me liceun “Sami Frashëri” në Prishtinë. U themelua me vendim të ministrit për Arsim, Ernest Koliqi dhe intelektualëve më të shquar kosovarë të kohës.

Ernest Koliqi - Ago AgajKy Lice u themelua në kohën kur Qeveria shqiptare udhëhiqej nga kryeministri dhe firmëtari i pavarësisë së Shqipërisë, Mustafa Merlika Kruja. Do të mbahet mend si kryeministri i parë shqiptar, i cili zyrtarisht vizitoi Kosovën në qershor të vitit 1942. Kryeministri Kruja qëndroi një javë në Kosovë dhe u prit nga mijëra shqiptarë. Vizitoi Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Pejën, Ferizajin, Rahovecin…

Para Prefekturës së Mbretërisë Shqiptare në Gjilan dhe qindra burrave të Anamoravës, kryeministri Kruja tha: “Arsyeja e parë qi m’ka pru në Kosovë asht gëzimi i së sotmes. Asht gëzimi jo i një njeriu, por i një kombi, zemra e të cilit rreh me të njëjtin ritëm si në Gjilan e Gjinokastër, në Guci e Krujë, në Prevezë e Strugë kudo ku flitet shqipja…”.

Më 17 dhjetor të vitit 1941, solemnisht nisi punën liceu “Sami Frashëri”. Drejtor i parë me vendim të ministrit Koliqi u emërua prof. Rexhep Krasniqi, i cili më vonë migroi në Amerikë dhe doktori në shkencat e filozofisë në Vjenë. Ndër profesorët më të njohur në Lice ishin Gjon Serreqi, zëvendësdrejtor i Liceut dhe kryetar i Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare, kartografi shqiptar prof. Ahmet Gashi, ish-drejtor i Normales së Elbasanit, pastaj prof. Ymer Berisha, prof. Vasil Andoni, sekretar Gjeneral i Ballit Kombëtar, prof. Luan Gashi, kryetar i Lidhjes Kosovare, prof. Adem Gllavica e të tjerë.

Ditën kur solemnisht nisi punën Liceu, një fjalën rasti e mbajti nënkryetari i Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare në Tiranë, Ilaz Agushi i cili tha: “Po e hapim këtë shkollë shqipe, të cilën askush më nuk do ta mbyllë!”.

Liceu “Sami Frashëri” sivjet mbushë 75 vjet. Ministria për Arsim dhe Shkencë e Republikës së Kosovës duhet t’i jep status të veçantë, mësimdhënës elitë dhe nxënës me talent të veçantë.

Foto: Kryeministri Kruja duke biseduar me burrat e Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *