POLITIKA KOMBËTARE

SË BASHKU E NDALIM TË KEQEN

PRISHTINË, 14 GUSHT 2016

KONFERENCË PËR MEDIA

e Kryetarit të Ballit Kombëtar Demokrat në Republikën e Kosovës

z. Gazmend Islami

Të nderuara zonja dhe zotërinj gazetarë, më lejoni që në emër të kryesisë së Ballit Kombëtar Demokrat në Republikën e Kosovës t’ju përshëndes përzemërsisht, duke ju uruar mirëseardhje në selinë e subjektit tonë.

Siç ju kemi informuar përmes postimeve në rrjetet sociale, për datën 19 Gusht 2016, Balli Kombëtar Demokrat ka planifikuar të mbajë protestën qytetare kundër Marrëveshjeve të Brukselit. Me këtë rast, dua t’ju njoftoj se, ne si subjekt planifikojmë të mbajmë një protestë thellësisht paqësore, duke e mundësuar përqimin e mesazhit tonë politik për qytetarët tanë, për qeverinë, për deputetët e parlamentit dhe për bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj, ne si subjekt, i kërkojmë të gjithë pjesmarrësve në protestën e 19 Gushtit, që me praninë e tyre sa më masovike, të japin kontributin e tyre personal në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve dhe të Republikës së Kosovës.

Zonja dhe zotërinjë,

mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror është detyrim kombëtar për secilin prej nesh, e veçanërisht për deputetët e parlamentit, të cilët, më datën 1 shtator 2016 janë ftuar të votojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e Republikës së Kosovës me Malin e Zi.

Balli Kombëtar Demokrat e ka deklaruar me kohë qëndrimin refuzues ndaj këtij procesi aspak transparent për qytetarët e vendit. Ne besojmë fuqishëm, se shqiptarët nuk kanë më toka për të falur, objekte të kultit dhe kulturës për t’u uzurpuar, dhe se ata nuk do të pranojnë të jetojnë si skllevër nën sundimin e pushtuesve shekullor.

E ritheksojmë edhe njëherë qëndrimin tonë, se kufinjtë ndarës mes shqiptarëve nuk e kanë asnjë vlerë të vetme. Si të tillë, këta kufinj të vendosur në trupin e maskaruar dhe të dhunuar të kombit tonë, është dashur të korrigjohen me drejtësi, duke i rikthyer dhe garantuar shqiptarëve integritetin e plotë territorial dhe sovranitetin e shtetit të bashkuar kombëtar.

Qytetarët dhe mediat vendore duhet t’a dinë, se busullë orientuese e sjelljes politike dhe diplomatike të Ballit Kombëtar Demokrat mbetet vendimi për bashkim kombëtar i Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (16 – 20 Shtator 1943) dhe miratimi i këtyre vendimeve historike nga Asamblea Kombëtare e mbajtur në fillim të muajit mars të vitit 1944 në Tiranë. Për rrjedhojë, ne e gjykojmë si vepër të tradhtisë më të lartë kombëtare ripushtimin sllav të trojeve shqiptare, i cili u mundësua nga revolucioni komunist, e në shërbim të të cilit u vunë edhe shumë shqipfolës, duke e mundësuar shkatërrimin e institucioneve shtetërore të Shqipërisë etnike dhe duke i hapur rrugë pastrimit etnik dhe gjenocidit sllavokomunist ndaj shqiptarëve.

Zonja dhe zotërinj, duke ju falënderuar për pjesmarrjen tuaj në këtë Konferencë për media, dua t’ju rikujtoj se krimet ndaj njerëzimit dhe krimet e gjenocidit nuk vjetrohen kurrë. Andaj, ne si subjekt ju ftojmë që të mbështesni me të gjitha forcat tuaja mendore përpjekjet e Ballit Kombëtar Demokrat për zbardhjen e të vërtetës historike për Kosovën dhe shqiptarët. Njëkohësisht, ju ftojmë që të njoftoni qytetarët për protestën e datës 19 Gusht, të merrni pjesë së bashku me ne dhe të informoni opinionin publik me rrjedhën e saj.

Ju falemnderit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *