POLITIKA KOMBËTARE

Requiem për Shtëpinë e Pavarësisë

Shkruan: Bajram Mjeku

Rrallë kaloj afër Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë. Në hapësirën e saj dikur vlonin lëvizjet e diplomatëve të huaj, intelektualëve dhe qindra aktivistëve politikë. Sot, vetmia e saj të kallë datën. Përkrahësit e presidentit Rugova e quajnë Shtëpia e Pavarësisë. Kundërshtarët ironizojnë me emrin Barakë. Përtej të dyjave, them se mbi hapësirën e saj ra meteori i pavarësisë së Kosovës.

Me kolegët e Qendrës për Informim të Kosovës punuam gati një dekadë, më saktë deri natën e 24 marsit të vitit ’99, kur nisën sulmet e Aleancës veriatlantike kundër caqeve serbe. Informuam opinionin shqiptar dhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes për gjendjen e rëndë në Kosovë. Shkruajtëm e përpunuam mijëra informata, lajme, kumtesa e raporte… Ushqyem shpresën për lirinë e Kosovës. Kur bëmë bilancin e punës sonë pas luftës, doli se shkruajtëm e përpunuam rreth 290 mijë sosh!

Për një dekadë, përjetuam veç momente të hidhura. Dy nga ato s’do t’i harroj kurrë. Një mëngjes shkurti të vitit ’99, forcat serbe zbrazën një rimorkio rërë rreth tridhjetë metra larg rrethojave të Shtëpisë së Pavarësisë, si mburojë për snajperistët e tyre. Sa herë dilnim në oborrin e saj dëgjonim sharjet: “Nënën e shqiptarit…”. Jo rrallë dëgjonim edhe një shqiptar, i cili sa herë kalonte andej pari thërriste në mënyrë histerike: “Kur pe çlironi Kosovën bre?!”.

Më 2 dhjetor të vitit 2007, u bë inaugurimi solemn i Shtëpisë së Pavarësisë nga zyrtarë të Qeverisë, të cilët gjatë kohës së okupimit nuk shkelën kurrë as oborrin e saj. Ditën kur u inaugurua, as na ftoi kush, as shkuam aty. Ngjarjen e përcolla në TV, bashkë me pyetjet e parreshtura të djalit: “Bab, a ke punua edhe ti këtu?!”. Derisa pritej shiriti solemn, mbeta pa frymë. Në ekran pashë personin tek gajasej si kloun midis zyrtarëve të lartë shtetërorë, atë tipin e klithjeve histerike: “Kur pe çlironi Kosovën bre?!”. E njihnim për bashkëpunëtor të Shërbimit Sekret serb. Këtë punë besoj me zell e bën edhe sot.

Shtëpinë e Pavarësisë e kam vizitua veç një herë, pak ditë pas inaugurimit solemn nëntë vjet më parë. Rekuizitat dhe enterieri i saj nuk gjasonin me ato që ishin dikur. As Zyra e presidentit Rugova në të djathtë, as Zyra e Byroteknikës në të majtë, as salla e konferencave përballë. Më shumë se për të dëshmuar përkushtimin tonë, kishin punuar për t’i zhdukur gjurmët. U ndjeva i huaj, sikur s’kam qenë kurrë brenda saj.

Dje, më ra udha të kaloj afër saj. Sërish m’u përfytyrua snajperisti serb dhe klithësi histerik. Ky i fundit, ka pozitë të fuqishme dhe gëzon kullosë të madhe në Qeverinë e Kosovës. Ne që punuam për pavarësinë e vendit, u përbuzëm dhe u degraduam rëndë dhe disa herë, pikërisht nga ata që i afirmuam një dekadë. Vetëm ata që punuan kundër Kosovës gëzuan respekt dhe mbetën të paprekshëm!
Populli që harron fatkeqësitë, edhe i përsëriten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *