HISTORIA

KUSH E NDILLTE SHQIPËRINË ETNIKE NGA BURGU I NISHIT NË VITIN 1954?

Shkruan: Bajram Mjeku

Sefë Bajraktari nga Suhareka, është njëri nga simbolet e e fundit të rezistencës shqiptare në Kosovë dhe anëtar themeltar i Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare, shef i së cilës ishte Gjon Serreqi, ndërsa ideator i themelimit të saj ishte profesor Selman Riza.

Sefa dhe vëllezërit e tij Zekë e Jashar Bajraktari, menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore vazhduan aktivitetin e tyre politik si anëtarë të Grupit të Lidhjes së Prizrenit (GLP) i udhëhequr nga Halim Spahiu, i cili ishte vazhdimësi e Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare.

Vëllezërit Bajraktari në fillim të viteve pesëdhjetë u arrestuan nga regjimi jugosllav dhe mbajtën mbi 20 vjet burg të rëndë. Gjatë qëndrimit në Burgun famëkeq të Nishit dhe i pathyer asnjëherë, Sefë Bajraktari nga çelitë e këtij burgu ndillte Shqipërinë Etnike. Programi politik i Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare, veç bashkimit të trojeve shqiptare i kushtonte kujdes të veçantë një Shqipërie të bashkuar me vlera demokratike evropiane.

Në Burgun e Nishit në vitin 1954, Sefë Bajraktari shkruajti një këngë, të cilën ia dedikoi Shqipërisë Etnike. Kjo këngë për Sefën dhe bashkëpunëtorët e tij, u bë lajtmotiv deri në lirinë e Kosovës.

Para pak ditësh derisa udhëtonim për Prizren, djali i vogël i Sefës, Naim Bajraktari më befasoi me një regjistrim të zërit të babait të tij të ruajtur me shumë kujdes. Zëri i Sefë Bajraktarit i regjistruar në vitet shtatëdhjetë vinte si kumt përzier me ndjesinë e testamentit, pasi për idealet e Shqipërisë Etnike kishin sakrifikuar shumë bashkëpatriotë dhe tre breza të familjes së tij. Nga kënga më e gjatë e Sefë Bajraktarit, përzgjodha njërën nga strofat e saj:

Vatanin dojmë me shpëtue
Me Shqypninë dojmë me u bashkue
Ushtri Kombëtare dojmë me formue
Kufijtë etnikë dojmë me i bashkue
Me flamur kuq e zi dojmë me jetue…

Pas përfundimit të dënimit në Burgun e Nishit, Sefë Bajraktari dhe vëllezërit e tij u ndodhën në një tjetër burg. Familja Bajraktari u leqit dhe vazhdoi të ndiqet nga regjimi, por edhe shumë qytetarë nuk guxuan të mbanin lidhje me këtë familje nga frika se anatemoheshin edhe ata. Familja Bajraktari për gjysmë shekulli sa u ndoq dhe u dënua nga regjimi komunist, asnjëherë nuk mbajti mëri ndaj askujt. Sipas tyre frika është njerëzore.

Por fati i keq, kur të ndjek të ndjek… Sefë Bajraktari në moshë të shtyer kishte veç një ëndërr. Ëndrra e tij ishte sulmi i Aleancës veriatlantike kundër caqeve serbe. Këtë ngjarje të madhe pati fatin të përjetonte natën e 24 marsit të vitit ’99, por dy ditë më vonë, më saktë me 26 mars të këtij viti, forcat e policisë serbe e sulmuan në oborrin e tij dhe vranë Sefë Bajraktarin, si dhe plagosën rëndë djalin e tij të madh Isufin, i cili jeton dhe është invalid.

Nga vëllezërit e Sefë Bajraktarit ende jeton vëllai i tij Jashari, i cili tash disa vjet lëngon nga një sëmundje e rëndë. Ai vazhdon betejën me vdekjen si vet familja e tij.

Foto: Nga e majta në të djathtë vëllezërit Zekë e Sefë Bajraktari

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *